Portreti i super-radistit Tahir Prençi, që bashkëpunoi me CIA-n

584
Sigal

 

Rrëfen Mexhit Prençi

Urrejtja për fashizmin dhe bashkimi me nacionalistët kundër pushtuesve Italian. Arratisja në 1945 dhe si u tradhëtua nga Kim Filbi. Thirrja për Komitetin “Shqipëria e Lirë”: Vëllezër! Ejani të luftojmë kundër pushtimit komunist, nesër do jetë vonë. Enigma e zhdukjes së varrit, familja që la në Shqipëri, Burgosja e djalit të tij në Spaç dhe takimi pas viteve 1990 me ish-presidentin e SHBA-ve, Xhorxh Bush

 

PORTRET I SUPER-RADISTIT TAHIR PRENÇI, BASHKËPUNUES ME CIA-N DHE KOMITETIN KOMBËTAR “SHQIPËRIA E LIRË”

“Vëllezër! Ejani të luftojmë kundër pushtimit komunist, nesër do të jetë vonë”

Mexhit Prençi

 

Tahiri lindi më 1921 në Bardhaj-Reçin e pjerrët të Dibrës me këmbët në Drinin e Zi & kryet e katundit që ngjitet lart në Malin e Mëllezës, që duket sikur shpon qiellin…

Ishte fëmija i tretë i Sulejmanit, që njihej për trimëri & besnikëri në këto anë. Ashtu si i ati, Tatahiri i binte çiftelisë dhe këndonte këngë trimërie, kërcente në vallet me shpata; fyellit i binte kur kulloste bagëtinë në fusha e male. Nëpër brimat e tij jehonin këngët për historitë e bëmat e luftëtarëve Maleve të Dibrës në luftrat e përgjakura kundër shkjaut, të udhëhequra nga Prijsi legjendar Elez Isufi.

Super-radisti Tahir Prençi sfidoi trysninë e Sigurimit të Shtetit, për ta detyruar të bënte lojë të dyfishtë që të vihej në shërbim të komunistëve, për të shtënë në grackë shokët e tij nacionalistë & për ta poshtëruar e zhveshur nga morali i lartë i atdhetarit dhe luftëtarit të lirisë, që ishte bashkëpunues me CIAN dhe Komitetin e Kombëtar “Shqipëria e Lirë .

Gjer më 1939

Gjer më 1939, kur Shqipërinë e pushtoi Italia fashiste, Tahiri punonte në bujqësi. Ishte i zoti i punës. S’ia hante qeni shkopin thoshin për te. Trupmadh si i ati. i bëshëm, i fortë: në lojra me moshatarët, një nga një i hithte përtokë… Ishte njeri i guximshëm, i durueshëm dhe mentar, dinte të zgjidhte shokë e miq, me virtyte dhe besnikë…

Pas ditës së Zezë të 7 Prillit kur fashistët pushtues rekrutonin të rinjtë për t’i shkolluar e vënë në shërbim të tyre, që në kontigjentin e parë pikasën edhe Tahirin. Oficeri italian sapo e pa, foli në gjuhën e tij, pastaj tundi kokën… Përkthyesi e shqipëroi: “Do shkosh në Itali të bësh shkollë për officer”. Kështu malësori i Reçit u nis për studime ushtarake trevjeçare për në Romë. Atje u specializua për radio-ndërlidhje. Ishte ndër studentët më të shkëlqyer, unik, në alfabetin mors. mjeshtër si mundës. Me vullnet dhe guxim të paparë.

 

Kur mbaron shkollën kthehet në Shqipëri si oficer….

Për pak kohë shërben në Maqedoni… Fashizmin e urrente. Lidhet me nacionalistët për të luftuar kundër pushtuesve italianë. Fillimisht me Ramadan Kaloshin…Pastaj radhitet në brigadat partizane duke menduar se ato luftonin për liri e për atdhe. U tmerrua kur pa sesi eleminoheshin djemtë e rinj të familjeve të ballistëve, zogistëve dhe të klasave të pasura. Komandantët partizanë bënin ligjin. Shkonte pika e djalit për dhjam qeni. Para syve të tij ishte pushkatuar 15 vjeçari Salë Bodi. U arrestuan heronjtë e luftës Hasan e Halit Prifti….Shpirti i Tahirit u lëndua. Brenda tij u rebeluan ndjenjat e drejtësisë, idealit të lirisë dhe demokracisë…. ….

Në këto rrethana dramatike & tragjike, Tahiri takoi dhe kuvendoi me burrat e mendjes dhe të pushkës, Hasan Spata dhe Ymer Doda, (dy burra të nderuar dhe mentar të Çidhnës dhe Reçit… Në një moment ai u drejtohet atyre: “Vëllezër, kjo nuk është Shqipëria e Lirë. Ejani, të largohemi e të organizohemi të luftojmë për çlirimin e saj nga pushtimi komunist.… Nesër do të jetë vonë!…”.

 

Më 1945 arratiset me një grup zogistësh për në Greqi.

Prej andej në Gjermani. Në Mynih. U njoh me gjeneral Abaz Kupin, kolonel Xhemal Laçin etj. Xhemali ka dëshmuar se Tahiri shërbeu në Gjermaninë Perëndimorë gjer më 1950,. Ai thotë se ishte i zgjuar, profesionist i klasit të parë si radist. Aftësia e tij vlerësohej e jashtëzakonshme. “Maturia e gjakftohtësia si virtyte të dibranit, bënin që mos t’i fliste kurrë goja para mendjes. Emri i tij si super-radist do hynte në faqet e shtypit në vitet e Luftës së Ftohtë. Në zyrat sekrete kundërshtarët do ta thërrisnin “Tigri dibran”.

Tashmë Tahiri ishte më i pjekur dhe i përgaditur për t’u hedhur në luftë kundër terroristëve të Sigurimit të Shtetit. Me thirrjen që i bëri Abaz Kupi më 1950, bëhet më aktiv, punon më shumë, merr zemër e guxim më të madh, për të nisur betejën për mobilizimin e popullit në luftën më të vështirë për çlirim nga pushtimi komunist.

Më 1952 vjen në Shqipëri bashkë me një grup nacionalistësh antikomunistë. Vendosen në zonën e Bulqizës. Ishte bashkë me Zenel Shehun si kryetar…Në këtë zonë vepronin, të mobilizonin nacionalistët e bashkë me ta të kryenin misionin e tyre, sipas detyrave te caktuara. Tahiri jepte informacione si supër-radist. Askush nuk mund ta imitonte…. Megjithatë ëndrra të këqija e të frikshme i shfaqeshin në gjumë Në një bisedë me Zenelin, në shtëpinë ku ishin strehuar një natë i tregon se i faniteshin skena të tmerrshme të kurdisura nga dora e tradhëtisë. Ai i besonte ato, se besonte te Zoti….

Ëndra u bë zhgjëndër. Me sinjalet e KGB, – Sigurimi famëkeq i Shtetit të tiranit Enver Hoxha, kishte ngritur kurthe për t’i kapur nacionalistët, që vepronin në këtë zonë….

Koloneli anglez Kim Filbi i kishte tradhëtuar. Ishte lidhur edhe me Moskën. Bënte lojë të dyfishtë… I vënë në shërbim të zbulimit sovjetik jepte informacione për të gjitha vendet e Lindjes për të neutralizuar, kapur dhe asgjësuar, nacionalistët që përpiqeshin, në forma të ndryshme të organizoheshin në luftë kundër komunizmit dhe pushtetit të tyre.

Nga libri “ Fronti i heshtur” shkëpusim: “Sipas planit Kim Filbi ky kolonel anglez në shërbim të sovjetikëve, u dha atyre me saktësi vendndodhjen e nacionalistëve shqiptarë, të cilët filluan të binin një nga një në grackat e Sigurimit të Shtetit”. Në duart e zeza gjakatare dhe të pista të tyre ra edhe supër-radisti Tahir Prençi.

Gjatë qëndrimit në burg mbi të janë përdorur tortura nga më të rëndat dhe forma të ndryshme dhune për ta detyruar ta bënin për vete, që me tërë aftësitë e tij si super-radist, ta vinin në shërbim të Sigurimit të Shtetit që të bënte lojën e tyre; por Tahiri nuk tradhëtoi kurrë, as shokët, as veten, as atdheun, as idealet. Përballoi të gjitha llojet e torturave.

Nuk u ligështua.

Nuk u nënshtrua. Nuk u dorëzua. Përkundrazi gjithnjë mendonte si të delte nga kjo skëterrë e zezë dhe të fluturonte drejt lirisë. Askush s’e di mirëfilli si u arratis prej dhomave të izolimit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, por dihet se më 26 tetor 1952 ai nuk ishte më në atë Ferr. Thuhet që pas disa ditësh vritet nga Forcat e Ndjekjes. Po enigma mbetet enigmë. Edhe sot e kësaj dite, askush nuk përgjigjet, \askush nuk flet se ku gjendet varri i tij.

I biri, Rifati,.. (25 vjet në burgun e tmerrshëm të Burrelit ) –pas përmbysjes së diktaturës komuniste bëri çmos të mësojë të vërtetën. S’la gur pa lëvizur, s’la zyrë pa trokitur për të mësuar se ku gjendet varri i babait të tij të dashur. As Sigurimi i Shtetit, as PS, as PD nuk i dhanë asnjë informacion. Asnjë një sinjal, asnjë fjalë, për enigmën e zhdukjes së të jatit. Por siç thotë kënga, dëgjohet veç fishkëllima e erës dhe zëri i qyqes ku-ku, ku-ku….

Ka dhimbje i biri të dijë varrin e të jatit!…Ka dhimbje dhe trishtim e bija…E shkreta grua vdiq me brengë në shpirt pa e mësuar të vërtetën. Është një e drejtë njerëzore që të birit t’ia tregojnë vendin ku e kanë masakruar dhe groposur, që t’i zhvarrosë eshtrat e të jatit, për t’i rivarrosur me ndere si supër-radisti me famë botërore Tahir Prençi që sakrifikoi veten që Shqipëria të ishte e lirë dhe demokratike, e çliruar nga pushtimi i komunistëve enversitë.

Apel

Shteti shqiptar e ka për detyrë të zbulojë se ku gjenden eshtrat e Tahir Prençit dhe t’i rivarrosë me ndere ashtu siç nderohen figurat e shquara të kombit.

SHËNIM:

(Shkrimi është mbështetur në materialet e Arkivit të Sigurimit të Shtetit, (hulumtuar kur ish drejtor Kastriot Dervishi) dhe nga dëshmitë: Elez Prençi, Liman Prençi, Hasan Prençi, Shaban Kazia, Xhelil Prençi, Elez Rasha, Hamit Prençi, Rifat Prençi & nga Nanëmadhja ime, Vasha e Met Hasanit.)