Enveri u përbuz nga njerëzit e pasur të këtij qyteti, si njeri jo i denjë për shtresën e tyre, por ai këtë gjë nuk e harroi kurrë. Ja kujtimet e 19 vjeçarit, Pirro Katro, ish-partisan i LANÇ, djali i tregtarit që ndihmoi luftën dhe nipi i Spiro Katros që solli librat e gjuhës shqipe nga Manastiri në Opar dhe shoku i Themistokli Gërmenjit
Nga Vepror Hasani
Nëse Enver Hoxha nuk do të kishte qenë ndonjëherë mësues i liceut francez në Korçë, ndoshta numri i të burgosurve dhe të internuarve në këtë qytet do të kishte qenë shumë më i vogël. Enveri u përbuz nga njerëzit e pasur të këtij qyteti, si njeri jo i denjë për shtresën e tyre, por ai këtë gjë nuk e harroi kurrë. Fill pas ardhjes në pushtet nisi të hakmerrej me të gjithë ata që nuk e kishin përfillur. Shpërfilljen e tyre nuk mundi ta kapërdinte dot deri në fund të jetës së tij. Familja e Petraq Katros është njëra prej tyre. Kjo familje provoi përzënien nga shtëpia, sekuestrime dhe burgun ashtu si shumë familje të tjera të mëdha të Korçës. Sa herë që Enveri vinte në Korçë ngrinte zërin: “Ka ikur koha e Arhondit Petraq Katro, i veshur me këpucë me maja dhe me shaminë nxjerrë nga xhepi”. Këto kujtime të hidhura i mësuam nga Pirro Katro, biri i Petraq Katros, të cilët nuk jetojnë më.
Mes shpresës dhe ankthit
Kur Enver Hoxha nisi përndjekjen ndaj familjes tonë, unë isha vetëm 19 vjeç, kujton Pirro Katro. Kisha qenë partizan dhe sapo isha kthyer nga lufta. Në atë kohë unë nuk e dija armiqësinë që kishte ekzistuar mes babait tim dhe Enverit. Babai im, Petraq Katro, nuk pati asnjëherë dëshirë ta na tregonte çfarë kishte ndodhur mes Enverit dhe familjeve të mëdha të Korçës, kur ai kishte qenë aty mësues i liceut francez. Ndoshta qëndronte i heshtur, sepse kërkonte të na mbronte me çdo kusht nga hakmarrja enveriane. Megjithatë, babai ishte i sigurtë, diçka do të ndodhte me familjen tonë. Ndoshta ishte ky ankth që e detyronte atë të na tregonte herë pas herë episode të shkëputura nga koha kur ishte njohur me Enver Hoxhën. Megjithatë, unë përsëri nuk besoja se Enver Hoxha do të hakmerrej me ne dhe me familjet e mëdha të Korçës. Unë kisha qenë partizan dhe ai nuk mund të hakmerrej me ata që kishin luftuar për çlirimin e vendit, rrëfen Pirro Katro.
Dhe ndërsa ndalet në gjenezën e familjes, Pirro vijon të rrëfejë më tej, shkurt, rrënjët patriotike të familjes Katro: Veç kësaj, familja jonë rridhte nga një familje e njohur patriotike. Gjyshi im, Spiro Katro kishte qenë patriot dhe tregtar i njohur në zonën e Oparit. Gjatë gjithë jetës kishte bashkëpunuar me klubet patriotike të Manastirit dhe vendeve të tjera të Ballkanit. Kishte qenë iniciatori i parë për sjelljen e Nuçi Naçit në Opar, me qëllim çeljen e shkollave shqipe. Dhe kjo kishte ndodhur në vitin 1900. Ndërsa 5 vjet më vonë, gjyshin e vranë në Qafën e Bigllës, kur kthehej nga Maqedonia, po sillte në Shqipëri libra në gjuhën shqipe. Për të gjitha këto arsye, Enver Hoxha nuk mund të hakmerrej me një familje si e jona, por ndodhi ajo që nuk pritej
Enveri na rrëmbeu shtëpinë te Blloku
Shtëpia te Blloku, ku Enver Hoxha jetoi deri në fund të jetës së tij, kishte qenë e inxhinierit italian, Vitorio Belloti, ky i fundit ia la njërit prej njerëzve më të pasur të qytetit të Korçës, mikut të tij Petraq Katros, babait tim, vijon rrëfimin Pirro Katro. Çlirimi i vendit na gjeti në Tiranë te kjo shtëpi. Enver Hoxha sapo ishte kthyer triumfator. Tashmë i duhej një shtëpi ku do të jetonte jetën e vet. Ditë më vonë morëm vesh se ai kishte vendosur të merrte shtëpinë tonë, madje kur Enveri mësoi lajmin se në shtëpinë e Vitorio Bellotit jetonte familja Katro nga Korça, dëshira e tij për ta zaptuar atë shtëpi u bë edhe më e papërmbajtshme. Ishte mëngjes, kur na erdhën disa njerëz dhe na thanë se duhej të largoheshim nga shtëpia, pasi aty do të jetonte Enver Hoxha. Vura re se babai qëndroi një çast i heshtur, i menduar, ndërsa pas pak tha: ‘Unë nuk iki, shtëpia është e Vitorio Bellotit’. Njerëzve të Enverit nuk u bëri ndonjë përshtypje refuzimi i babait. Fytyrat e tyre ishin të ftohta dhe shikimi ironik. “Duhet të dilni tani dhe menjëherë”, ky është urdhër”, ishte zëri i tyre. Morëm çfarë mundëm dhe ikëm për të mos u kthyer më kurrë te ajo shtëpi, e cila kishte qenë e mikut tone Belloti. Tani atje do të banonte Enver Hoxha.
Ankthi i babait për hakmarrje
Ndërsa po largoheshim nga shtëpia, vura re se babai ishte tepër i shqetësuar. Dëshpërimi nga sytë nuk po i ndahej asnjë çast. Vështronte nga unë dhe im vëlla, Zhani Katro, i cili në atë kohë ishte vetëm 12 vjeç. “Ai do të hakmerret me të gjithë ne”, tha babai. Nuk e shqetësonte mungesa e shtëpisë, ne ishim të pasur dhe mund të blinim një shtëpi të re. U vendosëm në hotel ‘Dajti’. Paguanim çdo ditë me napolona në dorë. Në këtë hotel kishte qendruar edhe Enver Hoxha, para se të merrte shtëpinë tonë. Ndoshta babai u vendos aty qëllimisht. Nuk dëshironte ta shihte vetën të përbuzur nga një njeri që e kishte njohur kohë më parë, në vitet 1936-1939 dhe e dinte mirë kush ishte ai. Ne mund të niseshim drejt Korçës, sepse edhe aty kishim një vilë shumë të bukur, por babai nuk deshi të largohej. Ndoshta kishte vendosur të qëndronte në Tiranë. Ai qëndronte i heshtur dhe ishte e vështirë të kuptonim çfarë mendonte, por e sigurtë është se ai kishte merakun tonë, cila do të ishte jeta jonë pas kësaj, tregon Pirro Katro. Por çfarë kishte ndodhur vallë mes tij dhe Enverit, kur ky i fundit kishte qenë mësues në liceun francez të Korçës?
Urrëjtja e Enverit ndaj babait,si na e rrëmbeu Enveri shtëpinë te Blloku në të cilën jetoi deri sa vdiq. Ajo ishte pronë e inxhinierit italian, Vitorio Belloti, dhe ky i fundit ia fali njërit prej njerëzve më të pasur të Korçës, mikut të tij Petraq Katros, njëkohësisht babai im.
Enveri mësues në liceun francez
Pirro Katro heshti një çast, si për të nxjerrë nga kujtesa e tij, gjithçka që kishte ndodhur kohë më parë dhe pastaj me një zë që i dridhej nisi rrëfimin: Teksa gjendeshim te hotel ‘Dajti’ im at na ohoi se Enver Hoxhën nuk e kishte pëlqyer asnjëherë. Ishte njohur me të, vetëm kur ai kishte ardhur të punonte si mësues i liceut francez në Korçë. Përsa kohë që Enver Hoxha punoi në këtë qytet, na tregoi babai, bëri të pamundurën të hynte në familjet e mëdha të këtij qyteti, por në të vërtetë nuk mundi kurrë të bëhej i afërt për ta. Vishej çuditshëm, mbante shall pas qafës dhe shapkën e vinte mënjanë. Kërkonte të dukej interesant, përpiqej të imitonte francezët, por asnjëherë nuk arriti të shtonte vlerat e veta. Pasditeve shkonte kafeneve dhe mejhaneve ku luante tavëll. Njerëzit me të cilët rrinte ishin të rëndomtë. Ai këtë e dinte, por i pëlqente kur i thoshin, ‘Ja na erdhi profesori’. Kjo shprehje atij i pëlqente mjaft. Ndihej mjaft mirë atje ku e vlerësonin si të parin e tyre. Në të vërtetë Enveri ishte gati t’i braktiste ata, mjaftonte vetëm të pranohej nga familjet e mëdha, por kjo nuk po ndodhte. Nëse edhe aristokracia e Korçës do t’i thoshte, ‘Ja na erdhi profesori’, ai me siguri do ta shikonte veten në qiellin e shtatë të lumturisë. Nuk e duronte dot veten të ishte i shpërfillur nga të tjerët”, tregon Pirro Katro, i cili i referohet kujtimeve të babait të tij.
Enver Hoxha i shpërfillur edhe nga francezët
Sipas tregimeve të babait, tregon Pirro Katro, familjet e mëdha të Korçës nuk shikonin asgjë interesante te Enver Hoxha edhe pse ai përpiqej të ishte i tillë. E njëjta gjë ndodhte edhe me mësuesit francezë. Edhe këta të fundit nuk kishin ndonjë miqësi të veçantë me Enver Hoxhën. Enveri ndihej vazhdimisht i shpërfillur. Pasditeve mësuesit francezë shkonin për vizita te familjet e mëdha të Korçës, kurse atij, i duhej të shkonte në kafene për të luajtur tavëll e për të dëgjuar shprehjen, ‘Ja na erdhi profesori’. Tentoi shpesh të hynte te këto familje, por gjithnjë e mënjanonin, por pa e fyer. Kështu e kishte larguar edhe im at, por ai nuk e harroi. Babai im sa herë e gjente në kafenenë e Nisit bashkë më të tjerët, u binte me bastun dhe i thoshte, ‘Shkoni dhe punoni, o, u preftë mortja, se nuk bëhet Shqipëria me njerëz dembelë si ju’. Edhe këtë shprehje Enver Hoxha nuk e harroi. Në kujtesën e tij mbeti gjithçka e gdhendur si në gur. Të githa këto i kujtonte sa herë vinte në qytetin tonë,- tregonte Pirro Katro. “Drejtori teknik i liceut francez në Korçë, Xavier de Courville ishte një nga miqtë më të mirë të babait. Ai së bashku me profesorët e tjerë, tregonte Pirro Katro, vinte gjithnjë për darkë, bënin vrapime me kuaj ose dilnin për gjah në mallet e Moravës. Ai ishte njohës i mirë i tri gjuhëve të huaja, madje edhe i frëngjishtes..
Largimi si “të padëshiruar” nga Tirana
E papritura e radhës, – tregon Pirro Katro, – ndodhi kur babai ishte duke na treguar për shpërfilljen që i bënin Enver Hoxhës gjatë kohës së qëndrimit në Korçë. Ndërsa kujtonim të gjitha këto, te dhoma jonë, te hotel ‘Dajti’ hynë përsëri po ata njerëz që na kishin përzënë nga shtëpia e Vitorio Bellotit. Kishin të njëjtin vështrim, qëndrim të ftohtë si njerëz prej akulli. Babai e priti me gjakftohtësi lajmin që do t’i përcillnin. “Duhet të largoheni menjëherë nga Tirana!” ishte urdhëri I tyre, vinin nga Blloku: Ju deklarojmë se jeni familje e padëshiruar! Nuk kishim zgjidhje tjetër, duhej të niseshim një orë e më parë drejt Korçës. Babai mbeti tejet i i dëshpëruar. Vështroi nga ne dhe tha, ‘Bëhuni gati se do të ikim’. Morëm ato çka mundëm dhe u nisëm për udhë. Në Korçë kishim një vilë mjaft të bukur, por babai nuk e përmendi asnjëherë këtë gjë. Ai e dinte shumë mire, familja e tij do të përfundonte mes të katër rrugëve. Megjithatë, unë nuk po e kuptoja pse familja jonë ishte e padëshiruar për regjimin që ishte vendosur. Im at ishte bir patrioti, po kështu edhe Petraq Katro, ata bashkë me Dhori Haviarin, Nikollaq Zoin, Zhan Gorguzin, Sabri Panaritin, dhe Ndrio Katundin kishin qenë pjesëmarrës në të gjitha lëvizjet patriotike. Themistokli Gërmenji, ishte një nga miqtë më të mirë të babait, ndërsa në vitet 1940-1941 u internua në Noventa Vicentina, sepse doli hapur kundër pushtimit fashist.
Rikthimi në Korçë
Me të mbërritur në Korçë, kujton Pirro Katro, u vendosëm në shtëpinë tonë ku kishim jetuar për vite të tëra me radhë. Kaluan kohë dhe nuk po ndodhte asgjë. Mendova se Enveri tashmë na kishte harruar, madje po më krijohej bindja se ai nuk ishte i keq. Ky besim m’u kthye në bindje, sepse pak kohë më vonë, si ishim kthyer në Korçë, më caktuan të punoja në Bankën e Shtetit. Në atë kohë kisha përfunduar liceun, familja jonë nisI të rifitonte qetësinë. Nëna ime kishte filluar të ndihej e lumtur, por gjithnjë më thoshte, “Kam merak për ty Pirro, sepse je djali i madh i shtëpisë”. Gjatë kësaj kohe shkëmbenim letra edhe me familjen e ish-drejtorit të liceut, Xavier Courville. Gruaja e tij na shkruante: “Sa herë që vete në kishë, lutem vetëm për dy gjëra, për burrin tim që e kam në front dhe familjen tuaj në Korçë”. Shkëmbimi i letrave vazhdoi gjatë.
Pas vizitës së parë të Enverit në Korçë, arrestohen burrat e familjes Katro
Me këtë ndjenjë lumturie dhe shprese jetuam për gati një vit, por pa kaluar shumë kohë nga largimi ynë prej Tiranës, Enver Hoxha erdhi në Korçë. Familja jonë po mbante frymën në pëllëmbë të dorës, prisnim çdo të ndodhte, por nuk ndodhi asgjë. Enveri iku përsëri në Tiranë, por ardhja e tij në Korçë, kishte qenë një ogur i zi. Më 19 korrik 1946, njerëzit e sigurimit arrestuan babanë, Petraq Katron, po atë ditë arrestuan edhe vëllanë e tij, Marko Katron, i mbajtën një javë në Korçë, i torturuan ditë me radhë, pastaj i çuan në burgun e Tiranës, tortura vijoi për 6 muaj rresht, babait i kishin thyer dhëmbët. Ndërsa i rrihnin u kërkonin të tregonin ku e kishin fshehur floririn. Babai u dënua më 18 janar të vitit 1947, me 7 vjet burg, e deklaruan “Armiku i Popullit”, por kur po përfundonte dënimin e ridënuan edhe me 2 vite të tjera burg. Vitet e fundit e çuan në kampin e Vloçishtit, ku mizoritë nuk patën të sosur. Pas arrestimit të babait, arrestuan edhe nënën. E mbaj mend si sot kur erdhën dhe e morën. Qante dhe hidhte vështrimin nga mua, sikur donte të më thoshte, ‘Kam merak për ty Pirro, sepse je djali i madh i shtëpisë, Më pas arrestuan edhe vëllain tjetër të babait, Misto Katron. Mbeta unë me vëllanë e vogël. Për vite të tëra me radhë pritëm lirimin e prindërve tanë. Kur nëna doli nga burgu nuk ishte më ajo e para. Ishte gjithnjë e sëmurë dhe e dëshpëruar. Vdiq 48 vjeçe.
Si na nxorën forcërisht nga shtëpia, burgosja e babait, nënës dhe xhaxhait, dhe internimi im dhe vellait nga bankier në Tiranë , në guroret e rrugëve. Shpërfillja e Enverit nga francezët, largimi ynë drejt Korccës dhe kalvari i pushkatimeve dhe dënimeve pas ccdo vizite të Enverit në Korçë
Pas vizitës së dytë të Enverit në Korçë
Trashëgimtarët e familjes Katro i hoqën nga puna dhe i dërguan në gurore. “Enver Hoxha erdhi përsëri në Korçë. U konsiderua si vizita e tij e parë zyrtare. Ishte viti 1947. Babai dhe njerëzit e tjerë të familjes ishin në burg, por unë vazhdoja të punoja në bankë. Deri atëherë nuk ishin kujtuar për mua, sepse në të vërtetë babai nuk kishte shumë që ishte dënuar. Megjithatë, shkova të dëgjoja fjalimin që do të mbante Enver Hoxha. Isha gjithë ankth. Kisha një parandjenjë të keqe. Ato çfarë më kishte treguar babai po më kujtoheshin të gjitha. Dhe nuk isha gabuar. Ai fliste para njerëzve po me atë pamje që më kishte përshkruar im at, kur ishim te hotel “Dajti”, njësoj sikur të kishte vënë një shall pas qafe dhe shapkën mënjanë, ndërsa priste që t’i thoshin, ‘Ja na erdhi profesori’. Enveri ndihej i kënaqur. Tashmë e kuptoj pamjen e tij madhështore. Ai na konsideronte të gjithëve viktima të madhështisë së tij. Ndërsa fliste duke lëvizur duart, mbërriti një çast kur ai tha, ‘Ka mbaruar koha e Arhondit Petraq Katro’. Ndërsa do të kujtonte këpucët me majë të babait, veshjen e tij evropiane, darkat që kishin ngrënë, francezët, por që ai nuk i kishte parë. Të gjitha këto gjenden të shkruara në veprat e tij. Gjithçka i kishin mbetur në kujtesë që nga atëherë, kur babai dhe miqtë e tij nuk kishin marrë mundimin ta përfillnin. Enveri e konsideroi babanë tim armik të popullit. Kur i dëgjova të gjitha këto mbeta i tmerruar. Shkova në shtëpi dhe nuk kisha guxim të dilja më jashtë. Në atë kohë nëna ime nuk ishte arrestuar akoma. ‘Çfarë ka ndodhur”, më tha ajo. Ia tregova të gjitha me një frymë dhe prita të dëgjoja çfarë do të më thoshte. Nuk ka thënë ndonjë gjë të madhe, tha nëna, ne vërtet të pasur kemi qenë. Mos u mërzit’. Këto ishin fjalët e saj, por në të vërtetë, vura re se ajo dridhej e tëra. Pas ikjes së Enverit më larguan nga Banka e Shtetit. Tashmë unë isha bir i armikut të popullit.
Familja Katro e dënuar për 50 vjet me radhë
Për mua gjithçka nisi të bëhej e qartë, – vazhdon të tregojë Pirro Katro. Familja jonë nuk do të kishte më të ardhme. Enver Hoxha kishte folur para gjithë qytetarëve duke dhënë gjykimin e tij se kush ishim ne dhe kaq mjaftonte. Tashmë të gjithë do të na konsideronin armiq të betuar të pushtetit popullor. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Të nesërmen gjithë njerëzit e regjimit flisnin për familjen tonë. Gjithkush përpiqej të kujtonte që ne kishim qenë të pasur, që kishim patur fabrikën më të madhe të kauçukut. Kujtonin që babai im kishte udhëtuar në shumë vende të botës, Paris, Beograd, Romë, Selanik, e vende të tjera, por nuk linin pa thënë edhe faktin që kur babai im ishte kthyer nga internimi, kishte përkrahur nacionalistët. Dhe e vërteta ashtu ishte, babai kishte përkrahur idetë patriotike të Lef Nosit, Mit’hat Frashërit, Ramadan Zdravës, Sulejman Zdravës, Qazim Frashërit etj. Në datat 16 dhe 18 tetor të vitit 1943, Petraq Katro, mori pjesë si delegat i Korçës, në Kuvendin e parë kombëtar, ku ishin të pranishëm 210 delegatë, përfaqësues të Shqipërisë etnike, ku kryetar u zgjodh Lef Nosi. Në atë Kuvend babai u njoh me Ramadan Zdravën, i cili ishte delegat i Beratit. Por ndërsa thuhej ky fakt, njerëzit e regjimit nuk harronin të thoshin se ai Kuvend ishte konsideruar nga komunistët si Asambleja Tradhtare. Që nga dita e fjalimit të Enver Hoxhës në qytetin e Korçës, për familjen tonë flitej zi e më zi. Pas kësaj, unë punova në pjesën më të madhe të jetës time në gurore dhe në mirëmbajtjen e rrugëve. Gjatë dimrit gjendesha në qafat e maleve, nga Qafë-Thana e deri në Qafën e Qarrit. Babai vazhdonte të ishte në burg. Njerëzit e regjimit vijonin t’i kërkonin ku e kishte fshehur floririn, që sipas nënës një pjesë ishte rrethë vilës.
Pas vizitës së tretë të Enverit në Korçë Hakmarrja ndaj familjes Katro nuk ka fund
Hallet tona nuk patën të mbaruar, tregon më tej Pirro Katro. Te shtëpia jonë në Korçë u dukën përsëri disa fytyra të panjohura. Vështrimi i tyre vazhdonte të ishte i njëjtë ashtu si edhe më parë. Na thanë të dilnim nga shtëpia, sepse duhej të sistemoheshim te ‘Kulla e Hirit’. Përsëri e njëjtë gjë. Morëm ato çfarë mundëm dhe u nisëm për atje. Ndoshta ju nuk e dini çfarë ka qenë ‘Kulla e Hirit?’. Kulla e hirit ishte një ndërtesë në formë kulle e rrumbullakët, ku brenda saj kishte një oborr. Na vendosën në katin e parë, çdo familje kishte vetëm një dhomë. Kur shkuam atje pamë se kishin çuar edhe familjet e tjera të mëdha të Korçës. Mbaj mend që në atë kullë gjetëm familjen e Theodhoraq Manos, Marko Katros, Gaqo Turtullit, Aleko Turtullit, familjen e Zaharait, Rafail Jorganit, Themistokli Lakos etj. Kishim vetëm nga një dhomë, asgjë më shumë, gjithçka që kishim patur na i kishin marrë. Në ato dhoma të vogla dhe të errëta kaluam shumë vite me radhë. Enver Hoxha erdhi përsëri në Korçë, me rastin e përvjetorit të shkollës së parë franceze. Edhe asaj radhe përsëri përmendi emrin e babait tonë. ‘Njerëz si Petraq Katro, tha ai, nuk kishin besim tek ne që mblidheshin tek kafeneja e Nisit’. Kur dëgjova këto fjalë të Enver Hoxhës m’u kujtuan edhe një herë tregimet e babait: ‘Sa herë që Enverin e gjeja te kafja e Nisit, duke luajtur tavëll bashkë me të tjerët, u bija me bastun dhe u thosha ‘Shkoni dhe punoni, o, u preftë mortja, se nuk bëhet Shqipëria me njerëz dembelë si ju!. Të gjitha këto Enver Hoxha i mbante mend mirë. Ai nuk do ta harronte kurrë babanë tim. Hakmarrja e tij s’kishte fund. Kur në Tiranë kishte ardhur ish-drejtori i liceut të Francës, Xavier Courville, një nga miqtë më të mirë të babait, ndërsa kishte pyetur a jetonte në Korçë, Petraq Katro, njerëzit e Enverit i kishin thënë, “Katro ka kohë që ka vdekur”. Në të vërtetë babai ishte akoma gjallë.
Ndoshta vetëm kjo shprehje mund të kënaqte tërësisht hakmarrjen e tij. Babai vdiq në vitin 1967. U nda nga jeta duke na parë të mbërthyer në kthetrat e vdekjes. Tashmë shkoj shpesh te varri i babait. Ndez qirinj dhe lotët nuk më mbahen…”, kujtonte Piro Katro. Nuk mund ta harrojmë as shtëpinë e dhuruar prej mikut tonë Vitorio Belloti.