Letër kryeministrit Rama:/ Shoqata mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”: Keni braktisur Frashërin e Frashërinjve. E keni lënë pa rrugë, po shpopullohet, po shuhet nga harta. E kujtoni vetëm për votë

428
Sigal

PROMEMORJE: –  RIGJALLËRIMI  I  FRASHËRIT SI QENDËR  HISTORIKE  – TURISTIKE –  MUZEALE

  Nuk duam ta lëmë Frashërin e Frashërinjve të shuhet nga harta e gjeografike e Shqipërisë, të harrohet

-Ai  është braktisur,  po rrënohet, po shpopullohet, po harrohet…po humbet..

-Ju takon ju bashkërisht  me ne ta shpëtojmë, ta ruajmë dhe ta  zhvillojmë atë
Drejtuar:    Z. Edi  Rama
Kryeministër i Shqipërisë                 

 I nderuar Z. Kryeministër!

—Shoqata atdhetare kulturore mbarëkombëtare “Vëllezërit  Frashëri”, në bashkëpunim me Bashkinë  Përmet, Qendra kulturore Përmet, Ministrinë e Kulturës, Këshilli i Qarkut Gjirokastër, Shoqatat atdhetare kulturore “Përmeti”, “Dangëllia”, “Tomorri” , “Dëshnica”, Shoqata “Zëri Dardan”  Rahovec, Komuna  Rahovec Kosovë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, akademikë, intelektualë dhe dashamirës të  Frashërit, në bashkëpunim,   në çdo 25 Maj duke filluar nga viti 2004  deri 25 Maj 2020 kemi organizuar  Ditën Naimiane,  veprimatari kombëtare   në përvjetorët  e lindjes së  poetit kombëtar Naim Frashëri. Ndërsa  me rastin e 120- vjetorit të ndarjes nga jeta të poeti tonë kombëtar Naim Frashëri që përkon më datën 20 Tetor 2020,  morëm inisiativën dhe   po ju drejtohemi   me këtë  promemorje  për një çështje  me rëndësi  jo vetëm  lokale, por me  peshë e me  rëndësi  të veçantë në historinë kombëtare të kohës së sotme dhe të brezave që do të vijnë: Ringjalljen dhe zhvillimin e  Frashërit si qendër  Historike -Turistike -Muzeale.

-Historia e Frashërit, është historia e një fshati dikur të lulëzuar dhe sot pothuajse të braktisur. Frashëri ka një histori të veçantë, e cila ngjan sikur është historia kombëtare e Shqipërisë në miniaturë, me të gjitha meritat dhe me të gjitha fatkeqësitë e saj. Qyteti i vogël malor,  Frashëri, siç e quajti i madhi Sami, është fshati që i ka dhënë Shqipërisë tre yje të pashuar, tre kolosët e Rilindjes Shqiptare, të historisë dhe kulturës shqiptare,   burrin e shtetit dhe diplomatin Abdyl Frashëri, poetin kombëtar  Naim Frashëri, ideologun dhe shkencëtarin Sami Frashëri. Vepra dhe lufta e tyre ndër vite i ka ngritur të tre vëllezërit në tempullin e identitetit tonë kombëtar.

Nuk duam ta lemë Frashërin të shuhet nga harta e gjeografike e Shqipërisë, të harrohet. Ai  është braktisur,  po rrënohet, po shpopullohet, po harrohet…po humbet. Bashkërisht  le ta shpëtojmë, ta ruajmë dhe ta  zhvillojmë , Atë.

Të gjithë ne  i njohim  dhe e kemi pjesë të ndërgjegjes sonë kombëtare  Frashërin dhe Frashërllinjtë. Por, po ta shihni  me sytë tuaj  si po braktiset dhe po shkretohet,  por ai kërkon të ringjallet, të nderohet, të rikthehet, të  mbrohet e të  zhvillohet siç e meriton Shqipëria, me besim se  kombi  nuk  duhet ta harojë këtë   vend të shenjtë. Brezat e sotëm e të ardhshëm të shqiptarëve, kanë shumë detyrime ndaj tij: Ai është identifikuar me  kombin, me Shqipërinë, me gjuhën shqipe, me  diturinë, me përparimin dhe  ëndrën për ta parë Zonjë të rëndë, Shqipërinë në Europë.

Frashërin nuk e mban dot sot as Bashkia Përmet, Prefektura,  apo  Qarku i Gjirokastrës. Ai është i Kombit dhe kështu duhet ta vlerësojmë. Ai është unikal,  e  kërkon që shteti e shoqëria shqiptare ta shohë unikal, si një zë më vete në  zhvillimin e përparimin e  vendit.

Ish komuna e Frashërit, dhe bashkisë Përmet, ka punuar dhe po punohet në vazhdimësi për ruajtjen e  traditave  të shquara  atdhetare dhe  kulturore. Në bashkëpunim me Ministrinë e  Turizmit, Kulturës,  dhe me  bashkinë Përmet,  nga viti 2004 deri ne vitin 2011  si dhe në vazhdimësi  deri 25 Maj 2020 janë organizuar veprimtari kombëtare  këtu  në  Frashër, nga shoqata atdhetare kulturore mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” për figurat e shquara  të historisë, vëllezërve  Frashëri si dhe të patriotët e tjerë që ka nxjerrë  kjo trevë, të cilat kanë gjetur edhe mirëkuptimin e mbështejen e institucioneve të larta studimore e shkencore  të vendit, mbështetjen e intelektualeve  të shquar të  mbarë trevave  shqiptare. Në ditëlindjen e Naimit, poetit tonë kombëtar, janë  organizuar këtu, në vatrën Naimiane, 18 veprimtari kombëtare dhe Konferenca Shkencore, çdo 25 Maj: Këto veprimtari  Kombëtare kanë   evidentuar më gjerësisht në rrafshin shkencor vlerat kombëtare të ngjarjeve dhe bijve të mëdhenj  të Frashërit dhe Shqipërisë. Për të evidentuar keto  veprimtari  është botuar dhe libri  ”Kuvendet shkencore në Frashër  2004 – 2010”, i cili është pasqyruar edhe në mediet e shkruara.  Ato janë njëherësh edhe një thirrje për të ruajtur e lartësuar emrin e Frashërit dhe për sensibilizimin e shqiptarëve, të shtetit dhe kombit që, me projekte të veçanta,të mbështesin e ndihmojnë fuqishëm Frashërin me qëllim që ai të kthehet   në një qendër historike  – turistike – muzeale për shqiptarët, të cilët jetojnë e punojnë brenda e jashtë Shqipërisë.(pavarësisht përpjekjve nuk kemi arritur ndonjë rezultat konkret).

Historia e Frashërit  është një monument i madh kulture dhe turizmi i Shqipërisë. Atë të tillë e bënë  Vëllezërit Frashëri,  natyra, Shtëpia Muzeale e Vëllezërve Frashëri, Teqeja e atdhetarëve Baba Nasibiut, Baba Alushit dhe  Baba Abedinit. Frashëri dhe zona për rreth, janë të pasura edhe me monumente të natyrës, kanë  klimë e resurse ekologjike të rralla, kanë Parkun e Madh Kombëtar të Bredhit të Hotovës, burime ujërash të kristalta, mundësi  reale  për  zhvillimin  e  turizmit  malor, si edhe të ripërtitjes së shëndetit të njerëzve me sëmundje të mushkërive. Ozoni i Bredhit të Hotovës  është  rast i veçantë  në vendin  tonë, siç pohojnë  edhe  specialistët  europianë  që e kanë parë nga afër këtë park.

Ish Komuna e Frashërit, në bashkëpunim me specialistë të fushave të ndryshme, kanë hartuar dhe paraqitur në instancat shtetërore përkatëse projekte  si:

-Frashëri të kthehet në një qënder historike -Turistike – Muzeale.

-Ndërtimin e një spitali ose  e qendre kurative  për ripërtëritjen e shëndetit të njerëzve me sëmundje të mushkërive.

-Për zhvillimin e turizmit, restaurimin e muzeumit të vëllezërve Frashëri.

-Si dhe është bërë një projekt -studim për ruajtjen urbane të qytezës së vjetër të fshatit Frashërit, Në këtë projekt -studim   është miratur edhe shitja e trojeve  për  ngritjen e shtëpive  dhe vila turistike për  vizitorë e qytetarë që duan turizmin.

Realizimi i këtyre masave do ta kthejë Frashërin në një qendër mbarëkombëtare shëndetësore, për zhvillimin e turizmit historik – kulturor dhe ekologjik, duke kontribuar edhe në zhvillimin ekonomik të trevës së Dangëllisë dhe të qytetit të Përmetit.

Trajtimi i Frashërit si zë më vete, do të jetë shpëtimtar. Duke pasur mbështetje  të  fuqishme  nga  Qeveria për sot dhe për të ardhmen,  Frashëri mund të  kthehet në  një  qendër të rëndësishme pelegrinazhi.   Mendojmё   qё    investimet të jenë  në  këto   drejtime  kryesore:

Së pari -Më e rëndësishmja është  ndërtimi i rrugës automobilistike Përmet-Frashër, e cila sot është në gjendje të vajtueshme. Është një rrugë, e cila zgjatet jo më tepër se 30.5 km, për të cilën është bërë edhe projekti dhe shkon në vlerën 16 milionë dollarë, si dhe ndërtimi i rrugëve që lidhin Frashërin me fshatrat përrreth.

 Së  dyti, Frashëri duhet të gjallërohet e  të kthehet në një qendër historike – turistike – muzeale.  Për të njohur historinë e tij nga vizitorë dhe dashamirës të shumtë,  edhe  pse rruga është e vështirë, vizitorët dhe turistët nuk i kanë munguar Frashërit. Mbi të gjitha, për kontributin e tij të veçantë në kulturën kombëtare dhe  si vendlindja e Vëllezërve Frashëri dhe e Teqesë historike,  ka potenciale  vlerë  të jashtëzakonshme historike dhe morale për shtetin e sotshëm bashkëkohor modern, duke investuar në:

 -Rikonstruksionin  e  Shtëpisë  Muze  të Vëllezërve  Frashëri.

 -Rikonstruksioni  i shkollës së parë shqipe për rrethin e Përmetit  në Frashër.

 Se treti, Frashëri duhet e ruhet dhe zhvillohet për vlerat turistike. Është mundësia të rindërtohen shtëpi të dikurshme dhe  të vihen në dispozicion të turizmit familjar vjetor të çdo stine, si  edhe të ndërtohen vila dy katëshe. Është bërë një projekt për ruajtjen urbane të qytezës së vjetër të Frashërit, të banesave të dikurshme, të rrugëve, veprave dhe objekteve  bektashiane dhe të krishtera, të cilat do të restaurohen sipas pamjes arkitektoniko-ndërtimore  që kanë  pasur në ato vite.

 Së  katërti, Rezervatet e pasura mjedisore  të Frashërit, me florë dhe faunë të pazëvendësueshme të Bredhit të Hotovës, me Lajthizën e Ogrenit, mundësojnë ngritjen e parkut  për gjueti të kontrolluar, duke e bashkërenduar atë me turizmin veror dhe dimëror,dhe ekskursioneve turistike gjatë verës. Ndërtimi i një  kompleksi sportive, si edhe ndërimi i hotelit  dhe bar-restorantit.

Së pesti, është propozuar ndërtimi  një  qëndre Kurative  për ripërtëritjen e shëndetit të njerëzve me sëmundje të mushkërive në Frashër. Për këtë qendër mund të shfrytëzohet ish ndërtesa e shkollës së mesme, e cila aktualisht është e zbrazët .

 Dhe e fundit,   mendohet se pas gjithë këtyre  objekteve, i vjen rradha edhe aksit  nacional të  rrugës Sarandë – Gjirokastër- Përmet- Korçë, i cili të kalojë  edhe  nga   Frashëri  dhe jo vetem  nga Leskoviku siç kalon sot, pasi  shkurton shumë  kilometra rrugë  dhe bëhet më funksional , edhe zona e Dangëllisë  merr zhvillimin që meriton.

Mendojmё që krahas Institucioneve  shtetërore  përkatëse, duhet edhe  ndihma nga institucione të ndryshme, siç  bëhet edhe për  raste të tjera. Frashëri duhet të bëhet objekt edhe për Fondacione dhe Institucione Ndërkombëtare, për ndërtues e biznesmenë vendas,  të diasporës e të huaj. Institucionet tuaja, që i njohin e bashkëveprojnë me ta, mund t’ua parashtrojnë  e ta realizojnë shumë mirë rastin e veçantë e të dhimbshëm të Frashërit tonë. Kjo duhet të bëhet sa nuk është vonë. Rrënimi i Frashërit, braktisja, harresa ndaj tij të gjithëve do të na  ngarkojë me përgjegjësi  të rëndë   para historisë së kombit dhe brezave që do të vijnë.  E kundërta do të ndodhë: ata që do ta  zhvillojnë e  ruajnë Frashërin, kanë për të hyrë në historinë kombëtare  të nderuar,  së bashku me emrin e tij të madh, historik e kombëtar.

Ju faleminderit!

Kryetari i shoqatës  Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”

Tomor   KOTORRI