Mustafa Koçerri: Lavdi tre heronjve të “Kodrës së Kuqe” në Tiranë

569
Sigal

 Pas pushtimit fashist më 7 prill 1939,  si në gjithë Shqipërinë, edhe në qytetin e Tiranës dhe fshatrat e saj, rezistenca dhe fillimi i Lëvizjes NÇL dhe më pas Lufta e armatosur, sa vinte dhe shtonte  radhët e pjesmarjes së popullit duke u organizuar dhe bërë më të vendosur. Në fillim ishte krjimi dhe organizimi i njësiteve guerile dhe më pas funksionimi i tyre, si me shtypjen dhe përhapjen e trakteve, grumbullimin e informacioneve të nevojshme  me të dhëna për pushtuesin dhe atyre që u shërbenin, funksionimin e bazave të fshehta ku bëheshin takime dhe jepeshin detyra, zgjedhja e elementëve më të mirë, më të vendosur për çuarjen përpara të këtij misioni të nisur plot sakrifica. Janë të shumta bazat e kësaj lufte në Tiranë që erdhi duke u rritur e forcuar. Shumë familje dhe nëna tiranase dhanë një ndihmë të pa kursyer, duke strehuar, ushqyer, mjekuar këta djem dhe vajza që u vunë në ballë të kasaj lëvizje, duke mos marrë parasysh rrezikun që i priste në rast se diktoheshin. Në vitin 1942 kryengritja e armatosur e popullit shqiptar,  po merte përmasa edhe më të mëdha, ajo po shtohej dhe fuqizohej nga dita në ditë.

Xhoxhi Martini

Vojo Kushi

Sadik Stavaleci

Dëshira për ta patur Atdheun të çliruar, ngrinte lart  moralin dhe mobilizimin e bijëve të Shqipërisë . Historia e kasaj lufte edhe në Tiranë është e mbushur plotë heroizma, sakrifica e vetmohim, ku nga fillimi  deri në çlirimin e saj më 17 nëntor 1944, ka disa qindra dëshmorë dhe shumë heronj që dhanë jetën. Midis shumë heroizmave të këtyre lulëkuqeve është edhe ai i tre heronjëve, tre djemve të rinj, që luftuan dhe ranë heroikisht në vendin e quajtur “Kodra e Kuqe” në Tiranë. Në Tiranë njësitet guerile u kishin futur tmerrin pushtuesëve italianë dhe bashkëpunëtorëve  të tyre. Midis luftimeve të shumta, ajo e tetorit  të vitit 1942, kryer nga djali shkodran Vojo Kushi, komandant i njësiteve guerileve dhe i dy shokëve të tij Xhoxhi Martini dhe Sadik Staveleci, do të ishte më e madhja dhe një nga ngjarjet më heroike. Vojo Kushi lindi në Shkodër më 1918, pasi kryen gjimnazin në qytetin e lindjes vazhdon studimet  jashtë shtetit në një akademi ushtarake. Më pas ai kthehet në Tiranë dhe ngarkohet me detyrën e komandantit të njësiteve guerile. Që në fillimet e kësaj detyre, ai shquan si një organizator dhe njeri i guximshëm duke i drejtuar dhe marrë pjesë edhe vetë në shumë aksione, si në atë të djegies së depove të xhenjos duke i shkaktuar armikut dëme të mëdha, aksioni për prerjen e telave të telefonit dhe telegrafit në të gjithë Shqipërinë, prerja e telave të rrugës Tiranë – Durrës e shumë të tjerë. Ja si u drejtohet shokëve të tij Vojo Kushi pas kryerjes së një aksioni: “Nuk mund të quhet njësit gueril ai që nuk bënë aksion.  Aksioni u krye me sukses, por ne s duhet të dehemi nga suksesi. Ne i premë fashizmit një nerv, kurse duhet t ‘ia prisnim të gjithë sistemin nervor…” Për të shtypur e thyer këtë rezistencë dhe aktivitet revolucionar të njësiteve guerile në qytetin e Tiranës, prefekti i qytetit nga informacionet dhe ndjekia që i kishin bërë, i drejtohej më 6 tetor 1942,  me një shkresë legjionit të parë të MFSH, për një operacion me rëndësi që do të bëhej, duke i kërkuar që të vinin në dispozicion të zyrës policore tre kompani për plotësimin e kësaj detyre. Kështu, mëngjesi  17 tetorit e gjeti Vojo Kushin dhe dy shokët e tij të rrethuar plotësisht në vendin e quajtur  “Kodra e Kuqe”. Por nana tiranase Ije Farka, e cila kishte ndenjur tërë natën pa gjumë për të ruajtur tre djemtë, porsa i diktoi që fashistët po afroheshin, shkoi menjëherë në dhomë ku flinin dhe ju foli: “-Shpejt çuna, çohuni se po ju rrethojë fashistët!”  E gjithë Kodra e Kuqe ishte rrethuar nga forca të shumta policie dhe karabinerë, të cilët u binin dyerëve dhe bërtisnin duke bërë terror.

Të gjithë rrugicat ishin bllokuar nga forcat e milicisë. Banorët e “Kodrës së Kuqe” bënë të gjitha përpjekjet për të shpëtuar heronjtë, por ishte e pamundur. Në këto kushte të tre djemtë guerilas, përqafuan njëri- tjetrin duke dhënë lamtumirën e fundit, rrëmbyen armët, dolën në oborr dhe vendosën të tre që të çanin rrethimin dhe nëse nuk ia dilnin dot,  do të luftonin deri në vdekje. Pasi arritën të futen në një kopësht,  me zvarritje arritën të futen në një shtëpi tjetër, nga ku nuk mund të shkonin më tej. Armatimi dhe municioni  i tre djemëve ishte i pakët, ata kishin një automatik, tre revolverë dhe disa bomba dore, ndërkohë që edhe gjendja e tyre shëndetësore nuk ishte e mirë, përveç Vojo Kushit,  i cili nuk kishte probleme, Xhorxhi Martini ishte i plagosur në një aksion, ndërsa Sadik Staveleci ishte i sëmurë me turbekuloz.  Përballë  tre djemve zemërluanë, ishin forca të shumta dhe të armatosura shumë herë më mirë se ata. Aksioni për kapjen e tre djemëve guerrilas që vepronin në Tiranë udhëhiqej nga drejtori i përgjithshëm i policies, si dhe nga prefekti i Tiranës. Thirrjes së fashistëve për t’u dorëzuar, të tre të rinjtë, iu përgjigjën, ‘komunistët nuk dorëzohen kurrë!’. Në këtë kohë, forcat policore marin urdhërin për ta djegur shtëpinë, por e kishin të vështirë pasi pozicioni që kishte zënë Vojo Kushi nuk i lejonte ata të afroheshin e ta spërkasnin me benzinë. Pas shumë orë luftimesh fashistët italianë,  duke parë se nuk po mundnin dot ti asgjësonin, urdhëruan përdorimin e gjashtë tankeve,  të cilat pasi u afruan, filluan të shembnin shtëpitë e banorëve dhe muret e oborreve. Në këtë kohë Vojo Kushi, -Tarzani, me granatë në dorë ju vërsul tankut.

Ai u hodh mbi të për të marrë mitralozin e tankut dhe për t’ua drejtuar forcave fashiste italiane, por në këtë kohë ai qëllohet për vdekje. Gjaku i tij i kuq mbuloi tankun, këtë makineri të fuqishme ushtarake që italianët i kishin marrë me vete për të vrarë popullin shqiptar.  Së bashku me Vojo Kushin u vranë edhe dy shokët e tij, Xhorxhi Martini dhe Sadik Staveleci. Akti heroik  i tre djemëve u tregoi fashistëve italianë,  se këtu në Shqipëri zot të vendit jemi ne, se ata janë pushtues dhe si të tillë beteja më të përgjakshme i presin pas kësaj. Për këtë ngjarje që bëri bujë të madhe, Enver Hoxha do të shkruante në gazetën  “Zëri I Popullit” .  Në Tiranën e  Kuqe po kërcet pushka dhe mitralozi. Luftojnë trimat partizanë, luftojnë tre petritë, tre zemërluanë, luftojnë si dragonj  komunistët Vojo Kushi, Sadik Staveleci, dhe Xhoxhi Martini kundër armikut tonë të urryer, fashizmit gjakatar, kundër veglave të tij tradhëtare, kundër bastardëve të popullit… Lufta heroike në Kodrën e Kuqe ishte vazhdim i shumë luftimeve të mëparëshme të popullit shqiptar, si ajo e 1920, ku jo vetëm banor nga rrethi i Vlorës, por edhe nga shumë krahina të tjera nën shembullin e heronjëve Selam Musai, Sado Koshena, Kanan Maze e shumë të tjerë luftuan heroikisht deri sa e hodhën në det ushtrinë italiane. Por kjo beteje e këtyre tre djemëve zemërluanë,  do të pasohej më pas edhe nga shumë e shumë beteja të tjera  në luftën nazifashiste, si ajo e katëtr heronjëve të Topanasë në Vlorë, e tre heronjëve të Vigut, beteja në Tendën e Qypit, beteja në kalanë e Margëlliçit në Patos, beteja për çlirimin e Tiranës, Dibrës dhe të gjithë krahinave të tjera në jug e në veri të Shqipërisë, ku dhanë jetën jo pak, por njëzet e tetë mijë djem dhe vajza për çlirimin e vendit. Emrat e këtyre tre heronjëve, ashtu si edhe të heronjëve dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut,  janë shkruar me gërma të arta në gjerdanin e ndritur  të kësaj lufte dhe nuk do të mund të shuhen kurrë.

 

Mustafa Koçerri