Lufta e Gjormit në Vlorë, ku ranë heroikisht 6 Partizanë

979
Sigal

Çeta “Plakë e Vlorës“ me 200 veta, luftoi heroikisht e drejtuar nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo

Lufta e Gjormit-Vlorë, ku ranë heroikisht 6 Partizanë

Çetat partizane e vunë armikun midis dy zjarresh, edhe nga Lepenica, edhe nga Gumenica.

Që në vitin 1942 në të gjitha krahinat e Labërisë, kishte filluar krijimi i një numri të madh çetash partizane, që ishin hedhur në aksione me armë kundër armikut.

Më e organizuar ishte çeta “Plakë e Vlorës“ e përbërë prej më shumë se 200 veta, e drejtuar nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo dhe që kishte kryer me sukses një varg aksionesh luftarake. Më 27 dhjetor 1942 ajo goditi depot e armikut në Radhimë duke shkaktuar humbje të konsiderueshme. Në fillim fashistët italianë kujtuan se u erdhi në dorë një rast shumë i mirë për ta kapur dhe asgjësuar çetën “Plakë të Vlorës“. Për këtë qëllim, ata lëshuan mbi 1000 e ca milicë në drejtim të Radhimës dhe mbi 300 forca mercenare e bashibozukësh të komanduara nga krimineli Halil Alia në drejtim të Gjormit.

Përpjekjet e para me armë në Gjorm filluan në 30 dhjetor 1942, fashistët nën komandën e konsullit të milicisë Vlorë kolonel Klementi hidhen në sulm. Në lufte e sipër partizanët me një manovrim të shpejt u tërhoqën në malin midis Gjorm – Gumenicës, ku kishin kondita luftimi shumë më të mira, por edhe çeta ndodhej në rrethim të plotë. U dha kushtrimi nga të katër anët se çeta „Plakë e Vlorës“ ishte në rrezik asgjësimi… nga të gjitha anët e krahinës së lumit të Vlorës, u derdhën si lum në Gjorm vullnetar të shumtë si edhe të gjitha çetat e kësaj krahine, si ajo e Vranishtit, Kuçit, Smokthinës, Brataj, Bolenës etj. Partizanët dhe vullnetarët numëroheshin me qindra.

Në mëngjesin e 31 dhjetorit të vitit 1942 filloi lufta e ashpër midis dy forcave. Forcat partizane që shtoheshin për ditë e bllokoi armikun në mal, që megjithëse i shkonin vazhdimisht përforcime me forca të reja ushtarake nga Vlora, të armatosur me armë të rënda, tanke dhe autoblinda, nuk arriti të asgjësoj çetën Plakë të Vlorës. Në mbrëmjen e 1 janarit 1943 forcat partizane zunë pozicione të reja midis Gjormit dhe Lepenicës dhe me një aksion të furishëm e ktheu situatën në favorin e partizanëve.

Natën e 1 dhe 2 janarit sulmet dhe kundërsulmet u përsëritën nga të dy palët.

Të nesërmen armiku tentoi të kalonte me forca të blinduara nëpër Gjorm –Lepenicë – Brataj me qëllim për të shkëputur nga prapavija forcat tona. Mirëpo komanda e forcave partizane e kishte parashikuar me kohë këtë rrezik dhe kishte marrë masat e duhura. Në përroin e Silorakut aftër Lepenicës armiku u godit dhe mbasi la një numër ushtarësh të vrarë e të plagosurish u kthye mbrapa. Në çast u hodh në erë ura e Lepenicës dhe me njëherë u ngritën barrikada në rrugë. Armiku tani ndodhej plotësisht i rrethuar, Gjatë gjithë ditës lufta vazhdoi me ashpërsi të madhe. Megjithëse armiku përdori artileri, tanke, autoblinda dhe aeroplanë prapëseprapë nuk pati asnjë sukses. Çetat partizane e vunë armikun midis dy zjarresh, edhe nga Lepenica, edhe nga Gumenica. Pozitat e armikut u vështirësuan aq shumë sa u detyrua të futej në Gjorm dhe të mbrohej duke luftuar nga dritaret e shtëpive. Në mesditë Gjormi u rrethua nga të tria anët. Armiku u detyrua të kërkoj ndihmë tjetër nga Vlora. Në mbrëmje arriti një kolonë me forca të reja por edhe kjo, pa u sosur mirë në vendin e caktuar, u godite dhe u dëmtua rëndë. Në këto kushte të renda armiku, shumë i tronditur dhe i dëmtuar, filloi të tërhiqet natën në panik në drejtim të Vlorës, duke humbur plotësisht betejën dhe duke lënë në fushën e luftës mbi 72 ushtarë të vrarë dhe mbi 100 të plagosur, si edhe shumë armë, municione e pajisje luftarake.

Lufta e Gjormit përfundoi me një fitore të madhe që gëzoi pa masë gjithë popullin, duke i dhënë atij njëkohësisht kurajë e besim se po të jetë i bashkuar në luftë, fitorja do të ishte e tij.

Në këtë lufte heroike edhe forcat tona patën humbje njerëzore. Nga forcat partizane ranë burrërisht 6 veta, midis tyre edhe trim mbi trimat Qamil Asllan Alikaj, që u vra duke luftuar me forcat italiane dhe forcat kriminale të Halil Alisë, në 31 dhjetor 1942. Ai është dëshmori i dytë vranishtiotë, pas Shaban Seferit vrarë në gusht 1942 në Valë të Bogonicës.

Çetat partizane e vunë armikun midis dy zjarresh, edhe nga Lepenica, edhe nga Gumenica. Pozitat e armikut u vështirësuan aq shumë sa u detyrua të futej në Gjorm dhe të mbrohej duke luftuar nga dritaret e shtëpive. Në mesditë Gjormi u rrethua nga të tria anët. Armiku u detyrua të kërkoj ndihmë tjetër nga Vlora

Jonus Mersini, pjesëmarrës në këtë luftë dhe më vonë komisar i çetës “Sali Murati” ka lënë kujtime të gjalla për luftën e Gjormit, duke nënvizuar se armiku hëngri një dru të mirë në këtë luftë, ku ju vranë mbi 72 armiq dhe shumë të plagosur. Ndërsa për Qamil Alikaj ai tregon që në ato ditë lufte të stuhishme, Qamili ka treguar trimëri të rrallë, kishte zënë një pozicion përmbi rrugën e Gjomit nga ku i shikonte armiqtë në pëllëmbë të dorës dhe përveç shumë ushtarëve dhe milicëve ka vrarë edhe komandantin e ushtrisë italiane kolonel Klemente. Ai ishte djalë trim dhe bir i shtrenjtë i Vranishtit që nuk i hiqte asnjë herë armët nga supet, kishte disa ditë që ishte martuar dhe nusen e mori me dashuri.. por atdheu dhe liria e tij për Qamilin ishin gjëja më e shtrenjtë se sa jeta e vet, të cilën ja bëri kurban atdheut. Ai derdhi gjakun e tij të kulluar dhe ra si dëshmor në lulen e rinisë për të mos vdekur kurrë. Për të gjithë djemtë e Vranishtit që kanë treguar trimëri dhe heroizëm kudo në luftën antifashiste nacional çlirimtare, rapsodi popullor e përjeton me vargjet e këngës lapidar:

Malet e Vranishtit

Borë dhe në verë

Atje rriten trima

Ata djem levend

Fshati i madh në rrëzë

Mba zi për Hysen

Qajnë të vëllain

Vajtojnë për Xhevden,

Si këta Vranishti

Ka trim të tjerë

Trim i vendosur

Si Shaban Sefer

Si Qamil Alikaj

Luftëtar me vlerë

Nenat le të mburren

Ato kishin pjellë

Brezat që do vinë

Do t’u bëjnë nder.

Territori i Gjormit

Cilido që shkon si vizitor në Lumin e Vlorës të parën gjë që shikon janë malet në dukje hijerëndë, që qëndrojnë si tutorë mbi fshatrat e dy krahinave, e Mesaplikut në hyrje dhe e Kurveleshit më në thellësi. Vrazhdësia e prezantimit i le vendin çlirimit shpirtëror që ndjen nëse i shkel me këmbë fushat pjellore në tërësi të vaditshme, kodrat dhe malet veshur me pyje dhe kullota të mrekullueshme. Gjormi është i pari fshat, portë hyrje për dy krahinat, sistemuar në anën perëndimore të rrjedhës së lumit, rreth 250 m mbi nivelin e detit. Territori i tij kufizohet me fshatrat: në perëndim dhe veriperëndim ndodhet Gumenica, në lindje dhe verilindje Velça, në jug Lepenica dhe në perëndim Dukati e Tragjasi.

Në pamjen e parë Gjormi tërheq syrin e vizitorit me shtëpitë e grupuara pranë e pranë njera tjetrës. Shumica e shtëpive me mur guri kanë qènë me dy kate, të suvatuara si jashtë edhe brenda dhe të lyera me gëlqere të bardhë, të mbuluara me rrasa guri që nxirreshin nga toka me shumë mundim. Guri i skalitur zbukuronte qoshet e shtëpisë, por edhe harkun e portës së oborrit. Fshati ka qènë gjithmonë i pastër, veç të tjerave edhe sepse puna ishte larg ku mbaheshin mjetet e punës dhe kafshët, si dhe blegtoria. Pak familje, kryesisht ato në periferi të fshatit, mbanin bagëti pranë familjes.

Rrjedha e fshatit Gjorm është e njëjtë me fshatrat e zonës. Lidhur me origjinën mungesa e shënimeve e zbeh kujtesën në mjegullnajën e shekujve. Përcjelljet gojore në formën e legjendës e kanë bërë kureshtarin të dëgjoj dhe të regjistroj në kujtesë. Nga hulumtimet vihet re se banorët e sotëm kanë emra mysliman ndërsa emri i fshatit dhe shumë emra vendesh në territorin e tij janë katolik apo ortodoks. Pikërisht emri i fshatit Gjorm në hershmëri ka qenë Gjonimiei, Gjonem trashëguar nga fisi Gjon, i ardhur rreth vitit 500 nga viset veriore të Shqipërisë. Gjon, është emër katolik, biblik, i kudo gjendur në Shqipëri. Si këta, edhe banorët ortodoks ardhur më vonë nga zonat juglindore, konvertuan me detyrim në mysliman emrat e tyre dhe ritet fetare, ndërsa ruajtën të pa ndryshuara emrat e vendeve.