Miltiadh Muçi: Pse nuk iu bë autopsia Mehmet Shehut

728
Sigal

Hapja e kriminalistikës në 1947-n, ekspertimi i parë në 1952-shin dhe pse nuk iu bë autopsia Mehmet Shehut

Fillimet e kriminalistikës në vendin tonë

Kriminalistika shqiptare, hidhte hapat e parë në vitin 1947, me kartotekën e daktiloskopisë të shenjave të duarve, të gishtave e pëllëmbëve, të personave keqbërës. Ndërsa në vitin 1952, kryhet ekspertimi i parë daktiloskopik me Aktin Nr.52, të Laboratorit Qendror të Kriminalistikës, sot Drejtoria e Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit. Më pas u shtri në qytetet kryesorë, gradualisht në qytete të tjerë. Niveli profesional i ekspertëve rritej më shumë, duke u njohur me përvojat e huaja, të artikujve në revistën “DE POLICE KRIMINELLE”, të INTERPOL-it, e cila vinte rregullisht prej disa vitesh në gjuhët anglisht e frëngjisht. Në fillimin e viteve ’80, mjediset e Laboratorit Qendror pasurohen me mjete teknike të kohës, për këqyrjet e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimeve, të porositura në Japoni nëpërmjet katalogëve. Atyre iu shtua krahasuesi zviceran “Projektina” dhe pse disi i kushtueshëm më se i domosdoshëm, për të rritur objektivitetin, sidomos në disa lloje ekzaminimesh të dokumenteve, të armëve të zjarrit dhe ekzaminime të tjera, që kërkonin jo vetëm saktësi, por dhe shpejtësi. Në vitin 1993 në njërin nga seminaret me specialistë gjermanë, për hir të së vërtetës ishte iniciativa e tyre, që e ndryshuan programin e “përgatitur” nga persona jo të shërbimit të ekspertimit kriminalistik, për të bërë vizitën në Laboratorin Kriminalistik të Policisë së Tiranës. Ata u interesuan për kartotekën e daktiloskopisë, si ne e kishim nisur punën për informatizimin, kërkimin dhe identifikimin e personit sipas sistemit njëgishtor, të krahasimit masiv të gjurmëve të vendit të ngjarjes me të shenjave të dhjetë gishtave të duarve, të personave të regjistruar në kartotekën manuale. Në Kriminalistikë, sikurse në të gjitha shkencat ekzakte, duhet korrektësi, disiplinë në vrojtimin dhe pasqyrimin e të dhënave, të gjurmëve, sendeve dhe objekteve, sipas rekomandimeve që përcaktojnë metodikat; rregullat e përdorimit të mjeteve për saktësimin e karakterit të ngjarjes, nëse është aksidentale apo kriminale; në përshkrimin, fiksimin dhe marrjen e gjurmëve në vendin e ngjarjes sipas dispozitave procedurale penale; në shfrytëzimin e gjurmëve që i kanë vlerat e provës; në identifikimin e autorit dhe mjeteve të përdorura; në mos rrëzimin apo zëvendësimin e mendimit të ekspertit kriminalist me shpjegimet subjektive të dëshmitarit; në mos paragjykimin e ekspertit kriminalist për të dhënë konkluzionin, por “të hapë sytë dhe të mbyllë veshët”, sikurse thuhet në dekalogun e ekspertit. Për shumë nga studentët e viteve ’60, të Shkollës së Policisë, Teknika e Kriminalistikës ishte ëndërr për t’u bërë ekspert i Kriminalistikës, të kësaj shkence juridike. Kjo më nxiti dhe mua, të bëhesha ekspert i Kriminalistikës, prandaj e quajta veten me fat, që nisa punën në këtë sektor të policisë edhe pse tashmë kanë kaluar mbi 50 vjet

 

Mehmet Shehut nuk iu bë autopsia

Në vitin 1981, ndodh ngjarja më e rëndë për udhëheqjen komuniste, kur në mbrëmjen e datës 17 dhjetor,  u gjet i vdekur, kryeministri më kohëgjatë i gjithë historisë së shtetit shqiptar, Mehmet Shehu.

Kam punuar në Laboratorin Qendror Kriminalistik, ndërsa sot Drejtoria e Policisë Shkencore. Në vendngjarje ka shkuar grupi i hetimit me: Kryetarin e Hetuesisë së Tiranës, Shefin e Byrosë Mjekoligjore, Shefin e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës, titullarë të tjerë të institucioneve kryesore të kohës. Pas ngjarjes kemi bërë biseda në mjediset familjare e shoqërore, sikurse diskutohej zakonisht për të tilla ngjarje. Ndërsa në laborator,  në grup apo me njëri-tjetrin, asnjëherë nuk është diskutuar profesionalisht, sikurse vepronim shpesh kur nga kolegët dëshirohej mendimi i të tjerëve, sapo kthehej  nga vendi i ngjarjes apo ditë më pas, edhe pse përbënte guaskën e të fshehtave, që nga grupi i hetimit nuk duhej të dilnin përsa vlerësohej e tillë. Njëzetë vjet pas ngjarjes, me ndryshimet e sistemeve u hodhën dritëhijet, sidomos prej medias, nëse vërtetë Mehmet Shehu është vetëvrarë apo e kanë vrarë? Pas viteve ’90, kur shtypi është më shumë i lirë se sa duhet, sepse ndërhyhet në jetën personale të njerëzve, diskutimet për vdekjen e Mehmet Shehut u mbështetën sidomos në hamendjet e të intervistuarve, në pjesëtarë të familjes së viktimës, shoqërues të grupit të sigurisë, apo pjesëmarrës në hetim, në dorëshkrimet dhe ndonjë material me autor apo të paidentifikuar, aspak në dokumentet dhe mendimet e specialistëve të pavarur. Nisma mediatike për të sqaruar sadopak dilemën, duke botuar materiale të dosjes hetimore, të “Vetëvrasjes së Mehmet Shehut”, mendoj duhej të vlerësohej. Ato që botohen në gazeta dhe media janë gjetjet më të mira, sepse kur edhe unë, lexova “Procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes”, “Aktin e Ekspertimit Mjekoligjor”, dhe atë të “Ekspertimit Balistik e Daktiloskopik”, të armës, gëzhojës e gjurmës së gishtit konstatova se, veprimet janë kryer nën ndikimin e faktorëve të brendshëm emocionalë, të shkaktuara nga pasojat e ngjarjes dhe rëndësia e veçantë e saj, që do t’i ndjente çdokush. Por më shumë nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, sikurse sugjerimi ose sugjestionimi nga personat eprorë të grupit të hetimit. Ndikimet kanë bërë të kryhen veprime formale, aspak profesionale, duke mos respektuar ato rekomandime të duhura proceduriale, mjekoligjore, kriminalistike, si në vendin e ngjarjes ashtu dhe në kushtet e laboratorit. Nëse në shkeljet proceduriale do të cilësoja se në këqyrjen e vendit të ngjarjes, kurrsesi s’mund të ishte dëshmitar i pranishëm përgjegjësi i grupit të sigurisë. Ai do të pyetej dhe duhet të jetë pyetur, për të sqaruar momentet më të rëndësishme që kishin të bënin me detyrën e tij dhe të vartësve, për të cilën mbanin përgjegjësi. Prania e tij në këqyrjen e vendit të ngjarjes kurrsesi s’mund të justifikohet. Në shkeljet mjekoligjore nuk mund të pranohet sido- mos konkluzioni: “shkaku i vdekjes së Mehmet Shehut ka ardhur nga shoku hemorragjik, me mundësinë më të madhe si pasojë e çarjes së zemrës apo enëve të gjakut, që dalin prej saj”, mbështetur në ekzaminimin e jashtëm, pa u bërë autopsia. Kur ajo është e pashmangshme edhe në rastet e ngjarjeve aksidentale të viktimave të mbytura në ujë, në praninë e dëshmitarëve apo familjarëve. Autopsia kryhej për çdo rast që të vërtetohej saktë, nëse shkaku i vdekjes është rezultat i asfiksisë mekanike nga uji, infarkt, etj. Në teknikën kriminalistike nuk mund të pranohet, që shenjat e gishtave të viktimës dhe kujtdo të merren me pluhur daktiloskopik, sikurse është shprehur eksperti se, “shenjat e gishtave paraqiten të jenë marrë me pluhur alumini në gjurmëkopjues”, kur teknika e marrjes së ty- re është klasike dhe e vetme, me bojë tipografike, duke vendosur gishtat mbi kartelën model të kufomave ose në letër të zakonshme. Pluhurat daktiloskopikë si edhe gjurmëkopjuesit, janë teknika klasike të kërkimit dhe marrjes së gjurmës në vendin e ngjarjes, mbi sendet dhe objektet e prekura nga personi. Ekzistojnë dhe shkelje të tjera, por mendoj sikurse e ka  shprehur në një intervistë z. Shaban Sinani, historiograf, të nisë rihetimi, qoftë me subjekte fizikë apo juridikë ligjor të pavarur. Prandaj shkeljet e tjera le t’i lëmë, t’i bëjmë të njohura për publikun nëse kjo çështje do të rihetohet. Pra, duke konstatuar këto e shkelje të tjera proceduriale, mjekoligjore dhe kriminalistike, mendoj se është i domosdoshëm rihetimi i “Vetëvrasjes së Mehmet Shehut”, që me siguri do të çojë në sqarimin e plotë të së vërtetës së kësaj ngjarjeje. Duhet të pranojmë, në përvojën tonë dhe të huaj ka ndodhur, që në fillim të jetë kryer hetimi i gabuar, për arsye nga më të ndryshmet. Më pas të dalin rrethana të reja edhe kur kanë kaluar dekada, që diktojnë rihetimin sikur është rasti i pak kohe më parë në vendin tonë, për vrasjen e gazetares në Durrës. Fillimisht ishte menduar për vetëvrasje, ndërsa pas disa muajve u desh të bëhej ekzaminimi i kufomës, nga dhe rezultoi të kishte ndodhur vrasje. Mendoj se për çështjen ka rëndësi, nëse është mbajtur procesverbal, për të saktësuar nëse arma ka qenë ose jo e inventarizuar, në emër të viktimës Mehmet Shehu, dhe është kryer ose jo ekspertimi grafik i letrës së “gjetur” në kasafortën e tij, ajo ka rezultuar të jetë shkruar  në kushte të depresionit apo në rrethana të tjera, etj.?