Mustafa Koçerri: Perla e Shqipërisë Vlora, në 111 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

38
Sigal

Zbulimet arkeologjike kanë treguar se Vlora ka qenë e banuar që në shekullin e VI para erës sonë. Emri i saj, Aulona, përmendet në shekullin e II të erës sonë. Ajo ka qenë një qytet skele dhe nyje e rëndësishme e rrugëve detare dhe tokësore. Sa kalon urën mbi lumin Vjosë, ose urën e Mifolit, autostrada kalon nëpër Myzeqenë e vogël për në qytetin e Vlorës. E gjithë kjo zonë është e banuar me fshatra si në fushë dhe në kodër. Një nga bukuritë e kësaj zone janë vreshtat e fshatit Panaja, banorët e së cilës janë mjeshtra të përpunimit të rrushit si për verë dhe për raki. I gjithe kurrizi i kodrave nga Mifoli deri në Pusin i Mezinit është i veshur me ullinj. Laguna e Nartës dhe kurora me ullinj i japin hyrjes së qytetit të Vlorës një bukuri të veçantë. Po cilat janë disa nga vendet dhe pikat më të bukura, tërheqëse të qytetit bregdetar të Vlorës, të cilat e bëjnë atë më të vizituarat si në dimër dhe në verë. Unë do të thosha se në Vlorë këto vende ndahen në ato me bukuri natyrore dhe në vendet dhe objektet e bukura të këtij qyteti, që janë realizuar nga puna e qytetarëve vlonjatë. Më poshtë po përmend disa prej tyre: Kanina është një fshat i vendosur në faqe të malit të Shashicës. Fshat me kala shekullore, prej këtej duket e gjithë shtrirja e qytetit të Vlorës, e më tej dhe me gadishullin e Karaburunit në perëndim. Poshtë Kaninës shtrihen kurora me ullinj, të cilat arrinë deri  në fund të malit. Për lashtësinë dhe qytetërimin e kësaj flasin edhe dy këmbanat, që kanë qenë në kullën e sahatit, prodhuar në Venezie në vitet 1765 dhe 1873. Llogaraja, ky park kombëtar, lartësia nga niveli i detit, gjelbërimi gjithëvjetor me klimë kurative, me ajrin  e pishave e bëjnë të frekuentuar në çdo kohë. Ajo është nga më të rrallat pasuri që ka Shqipëria. Zverneci i vendosur në rrëzë të kodrave që ndan detin me lagunën e Nartës, pozicioni i ndërtimit të shtëpive i japin atij një bukuri të veçantë. Po të ngjitesh lartë në kodër mbi fshat, pamja që ke përpara është shumë e bukur. Prej andej të duket sikur i ke shumë afër ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Karaburunit. Bukuri të rrallë i jep këtij fshati pejsazhi dhe ishulli i vogël në kënetën e Nartës ku ndodhet edhe manastiri.

Si në Sazan ashtu edhe në pjesën perëndimore të Karaburunit, kur viziton këtë vijë bregdetare, ndien një kënaqësi të veçante për peisazhet, terrenin, ujin e detit dhe të veçantat që afron kjo vijë bregdetare. Në të gjithë këtë vijë bregdetare ndodhen disa plazhe të vogla ku uji i pastër dhe qetësia i bëjnë këto vende të virgjëra të frekuentuara. Por edhe e gjithë vija bregdetare nga Uji i Ftohtë deri në Orikum dhe ajo sa zbret nga Llogaraja ka një bukuri të rrallë. Uji i pastër dhe i kaltër, terreni i bukur dhe vendosja e fshatrave në faqe të malit si Palasa, Dhermiu, Iliasi, Vunoi dhe qyteti i Himarës e më tej deri në Borsh krijojnë një panoramë fantastike dhe relaksuese dhe e bëjnë këtë zonë të frekuentuar nga shqiptarët dhe turistët e huaj. Në rrethin  e Vlorës ndodhen disa kala ku midis tyre do të përmend atë që ndodhet në fshatin Plocë, Kalaja e Amantias. Pozicioni është në një pikë dominuese në këtë fshat ku me sy të lirë shikon si fshatrat e Mallakastrës dhe një pjesë të Vlorës. Në këtë kala do të përmendja dhe amfiteatrin ,çka dëshmon për qytetërimin e lashtë dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive. Interesante dhe me vlera të larta është edhe kisha e Marmiroit në Orikum e ndërtuar në shekullin e XII, e cila është shpallur monument kulture në vitin 1973. Lugina e Lumit të Vlorës ose Lugina e Shushicës është e populluar me shumë fshatra. Të dy anët e kësaj lugine shoqërohen nga male të larta, të cilat vinë duke u lartësuar. Panorama që krijohet në këtë luginë kur je në urën e Drashovicës është shumë e bukur. Përballë saj duket mali i Bogonicës dhe në rrëzë të tij fshati i Kallaratit. Sot kjo luginë përshkrohet nga rruga e re duke shkurtuar në mënyrë të  ndjeshme kohën dhe i jep kësaj zone zhvillim më të madh. Në këtë krahinë ndodhet edhe Ura e Bratit e ndërtuar në shekullin XVI mbi lumin Shushicë, e cila në vitin 1973 është shpallur monument kulture.

Puna e vlonjatëve dhe shtimi i investimeve e kanë bërë qytetin e Vlorës të transformohet e të ndryshojë nga dita në ditë.  Po përmendim disa nga vendet, bulevardet dhe monumentet që ja shtojnë bukurinë qytetit bregdetar të Vlorës. Lungomarja me pallatet e bukura të ndërtuara në anë të saj, pishat e mbjella, lulishtet dhe buza e  detit e bëjnë këtë shumë të bukur, një shëtitore të preferuar për vlonjatët dhe për turistët. Edhe bulevardi Vlorë-Skelë është një nga shëtitoret më të bukura. Lulet, palmat dhe gjithë gjelbërimi e bëjnë atë të preferuar. Ky bulevard ka pësuar transformime derisa ka arritur në këtë gjendje që është sot. Të dyja këto shëtitore si Lungomaria dhe ajo Vlorë-Skelë e bëjnë qytetin e Vlorës më të bukurin e vendit tonë, pse jo edhe ndër më të bukurin e qyteteve evropiane. Ndër bukuritë e Vlorës është edhe monumenti i Pavarësisë, vepër e arritur në nder të aktit të shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali. Monumenti i Pavarësisë dhe varri i Ismail Qemalit në lulishten pranë tij vizitohen nga qytetarë të shumtë, patriotë dhe turistë. Me rikonstruksionin që i është bërë sheshit ku ndodhet ky monument, i ka rritur më shumë vlerat dhe bukurinë këtij sheshi dhe vet monumentit.  Porsa kalon urën mbi lumin Shushicë në fshatin e Drashovicës përballë është monumenti madhështor në formën e një harku kushtuar heroizmit të popullit në luften e vitit 1920 dhe asaj të NCL. Kur punohet me gusto e kujdes për restaurimin e banesave, objekteve dhe rrugëve jo vetëm që atyre u rritet vlera, ruhen objektet që kanë vite të ndërtuara, por i shtohet qytetit bukuria dhe kthehen ato objekte e lagje në identitet siç është rasti në lagjen Muradie dhe rreth saj. Bajpasi i ri nga Pusi i Mezinit deri në Orikum ka shkurtuar  ndjeshëm kohën  për të shkuar në Orikum e më tej për në Llogara dhe Himarë. Nëse do të qëndrosh në pjesën malore të kësaj rruge panorama që të shfaqet është fantastike, shumë e bukur, shikon detin Karaburunin, dhe gjithë qytetin e Vlorës. Kohën për të shkuar në plazhet e bregdetit Jonian do ta shkurtojë ndjeshëm tuneli që do të vihet në shfrytëzim në vitin 2024.

Por Vlora ka edhe shumë e shumë vende të tjera që nuk mund të përshkruhen dot me një shkrim.

Vlora qyteti ku u ngrit

Flamuri me 28 Nëntor 1912

Vlora përveç bukurisë së qytetit, bregdetin e kaltër, fushat dhe malet e larta, me lagunën e Nartës dhe rezerva të shumta ujore, ka patur edhe fatin që më 28 Nëntor 1912 të shpallet Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemali. Ndaj shpesh përdoret shprehja : qyteti i flamurit.

Ismail Qemali u lind në vitin 1844 dhe ndërroi jetë në vitin 1919. Ai regjistrohet në gjimnazin Zosimea në Janinë. Pas përfundimit të studimeve ai shërben në perandorinë Turke si nënpunës dhe deputet. Ismail Qemali ka qenë hartues dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Për të realizuar misionin që i kishte ngarkuar vetes ai më 2 nëntor 1912 niset nga Stambolli për në Bukuresht dhe në datat 3-7 nëntor 1912 organizon një mbledhje me koloninë e shqiptarëve. Me datat 9-16 nëntor 1912 zhvillon takimin me kreun Austrohungarez dhe me personalitete të tjera. Më pas ai udhëton drejt Lubianës, Triestes dhe në 21 nëntor 1912 ai arrin në qytetin e Durrësit. Pasi arrin në Durrës ai niset për në qytetin e Vlorës, një udhëtim ky i gjatë dhe në kushte të vështira, dhe arrin në Vlorë në 27 nëntor 1912. Me të mbërritur në Vlorë ai së bashku edhe me patriotë të tjerë organizon punën për shpalljen e Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912 ai shpall Pavarësinë e Shqipërisë duke ngritur flamurin Kuq e Zi, me një pjesëmarrje të madhe të popullit vlonjat, krahinave dhe trevave shqiptare. Nga rrethi i Vlorës kanë marrë pjesë në aktin e nënshkrimit të Pavarësisë, Ismail Qemali, Jani Minga, Abaz Kanina, Aristidh Ruci dhe Qazim Kokoshi. Pas shpalljes së Pavarësisë u krijua qeveria e përkohshme e Vlorës, e cila e zhvilloi aktivitetin e saj nga 4 dhjetori 1912 deri në vitin 1914, ku Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë dhe ministër i punëve të jashtme. Shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali i forcoi pozitat e saj në arenën botërore dhe në mënyrë të veçantë me fqinjët tanë. Por pas shpalljes së Pavarësisë lakmitë e disa fuqive e shteteve ndaj vendit tonë u shfaqën duke ndërmarrë veprime konkrete deri edhe në pushtime të pjesshme si dhe gjithë Shqipërisë. Sovraniteti dhe Pavarsia e vërtetë e popullit shqiptar u ndie dhe filloi ta gëzonte në 29 Nëntor 1944 me çlirimin e Shqipërisë. Këto ditë feste flamuri kuq e zi ngrihet e valvitet në të gjithë trojet dhe shtëpitë shqiptare dhe urojmë njëri-tjetrin gëzuar festën e Pavarësisë dhe të çlirimit të vendit.