Nestor Jonuzi : “Piktori i Popullit” në 75- vjetori i lindjes

3058
Sigal

Piktori Nestor Jonuzi është lindur në Vlorë, më 15 tetor 1944 në një familje të vjetër qytetare. Gjyshi i tij nga e ëma, Ibrahim Avdullai ishte një nga atdhetarët e shquar në gjysmën e parë të shekullit XX.

Mësimet e para për pikturë, Nestori i mori nga mësuesi pasionant i vizatim të qytetit, Vasil Talo. Mandej studioi në Liceun Artistik, “Jordan Misja”. Nga viti 1962-67 studioi për pikturë në Liceun Artistik dhe në Shkollën e Lartë të Arteve në Tiranë, me pedagogë piktorët e shquar Sali Shijaku, Abdurahim Buza, Kel Kojdheli, Janaq Paço, Nexhmedin Zajmi, Vilson Kilicën. Puna e tij e diplomës, “Në lëmin e kooperativës” u vlerësua si një nga më të mirat e disa viteve akademikë. Pas përfundimit kthehet në vendlindje ku punon si mësues vizatimi. Ndërkohë, vazhdon të pikturojë dhe të marri pjesë në ekspozitat Kombëtare të arteve pamore, ku është nderuar edhe me disa çmime.  Nestor Jonuzi bashkë me kolegun dhe mikun e tij Skënder Kamberi mbahen nga kritika si krijuesit e asaj që quhet “Shkolla e Vlorës” në pikturën shqiptare, e shquar për gamën e madhe të nuancave të ngjyrave  dhe ndërthurjen e tyre me hijeshi dhe guxim. Ai ka krijuar disa tablo kompozicionale me tema historike si, “Kështjella”, “Ismail Qeamli”, “Ultimatumi” etj, portrete si “Partizani me ditar” dhe “”Zgjimi aksionist”. Sidoqoftë fusha ku përqendrohet më shumë Jonuzi është peizazhi, i gjirit të Vlorës dhe rrethinave.   Punë të tij janë ekspozuar edhe jashtë vendit. Vlen të përmendet se ai mbahet si një nga akuarelistët më të mirë të vendit. Piktori Nestor Jonuzi, vijon  të pikturoj dhe përgatit për hapjen e një ekspozite  vetjake me krijimet e kohëve të fundit. Ka një veprimtari krijuese shumëplanëshe, me ekspozita të shumta në vend e jashtë shtetit, me vepra në fondin e Galerisë Kombëtare, Vlorë, muze e tek shtëpitë e miqve dhe dashamirësve të pikturës. Në disa portrete, kompozime ka në epiqendër Themeluesin e Shtetit Shqiptar, Ismail Qemalin. Nestor Jonuzi mban edhe titullin “Piktor i Populli”. Cdo ditë, Nestorin e gjejmë në studion e tij, mes penelave dhe bojërave, përballë telajos. Në studion e tij befasohesh. Aty gjen një galeri të tërë me piktura qe të befasojnë. Janë me dhjetëra peizazhet, portretet dhe akuarelet që gjenden në studion e tij që për nga sasia por sidomos cilësia do t’ia kishte zilinë dhe Galeritë më të mira të Ballkanit. Me gjithë këto suksese, ai është një njeri i thjeshtë, i dashur, i komunikueshëm, korrekt dhe fjalëpak. Atë e gjen gjithmonë mes miqve vlonjatë ku diskuton për Vlorën, atdheun pikturën dhe artin shqiptar. Tek thjeshtësia është dhe çelësi i suksesit të tij.

“Zgjimi”

Sipas gazetarit vlonjat të “Telegraf” Ergys Alushi, puna e parë e tij e përmendur për mirë nga kritika e arteve figurative është tabloja “Zgjimi” në vitin 1970. Liceun artistik e përfundoi për dy vjet nga katër vite që ishte rregulli, duke përbërë kështu një nga rastet e rralla për kohën. “Unë erdha në lice me tri klasë gjimnaz, pothuajse i përgatitur me kultyrën e përgjithshme. Për të tjerat, ndoshta është meritë e pedagogëve të mi N. Zajmi, K. Kodheli e të tjerë” do të shprehej në lidhje me këtë vet piktori vlonjat. Gjinia që ka lëvruar më shumë ka qenë kompozimi.

Kjo sepse sipas Nestor Jonuzit, në kompozim lidhen organikisht edhe portreti, edhe peizazhi, edhe natyra e qetë. Nestor Jonuzi mu mund ta harroj pedagogun e tij Sali Shijaku. Në punën e parë të tij, që ishte një natyrë e qetë, pedagogu dhe njëkohësisht udhëheqësi artistik, nuk i kishte folur fare gjatë gjithë procesit. “Në fund të punës i kishte thënë se ai komunikonte me natyrën . “gjatë punëve pasardhëse, sidomos kompozimeve, thuajse më mbante me zor pranë tablosë sepse lëvizja shumë dhe nuk lidhesha si duhet me punën. Bile, njëherë, më mbylli brenda me çelës, sat ë mbaroja kompozimin…”. Në vitin 1984, piktori i merituar Nestor Jonuzi, do të hapte ekspozitën personale në Tiranë. Në rreth 90 punimet e paraqitura, ku sundojnë peizazhet në vaj, si dhe portretet e punëtorëve, veteranëve e veprimtarëve shoqëror e nxënësve të qytezës, kishte edhe vizatime e akuarele që flisnin për ndjesinë e hollë e çiltërsinë e temperamentit artistik dhe që zbulonin qartë individualitetin e piktorit. . Piktura e Nestor Jonuzit ishte e pasur me ngjyra, që ruajnë shumë herë në raporte delikate dhe që mbartin ritmin e gëzuar të jetës. . E tërë ekspozita ishte konceptuar si një mozaik shumëngjyrësh, sepse peizazhet janë me gamë të larmishme ngjyre e me shkallë të ndryshme të fortësisë së dritës të gjithkund e pranishme. Spikasin punimet “Poezia e korrjes së jonxhës”, “Punëtorët e serave”, “Pranvera në pjeshkore”, “Begatia e vjeshtës”, Pylli në bregdet” dhe seria e peizazheve nga deti janë të ndryshme në këndvështrim e kolorit, por që të gjitha së bashku me vepra të tjera si “Pranvera në qytetin tim”, “Pasdite në pemëtore”, “Joni ynë i bukur”, “Mëngjes në kampin e pushimit të punëtorëve në Dhërmi” formojnë një bashkësi të bukur.