Myfit Guxholli: Kontributi i Korçës gjatë LANÇ dhe dëshmorët

1087
Sigal

Në Qarkun e Korçës janë krijuar 11 batalione dhe 5 Brigada partizane

75-Vjetori i Çlirimit – Kontributi i qarkut Korçë gjatë LANÇ

Ing. Myfit Guxholli*

Në prill të 1939-s Italia fashiste okupoi Shqipërinë. Shqipëria humbi pavarësinë, flamurin dhe lirinë. Shqipëria u kërkoi ndihmë kombeve për ta ndihmuar, njëkohësisht dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por nuk mori asnjë përgjigje.

Gjithë populli e priti me urrejtje këtë okupim. Në shoqëri ishte formuar Lidhja Kombëtare në vitet 1931-1941, ndërsa nëpër shkollat në vend dhe studentët që ishin në Itali në shkolla ushtarake dhe civile formuan celulat e para. Shumë oficerë që studionin jashtë u kthyen dhe filluan aktivitetin kundër okupatorit, si Taqi Skandi, Nexhip Vinçani, Fuat Babani, Behar Shtylla etj. Qëllimi i këtyre ushtarakëve dhe gjithë rinisë sonë ishte që të ruanin ndjenjat e tyre kombëtare dhe të mos bëheshin vegla të okupatorit dhe të mos visheshin “Giovani Faschisti”. Në fillim në një shkollë në Itali u hoq flamuri shqiptar dhe u vendos flamuri italian dhe njëkohësisht do të bëhej betimi ushtarak. Këto veprime revoltuan studentët dhe oficerët. Disa u burgosen dhe më së fundi iu dhanë të drejtë se ishte në historik të shkollës që vendosja e flamurit kishte fyer popullin shqiptar.

Në qarkun e Korçës kishin filluar demonstratat, si ajo e grave për të liruar burrat e tyre nga burgu si dhe aktivitete të tjera në të cilat folën të rinjtë Pëllumb Dishnica etj.
Celulat e para që u formuan në Korçë, Kolonjë, Pogradec, Bilisht, Maliq etj. dërguan shokët më të mirë për të biseduar nëpër fshatra për të organizuar dhe luftuar kundra okupatorit. Njerëzit e dërguar ishin të zgjedhur me reputacion, kundër pushtuesit dhe kërkonin të përsërisnin Lidhjen Kombëtare kundër armikut. Njëkohësisht ata bënë afrimin me kaçakët e maleve, të cilët ishin kundër qeverisë kuislinge, sepse ata ishin fshehur maleve dhe nuk kishin pranuar shërbimin ushtarak, ose ishin larguar për arsye hakmarrjesh, ose edhe për gjera të tjera që binin ndesh me ligjet e shtetit okupator. Rezultatet qenë pozitive, sepse shumë prej tyre pranuan të luftonin kundra okupatorit bashkë me partizanët. Në fshatin Slabinjë u bë një mbledhje e madhe ku foli komandanti i Çetës se Mokrës, Reshit Çollaku. Ai iu drejtua gjithë popullit të krahinës me fjalët: “Të bashkohemi të gjithë dhe të luftojmë armikun që është ulur e po na robëron, na mori lirinë e po na shkombëtarizon”. Ai gjithashtu tha: “O popull! Fashizmi është ulur këmbëkryq dhe dalëngadalë do të na gjunjëzojë dhe do të na zhdukë kombësinë. Ai ka gjetur kolonën e pestë që janë kolaboracionistët pro tij. Prandaj problemi i parë është pavarësia. Duhet lënë vëllavrasja e problemet e tjera, që do t’i zgjidhim mbasi të kemi shporrur armikun”. Që nga ajo ditë vëllavrasja pushoi ne rrethet e qarkut të Korçës. Madje dhe sot kjo plagë e rënde është zhdukur.” Për një përpjekje më të madhe në luftë kundër okupatorit, Qarkori i Korçës u dha udhëzime njësive dhe çetave që të bënin një parapërgatitje për partizanët e rinj. Në malin e Bofnjës të Dusharit (Maliq), u organizua një kurs ushtarak. Aty merrnin pjesë Çeta e Mokrës me komandant Reshit Çollakun, Çeta e Skraparit me komandant Nestor Ujaniku, Çeta e Gorës me komandant Teki Kolanecin dhe veprimtarë të tjerë nga Devolli, Kolonja etj. Mbledhja e Bofnjës me 50 veta bëri një jehonë të bujshme në krahinë, qark e më gjerë për popullarizimin e LANÇ. Okupatori ishte në alarm, sepse luftëtaret po përgatiteshin për të shtuar radhët e partizanëve dhe po paraqisnin një sfidë të madhe karshi armikut dhe kolaboracionistëve. Nga Voskopoja vjen një informacion, se qenë mbledhur një forcë e milicisë fashiste për të shkuar në Bofnjë. Milicët morën të dhëna se çetat qenë organizuar mirë dhe që ishin vendosur në terren shumë të favorshëm për partizanët dhe kështu u kthyen mbrapsht nga kishin ardhur.

Në çdo çetë kishte një komandant dhe një komisar. Çetat kishin tre skuadra nga ku secila skuadër kishte 5-7 veta. Çdo skuadër kishte nga një mitraloz të lehtë dhe armatim pushkë trofe. Jehona e Bofnjës, qe një thirrje për popullin e Qarkut të Korçës dhe komiteti ushtarak dha udhëzime për shtimin e radhëve të çetave; në zonat e çliruara nga partizanët të largoheshin postat e xhandarmërisë dhe pushteti i okupatorit të zëvendësohej nga këshillat. Jehona e Bofnjës gjithashtu rriti akoma më tej përkrahjen dhe rolin e LANÇ dhe çetave të reja, ndërsa rinia shtonte radhët e çetave e batalioneve partizane. U formuan çeta e batalione të tjera si Çeta e Arëzës (Korçë), Çeta e Oparit, Devollit, Kolonjës, Leskovikut etj.

Puna me nacionalistët dhe klerin Bektashian kishte bërë përparime të dukshme. Në ketë fazë të luftës në tetor – dhjetor 1942, përveç çetave më të vjetra si ajo e Mokrës dhe Gorës u krijuan çeta të tjera si ajo e Oparit me Agush Gjergjevicën, Çeta e Oparit të sipërm, Çeta e Protopapës me komandant Xh. Protopapa, Çeta e Moravës etj. Në këtë fazë, armatosja e njësive luftarake malore ishte bërë me 70%. Njëkohësisht kishte dhe njësi rezervë, të cilët shkonin në punë, por në rast rreziku bashkoheshin me partizanët në luftim. Në periudhën janar – maj 1943, formohen çeta të tjera si: Çeta e Riza Kodhelit (ish-oficer që u bashkua me partizanët), Çeta e Vithkuqit, Çeta e Oparit të Poshtëm (Shaban Zereca), Çeta “Selam Musaj” Verikol.

Në këtë fazë numri i çetave u rrit afër 3 herë. Urdhri i shtabit ushtarak të Korçës kërkonte që të vazhdojë rritja e çetave numri i të cilave kishte arritur në 17, të krijoheshin batalione duke i bashkuar çetat që ishin afër njëra tjetrës dhe batalionet e formuara të merrnin emrin e krahinës. Krijimi i batalioneve ishte pozitiv, sepse ajo është një forcë ushtarake goditëse dhe unike. Batalionet gjithashtu do të ndihmonin me krijimin e çetave të tjera. Një organizim i përsosur i qarkorit dhe shtabit ushtarak të Korçës qe frymëzues për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare duke folur dhe për lëvizjen kombëtare shqiptare për pavarësi kundër shovinizmit grek dhe atij serb. Në këtë kohë u formuan çeta të tjera luftëtare si p.sh. Çeta e “Bajo Topulli”, Karmian Vinçanit, Kajo Babi dhe patriotëve të tjerë nga Qarku i Korçës. Çeta më e vjetër në qark në Shqipëri, e dyta mbas asaj të Pezës heroike, ishte Çeta e Mokrës me komandant Reshit Çollakun, e cituar nga Komiteti Qendror dhe Qarku i Korçës me datë themelimi, 17 mars 1942. Çeta të tjera të përcaktuara me data janë: Çeta e Gorës formuar, më 27 prill 1942 me komandant Teki Kolanecin në Grabovicë, Çeta e Ostrovicës, më 1 nëntor 1942 ne Gjergjevicë, Çeta e Kolonjës, Çeta e Leskovikut, etj.

Në vitin 1942 Lufta Nacional-Çlirimtare mori përpjesëtime të mëdha. U arrit bashkimi i disa batalioneve, të cilat formuan brigada që ishin njësi luftarake që vepronin në rajone më të mëdha dhe nga dita në ditë këto njësi çliruan zona më të mëdha në Qarkun e Korçës. Në zonat e çliruara, veçanërisht në ato malore, vepronte pushteti popullor, i cili organizonte dhe drejtonte këto zona, punonte për të rritur me tepër rolin e LANÇ.

Në këto kohë ishin formuar batalione të armatosura me armë trofe, të marra në depot e okupatorit, një pjesë të ruajtura nga lufta Italo-Greke dhe nga ndihma që na dërgonin aleatët, sidomos Anglezët. Këto batalione janë:

  1. Batalioni i Mokrës i formuar në Mokër, Pleshisht (Pogradec);
  2. Batalioni “Shqiponja” i formuar në Voskopojë (Korçë);
  3. Batalioni “Fuat Babani” formuar në Hoçisht;
  4. Batalioni “Themistokli Gërmenji” i formuar në Fushë-Arëze Korçë;
  5. Batalioni “Ali Kelmendi” i formuar në Gorë (Korçë);
  6. Batalioni “Tomorri” i formuar në Gorë-Opar (Korçë). Batalion me një efektiv më të madh që kishte për detyrë çlirimin e Voskopojës, Opar, Skrapar dhe që ishte me qendër në Gorë;
    7. Batalioni “Hakmarrje” i formuar në Kolonjë, Leskovik;
  7. Batalioni “Skënder Çaçi” i formuar në Arëze të Korçës;
  8. Batalioni “Qamil Panariti” formuar në rrethin e Korçës mbi bazën e Çetës në Vithkuq;
    10. Batalioni i Rinisë në Qendër Korçë;
  9. Batalioni “Çlirimi” i formuar në Vinçan, Opar i poshtëm (Korçë).

Formacionet luftarake u shtuan ndjeshëm dhe njëkohësisht shtabi ushtarak kërkonte që njëherazi me aksionet dhe luftën të zhvilloheshin veprimtari ushtarake e operative më të mëdha. Për t’u përmendur janë:

  • Lufta e Leskovikut ku morën pjese disa çeta partizane si Çetat e Moravës, Gorës, Kolonjës, Leskovikut, Ostrovicës, Kurorës dhe Resez së Korçës.
  • Lufta e Voskopojës, ku çlirimi i saj ishte aksioni i parë me komandant Vinçanin dhe Kolanecin.
  • Lufta për çlirimin e Pogradecit,
  • Aksioni i Snosit (Gramsh),
  • Aksioni i marrjes se grurit (bereqetit) dhe ndarja në popull,
  • Goditja e ushtrisë gjermane në Barmash të Kolonjës, e shumë të tjera.

Situata politike në Qarkun e Korçës ka qenë më e favorshme dhe më e avancuar ku ishin dhe njësitet e armatosura që ishin organizuar si një rezervë potenciale efektive. Mbi këtë bazë në Qarkorin dhe shtabin ushtarak ishin kryer veprime të shkallës operative me përqendrim të 13 çetave partizane. Jo rastësisht u zgjodh Qarku i Korçës si bazë jo vetëm territoriale për formimin e Brigadës I Sulmuese, e cila ishte bërthama e ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por dhe nga mbështetja me kontingjente kuadrosh dhe partizanë të thjeshtë, përgjithësisht të zgjedhur nga radhët e forcave luftarake që kishin përvojë.
Problemi i dytë kishte të bënte me konsultime ndërmjet atyre muajve për të njëjtin ideal që ishte çlirimi i vendit. Në këtë kohë pati dhe takime e bashkëpunim me përfaqësuesit e misioneve ushtarake britanike.

Pra, si konkluzion: Në Qarkun e Korçës, mbi bazën e këtyre çetave dhe batalioneve u formuan njësite ushtarake të asaj kohe dhe që dhanë një ndihmesë të madhe për çlirimin e Shqipërisë nga dy okupatorët, fashizmi italian dhe nazizmi gjerman.

Brigadat e formuara në Qarkun e Korçës janë:

  • Brigada I Sulmuese, 15 gusht 1943;
  • Brigada e 4-të Sulmuese, 28 dhjetor 1943;
  • Brigada e 9-të Sulmuese, 16 tetor 1944;
  • Brigada e 15-të Sulmuese, 25 qershor 1944;
  • Brigada e 20-të Sulmuese, 10 shtator 1944.

Brigada e 2-të që kishte pësuar shumë humbje ne Shqipërinë e Mesme gjatë Operacionit të Madh të Dimrit 1943-1944 u riformua.

*Nënkryetar i OBVL, Ish-partizan ne Brigadën e 4-t Sulmuese