Organizatat kriminale  pastruan paratë në prona të paluajtshme

296
Sigal

Raporti zyrtar i Drejtorisë së  Parandalimit të Pastrimit të parave, zbardh detajet e mënyrës se si janë kryer transaksionet, përfshirja e shtetasve të ndryshëm, zinxhiri i qarkullimit që fshehë orgjinën e të ardhurave, korrupsioni, ndikimi i paligjshëm dhe pagesat e dyshimta gjatë periudhës së Covid-19. Ja skema e plotë e pastrimit të parave

Mbi Raportin zyrtar të  Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave: Transferta të dyshimta gjatë periudhës Covid-19

Detajet e mënyrës sesi janë kryer transaksionet, përfshirja e shtetasve të ndryshëm dhe elementet e përdorura në veprimtari kriminale

 

Investimin në pasuri të paluajtshme është i njohur për rrezikun e lartë që mbart si mjet për kryerjen e pastrimit të parave. Zinxhiri i transaksioneve në dukje u përdor  për të fshehur origjinuesin e të ardhurave

Pasuritë e paluajtshme janë një ndër sektorët ku organizatat kriminale pastruan paratë në vitin 2020. Raporti vjetor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP), për vitin e shkuar zbardh të paktën pesë tipologji, ku një ndër to, është edhe ajo e pasurive të paluajtshme, të cilat janë referuar për ndjekje në organet ligjzbatuese, pasi një person i njohur për organet ligjzbatuese për përfshirjen në veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për lidhjet e tij me persona me precedentë kriminalë, ishte përfshirë në aktivitete të dyshimta të pasurive të paluajtshme (shiko Tipologjinë II). Raporti jep në detaj mënyrën sesi janë kryer transaksionet, përfshirja e shtetasve të ndryshëm dhe elementet e përdorura.

Në një tjetër tipologji, përmendet rasti i personave të ekspozuar politikisht përmes skemave të paqarta të huamarrjes nga një drejtues i lartë i institucioneve publike, me qëllim final marrjen e një lejeje, duke fshehur gjurmët. Ky individ kishte lidhje me një ish-person të ekspozuar politikisht (shiko skemën e detajuar më poshtë, në Tipologjinë 4)

Më poshtë janë të zbardhura të gjitha tipologjitë sipas raportit të DPPPP, të cilat përfshijnë edhe raste tipike të zbuluara më parë, të lidhura me bizneset fiktive, raste të korrupsionit apo edhe risqet që vinin nga pandemia e COVID-19. Lidhur me rrezikun në kohën e pandemisë, edhe vetë Moneyval nxiti institucionet monitoruese në vendet që janë pjesë e tij që të jenë vigjilentë për rrezikun e pastrimit të parave përmes kanaleve të cilat mund të ofroheshin në një situatë pandemie.

Transferta të dyshimta gjatë periudhës Covid-19: Shtetasit e dyshuar më herët për përfshirje në veprimtari kriminale, themelojnë në Prill të vitit 2020, shoqërinë, e cila sipas objektit të veprimtarisë do të shiste teste për Covid-19.

Tipologji 1: Kryerja e një aktiviteti fiktiv

Shtetasi i huaj X, në më pak se 1 vit hap 4 kompani në Shqipëri, që kanë aktivitet në fusha që lidhen me ndërtimin, import-eksport mallrash të veshjeve, shitblerje pasurish të paluajtshme, si dhe zhvillim të biznesit, për të cilat hap llogari në banka të ndryshme.

Në llogaritë bankare të disa prej këtyre kompanive, u vunë re transferta në vlera të konsiderueshme, të dërguara nga vende të cilësuara me risk të lartë për pastrim parash, mes të cilave veçojmë:

Kompania ‘A’ për periudhën Janar – Mars 2020, ka përfituar 450,000 USD nga një kompani me vendndodhje në shtetin 1, pjesa më e madhe e të cilave (330,000 USD) tërhiqen në para fizike nga vetë shtetasi, duke deklaruar se këto fonde do të përdoren për blerje kompjuterësh, makina të ndryshme dhe produkte mjekësore në Shqipëri dhe në një vend fqinj. Në mars 2020 ‘A’ transferon 70,000 EUR në një vend të rajonit, për blerje produktesh që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe një pjesë të fondeve të kredituara në llogarinë e subjektit, janë përdorur për blerje me kartë (POS).

Nga komunikimi me NJIF partnere është konstatuar se, ‘A’ gjatë një periudhe dy- vjeçare në llogaritë që disponon në shtetin 1, ka përfituar dhe dërguar transferta bankare nga dhe për subjekte të ndryshme po në shtetin 1, në vlera të larta që arrijnë në një total prej 4,000,000 USD.

Kompania ‘B’, për periudhën Janar – Maj 2020, ka përfituar 110,000 EUR të urdhëruara nga subjekte të ndryshme nga vendet: 2, 3, 4 dhe 5 me përshkrim: për shitblerje malli, maska, doreza. Më pas fondet e kredituara transferohen në favor të kompanive të ndryshme në SHBA dhe Kinë për pagesë faturash, një pjesë përdoren për blerje me kartë (POS) të produkteve të ndryshme por edhe të shërbimeve që lidhen me fushën e IT. Blerjet realizohen në vende të ndryshme të botës.

Kompania ‘B’ ka deklaruar pranë subjekteve financiare se importon mallra nga një vend i rajonit dhe një vend i BE-së dhe më pas i eksporton, në varësi të kërkesave. Nga verifikimet e DPPPP rezultoi se asnjë prej shoqërive të shtetasit X, nuk kishte kryer procedura doganore import/eksporti.

Gjithashtu për shtetasin X rezultuan të dhëna për mashtrim, për shkak se ky shtetas premtonte shitje të produkteve të ndryshme kundrejt pagesave bankare, por malli për të cilin ishte rënë dakord nuk ju lëvrohej klientëve.

Nga verifikime të mëtejshme rezultoi se:

Kompanitë e shtetasit X, nuk kishin aktivitet tregtar në vendin tonë (pa punonjës dhe për më tepër pa aktivitet shit-blerje);

Adresat e subjekteve nuk janë të sakta dhe bizneset nuk ekzistonin;

Shtetasi X, nuk kishte hyrje-dalje të regjistruara në vendin tonë;

Bazuar në dyshimet:

Themelimi i shoqërive të ndryshme brenda një periudhe të shkurtër kohore nga një shtetas i huaj me një profil jo të qartë;

Transferta të larta në mbërritje të pasuara me tërheqje të fondeve apo blerje me kartë;

Fonde të përfituara në formën e pagesave të faturave, ndërkohë që subjekti përfitues nuk ushtronte aktivitet financiar;

Indiciet për mashtrim; Informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Në më pak se 1 vit hapën 4 kompani në Shqipëri, që kanë aktivitet në fusha të që lidhen me ndërtimin, import-eksport mallrash, të veshjeve. Në llogaritë bankare të disa prej këtyre kompanive, u vunë re transferta në vlera të konsiderueshme, të dërguara nga vende të cilësuara me risk të lartë për pastrim parash

Tipologji 2: Investimi në pasuri të paluajtshme nga organizatë kriminale

Shtetasi A, ishte i njohur për organet ligjzbatuese për përfshirjen në veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për lidhjet e tij me persona me precedentë kriminalë, rezulton të jetë larguar nga Republika e Shqipërisë, duke jetuar prej vitesh jashtë vendit.

Nga të dhënat e DPPPP rezultoi se shtetasi A, kishte kryer investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme. Ai kishte caktuar shtetasin B, të vepronte si përfaqësues me prokurë në Shqipëri, për shitjen e pasurive të tij të paluajtshme dhe më pas kalimin e fondeve.

Ndër vite si blerës për pasuritë e zotëruara nga shtetasi A, shfaqeshin shtetas të ndryshëm, ndërkohë nga një analizë e thelluar për rastin u vu re se në vitin 2019, si blerës rezultonin dy shtetas të huaj E dhe F, të cilët fillimisht u dukën si blerës rastësorë, pa një lidhje midis tyre, të cilët nuk mund të kishin dijeni efektive rreth profilit të palës shitëse.

Nga verifikimet e mëtejshme të kryera rezultoi se shtetasit E dhe F, menjëherë pas blerjes së pasurisë nga shtetasi A, i rishitën këto pasuri. Me të ardhurat e fituara, shlyenin detyrimet ndaj shitësit A. Vlera e katër prej pronave të shitura kalonte vlerën 3 milion EUR.

Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, shtetasit E dhe F rezultonin me lëvizje të përbashkëta. Nga media publike, shtetasit e huaj shfaqeshin si biznesmenë të njohur dhe me dyshime për lidhjet e tyre politike.

Bazuar në:

Përfshirjen e shtetasve me precedentë kriminal;

Investimin në pasuri të paluajtshme, i cili është i njohur për rrezikun e lartë që mbart si mjet për kryerjen e pastrimit të parave;

Zinxhiri i transaksioneve në dukje për të fshehur origjinuesin e të ardhurave;

U krijuan dyshime të arsyeshme për krijimin e një skeme të pastrimit të parave dhe informacioni i është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Tipologji 3: Dyshime për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Gjatë vitit 2016 shtetasi X me profesion avokat, ka përfaqësuar tre palë (A,B,C) në gjykatë me objekt kundërshtimin e dëmshpërblimit të shpronësimeve të përcaktuar me VKM. Gjatë procesit gjyqësor një nga institucionet e paditura “Alfa”, (në favor të së cilit ishin bërë shpronësimet) ishte përfaqësuar nga shtetasi Y.

Në përfundim të proceseve gjyqësore u evidentua se vlera e dëmshpërblimeve të përcaktuara nga Gjykata shkonte në 13-fishin e dëmshpërblimeve të përcaktuar nga VKM.

Secila nga palët A, B, C kishin çelur llogari pranë një banke të nivelit të dytë dhe në llogari ishin kredituar dëmshpërblimet e akorduar nga institucioni shtetëror (Alfa). U konstatua se menjëherë pas kreditimit të fondeve palët A,B,C kanë transferuar rreth 75,000,000 Lek të vlerës totale të dëmshpërblimit në llogarinë e shtetasit X dhe ky i fundit, një pjesë të fondeve, e kishte tërhequr dhe pjesën tjetër e ka transferuar për një familjar të ngushtë, i cili i kishte përdorur për blerje pasurish të paluajtshme.

Nga verifikimet e mëtejshme shtetasi Y, i cili përfaqësonte në Gjykatë institucionin “Alfa” që akordoi fondet e dëmshpërblimit, kishte njohje me shtetasin X dhe rezultonte i punësuar pranë studios ligjore të këtij shtetasi pasi kishin përfunduar proceset gjyqësore.

Bazuar në dyshimet e mësipërme, të lidhjeve mes përfaqësuesve të palëve në këtë proces gjyqësor, tërheqjet e fondeve nga shtetasi X duke lënë hapësirë për dyshime të arsyeshme në lidhje me përfituesit real të fondeve të tërhequra, rasti u referua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Tipologji 4: Dyshime për skemë të pastrimit të parave nga një personazh i ekspozuar politikisht (PEP)

Shtetasi A, bashkëshort i shtetases B, ish-PEP në pozicion të lartë drejtues në një institucion publik X, rezultonte të kishte nënshkruar disa kontrata noteriale huaje, në cilësinë e palës huamarrëse me qëllim jo të qartë për sa i përket marrjes dhe përdorimit. Si huadhënës, shfaqeshin shtetas të njohur për DPPPP, si të përfshirë në dyshime për pastrim parash.

Nisur nga sa më sipër u kryen verifikime të mëtejshme nga ku rezultoi se shtetasi A, kishte regjistruar një person juridik, që ushtronte veprimtari në fushën e ndërmjetësimit, e emërtuar “DX”.

Shoqëria “DX” më tej lidh një kontratë huaje nëpërmjet së cilës do t’i huazonte vlerën prej 40,000 EUR një shoqërie tjetër “EX”, e cila do të kryente një pagesë në favor të një institucioni publik për një leje të miratuar në favor të shoqërisë. Verifikime të mëtejshme treguan se leja e miratuar, lidhej drejtpërdrejtë me interesat pasurore të shtetasit A. Më tej, shtetasi A, bleu shumicën e kuotave të shoqërisë “EX” (të cilës i kishte dhënë hua, nëpërmjet shoqërisë “DX”), në vlerë 1 milion EUR, duke përforcuar dyshimet për krijimin e një skeme me qëllim humbjen e gjurmëve lidhur me përfituesit fundor të lejes, mënyrës së grumbullimit të fondeve dhe arsyet e huadhënieve në favor të një subjekti, të cilit i mungonte eksperienca e duhur në sipërmarrjen e iniciuar rishtazi.

Bazuar në:

Krijimin e një veprimtarie ekonomike në një fushë që nuk përputhej me profilin e mëparshëm të individit;

Investimi në një shoqëri të dytë, e cila më herët kishte përfituar nga një leje e dhënë nga një Ent Publik;

Origjina e huazuar e fondeve nga subjekte me profil të dyshimtë dhe përdorimi për investimet e kryera në biznes;

Lidhja familjare me një ish-PEP;

U krijua dyshimi se kishim të bënim me një skemë të pastrimit të parave dhe informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Sipas manualit të parandalimit të pastrimit të parave, termi Persona të Ekspozuar Politikisht (PEP) i referohet individëve të cilëve u besohen ose u janë besuar funksione të rëndësishme publike (p.sh. krerët e shteteve apo të qeverisë, politikanë të lartë, qeveritarë të lartë, zyrtarët gjyqësorë apo ushtarakë, drejtuesit e lartë të koorporatave shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike, me role udhëheqëse për direktiva në organizatat ndërkombëtare)

Tipologji 5: Transferta të dyshimta gjatë periudhës Covid-19

Shtetasit A, B, C, të dyshuar më herët për përfshirje në veprimtari kriminale, themelojnë në Prill të vitit 2020, shoqërinë Y, e cila sipas objektit të veprimtarisë do të shiste teste për Covid-19.

Nisur nga profili i shtetasve, u kryen verifikime të mëtejshme nga ku rezultoi se shoqëria Y nuk kishte kryer importe të produktit objekt shitje.

Bazuar në:

– Zinxhirin e transaksioneve pa një arsyetim logjik dhe ekonomik dhe rritjen fiktive të çmimit të pajisjeve të blera dhe të rishitura te kompani të ndryshme me të njëjtin pronar përfitues;

– Shfrytëzimin e periudhës së Covid-19;

– Përfshirjen e personave me profil të dyshimtë; krijonin dyshimin se kishim të bënim me një skemë të pastrimit të parave. Informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit sipas monitor.