Ndryshon ligji, ja përfitimet e minatorëve dhe ushtarakëve

1211
Sigal

Eksperti Fadil Kepi: Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar për ish-ushtarakët, ata aktivë në Forcat e Armatosura, policisë private dhe punonjësit e nëntokës. Trajtimi i invalidëve, mësuesve, emigrantëve dhe njehsimi i viteve të punës në Shqipëri

Dokumentet që u nevojiten emigrantëve për të marrë pension në Shqipëri dhe si merret leja vjetore sipas Kodit të Punës. Pensioni për invalidët, mësuesit dhe punonjësit e policisë private e financiare

Ndryshimet ligjore – Ja kushtet e përfitimit të trajtimit suplementar për minatorët e nëntokës dhe ushtarakët

 

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar për ushtarakët

Pyetje

  1. Agim Dogani nga Tirana me banim në Athinë shkruan: jam i datëlindjes 7 prill 1956 dhe gjithsej në Shqipëri kam punuar 17 vjet nga të cilat 1,5 vjet mësues, 13,5 vjet ushtarak efektiv dhe 2 vjet pagesë kalimtare mbasi dola në lirim. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune të siguruara duhen, a përfitoj pension suplementar dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës në Shqipëri? A njihen periudha pune për pension, koha e punuar në Greqi dhe cilat janë kushtet për të marrë pension gratë ne Shqipëri?

Përgjigje

Ju në vendin tonë do të dilni në pension pleqërie në moshën 65 vjeç më 7.4.2021 dhe për pension duhen 15 deri 37 vjet e 4 muaj punë të siguruara në vendin tonë. Me vitet e punës që keni ju do të merrni pension të pjesshëm në masën 46% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar 17 vjet punë të siguruara gjithsej që keni aktualisht me vitet e punës që duhen në vitin 2021 për pension të plotë. Para plotësimit të moshës së pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës të siguruara nëse keni nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi, duke paguar 67.392 lekë në vit dhe pensioni shtohet rreth 2,7% për çdo vit të siguruar. Po të siguroheni paradhënie këtë vit për vitin 2020, shumës së mësipërme i bëhet zbritje 6% ose 4.040 lekë dhe në vitin 2020 po të siguroheni për 3 mujorin e parë të vitit 2021 bëhet ulje 1,5% ose 1.010 lekë më pak. Në moshën 65 vjeç sipas nenit 16 të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, për pensionet suplementare të ushtarakëve për çdo vit të plotë që keni punuar ushtarak efektiv do të merrni pension suplementar që llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto për çdo vit të plotë pune, baras me 13%.

Vitet që keni punuar të siguruar në Greqi nuk njehsohen me ato të punuara në vendin tonë por do të merrni pension sipas legjislacionit grek të sigurimeve shoqërore. Gratë deri në fund të këtij viti dalin në pension 60 vjeçe e 10 muaj dhe për pension duhen 15 deri 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në Shqipëri nga mosha 16 vjeçe përfshirë dhe periudhën e studimeve të larta ditën, e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Tiranë.

Përfitimi i lejes vjetore sipas Kodit të Punës

Pyetje

Dy lexues të gazetës “Telegraf” nga rrethe të ndryshme, njeri ka punuar në policinë financiare dhe tjetri në polici private, shkruajnë: në fillim të korrikut të këtij viti plotësuam kushtet për pension. Të dy ata, lejen e këtij viti nuk e kanë marrë, dhe qendrat e punës refuzojnë që t’ua paguajnë. Ata pyesin, a na takon leja e zakonshme për periudhën janar-maj të këtij viti sipas Kodit të Punës?

Përgjigje

Mbështetur në nenin 38 të ligjit 136/2015 botuar në fletoren zyrtare 220 “Për disa ndryshime në Kodin e Punës”, në rastet kur punonjësit përfundojnë kontratën e punës, atyre u paguhen leja e zakonshme e pa marrë deri në tre vjet para ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për të dalë në pension, pavarësisht se ku kanë punuar, ne sektor shtetëror ose privat. Para daljes në pension, punonjësit e institucioneve buxhetore përfitojnë deri një pagë mujore shpërblim, ndërsa për punonjësit e sektorit privat, shpërblimi është në kompetencë të punëdhënësit sipas përcaktimit në kontratën e punës kolektive ose individuale.

 

Marrja e pensionit të plotë dhe suplementar për minatorët e nëntokës

Pyetje

  1. Qemal Kërriku nga Burreli më banim në Tiranë në letrën e tij trajton këtë problem: Jam i datëlindjes 8 gusht 1964 dhe kam rreth 27 vjet punë të siguruara, përfshirë dhe kohën që kam qenë ushtar dhe nga këto 14 vjet në minierë në nëntokë. Pyes, kur e plotësoj moshën për të përfituar pension të plotë si minator i nëntokës dhe a do të marr pension suplementar?

Përgjigje

Sipas ligjit nr.150/2014, minatorët e nëntokës të cilët plotësojnë moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin tonë nga mosha 16 vjeç, e nga këto jo më pak se 12 vjet e 6 muaj në minierë në nëntokë, marrin pension të plotë. Gjithashtu sipas ligjit nr.29, datë 23 maj 2019, botuar në fletoren zyrtare 88, i cili ka hyrë në fuqi më 5 korrik të këtij viti, minatorët e nëntokës përfitojnë edhe pension suplementar, i cili llogaritet me 1% të pensionit për çdo vit të plotë pune që keni punuar në nëntokë. Meqenëse ju keni punuar 14 vjet në nëntokë do të merrni edhe 14% pension suplementar mbi pensionin e pleqërisë. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në ASSH Tiranë.

Dokumentet e marrjes së pensionit për emigrantët

Pyetje

Në letrën që na ka dërguar z. Agron nga Shkodra me banim në Itali lexojmë: Jam i datëlindjes 31 maj 1954. Mbasi punova 33 vjet gazetar në median e shkruar dhe elektronike në Shqipëri, prej disa vitesh banoj familjarisht në Trieste. Pyes, kur dal në pension, sa vite pune duhen për pension të plotë, a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e punës të siguruara dhe sa lekë duhet të paguaj?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar më 31 maj të këtij viti dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç. Me vitet e punës që keni do të merrni pension të pjesshëm në masën rreth 93% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar periudhat që keni punuar i siguruar me ato që duhen për pension të plotë. Nga dita që keni plotësuar moshën e pensionit nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare. Ju rekomandoj që dokumentet e pensionit si libreza e punës, fotokopje e kartës së identitetit, vërtetimet e pagës bruto nga data 1.1.1994, deri ditën që keni punuar i siguruar në vendin tonë, t’i dërgoni në sigurimet shoqërore në Shkodër. Sa herë indeksohen pensionet shtohen edhe pensionet e emigrantëve pavarësisht se ku banojnë pa dërguar asnjë dokument tjetër shtesë. Pensionet në vendin tonë paguhen vetëm në lekë brenda 3 vjetëve. Ju keni të drejtë që të autorizoni sigurimet shoqërore që pensioni çdo muaj t’ju depozitohet në bankë.

Procedura dhe dokumentet për përfitimin e pensionit familjar

Pyetje

Në letrën që ka dërguar një zonjë nga Dibra trajtohet ky problem: Kohët e fundit bashkëshorti im ndërroi jetë. Ai punonte dhe ishte i siguruar. Sipas certifikatës së gjendjes familjare, mbetëm unë dhe dy fëmijë, vajza në shkollë të mesme dhe djali student në vitin e fundit në Universitet. Pyesim, a përfitojmë ne pjesëtarët e familjes pension familjar, cilat janë dokumentet dhe procedurat që duhet të ndjekim?

Përgjigje

Mbështetur në ligjin e sigurimeve shoqërore, nga dita që burri nuk jeton, ju në moshën 55 vjeçe përfitoni 50% të pensionit të tij nëse jeni pa punë, e pa vetëpunësuar, nuk keni tokë sipas ligjit dhe nuk jeni punëdhënëse deri në plotësimin e moshës së pensionit tuaj. Secili nga fëmijët do marrë nga 25% të pensionit të babait, deri në moshën 25 vjeç, nëse vazhdojnë shkollën ditën. Nga dita që fëmija i parë mbaron shkollën e lartë, pensioni i ndërpritet, por, fëmijës së dytë i bëhet 50%. Ju rekomandoj që të paraqitni në sigurimet shoqërore në Peshkopi, librezën e punës të bashkëshortit, vërtetimin që ka qenë ushtar, certifikatën e vdekjes dhe atë të gjendjes familjare, vërtetimin për secilin fëmijë që vazhdon shkollën ditën. Kur të plotësoni moshën tuaj të pensionit ju keni të drejtë të zgjidhni e të vazhdoni të merrni pensionin tuaj, ose 50% të pensionit të bashkëshortit cila shumë të dalë më e lartë…

Për më tepër lexoni “Telegraf”