Prof. Ago Nezha: Universiteti Bujqësor i Tiranës dritare e diturisë, që ka nxjerrë personalitete

522
Sigal

Ideatorët e teorisë zero, atë kontribut dhe krijimtari të disa brezave e kthyen në shkretëtirë

Titull-Universiteti Bujqësor dritare e diturisë, kulturës dhe shkencës që ka nxjerrë personalitet 

Mehmet Shehu në Dukat në vitin 1964: “Para se të duam art, duam bukë”

Prof. Dr. Ago Nezha “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”

Studentët që fitonin të drejtën e studimit për në Institutin e Lartë Bujqësor, (sot Universiteti Bujqësor), për kohën, ndiheshin të privuarit e shoqërisë, ku shtresat e privilegjuara, nuk preferonin të studjonin në fakultetet e bujqësisë, pasi ishte një sektor i vështirë, që kërkonte shumë sakrifica e mundim, në veprimtarinë e tyre profesionale. Megjithëse bëhej një propagandë e madhe partiake e shtetërore, se bujqësia është sektori më i rëndësishëm dhe më i “nderuar” i ekonomisë, asnjë fëmijë i nomeklaturës së lartë nuk studjonte në degët e bujqësisë. Kryesisht atje vinin nxënës nga zonat rurale dhe të rinj qytetarë, që nuk kishin përkrahje politike.

Instituti Bujqësor kishte disa fakultete, që dhe këta diferencoheshin, pasi kishte degë që ishin më të preferuara. Fakulteti që pëlqehej më shumë ishte Fakulteti i Pyjeve, ku brenda tij studionin për Inxhinier Pyjesh dhe për Mobilieri. Pas Fakultetit të Pyjeve preferohej Fakulteti i Zoo-Veterinarisë, ku diplomoheshin për zooteknikë dhe veterinerë dhe e fundit vinte Agronomia ku dilnin agronomë të përgjithshëm, agronomë për frutikulturë, perime, mbrojtje bimësh si dhe ekonomistë agrar. Instituti Bujqësor përgatiste kuadro për të gjitha degët e bujqësisë. Por ajo që do thoja nga përvoja ime, që kam mbaruar pesëvjeçarin e agronomisë në vitin 1971, dhe më pas me korrespondencë Filozofinë dhe Fakultetin e Ekonomisë Agrare, (ku dhe kam doktoruar dhe kam marrë gradat dhe titullin profesor), për nga hapësira e informacionit, niveli i dijes dhe kulturës shkencore, dy të fundit s’kanë të krahasuar me Fakultetin e Agronomisë. Aty studjoje një mori disiplinash, duke filluar nga shkencat konkrete: si matematikë, fizikë, meterologji, kimi, (inorganike dhe organike), biologji, mikrobiologji, gjenetikë, anatomi kafshësh, botanikë, fiziologji bimësh dhe kafshësh, mbrojtje bimësh, pa folur për shumë lëndë të profesionit si fitotekni, pemëtari, perimikulturë, entomologji, fitopatologji, vreshtari, …etj, që duhet një listë e gjatë t’i rreshtosh. Ky mozaik lëndësh ishte një mbi ngarkesë për studentët, që në fakt krijonte një formim të gjithanshëm, por që kërkonte një stërmundim të studjoje jo vetëm ditën, por dhe natën. Në këtë kuadër, në kohën tonë pati një diskutim të gjerë student-pedagog, që të thjeshtoheshin disa lëndë që mbingarkonin studentët dhe bënin që të skartoheshin gati gjysma në vitin e parë dhe të dytë. Ndryshe nga universitetet e sotme, ku hyjnë 100 dhe dalin “120” të diplomuar.

Ishte një realitet i kohës, që kishte kërkesa dhe egzigjenca që e tejkalonin investimin e studentëve me një intelegjencë mesatare dhe kërkonte një punë të stërmundimshme, që të mbaroje suksesshëm universitetin deri në vitin e pestë. Por në kushtet e një pune intensive, ku fitoje dije në shumë fusha të jetës, nga Universiteti Bujqësor kanë dalë shumë shkencëtarë të shquar, kuadro që kanë drejtuar sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por edhe gazetarë të suksesshëm, poetë e shkrimtarë të dëgjuar si Teodor Laço, Vito Koçi, etj. Pjesa më e madhe e drejtuesve të partisë dhe të pushtetit në rrethe, si kryetar komitetesh, drejtues ndërmarrjesh dhe institucionesh, deri edhe ministra, ishin nga sektori i bujqësisë.

Ishte meritë e asaj shkolle dhe profesorëve të talentuar, që nxorën brezni të shumtë kuadrosh, që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme të jetës. Nuk është rastësi, që diploma e Universitetit Bujqësor ishte e konvertueshme dhe njihej në gjithë universitet e botës. Kjo dukuri ishte rezultat i programeve dhe strukturës së lëndëve që kishte ngritur Instituti Bujqësor, duke grumbulluar përvojën më të mirë të shkollave të vëndeve perëndimore e lindore, nga ku kishin studiuar stafi pedagogjik, që mbartnin një nivel të lartë shkencor dhe kulturor të admirueshëm, për t’i pasur zili, duke filluar nga Rektori Mentor Përmeti, e deri te pedagogu i fundit, që po të nis t’i rradhis, pa tjetër do gaboj, se ishin më i mirë njëri se tjetri. Brezi i studentëve të asaj kohe, profesorët që na kanë mësuar dhe na nxorën në jetë të armatosur me dije për të përballuar çfarëdolloj sfide në drejtim, i kujtojmë me shumë respekt dhe u jemi mirënjohës përgjithçka bën për neve dhe për të mirën e vendit, në trasformimin, intensifikimin dhe modernizimin e bujqësisë, që sot ka perënduar e është shkatërruar nga hordhitë barbare të “demokratëve”. Ishte brezi i atyre specialistëve që arritën rendimente konkurruese në shkallë europiane dhe lanë pas shumë vende ballkanike, duke e transformuar bujqësinë nga një bujqësi feudale, në një bujqësi bashkëkohore. U sistemuan, u bonifikuan, u çkënetëzuan, u taracuan e u mobiluan, mijëra hektarë tokë në gjithë Shqipërinë, duke u mbjellë me drithëra, perime në fushë dhe në serra, plantacione me frutikulturë, vreshta, agrume e ullinj, ku gjithë vendi u kthye në një peisazh të gjelbër.

Por ideatorët “demokratë” të teorisë zero, atë kontribut dhe krijimtari të disa brezave që punuan si skllevër për 50 vjet, me një të rënë të lapsit e shkatërruan dhe e kthyen vendin në shkretëtirë, që e përjetojmë dhimbshëm si komb, deri në ditët e sotme. Antishqiptarët, të konvertuar në “demokratë”, bujqësinë e shkatërruan dhe specialistët, e shkencëtarët e bujqësisë i dëbuan, i lanë rrugëve pa punë, duke shpërfillur dijet dhe eksperiencën e tyre të vyer. Në librin tim “Shtëpia në amfiteatrin e pemëve”, me intervista, portrete, tregime, skica dhe reportazhe për njerëzit e bujqësisë, kam këtë dedikim për këtë shtresë të denigruar nga politikat e mbrapshta të pseudodemokratëve:

“Librin “Shtëpia në amfiteatrin e pemëve”, jua kushtoj njerëzve të bujqësisë, të “persekutuarve të profesionit”, që rininë e tyre e mbollën ugareve, mes ngricave e shiut të dimrit dhe vapës së verës dhe pleqërinë e korrën rrugëve të papunësisë e varfërisë së tejskajshme”. Këtë mbrapshti që lindi në Shqipëri, se ka përjetuar asnjë vend në lindje, nën demokraci.

Në një takim publik intelektualësh të fushave të ndryshme, kam pasur një pyetje kurreshtare se si shpjegohet që nga Universiteti Bujqësor, kanë dalë shumë kuadro të talentuar, por edhe shumë gazetarë të zëshëm. Përgjigjia ime ishte kjo: “Së pari, në Universitin Bujqësor kanë vajtur shumë djem dhe vajza të talentuar, pa dëshirën e tyre, pasi nuk u është dhënë e drejta e studimit në degët që kishin prirje apo talent.

Së dyti, marrëdhënia me natyrën e bukur të fshatit, duke qenë në kontakt çdo ditë me gjelbërimin e fushave, aromën e frutave dhe agrumeve, me fërshfërimin e gjetheve të pyllit, gurgullimin e ujrave dhe këngën melodioze të zogjve, është ngacmuar talenti në fjetoren e vet dhe është zgjuar e ka shpërthyer duke shkruar poezi, tregime, romane e reportazhe jetësore, për punën, për njerëzit dhe fshatin.

Është e vetmja shkencë agronomia, që të krijon marrëdhënie njëkohësisht me trefrymorë: “me bimët, me kafshët dhe me njerëzit”.

Këta dy faktor mendoj se e përligjin faktin që nga Universiteti Bujqësor kanë dalë shumë talente në fushën e artit, letërsisë dhe kulturës.

Në monizëm nuk studjoje me zgjedhje si sot, sipas kërkesave, talentit apo prirjeve, por atje ku të caktonin strukturat shtetërore, jashtë dëshirave dhe prirjeve individuale. Kjo ka bërë që disa nxënës të talentuar me prirje artistike të çoheshin për të studjuar në Universitetitn Bujqësor. Por talenti sado që të flerë, një ditë zgjohet dhe shpërthen si sythat e pemëve në pranverë, pavarësisht kushteve të “klimës” shoqërore.

Një ndër ata që më është ndërprerë ëndrra e artit jam edhe unë, që duke qenë agronom në Kocul të Vlorës, konkurova për aktor në vitin 1964, ku fitova në grupin e Timo Fllokos, Birçe Haskos, Mevlan Shanajs, etj. Në ato vite kishte varfëri të madhe për kuadro bujqësore. Për koincidencë të keqe, vjen në Vlorë për vizitë Kryeministri i vendit Mehmet Shehu, dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv Myzafer Trebeshina, i thotë Kryeministrit: ‘se një agronom i mirë ka fituar konkursin për aktor dhe do na largohet nga kooperativa’. Ai ju përgjegj prerazi: “Para se të duam art, duam bukë”. Kaq mjaftoi, që të bëhej vendim komiteti dhe të më hiqeshin dokumentat nga Instituti i Lartë i Arteve dhe të dërgohen më vonë në Institutin e Lartë Bujqësor. Duke pasur këtë cilësi, u thirra nga Sekretari Partisë Institutit, profesor Myfit Balani, një pedagog i nderuar për të ngritur estradën e Institutit, se ua kërkonte komiteti partisë, në kuadrin e lëvizjes kulturore. Nuk pranova, i dezilizionuar, pasi kisha alergji të futesha dhe në teatër nga zhgënjimi që pësova. Por, këtë kërkesë të refuzuar ma bëri dhe rektori i Institutit Bujqësor profesor Mentor Përmeti, që kisha shumë respekt për erudicionin e tij dhe u detyrova të krijoj grupin e estradës dhe të shkruaj tekstet me tematikë nga jeta studentore. Grupi i estradës, arriti të japë disa shfaqje të suksesshme në qytetet: Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë, me tematikën e titulluar: “E bukura në profesion”, ku propagandonim bukuritë e profesionit të agronomit për të tërhequr kontigjente për studime në Institutin Bujqësor, që pak preferohej. Për gjallërimin e jetës artistike pranë grupit të estradës kishim pedagogun e talentuar Xhelo Murraj, që kishte mbaruar në Shën Petërburg dhe kishte prirje të veçanta për artin. Fatin tim, si shumë të tjerë e kishte pasur dhe muzikanti i talentuar Aleksandër Lalo, që në gjimnaz, ishte fizarmonicist i Cirkut të Tiranës dhe e kishin sjellë për studime në Institutin Bujqësor, që me talentin e tij e gjallëroi estradën duke tërhequr këngëtarë si Luan Muhameti, apo aktorin Petraq Kalemi, që kur dolën në prodhim, arritën të ngjisin shkallët e karrierës deri në Kryetar Komiteti, në rrethe të ndryshme të vendit. Aleksandri, mbasi mbaroi vitin e parë, e rregulloi me ndërhyrje, që të largohet për në Institut të Arteve. I solla këto shembuj për të ilustruar idenë, që shumë djem dhe vajza të talentuar kishin ardhur në Institutin Bujqësor pa dëshirën e tyre, por që kur mbaruan studimet, e gjetën rrugën e jetës, duke kontribuar veç bujqësisë edhe në sektorë të artit, letërsisë dhe gazetarisë. Mjafton të sjell shëmbullin e valltarit të talentuar Taip Madani, fitues i disa çmimeve që kërcente vallen çame të Osmën Takës, ishte bashkëstudent i kursit tonë. Raste të tilla ka shumë. Edhe autori i tre librave kushtuar Universitetit Bujqësor, Spase Thanasi, ka mbaruar në atë universitet në vitin 1986 në Fakultetin e Ekonomi Agrare.

Ajo që mbetet si monument i pashlyeshëm në kujtesën e brezave, është se nga Universiteti Bujqësor kanë dalë njerëz të shquar në shumë fusha të jetës, falë potencialeve intelektuale që ka trashëguar ky institucion arsimor dhe shkencor, unikal në fushën e bujqësisë.