Luan Shtëpani: Botohet për herë të parë dokumenti i Prillit 1939, kur Duçes i akordohet titulli “Qytetar Nderi i Shqipërisë”. Sekuestrimi i pasurisë së Zogut dhe raporti i ish-Sigurimit të Shtetit

561
Sigal

Ekskluzive për “ Telegraf” / Botohet për herë të parë dokumenti

Prill 1939,  Duçes i akordohet titulli “Qytetar Nderi i Shqipërisë”

 Ndryshohen emrat e rrugëve dhe shesheve, sekuestrohet me dekret  pasuria e Zogut. Kapitullimi dhe nxitimi i italianëve për t’u riatdhesuar. Zbardhet raporti sekret  i ish- Sigurimit të Shtetit  

 Nga Luan Shtëpani

Më 7 prill 1939, rreth 22 mijë italianë, në pabesi sulmojë Shqipërinë.  Ata përbëheshin nga dy divizione këmbësorësh, katër regjimente karabinierësh, tre batalione tankesh, një batalion “San Marko”, dy batalione këmishëzinj, një regjiment granatierësh, dy grupe artilerie të kalibrit të mesëm, etj. Kjo forcë shoqërohej edhe nga shtatë kryqëzorë, nëndetëse dhe nga një flotë e madhe ajrore. Katër ditë pas 7 prillit vjen në Tiranë Konti Çiano, i cili organizoi “rendin e ri”. U formua Asambleja Kushtetuese e cila vendosi bashkimin e Shqipërisë me Italinë, njohu si mbret Viktor Emanuelin, të cilit iu dorëzua dhe kurora mbretërore. Më 9 prill, italianët ngritën Komitetin e Përhershëm.

Duçes  i akordohet titulli “Qytetar Nderi i Shqipërisë”

Me vendimin nr. 14, të 21 prillit 1939, Këshilli i Ministrave  të kohës vendosi që t’i japë Duçes  titullin “Qytetar i Parë Nderi i Shqipërisë”, ku thuhet: “T’u marrë parasysh se shkëlqesia e tij Benito Musolini Duçe –ja, i madh i fashizmit në momentet historike për popullin shqiptar ka treguar dashurinë për Shqipërinë të cilës nuk i ka cënuar të drejtën e saj të shenjtë si Shtet Sovran e independent, gjëra këto që populli shqiptar i ka ruajtur deri sot si thesarin e tij më të çmueshëm, dhe duke intepretuar dëshirën  e madhe të popullit shqiptar t’i ofrojë Duçes shpirtmadh qytetarinë e parë të nderit të gjithë Shqipërisë dhe i lutet të ketë mirësinë ta pranojë këtë xhest që buron prej zemrave të popullit shqiptar”.  Po ashtu, me vendim qeverie të asaj dite  Conte Galeazzo Cianos iu akordua titulli “Qytetar Nderi i Tiranës”  me argumentin se në momentet më historike të popullit shqiptar ka qenë bashkëpunëtor i pandarë dhe interpreti më besnik i mendimeve të Duçes të fashizmit përsa i takon moscënimit të sovranitetit dhe indipendencës së kombit shqiptar.

Ndryshojnë emrat e rrugëve dhe bulevardeve

Këshilli i Ministrave vendosi gjithashtu të ndryshojë po atë ditë emra bulevardesh. Kështu, “Bulevardi Zog” të marrë emrin “Viktor Emanuel i Tretë”. Rruga “Mbretëresha Geraldinë” të marrë emrin “Mbretëresha Elena”. Rruga “K. Kotta” të marrë emrin “Galcazzo Ciani”. Sheshi në Tiranë e re para shtëpisë së z. Pandeli Evangjeli të pagëzohet “Sheshi Savoja”. Sheshi para parlamentit të pagëzohet “Sheshi Costanzo Ciano”. Rruga “Nana Mbretereshë” (e Durrësit) të marrë emrin “Princi “Umberto Savoia”. Autorizohet Ministria e Punëve të Brendshme për të urdhëruar bashkinë e kryeqytetit për heqjen e pllakave të vjetra dhe të vendosin ato të rejat në rrugët dhe sheshet e sipërpërmendura.

Sekuestrohet pasuria e Zogut, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve

Në korrik 1939 do të vijë dhe Dekreti i Ministrisë së Drejtësisë. Pasi shqyrtoi procesverbalin e komisionit të posaçëm u vendos sekuestrimi  i pasuritë së Koço Kotës, Musa Jukës, Abdurrahman Krosit, Abdurrahman Dibrës, Xhemal Aranit, Shefki Shatkut, Hiqmet Delvinës dhe Abaz Kupit. Ndërsa më vonë do të vijë dhe Dekreti për sekuestrimin e pasurisë së ish mbretit Zog dhe familjarëve të tij.

Kapitullimi i Italisë fashiste

Rreth 100 mijë italianë mbeten të bllokuar në Shqipëri. Përhapja e lajmit të kapitullimit të Italisë u përjetua me përmasat e një tragjedie nga ushtarët e stacionuar në territoret e pushtuara të Shqipërisë.

Në pak ditë, divizionet u shpërbënë. Dilema më e madhe për italianët ishte, të bashkoheshin me forcat e ushtrisë shqiptare, ose të dorëzoheshin tek gjermanët, ku këta të fundit kishin marrë urdhër sekret nga Hitleri që të ekzekutonin çdo lloj tradhëtari të luftës. Pas kapitullimit, Armata e 9-të italiane nuk pranoi thirrjen e nacionalçlirimtares, por iu dorëzua gjermanëve.

Gjermanët vranë mijëra ushtarë italianë, ndërsa ato që mbetën gjallë u dërguan në Gjermani duke iu nënshtruar punës detyruese. Nga të ushtrisë italiane që kapitulloi në Shqipëri, 15 mijë ushtarë e oficerë të divizionit “Venecia” nuk iu dorëzuan gjermanëve, por forcave partizane. Nga këto 1500 ushtarë italianë u inkuadruan në rreshtat partizane në batalionin “Antonio Gramshi” në përbërje të Brigadës së Parë. Sipas të dhënave të historisë, pas kapitullit të Italisë në territorin shqiptar mbetën të bllokuar rreth 100 mijë ushtarë dhe civilë. Që në ditët e para të kapitullimit, shumica e formacioneve ushtarake tentuan të dislokohen në porte, me qëllim riatdhesimin e tyre.

Pas çlirimit, nxitimi i italianëve për t’u riatdhesuar.

Raporti i ish- Sigurimit të Shtetit   (Seksioni i V)

Në raportin e muajve gusht e shtator 1946 mbi italianët e gjermanët në Shqipëri, citohet ndërmjet të tjerave se gjatë këtyre muajve janë bërë riatdhesime përsa i përket italianëve. Në Tiranë ka një sasi të konsiderueshme dhe se ato janë teknikë të mbajtur nga ente të ndryshme ku pjesa më e madhe punon në ente private, ndërsa pjesa tjetër ishin të liruar nga entet shtetërore.

Gjatë këtyre muajve qëndrimi politik i tyre ka ndryshuar. Janë në aktivitet të plotë, kjo shihet nga parullat dhe takimet më të shpeshta që kanë pasur mes tyre. Pas fjalimit të De Gasperit në  Paris shohin se kanë mbështetjen e aleatëve. Të gjithë kanë shpresa dhe janë të sigurt për një luftë të tretë, midis BS nga njëra anë dhe Anglo-Amerikaneve nga ana tjetër. Flasin hapur në favor të anglo-amerikanë duke urryer BS dhe Jugosllavinë.

Në çdo ndërmarrje dhe ente shtetërore ne e kontrollojmë aktivitetin e tyre. Një pjesë e mirë e italianëve nuk e simpatizojnë pushtetin tonë, por përpiqen dhe ta sabotojnë. Në dokument shkruhet se italianët kanë lidhje mes tyre. Qëllimi kryesor është hedhja e parullave dhe sabotimi në punë. Dhe gazeta e murit që del në italisht përbuzet me shprehje se nuk ju interesojnë këto artikuj që mbajnë erë komunizëm. Po seksioni i V i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit  në janar të vitit 1947, raporton sërish për italianët dhe gjermanët dhe të gjithë të huajt e tjerë në Shqipëri nga tetori deri në dhjetor 1946. Sipas raportit, riatdhesimet e italianëve kanë qenë të pakta.

Nga porti i Durrësit janë larguar 26 italianë të cilët kanë qenë të pavlefshëm për të qëndruar këtu. Gjithsej në Shqipëri janë 952 italianë, pjesa më e madhe janë inxhinierë dhe teknikë që punojnë në ndërmarrje të ndryshme shtetërore. Sipas tyre, nëse nuk do të riatdhesohen tani që është UNRRA në Shqipëri me ikjen e saj do të mbeten për një kohë të gjatë këtu. Qëndrimi politik është armiqësor ndaj pushtetit popullor. Ata e sabotojnë punën në mënyra të ndryshme.

Dekorohen italianët që u radhitën në radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare

Gjatë luftës nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj shumë italianë u radhitën në radhët e ushtrisë sonë dhe luftuan krahë për krahë me partizanët shqiptarë. Pas çlirimit të vendit, Presidiumi i Kuvendit Popullor dekoroi disa prej tyre. Në korrik të vitit 1985, ambasada e Shqipërisë në Romë organizoi një ceremoni ku morën pjesë ish “partizanë- italianë” dhe pjesëtar të familjeve të tyre, personalitete të Italisë veprimtarë të shoqatës së miqësisë Itali- Shqipëri, arbëreshë etj. Në këtë takim ish “partizanët -italianë” folën për sakrificat e popullit shqiptar gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe për kujdesin që treguan për ushtarët italianë të cilëve u dhanë strehë dhe ndanë me ta bukën e gojës. Në këtë ceremoni iu shpërndanë ish “partizanëve- italianë” pjesëmarrës në luftën nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, urdhëra dhe medalje të akorduara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Të dekoruarit falenderuan për kujdesin e madh, respektin dhe nderin e veçantë që u bëri atyre popullit dhe shtetit shqiptar.