Një temë e dashur për rilindësit ishte ndjenja e dashurisë dhe mallit për atdhe

889
Sigal

Naim Frashëri ( 1846-1900 )

Naim Frashëri është figura më përfaqësuese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Lindi në vitin 1846 në fshatin Frashër dhe vdiq në vitin 1900. Jetoi në Frashër deri në moshën 19-vjeç. I detyruar emigroi jashtë atdheut. Zjarrin e mallit dhe të dashurisë për Atdhe e përjetësoi nëpërmjet vargjeve, që edhe sot tingëllojnë aktuale.

Atdheu

O Atdhe ! Më je i dashur sa më s’ka!

Më je nënë, më je motër e vëlla.

Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,

je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe.

Ty përditë nëna ime të ka parë,

dheu yt në fund atë e pati marrë.

Numëruar t’i pat lulet syri i saj,

tek ti lindi, tek ti vdiq ajo pastaj.

Ti ke parë gjysh-stërgjyshërit e mi,

dhe eshtrat e tyre tretur i ke ti.

O shpirt; teje ata kurrë s’qenë ndarë,

pranë teje patën qeshur, patën qarë.

Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,

nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë.

Begatoje, o imzot, ti këtë vend!

Falu njerëzve mbrothësi e falu shend!

Hi u bëfshin kurdoherë; armiqtë e tij!

Gaz përjetë paçin zotërit e tij!

I begatë, i lulëzuar qoftë ai,

Një të ardhme pastë plot me lumturi!

Bagëti e Bujqësia

O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë!

Fushat e gjera me lule, q’u kam ndër mënd dit’ e natë!

Ju bregore bukuroshe e ju lumenj të kulluar!

Çuka, kodra, brinja,gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!

Do të këndoj bagëtinë, që mbani ju dhe ushqeni;

O vëndëthit’ e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti, Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,

Zëmërën, ti ma gatove  plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,

Dashurinë tënde kurrë, zemëra s’e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e le qengji kopenë,

Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë;

Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë

E ta trembin, ay s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë.

Ashtu dhe zemëra ime më le këtu, tek jam, mua,

Vjen me vrap e me dëshirë aty ndër viset e tua.

Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,

Tek mbin lulja me gaz shumë dhe me bukuri e m’erë.

Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtia,

Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam mënd e mia.

O sa bukuri ka tufa ! Sa gas bije bagëtia!

Vijnë posi blet’ e plotë, i bekoftë perëndia.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë.

Vëllezërit shqipëtarë, që venë në punë e vinë.

Burrat trima me besë dhe shpirtmirë e punëtorë.

Dhe fushatë gjithë lule e maletë me dëborë.

O fushëzatë pjellore që më ushqeni Shqipërinë,

Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësnë…

Thënie të vyera për vlerat e krijimtarisë poetike të  Naimit.

 “Poema ”Bagëti e Bujqësia” është himni deri më sot

më i bukur që në gjuhën shqipe i është bërë Atdheut.”

Rexhep Qosja

 “Naimi si poet kombëtar tashmë është shekullor!

Sabri Hamiti

 “Naimi patriot panshqiptar e jolokalist, Naimi idealist është bërë me të drejtë një simbol për nocionin shqiptar, gati një legjendë”.

Eqrem Çabej

 “Ish një luftë ajo që do bënte Naimi, luftë me të vërtetë pa gjak, pa rënkime, pa pushkë, po prapë një luftë e vërtetë, një luftë për të mbrojtur shpirtin e një kombi të tërë”.

Mit’tat Frashëri