Petro Luarasi: Abeceja shqipe dhe lajthimet e Kongresit të Manastirit 

303
Sigal

Të njohim historinë tonë kombëtare

  • Përkujtojme Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) që unifikoi alfabetin e gjuhës shqipe.
  • Kongresit i Parë i Manastirit (1908) mori vendime të rëndësishme, por nuk realizoi dot unifikimin e alfabetit shqip. Ai u realizua më pas në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910)
  • Gazeta ”FLAMURI”, Boston, analizonte vendimin e Kongresit të Parë të Manastirit që shqiptarët të kishin dy alfabete.

‘’Që kurse u fillua shkrimi i gjuhës shqipe, jemi ndodhur më një mosmarrëveshje të tërbuar në çështje të alfabetit. Është e ditur që përpara Kongresit të Manastirit kishim abecera me duzina, po dhe i uruari Kongres i Manastirit u vuri kapakun, se në vend që të na linte një të vetëm abece, mjerisht la dy që të rahim kokën, dhe këto të dy abecetë janë një pengim i madh për përparimin e gjuhës shqipe. Pra, me qënë kështu, përse të mos kërkojnë dhe një tjatër abece me shkronjat arabishte, fanatikët hoxhallarë…?!’’(Flamuri, Boston, nr. 7, 1 prill 1910.) Dy Kongreset e Manastirit dhe tjetërsimi i së vërtetës historike mbi unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në Kongresin e Parë të Manastirit(14-22 nëntor 1908) u vendos perdorimi i dy alfabeteve të gjuhës shqipe, njeri nga të cilët qe me germa latine, ndërsa Kongresi i Dytë (2-(3)… prill 1910) i cilësuar ”i kosovarëve”, ”përfundimisht e vendosi alfabetin latin për gjuhën shqipe’’[1] Gazeta “Bashkimi”, nr. 16 i datës 17. IV.1910. Përse studiuesit përdorin termin ”Kongresi i Manastirit” kur janë dy kongrese?!

1.Edhe ”Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, 1985,, f.512, në rubrikën ”Kongresi i Manastirit” (1908) përshkruan se ai ka hyrë në histori si Kongresi i Parë i Manastirit meqë janë mbajtur dy kongrese në Manastir: tek i pari nga tre alfabete u vendos të përdoren dy, Alfabeti i Shoqërisë ”Bashkimi” (ose i Stambollit) dhe alfabeti me germa latine. Ndërsa në f.510 me pak rreshta përmendet Kongresi i Dytë i Manastirit (3.4.1910), edhe periudha e mbajtjes e shkruar gabim?! Shtrohen pyetjet: 1. Përse nënvlerësohet e madje anashkalohet në përkujtime, studime akademike e tekste shkollore Kongresi i Dytë i Manastirit? 2. Përse nuk permenden kryetari i tij Bedri Pejani me shokë dhe kontributi i madh i përfaqësuesve kosovarë për unifikimin e alfabetit si shprehje e bashkimit kombëtar, si dje edhe sot e në të ardhmen? 3. Përse nuk publikohet gjerësisht fotoja e pjesëmarrësve në këtë kongres? 4. Përse nuk përmendet roli i madh i atdhetarëve ortodoksë e sidomos atyre protestantë, që organizuan e garantuan mbajtjen e dy kongreseve edhe me anë të vëzhguesve të tyre amerikanë?! 5. Përse shumica e historianëve dhe institucioneve shqiptare ende heshtin dhe e paskan kaq të vështirë të pranojnë të vërtetën e mirënjohur se në Kongresin e Dytë të Manastirit u vendos përdorimi vetëm i alfabetit me gërma latine, pra këtu u unifikua alfabeti i gjuhes shqipe? Sipas historianit Skënder Luarasi pjesëtaret e Kongresit të Dytë të Manastirit janë 27 veta (disa prej të cilëve kryen veprimtari në takime të fshehta për disa ditë) si vijon:

Delegatë në Kongresin e Dytë të Manastirit

1.Abdullah Rushiti

2, Ali Zaimi

  1. Bedri Pejani

4.Bejtulla Gjilani

5.Ferit Ypi Starja

6.Fehim Zavalani

7.Gani bej Bungu

8.Hajdar Blloshmi

9.Hysni Curri

10.Ibrahim Naxhi Spahiu (pseudonim Dervish Hima)

  1. Ibrahim Jegeni

12Jonus Hilmi Dibra

  1. Petro Nini Luarasi

14.Qamil Bala -Shkupi

15.Qazim Ilias Dibra

  1. Rexhep Mitrovica

17.Rifat Zavalani

18.Sabit Beu nga Vushtrria

19.Salih Gjukë Dukagjini

20.Shefik Efendia i Korçës

21.Shyqyri Ramadani nga Prishtina

22.Tefik Panariti

23.Themistokli Gërmenji

  1. Xhafer Ypi-Kolonja
  2. Xheladin Ohri

Delegatë të fshehtë:

26.Gjergj Qiriazi

27.Telemak Gërmenji

Kongresi i Dytë i Manastirit tërhoqi vëmendjen e atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e shkombëtarizimit dhe të aneksimit të territoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinje, nga Serbia, Greqia e Bullgaria. Serbia, u tha në Kongres, duke ndjekur një politikë shoviniste, synon të pushtojë Kosovën, të cilën e ka pagëzuar me emrin “Stara Serbia”, ndërsa qarqet politike të Greqisë po përpiqen me të gjitha mjetet, duke përdorur klerikët ortodoksë konservatorë e progrekë, shkollat e mësuesit grekomanë, të asimilojnë shqiptarët e krishterë dhe të aneksojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Petro N. Luarasi, sekretar i kongresit në fjalimin e tij theksoi: ‘’Çështjet e shkronjave dhe të programit të përparimit e biseduam; dhe zotnija juaj dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë për këtë gjë po përpiqen dhe punojnë. Po unë në këtë mbledhje, jo vetëm si përfaqësonjës i Negovanit dhe i Ballkamenit, po edhe si i krishterë orthodhoks shqiptar, përfaqësoj edhe “Lidhjen Orthodhokse të Shqiptarëve” andaj do të përmbështillem vetëm duke folur përmbi çështjen për të cilën jam i dërguar: Me t’u shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë orthodhoksë që kishin ndjerë mungimin e diturisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therrori, që do të na rëndonte nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonë duke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta , nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip. Si të uritur, pra, që kanë qenë Orthodhoksët shqiptarë për shkrimin shqip, shtatuan shoqërira në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri .Tani nën liri konstitucionale shtatuan shoqërinë ‘’Lidhja Orthodhokse e Shqiptarëve” me qendrën në qytet të Korçës për t’u mbaruar nga orthodhoksia elinishte e grekërve dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmonjë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete…. Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslymanë dhe katolikë, a do të mos vuajnë keq kur të shohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?! Andaj si anëtar i ‘’Lidhjes Orthodhokse të Shqiptarëve” u lutem së nderçmes qeveri si dhe të shumëvlyerit Kongres të sotmë që të veprojnë ku duhet për të drejtat e “Lidhjes Orthodokse të Shqiptarëve” e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s’ka.

Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!”

  1. Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)

(P.Raullasi, Shqiptarët orthodhoksë dhe rregjimi i sotëm Lirija, Selanik 1910, v.2, nr.81, f.1-2)

 

Foto. 1 Delegate te Kongresit II Manastirit 2. Petro Nini Luarasi, sekretar i Kongresit.