Olta Veli: Pragshpallja e Pavarësisë, në fokusin e udhëtarëve të huaj

362
Sigal

Këndvështrimet dhe mbresat  e vizitorëve që shkelën  në  trojet shqiptare në kohën e konflikteve të egra në Ballkan

Fillimit të shekullit të XX-të, i kishte mbetur detyra që për Shqipërinë t’a kurorëzonte luftën shumë shekullore me pavarsinë e saj më 1912. Pikërisht në atë kohë të ndezur nga kryengritjet e shqiptarëve për liri, nga hovi i lëvizjes kombëtare që po organizohej në çastin vendimtar, por që njëkohësisht ishte i turbulluar thellë nga ethet e shovinizmit, nga lakmitë pushtuese, nga konfliktet e egra prej të cilave i mbeti në histori Ballkanit emri “fuçi baruti’’, e madje shërbeu si shkëndijë për vetë fillimin e luftës së Parë Botërore, Shqipërinë dhe trojet shqiptare i vizituan edhe mjaft udhëtarë të huaj të cilët për arsye pune, eksplorimi apo dhe thjesht kurioziteti, ndërmorën udhëtime të gjata, të lodhshme, hulumtuese, por shpesh edhe të rrezikshme në zonat edhe më të thella të Shqipërisë. Dhe të gjithë këta udhëtarë të cilët ndoshta në fillim erdhën edhe me një fije dyshimi apo mëdyshje, vëzhgimet dhe hulumtimet e tyre i hodhën në letër dhe i botuan ato. Disa prej tyre, të cilët jo vetëm “ vendi i shqiponjave dhe shqiptarët” u lanë mbresa dhe ndoshta ndryshuan mentalitetin dhe botëkuptimin dhe në jetët e tyre, por edhe ata vetë lanë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në memorjen e këtij populli sa të lashtë aq edhe të brishtë në mëdyshjen e ekzistencës së tij në ato kohë të vështira janë: Baron Franz Nopcsa; Miss Edith Durham, Gabriel Louis Joray; si dhe korespondentë apo njerëz të tjerë që ndoshta fati apo detyra  i hodhën në këto vise në një kohë të vështirë psh.,  gazetari anglez Charles Woods, bashkëshortja e konsullit Austro – Hungarez Hortenza Zambaur, misionari i “Amerikan Board” Telford Erickson si dhe njerëz të tjerë kureshtarë dhe dashamirës ndaj këtij vendi, si për shëmbull çifti Kenedy etj.

Po cilët janë këta njerëz në të vërtëtë dhe ç’përfaqësonin në jetë?

Baron Franz Nopsca, cilësuar si një ndër albanologët më të mëdhenj të të gjitha kohërave ka shkruar mjaft libra dhe kumtesa mbi Shqipërinë, në të gjitha fushat. Duhet theksuar që veprat e tij, shumica janë botuar pas vdekjes, nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe shumë prej këtyre veprave dhe ditareve që ka mbajtur gjatë udhëtimeve në Shqipëri, kanë humbur në kushtet historike të kohës, si dhe të tjera lidhur me Shqipërinë kanë mbetur nën hijet e mosbotimit.

Një ndër veprat ku Nopcsa trajton Shqipërinë përsa i përket kushteve historike, politike, shoqërore – ekonomike të saj, pikërisht në periudhën që ne do të shqyrtojmë në embrionin e shtetit shqiptar në vitet (1912 – 1914) është edhe libri “Udhëtime nëpër Ballkan” (kujtime) nga jeta e Franz Baron Nopsca.

Gert Robel, një nga bashkëpuntorët e tij më të ngushtë boton në vitin 1966 “Hulumtime Shqiptare”(dorëshkrim i Nopcsa-s). Robel hynë jo vetëm në ndihmesën e rëndësishme të Nopcsa-s, përsa i takon hulumtimit në Shqipëri, por edhe angazhimin e tij në çështjen shqiptare dhe në sfondin politik të viteve përpara, gjatë dhe pas luftës ballkanike 1912-1913. Nopcsa ishte një vrojtues i mprehtë, edhe pse jo gjithmonë vrojtues asnjëanës lidhur me ngjarjet në Gadishullin Ballkanik në fillim të shekullit të XX-të. Shumë gjëra që shpalosen në kujtimet e tij, vihen nga Robel në një dritë asnjëanëse dhe bëhen të kuptueshme vetëm nëpërmjet tij.

Besoj se shprehja e Robert Elsie për Nopcsan: ‘Krejt në kundërshtim me egoizmin e madh të tij qëndron dashuria për shqiptarët…’ shpjegon gjithçka që ka bërë dhe ka shkruar ky njeri për popullin tonë.

Elsie pak më poshtë do të shkruante: “Merita e madhe e Nopcsas është se ai e kuptoi se po ngrihej çështja shqiptare dhe nuk nguroi t’i përgjigjej sa më mirë që të ishte e mundur”.

Një udhëtare dhe hulumtuese e këtyre trevave, pikërisht në momente të vështira të kombit tonë në pikëpyetjen e madhe të ekzistencës ose jo të tij në të ardhmen, është Meri Edith Durham. Pak e nga pak e tërhoqi madhështia dhe tragjizmi i këtij populli, derisa ajo u bë jo vetëm dashamirëse e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm një përshkruese dhe studiuese e traditave, e ngjarjeve të jetës së tij, jo vetëm zëdhënëse e të drejtave legjitime të popullit shqiptar, por edhe një pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e ngjarjeve nga të cilat po përcaktoheshin fatet e këtij vendi, u bë pra një luftëtare e çështjes shqiptare. Pikërisht disa nga librat që Miss Durham ia ka kushtuar Shqipërisë të kësaj periudhe janë: “Lufta për Shkodrën”, “20-vjet ngatërresa ball kanike”, “ Brenga e Ballkanit”, “ Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve’’, “High Albania”etj. Ajo ishte pjesmarëse aktive në shtypin e kohës duke paraqitur gjendjen kritike të atyre viteve ( 1912 -1914) në Shqipëri, madje duke ngritur edhe zërin për çështjen shqiptare në gazetat prestigjioze si “Daily telegraphs’’, “Time” etj të pasqyruara mjaft mirë në shtypin shqiptar të kohës si në gazetën: “Besa Shqyptare”, “Dielli”, “Liri e Shqypnisë”, “Përlindja e Shqypnies” etj.

Një tjetër udhëtar që ka paraqitur situatën në vite 1912 – 1914 është edhe Gabriel Lonis Jaray, i cili ka bërë 2 libra për vetë periudhën:

“ Shqipëria e Panjohur” viti 1913 ku paraqet situatën politike- shoqërore- historike të Shqipërisë së Veriut.

“Në mbretërinë e re të shqiptarëve” (viti 1914), ku përshkruan viset jugore të Shqipërisë.

“Ky popull shqiptar fare i ri, është një popull tejet i lashtë dhe kjo gjë përbën përzierjen më të çuditshme” citon ai në libër.

Por si e kanë përshkruar këta si edhe të tjerë udhëtarë që vizituan në këto vite Shqpërinë, fillesat e shtetit shqiptar?

Si e kanë përshkruar ngjarjen më të rëndësishme të kombit tonë, Pavarësinë e Shqipërisë? Mëdyshjet ndërkombëtare dhe paktet e kompromiset e fshehta? Ngjarjet që kanë bërë kthesë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe popullit Shqiptar?

Durham do të shkruante: “Shqiptarët e Kosovës u ngritën në revoltë nën udhëheqjen e Isa Boletinit”. Bëhet fjalë për kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912, e cila do të kurorëzohej me shpalljen e Pavarësisë. Ata triumfuan kudo duke hyrë në Shkup dhe u sollën në mënyrë të shkëlqyer.”

Ndërsa për fillimin e kryengritjeve të shqiptarëve edhe më herët, Nopcsa do të shkruante : “Në vitin 1910 ndodhi kryengritja e parë në Shqipëri. Nga shtypja e kryengritjes së parë përfituan serbët, meqë turqit u përcaktuan armiku më i egër ndaj serbëve. Kryengritja e dytë shqiptare nuk i solli dobi asnjërës palë. Për shqiptarët, meqë nga xhonturqit nuk u ndërtuan as rrugë dhe as shkolla dhe meqë mbajtja e armëve u lejua pjesërisht, fundi i saj do të thoshte krijimi i një status quo-je.”

Telford Erikson, misionari amerikan që do të jetonte për rreth 5 vite në Shqipëri së bashku me familjen e tij, do të shkruante për këto kryengritje: “Rrugës kudo hasnim në lëvizje të mëdha trupash që ja mësynin krejt Shqipërisë. Kjo ishte një dëshmi e pikëlluar për luftimet që po zhvilloheshin atje, jo për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë, sepse këto ata as në ëndërr s’i kishin parë. Këta fëmijë të padjallëzuar, kërkonin vetëm t’ua kthenin abetaret, por dënoheshin si dashakeqwqinj”.

Plani i Malit të Zi dështoi. Kur malazezët filluan t’i trajtonin si të tyret trojet shqiptare, u ndez dhe u rrit tensioni midis malësorëve dhe malazezëve.

“Ata më pyetën mua” – shkruan Edit’h Durham – që t’i sulmonin malazezët nga prapavija dhe t’u prinin rrugën, por unë nuk i lashë – sepse në atë kohë kisha besim te ndershmëria e Fuqive. Por, tani më vjen shumë keq”- shprehet ajo, fq. 384. Ndërsa për gjendjen në Shqipërinë e jugut ajo do të shprehej: “Shqipëria e Jugut e kuptoi gjithashtu se ‘çliruesit’ ishin vetëm kusarë, që plaçkisnin dhe therrnin”.

Ndërsa Erickson do të shkruante në atë kohë: “Unë mbaja kontakte me disa grupe të udhëheqësve shqiptarë dhe isha bërë një i besuar i tyre. Me cilindo që flisje, tema gjithnjë ishte e njëjtë: padrejtësitë që populli shqiptar i kishte pësuar gjatë pushtimit turk. Armiqtë ua kishin qitë shqiptarëve namin e keq të cilin e kishin përhapur në botë. Sipas tyre shqiptarët ishin vrasës, katilë, kapadainjë, barbarë, të dhënë pas gjakmarrjes. Kjo ishte një propogandë e organizuar, perfide dhe falso, e zhvilluar me qëllim të diskreditimit të kombit shqiptar faqe botës perëndimore. Nuk zhvillonin vetëm turqit një propogandë të këtillë. Grekët zhvillonin një propogandë po aq intensive antishqiptare si turqit. Italia dhe Austria nuk mbeteshin mangut me propogandën e tyre të një intensiteti më të ulët. Turqit kishin kuptuar se duke ngulitur këto ide në mendjen evropiane, e mbronin në mënyrë më të lirë kufirin e tyre perëndimor, që gjendej para syve të Italisë, me qytetërimin e saj të shkëlqyer të shekullit të XX-të.”fq.26

Nopcsa do të fliste kështu për kushtet të cilat po çonin Shqipërinë drejt shpalljes së pavarësisë: – “Moti i ftohtë do të risë edhe më shumë zemërimin e malësorëve në javët e ardhshme. Kondrabanda do të lulëzojë edhe më mirë dhe prestigji në rënie i Turqisë do të ndezë edhe më tej etjen për veprim të shqiptarëve,aq sa shumë prej tyre besojnë se ka ardhur ora e shpëtimit”.

Ndërsa për momentin e shpalljes së Pavarësisë Durham do të shkruante :-“Më 28 Nentor Ismail Qemali, kur plasi lufta u kthye nga Stambolli, në qytetin e lindjes, në Vlorë, ku ngriti flamurin kombëtar dhe formoi një qeveri të përkohëshme.”

Edhe Gabriel Louis do të shkruante pak vite më vonë : “Pikërisht në Vlorë, e kish ngritur dikur selinë e saj të parë Qeveria shqiptare. Arsyeja është e thjeshtë, këtu është vëndi i kryetarit të qeverisë së parë, Ismail Qemalit, por të gjithë e dinë se kjo qeveri zgjati një vit dhe shpalosi mbi qytet flamurin e Shqipërisë së pavarur, atë me shqiponjën e zezë me dy  koka mbi një sfond të kuq. Ismail Qemali ngriti një qeveri të tërë, një qeveri pronarësh të mëdhenj si sekretarin e tij Luigj Gurakuqain dhe anëtarë të tjerë të kësaj qeverie si Mehmet Pashën, Lef Nosin,Isa Boletinin etj.”

Sipas Gabriel Louis u quajt qeveri e Vlorës sepse ajo nuk qeveriste aspak përtej një zone me rreze 50 km përreth qytetit dhe pushteti i saj zotëronte mbi 20000 banorë ku 8000 prej tyre ishin vetëm në qytet.

Ndërsa për reagimin e fqinjëve të Shqipërisë në momentin e shpalljes së Pavarësisë, Durham do të shkruante: -“Edhe në këtë kohë shpresohej, se duke kërkuar lirinë dhe duke u shkëputur plotësisht nga turqit, Shqipëria do të respektohej nga Evropa. Grekët, malazezët dhe serbët, jo vetëm nuk e përkrahën dëshirën e Shqipërisë për liri, por përkundrazi u nervozuan shumë. Grekët bllokuan Vlorën dhe prenë linjat telegrafike. I.Qemali, L. Gurakuqi dhe I.Boletini u larguan nga vendi dhe të tre së bashku mbrojtën çështjen shqiptare sa në njërin kryeqytet në tjetrin. Ndërkohë, Europa ishte molepsur me intriga.” (fq 384).

Momenti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Baronin Franz Nopcsa do t’a gjente në Vjenë ku kishte mbajt edhe një referat mbi Shqipërinë. Nopcsa tregon për një bisedë të tijën që kishte pas me ministrin e e jashtëm të Austro-Hungarisë, Bercholdin ku i kish thënë:- “Shkëlqesi! Kur ju thashë në pranverë, se ju qysh sivjet duhet t’a kishit shpallur pavarësinë e Shqipërisë, nuk deshët të më besoni! Tani më thoni kush ka të drejtë, ju, apo unë?!”(fq.195)

Me këtë Nopcsa ka dashur të identifikojë rëndësinë që ka pasur Austro-Hungaria në formimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Ndërsa për luftën e shqiptarëve Erikson do të shkruante: -“Komitët dilnin maleve, lufta guerile ishte në horizont. Me të do të pasonin vuajtjet për shumë familje, konfiskime pronash, arratisje, syrgjynosje, arrestime dhe vdekje. Unë nuk mund të mbetesha indiferend e mospërfillës. Padrejtësitë dhe taksiratet që po i gjenin shqiptarët, u bën të miat. U bënë të miat edhe aspiratat e tyre për të flakur zgjedhën e urryer turke, për të jetuar si njerëz të lirë, njëlloj si fqinjët e tyre, Greqia, Serbia, Bullgaria, Rumania, bile edhe Mali i Zi i vogël, me vetëm gjysmë milioni banorë, që po jetonin në liri për më se një shekull, falë miqve të fuqishëm në mesin e Fuqive të Mëdha Evropiane.”

Ndërsa duke paraqitur punën e misioneve dhe misionarëve të huaj në Shqipëri, Erickson na njeh edhe me disa figura historike shqiptare që kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në arritjen e pavarësisë së Shqipërisë. Nëpërmjet edhe njohjes edhe bashkëbisedimit me ta, ai na shpërfaq edhe mendimet e tyre për këto misione dhe për punën që duhet bërë për arritjet e idealeve të lirisë së Shqipërisë.

Ai do të shkruante:- “Udhëheqësit shqiptarë ishin të zhgënjyer me ne, njësoj si ne  (flas për veten time), që ishim të demoralizuar me veten tonë. Njëri ndër ta, Aqif Pashë Elbasani, i cili, me karakterin e tij të ndershëm e të padamkosur, kishte një autoritet të madh në tërë Shqipërinë, u shpreh qartazi me ca mëdyshje në bisedën që pati me mua.”

Ai do të vazhdonte: Një udhëheqës tjetër shqiptar, Lef Nosi, i krishterë ortodoks, na tha: ‘Ne e dimë se ju e keni ilaçin e vërtetë, të cilin, nëse i jepni popullit tonë të sëmurë, do të shpëtojnë menjëherë shumë jetëra. Ndërkaq, ç’po ndodh ? Ju vetëm po na tregoni ilaçin. Kur ne ju lusim që ta hapni shishen e ilaçit e të na lini ta përdorim, ju na thoni: ‘Prisni pak, ende s’jemi gati’. Ne po vdesim. Nëse na doni me të vërtetë dhe nëse përnjimend doni të na shpëtoni, hapeni shishen përnjëherë dhe na jepni ilaçin. Nëse jo, atëherë, ju lutemi, na lini të marrim ndonjë ilaç tjetër, apo na lini të vdesim të qetë.” (fq.48-49)

Ndërsa për kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 Erikson shkruan: -“Tani tërë vendi po ziente nga kryengritja. Kishin rrok armët me mijëra sish. Shumica iu ishin qepur maleve, ku po përgatiteshin për sulme, ndërsa krerët e tyre po e hartonin planin e përgjithshëm të sulmeve.” Më tej ai shton: ‘’Kësaj here, udhëheqësit shqiptarë nuk pranonin kurrëfarë mashtrimi. Nëse s’do të plotësoheshin të gjitha kërkesat e tyre, ata kishin ndërmend të marshojnë në Stamboll për të marrë pushtetin në dorë.”(fq.80-81)

Më poshtë ai do të shtonte mbi ngjarjet: “Vera kaloi me luftime dhe me thashetheme. Ndërkohë, prijësit shqiptarë ishin mbledhur përsëri në Rrafshin e Kosovës, ku shpallën kërkesat e tyre për autonomi të plotë me trembëdhjetë pika. Kërkesat e tyre i shoqëruan me një ultimatum duke i dhënë qeverisë turke dyzetë e tetë orë afat për t’i pranuar kushtet, përndryshe do të marshonin në Stamboll për ta bindur qeverinë që të marrë parasysh e t’i mirartojë kërkesat e tyre të veçanta, pastaj t’i përmirësojë padrejtësitë e bëra në Shqipëri. Para se të kalonin të dyzetë e tetë orët, kërkesat e shqiptarëve u aprovuan. Njëherësh u nënshkrua marrëveshja, e cila i kishte përfshirë kërkesat në tërësi. Ky vendim qe shumë i shpejtë si të kishte qenë një rrufe në qiellin e kthjellët dhe jehoi jo vetëm në Ballkan e Turqi, po në çdo kryeqytet të Evropës, përfshirë Shën Petërsburgun.”(fq.81)

Ndërsa Louis Gabriel Jaray do të shkruante kështu për ngjarjet e vitit 1913 në librin “ Shqipëria e panjohur”: -“Çështja shqiptare, problemet politike dhe kufijtë në Ballkan pas Luftës së I-rë Ballkanike, u morën në shqyrtim nga Konferenca e Londrës, që u mblodh më 17 Dhjetor 1912. Shtetet Ballkanike nuk morrën pjesë të interesuara drejtpërdrejtë. Zëri i Shqipërisë mbeti pa u dëgjuar. Ajo nuk ishte njohur si shtet i pavarur. Çështja shqiptare dhe e ardhmja e saj politike ishin objektivat kryesore të saj. Fuqitë më të interesuara ishin Austro-Hungaria dhe Italia. Ato si grupim politik ishin për një Shqipëri autonome e të pavarur, duke çmuar pozitën e saj strategjike, buzë detit Adriatik.”

Këto ishin disa nga faktet që hedhin dritë disa prej udhëtarëve të huaj, dëshmitarë të pragshpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe fillesave të shtetit shqiptar.