Prof.Agron F. Fico, një qiri i ndezur për bashkimin e shqiptarëve

586
Sigal

Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Ndodh shumë rrallë sidomos në pluralizëm, kur bindjet politike edhe pse janë të ndara, bashkohen në një të vetme. Dhe kjo ndodhi pikërisht dy ditë më parë, kur ndarja nga jeta e një njeriu bashkoi kaq shumë njerëz, nëpërmjet ngushëllimeve direkte me familjarët, por edhe të mesazheve telefonike dhe rrjeteve sociale, për shkak të distancimit social nga COVID-19. Dhe ky njeri i mirë, i urtë dhe plot vlera intelektuale e qytetare që bëri të harrohen qëndrimet ishte pikërisht, Prof.Dr. Agron F. Fico, i cili u nda nga jeta, por jo nga kujtesa shoqërore dhe memorja kombëtare. Rrallë ndodh që secili prej nesh të harrojë përkatësinë partiake dhe të mbulojë lotët me duar që të mos i duket skuqja e syve. Dhe kjo ndodhi po dje, kur Prof.Agron F. Ficos, albanolog, gjuhëtar, studiues i etnokulturës, specialist i shqipes për të huaj, autor botimesh të shumta, figurë e njohur publike në Shqipëri, në Diasporën në Amerikë e më gjerë, ju dha lamtumira e fundit. Në historikun e pluralizmit shqiptar, jeta e politikanëve, të zgjedhurve qëndrorë dhe lokalë, studiuesëve, profesorëve, intelektualëve, krijuesëve, gazetarëve etj., ka dëshmuar se ata kanë punuar shumë për t’i bindur qytetarët, por edhe militantët e partive të ndryshme, duke i ndarë në kampe të Majtë apo të Djathtë. Ndërsa ndarja nga jeta e Prof. Ficos dëshmoi se ai ka punuar kurdoherë për t’i bashkuar shqiptarët, duke shërbyer si çengel shprese për aspiratat dhe ëndrrat e tyre, nëpërmjet penës dhe paanësisë së tij. Më punën e tij të përditshme rezultative dhe të pandërprerë, numërohen suksese reale, si gjatë kohës kur ishte pedagog, por edhe kur ishte diplomat, apo në pension, pavarësisht periudhave kur në pushtet ishte e majta apo e djathta. Personalisht, por edhe si Drejtues i Gazetës “Telegraf” gjatë periudhave të ndryshme kam bashkëpunuar me këtë reformator të gjuhës, artit, kulturës, historisë dhe publicistikës dhe se këshillat e tij politike, sociale, ekonomike, kulturore, apo ato të aktualitetit në tërësi, kanë qenë me shumë vlera. Por asnjëherë nuk e kishim menduar se do të vinte një ditë që të derdhnim kaq shumë lot për të, sepse ishim mësuar që Prof. Agron F. Fico bënte pjesë tek njerëzit që na shtonte gjithmonë optimizmin. Para 1 viti ai ka kaluar një gjendje të rëndë shëndetësore dhe se nuk mund ta shqis nga kujtesa telefonatën nga spitali, kur më thotë në mbrëmje se “jam pa qejf por malli për gazetën dhe shkrimet më bën optimist për ta kaluar edhe këtë situatë”. Duke qenë se rridhte nga familje me një figurë politike të njohur në këto 100 -vitet e fundit ai, e kuptoi qartazi se sa e tmerrshme ishte gijotina e politikës. Prandaj, ai me mençuri, trimëri dhe fisnikëri u bë një reformator i zhvillimeve në vend, si edhe një qiri drite për t’u treguar zyrtarëve rrugën e vërtetë për tek zemrat e njerëzve të thjeshtë. Ndaj edhe bashkëbisedimet me Prof. Ficon ishin të veçanta. Në përgjithësi, një pjesë e të ashtëquajturve elita duan vetëm të flasin edhe pse brenda mendimeve dhe ideve të tyre nuk ke se çfarë përvetëson, apo t’i shfrytëzosh për jetën e përditëshme. Ato i ngjajnë atyre flluckave të sapunit që sapo shkëputen nga dora pëllcasin. Ndërsa Prof. Fico, ishte krejt ndryshe. Ai ishte në kuptimin më të drejtëpërdrejtë të fjalës një mësues i urtë, plotë dije dhe që rrezatonte kulturë të jashtëzakonshme. Me të diskutoje lirshëm, pasi ai largonte me shumë mjeshtëri diferencat e Profesorit me nxënësin, të bënte partner pavarsisht moshës, bindjeve dhe ideve. Merrte mendime dhe të kthente përgjigje nëpërmjet analizave të thjeshta duke e bërë të besueshëm realitetin. Kishte një qetësi të rrallë, madje olimpike. Pa liri, pa dije, pa art, pa kulturë dhe mbi të gjitha pa kujtesë më thoshte para pak kohësh, nuk ka Komb, nuk ka identitet kombëtar. Nëse shuajmë dritën e historisë dhe kujtesës kombëtare, shpejt apo vonë kemi shuar edhe arsyen. Njohja e botës nuk mund matet thjesht nga komunikimi i rrjetit të modernizuar social, por nga idetë që ofrohen dhe nga respekti për t’i vënë në shërbim të interesave kombëtare, kujtesës institucionale, mirarsimimit të brezit të ri, respektit ndaj qytetarëve, Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, mirënjohjes ndaj miqve, aleatëve tradicionalë të Kombit shqiptar, ku SHBA, ishte padyshim e para për të. Pikërisht këto cilësi i gjeje të spikatura tek profesori ynë i paharuar Agron F. Fico. “Kush vjen na lumturon, kush ikën na gëzon”, kjo ishte një nga citatet që më thoshte gjithmonë kur vinte pasditeve në redaksi. Ju keni punë, ndaj unë po sjell materialin dhe kafenë do e pimë një ditë tjetër, kurse rakinë do e pimë kur të shkojmë me pushime në Pogradec. Dhe kjo ndodhi dhe pardje pasdite, kur Prof. Agron F.Fico erdhi pasdite duke sjellë dy materiale studimore, ku njëra i përkiste mirnjohjes për SHBA, të cilën po e botojmë sot, dhe tjetra për Luftën e lavdishme të Vlorës 1920, dhe që do e sjellim për lexuesit në ditët në vijim. Vetëm 2 orë pasi u largua nga redaksia duke lënë si “amanet” miqësinë me SHBA-në dhe dashurinë për Kombin, Profesori ynë i mirë dhe zemërbardhë u nda nga jeta. Personalisht, por edhe në emër të administratorit të gazetes “Telegraf”, Agim Çiraku, ju premtojmë Profesor Fico, se faqet e “Telegraf” do të mbeten përherë të hapura për vlerësimin, modelin e punës dhe për nderimin e rrugës tënde!
Ah, se harrova për pak, Profesor Fico… “Rakinë e Skraparit” e kam ruajtur, sepse unë besoj se ti nuk ke ikur kurrë…!