Odhise Porodini: Madhështia e Konferencës Historike të Pezës

266
Sigal

Odise Porodini: Në Konferencën e Pezës, për herë të parë, u hodhën themelet e pluralizmit shqiptar

Festohet me madhështi 79 vjetori i Konferencës Historike të Pezës

 16 shtator 2021 Peza e Myslim Pezës, e Mine Pezës, e Sali Verdhës dhe e gjithë pezakeve dhe pezakëve luftëtarë e atdhetarë të shquar në beteja për liri e pavarësi, si në çdo 16 shtator edhe këtë vit, u gdhi e qeshur, e gëzuar, e hijeshuar dhe e stolisur me flamuj, banderola e parrulla në përkujtim të Konferencës Historike të Pezës më 16 shtator 1942.

Në respekt të protokollit shtetëror për shkak të pandemisë, një përfaqësi e reduktuar e Organizatës së Veteranëve të LANÇ, e Organizatës për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut dhe Shoqatës P-K “Myslim Peza”, si dhe drejtues të pushtetit vendor, festuan me madhështi në nderim të veprës dhe sakrificave të gjithë atyre, që rrokën armët për çlirimin e vendit.

Pas fjalës së hapjes së kryeadministratorit të Njësisë Administrative të Pezës, z. Besmir Kola, fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ “Nderi i Kombit” shoku Odhise Porodini.

Më pas përshëndeti Zëvendëskryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj, kryetari i Bashkise Tiranë Erion Veliaj, deputeti i zonës Tonin Gogu dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Aldrin Dalipi. Në fund u vunë kurora me lule tek varri memorial i Heroit të Popullit Myslim Peza dhe te Memoriali në Varrezat e Dëshmorëve të Pezës.

Fjala përshëndetëse e shokut Odhise Porodini, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”

Të dashur veteranë të LANÇ dhe pasardhës të tyre!

Të dashur përfaqësues të pushtetit lokal dhe deputetë!

Të nderuar pjesëmarrës, vëllezër e motra pezakë dhe pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve!

Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që në emër të Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, t’ju sjell përshëndetjet e përzemërta vëllazërore dhe urimet më të mira, me rastin e 79 vjetorit të Konferencës Historike të Pezës, si dhe 77 vjetorin e Brigadës XXII Sulmuese krijuar në trevën e Pezës.

Gjatë këtij viti, kemi përjetuar ngjarje të lidhura me historinë e lavdishme të LANÇ, por e një rëndësie të veçantë, ka qenë e mbetet Konferenca  Historike e Pezës, mbajtur më 16 shtator 1942 këtu në Pezën heroike.

Konferenca e Pezës, për nga momenti historik në të cilën u mbajt ajo, për nga pjesëmarrësit në të, për nga mesazhet që përcolli ajo, dhe nga vendimet, që mori, përbën një ngjarje kulmore të rëndësishme në historinë e LANÇ të popullit shqiptar. Nuk ishte rastësi që kjo konferencë u mbajt pikërisht këtu në Pezë. Krahina e Pezës, gjithë rrethinat dhe populli i saj, kanë një histori të pasur me tradita të lashta patriotizmi dhe atdhedashurie, guximi e trimërie, ndershmërie e besnikërie. Cilësi këto që ata i kanë treguar në të gjitha periudhat historike. Por këto virtyte të larta u shfaqën fuqishëm sidomos gjatë epopesë së lavdishme të LANÇ, të udhëhequr nga biri i tyre, legjendari Myslym Peza që ngritën të parën çetë partizane në Shqipëri e më gjerë, duke u shndruar në qëndresën e fuqishme të kësaj luftë çlirimtare kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë. Si e tillë, Peza dhe rrethinat e saj u bënë një mburojë të pathyeshme, për të siguruar zhvillimin me sukses të punimeve të Konferencës Historike të Pezës.

Në Konferencën e Pezës, për herë të parë, u hodhën themelet e pluralizmit shqiptar, për shkak se në përbërjen e saj, pati përfaqësues nga të gjitha shtresat dhe rrymat politike të kohës.

E një rëndësie të jashtëzakonshme ishte platforma e hartuar aty nga të gjithë përfaqësuesit, sipas të cilës në luftën kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e vendit do të përfshiheshin të gjitha shtresat dhe formacionet politike të shoqërisë shqiptare, pa dallim feje, krahine dhe ideje, si një thirrje emblematike gjithë përfshirëse.

Ndër vendimet e rëndësishme që mori Konferenca e Pezës, ishte krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar si dhe ai i ngritjes të këshillave antifashiste NÇ në të gjithë territorin e vendit, të cilat do të zëvendësonin pushtetin vendor të regjimit të vjetër si dhe ato të ngritura nga pushtuesit e huaj.

Në zonat akoma të paçliruara, këshillat ANÇ, do të mobilizonin të gjitha potencialet njerëzore, materiale dhe ekonomike në ndihmë të LANÇ. Ndërsa, në zonat e çliruara funksionet e tyre do të ishin të një pushteti që do të administronte çdo veprimtari për ruajtjen e rendit , atë të rindërtimit etj.

Konferenca e Pezës ka qenë dhe mbetet gur i provës për të gjitha formacionet politike, që morën pjesë në të, sepse me përjashtim të Partisë Komuniste, e cila ishte edhe inisiatore e kësaj konference, u qëndroi besnikë dhe i zbatoi deri në fund vendimet qe u morën aty. Ndërsa përfaqësuesit e forcave nacionaliste të Ballit e Legalitetit, i abandonuan ato, dhe siç dihet, më pas u vunë në shërbim të pushtuesve të huaj nazi-fashistë, kundër ushtrisë NÇSH dhe familjeve të bijve patriotë të Shqipërisë.

x x x

Një ngjarje tjetër e rëndësishme e ndodhur në zonën e Pezës në Arbanë, ishte edhe krijimi i Brigadës XXII Sulmuese Partizane më 18 shtator 1944, në të cilën u përfshinë katër batalione me 1236 partizanë, brigadë e cila brenda pak ditëve, në sajë të një lufte me guxim e trimëri të rrallë, së bashku me popullin e kësaj zone, bënë të mundur çlirimin e gjithë krahinës së Pezës. Partizanët e kësaj brigade, të drejtuara me kompetencë nga komandantë e komisarë trima e largpamës si Sali Verdha e Tonin Jakova, zhvilluan një seri betejash të ashpra, jo vetëm në disa rrethe të vendit, por deri në çlirimin e Shkodrës më 29 Nëntor 1944, si dhe zhvillimin e betejave tej kufijve, për çlirimin e vëllezërve tanë kosovarë e deri në Vishegradin e largët. Në këto beteja, ata shpalosën akte të rralla heroizmi e trimërie, e ndër to, i rrallë është rasti i heroizmit të pionierit 14 vjeçar Met Hasa “Hero i Popullit”, si dhe i Heroinës Mine Peza, të cilët duke dhënë jetën në lulen e lirisë u ngritën në piedestalin e pavdekësisë.

Duke i përkujtuar e festuar këto ngjarje me rëndësi të veçantë historike, kryejmë një mision të lartë atdhetar. Nga njëra anë mbajme gjallë atë Epope të Lavdishme, gjakun e të rënëve dhe sakrificat e mëdha që bëri populli shqiptar, përcjellim mesazhe të rëndësishme për brezin e ri të vendit tonë për ta njohur dhe dhe për t’u frymëzuar nga kjo epope. Nga ana tjetër, u japim një goditje e demaskim të fuqishëm neoballistëve e neofashistëve, si dhe disa pseudo historianëve e analistëve në shërbim të tyre, të cilët këto kohët e fundit kanë ngritur veshët dhe po përpiqen të fallsifikojnë e denigrojnë LANÇ, luftëtarët dhe drejtuesit e saj, me qëllim që të rehabilitojnë kolaboracionistët dhe kriminelët e djeshëm dhe që, për çudinë e të gjithëve, në këtë fushatë janë përfshirë edhe disa institucione që marrin pagë nga taksa paguesit shqiptarë.

Në demaskimin e tyre, një kontribut të veçantë po japin: Organizata e Veteranëve të LANÇ, ajo e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të LANÇ, ajo e ushtarakëve në lirim e në pension dhe disa shoqata të tjera patriotike.

Por, është e domosdoshme që për ta paralizuar këtë fushatë antihistorike e antishqiptare, duhet doemos të angazhohen seriozisht edhe disa organe shtetërore, si dhe vetë qeveria.

Lavdi 79 vjetorit të Konferencës Historike të Pezës!

Lavdi Luftëtarëve të Brigadës XXII Sulmuese Partizane!

Lavdi Dëshmorëve të Brigadës XXII Sulmuese Partizane dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut!

Rroftë populli patriot i Pezës heroike!

Faleminderit!