Presidenti Meta i uron 100-vjetorin e lindjes, Gjeneral Rrahman Parllakut

678
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i uroi dje ditëlindjen e 100-të “Heroit të Popullit”, veteranit të LANÇ dhe të përndjekurit politik gjatë diktaturës komuniste, Gjeneral Rrahman Parllakut, nëpërmjet një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Sallën “Skënderbeu” të Presidencës. Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, Presidenti Meta u shpreh: “Për mua si President i Republikës, është një rast fatlum dhe unik, krejt i veçantë dhe emocionues padyshim, që në selinë e Presidentit të Republikës të organizoj sot kremtimin e një Jubileu të artë, të 100-vjetorit të lindjes së Heroit të gjallë, Rrahman Parllaku.

Festojmë 100-vjetorin e partizanit fitimtar, të komandantit dhe gjeneralit, por edhe të mbijetuarit të një brezi sakrificash e privacionesh të jashtëzakonshme, që na vjen sot si dëshmitar me një shekull jetë, si monument i thënies lapidar: “Rrno për me tregue!” Sot, ju Gjeneral Parllaku mbushni plot një shekull, një jetë e lavdishme në tri epoka; partizan dhe komandant legjendar antifashist; qëndrestar i burgjeve komuniste, si dhe një veteran me ‘arsye dhe zë të kthjellët’ në mbështetje të demokratizimit të vendit pas viteve 1990. I ngjizur në urtinë e odave lumjane dhe i burrëruar në Labëri, përgjatë 100 viteve mbeteni “dëshmitar i gjallë” për të gjitha ngjarjet e një shekulli. Rrallë gjen shembuj të personalitetit ku të jenë jetësuar në mënyrë kaq mjeshtërore vetitë e karakterit të një patrioti, të një ushtaraku të mençur, fisnik, të ndershëm dhe patriot. Të nderuar veteranë! Miku ynë, Rrahman Parllaku, është i veçantë jo vetëm për moshën 100-vjeçare, por sepse si shumë rrallë tjetër në udhëtimin e tij shekullor i ka jetuar të gjitha: mjerimin, varfërinë, luftën, paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm të regjimit totalitar. Rrugëtimin 100-vjeçar, Gjeneral Parllaku e ka përshkruar përmes fjalës e veprës së tij, duke mbetur një monument e pasuri kombëtare e pa eksploruar plotësisht.

Të dashur veteranë! Dua ta përsëris, se duke festuar 100-vjetorin e Parllaku

t, ne nderojmë me respekt të gjithë brezin tuaj të lavdishëm, që bëri Luftën Antifashiste dhe shkroi një histori po aq të lavdishme për kombin. Pas pak javësh, Evropa do të festojë 9 Majin, Ditën e Fitores mbi fashizmin dhe ne jemi krenarë për kontributin e dhënë për këtë ngjarje të madhe. Po këtë vit ne do festojmë 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut. Prandaj të gjithë ne, e kemi detyrim të nderojmë Luftën e drejtë, sakrificat sublime dhe kontributet më shumë se modeste të popullit tonë gjatë Luftës II Botërore.

I dashur Rrahman! Sot ju mbushni plot 100 vjeç. Jeta dhe vepra juaj flet më fort se mijëra fjalë. Gëzuar e jetofsh shekullin e dytë të jetës, me shëndet të plotë e me sa më shumë gëzime!”, – u shpreh Presidenti Meta gjatë fjalës së rastit. Ndërsa Gjeneral Parllaku, u shpreh: “Ju faleminderit zoti President për organizimin e kësaj ceremonie të veçantë. Jetëgjatësia është sa privilegj, po aq edhe fatkeqësi, por unë jam krenar që gjatë këtyre 100 viteve kam punuar me përkushtim e devotshmëri për atdheun tim. Dy ngjarjet që për mua do të mbeten më të veçanta gjatë jetës sime, janë padyshim: Çlirimi i Shqipërisë dhe Pavarësia e Kosovës. Jam krenar që kam dhënë edhe unë kontributin tim për këto dy ngjarje të mëdha të kombit shqiptar”, – u shpreh ndër të tjera Gjeneral Parllaku.