Myfit Qorduka: Si i njoha dy shkrimtarët e mëdhenj, Agolli dhe Shuteriqi. Ja takimi më i paharruar

395
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish-oficeri madhor i  Flotës  Luftarake  Detare, koloneli në rezervë, Myfit Qorduka:

Si i njoha dy shkrimtarët e mëdhenj,  Dritëro Agollin dhe Dhimitër Shuteriqin, porositë e tyre për artistët e rinj.

Dritëro Agolli : “Njerëzve duhet t’u thuash gjëra reale, siç është realiteti, e jo siç duam ne të jetë”

– Dritëro Agolli: “Në një reportazh citoja se persoanzhi  im kishte vrarë 17 ujqër, kryeredaktori më bërtiti, maksimumi 2!”

– Dhimitri u afrohej bashkëbiseduesve, me thjeshtësi e me urtësi, ishte i thjeshtë

Albert Z. Zholi

“Njerëzve duhet t’u thuash gjëra reale, siç është realiteti e jo siç duam ne të jetë”. Kjo ishte një nga porositë që  shkrimtari i madh, Dritëro Agolli i jepte ish-oficerit  madhor  të  Flotës Luftarake  Detare, Myfit  Qorduka, gjatë takimeve me të. “Filozofia jonë duhet të ushqejë te njerëzit dashurinë dhe vullnetin për të ndërtuar. Filozofia jonë është zëri i gjithë shoqërisë moderne”,- citon ai një nga thëniet e tij gjatë një vizite tek marinarët e ishullit  të Sazanit, në kohën kur ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve…

  1. Qorduka, ju keni patur edhe njohje me shkrimtarin e madh Dritëro Agolli. Çfarë kujtimesh ruani rreth tij?

Ishte vjeshtë e vitit 1977. Kisha 2 apo 3 muaj që isha emëruar në drejtimin e “BUT” në Shëngjin dhe akoma nuk kisha marrë strehimin për vete dhe familjen time.  Unë banoja në ambulancë, ku aty ishte edhe shefi i shëndetësisë  së marinës, dr. Agron Panariti, me të cilin u bëmë shokë. Një natë në mbrëmje,  ndalon një  “Fiat” i kuq para ambulancës. Ishte Dritëroi me gjithë familjen. Unë sa e pashë u gëzova dhe e ftova në dhomën time për një gotë raki. Po ashtu ftova edhe doktorin, i cili e priti me kënaqësi, sepse ai e kishte rastin e parë që të ishte kaq pranë Dritëroit të madh. Mbasi më tha qëllimin e vizitës “së papritur”, më kërkoi leje për kunatin (vëllain e Sadies),  i cili kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak te ne, se do shkonin për ngushëllim tek një i afërm i tyre në Shkodër. Unë menjëherë mora shërbimin në telefon, dhe dhashë urdhërin që detari të pajisej me fletë-leje dhe detari të vijë të na gjejë, këtu ku jemi ne. Dritëroi vuri buzën në gaz, po mua më bëri përshtypje, se nuk më pyeti se ç’funksion  kisha, se atëherë nuk dalloheshim, se as grada nuk kishim. Por edhe një gjë, për ta shoqëruar rakinë  nuk na u ndodh, prandaj i propozova për të shkuar  në lokalin “Adriatik” që ndodhej afër. Shkuam në lokal dhe porositëm nga një kafe e raki, po kamarierja na u përgjigj se as aty raki nuk kishte. Atëherë duke parë ndrojtjen e kamerieres, e cila u vu në vështirësi, i thotë aty për aty: “Po fërnet keni”? Ajo u përgjigj “Po, kemi”. “Atëherë na sill fërnet, se një familje janë me rakinë”, shtoi ai. Dhe filluam muhabetin me Dritëroin siç dinte ai. Sadia që na dëgjonte, ndërhyri: “Sa kohë ke që e njeh Myfytin?”

“Ehuu… – ia bëri shkrimtari, – qëkur njihemi ne”.

Unë e njihja më shumë Dritëroin, se nxënësi i njeh paraardhësit e tij. Njihja edhe Agim Shehun, se e kisha profesor të letërsisë në gjimnaz, po ashtu edhe Dritëroin dhe Ismail Kadarenë, bashkënxënës të Agimit, i cili komentonte vjershat e Dritëroit dhe të Ismailit, të cilët ishin në fillimet e krijimtarisë e ky komunikim bëhej nëpërmjet dorëshkrimeve që shkëmbenin me njëri-tjetrin.

Në bisedë e sipër i them Dritëroit “Ta kam parë sherrin njëherë”. Në gjimnaz kishim një gazetë që merrej veç me krijimet tona. Shoku im që kishte më shumë prirje për poezinë, e drejtonte atë. Më kërkoi të shkruaja një vjershë. E shkrova dhe ai e botoi në gazetën e murit. Edhe kur më binte rruga, unë kaloja afër gazetës dhe bëja “sondazh”, se a ndalonte njeri  për ta lexuar krijimtarinë time. Ditët e para ndalonin disa, ndërsa ditët në vazhdim gjithnjë e  më pak njerëz para gazetës. Unë vetë e kuptova se nuk  ishte pëlqyer poezia ime, po më  vinte rëndë ta kërkoja opinionin te shokët e mi dhe u gjenda një ditë para gazetës për të bërë krahasimin  me shokët e shoqet e tjerë. Gazeta hapej me një poezi  të Dritëro Agollit, shkruar që kur ishte në gjimnaz dhe këtu unë u binda se nuk ia thoja për poezi. Këtë ia thashë Dritëroit në formë shakaje. “Por a ka mundësi të rritet bari i njomë poshtë një lisi të madh?”, -e pyeta. Ai qeshi dhe me natyrën e tij të kujdesshme e me dashamirësi dhe shumë seriozisht më tha:  -“Vazhdoje, se ja ke motiv për detarët dhe menjëherë nuk e mëson notin me zhytjen e parë, por nganjëherë edhe me ndihmën e shokëve”.

-A mund të na sjellësh disa copëza të tjera bisedash me Dritëroin?

Sipas tij, që të shkruash, duhet të njohësh më parë realitetin dhe njerëzit që t’i sensibilizosh ata. “Unë shkruaja si më vinte te “Zëri i Popullit”, -vazhdoi Dritëroi, – dhe njëherë më thirri kryeredaktori Sadik Bocaj, i cili kishte përpara reportazhin tim dhe do të konsultoheshim para se të futej për botim. Sa u futa në zyrë, më priti me të shara. “-Po hajde, hajde, më tha, – çfarë janë këto marrëzi që shkruan?” – dhe më sqaroi se artikulli që i kushtohej një personi, e veç të tjerave, unë kisha shkruar se ai personazhi im kishte vrarë 17 ujqër. -“Ore, më tha,-  unë kam 40 -vjet gjuetar dhe nuk kam vrarë asnjë ujk, e ti na del me 17 copë!”. E morëm, e rregulluam dhe unë vura mësim për këtë episod”, – përfundoi Dritëroi.

Njëherë tjetër, po bënim muhabet me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv  të  Pogradecit, i cili  tregoi një rast me Enver Hoxhën, kur pushonte në Pogradec. “Më thirri Enveri, – tregonte, – dhe më tha që t’i mbledhim këta të bujqësisë e të bisedojmë. Kështu bëra dhe unë, i mblodha dhe Enveri filloi t’u fliste. Në një moment u foli për vlerat ushqyese të patates. -“Po të hajë deri në 2-3 kokrra patate, njeriu nuk ka nevojë për bukë se ngopet me të”, -thoshte. Në sallë dy vetë qeshën. Nuk e dha veten Enveri, por kur dolën jashtë, e pyet kryetarin e komitetit se përse qeshën ata të dy. Dhe kryetari ia shpjegoi se qeshën me krahasimin se ngopen me dy kokrra patate, e kjo iu duk shumë pak atyre, se edhe një thes nuk iu del. Enveri lidhi duart mbrapa dhe vazhdoi dhe aty lëshoi shfryrjen. -“Njerëzve duhet t’u thuash gjëra reale, siç është realiteti e jo siç duam ne të jetë”, -sqaroi Agolli.

Por ju keni njohur edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, si Dhimitër Shuteriqin. A mund të na tregoni ndonjë episod rreth tij?

Një nga vizitat që më ka mbetur  në mendje në ishullin e Sazanit, është ajo që bëri një delegacion i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në qershor 1962. Ndër ta ishin profesor Dhimitër Shuteriqi, Nasho Jorgaqi, Fatmir Gjata dhe Shevqet Musaraj. Dhimitri u afrohej bashkëbiseduesve, me thjeshtësi e me urtësi, duke u përcjellë atyre çfarë ishte e mundur nga këto njohuri dhe asnjëherë nuk e bënte diçka të tillë me fodullëk apo ndjenjë sipërie. Kisha lexuar edhe një analizë të bërë për Naim Frashërin dhe në veçanti ndalesën te thënia: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar…”, teksa veprën e rilindasve tanë ai do ta quante monumentale dhe vendimtare për pavarësinë e mëmëdheut. Edhe kur fliste për filozofinë me detarët, ai  mundohej ta bënte sa më të thjeshtë bisedën për t’u kuptuar. E lidhte gjithmonë me jetën. “Filozofia jonë,- thoshte profesori,- duhet të ushqejë te njerëzit dashurinë dhe vullnetin për të ndërtuar. Filozofia jonë është zëri i gjithë shoqërisë moderne”. Profesori ishte nga ata njerëz që i ruajti lidhjet e tij me shekullin e kaluar dhe me ngjarjet. Ishte një njeri që solidarizohej me lëvizjen përparimtare që kishte marrë hov në atë kohë në Evropë. Në një mëngjes, Shuteriqi kishte zënë vend në urën e komandimit së bashku me komandantin e dragaminës së madhe, Zisi Anastasin. Do të bëhej një bisedë me marinarët që mezi prisnin të dëgjonin profesorin të shprehej me atë elokuencën e tij tërheqëse. Atë paradite, në takimin e organizuar me marinarët, Dhimitër Shuteriqi dukej sikur i buronin fjalët vetiu nga goja dhe kjo ishte shenjë e qartë jo vetëm e sinqeritetit se ato vinin nga thellësia e shpirtit të tij, ashtu sikundër dallgët e detit që i lind hapësira e pamatë dhe s’ka nevojë t’i shtyjë drejt  bregut asgjë, por edhe i një kulture po aq të madhe e të thellë. Njeriu me kulturë njihet pikërisht nga thjeshtësia e modestia, nga rrjedhshmëria e të folurit dhe ilustrimi i asaj se çfarë thotë me shembuj të shumtë të marrë nga jeta e përditshme dhe nga historia:- “Një epokë e re lindi dhe së bashku me të lindi edhe një flotë e re luftarake, më e madhja në Ballkan”, -tha ai. Pastaj foli për eposin heroik të partizanëve tanë dhe për bashkëpunëtorët e pushtuesit fashist, si Lef Nosi, Safet Butka etj., që sipas tij, duke veshur këmishën fashiste, u vunë në shërbim të pushtuesit dhe u damkosën me vulën e turpit për jetë.  -“Jeta jonë ka qenë e lidhur me detin dhe qiellin e pafund. Miq, detarë të mi. Ju bëni lundrime të vështira në hapësirat e deteve, duke u stërvitur me një teknikë luftarake moderne”,- shtoi para nesh Shuteriqi.