Legaliteti dje dhe legalistët sot

685
Sigal

Skënder Mustafaj

Kam dëgjuar gjatë bisedave nga njerëz të ndryshëm, apo dhe në mediat, si ato të shkruarat, apo ato vizive, që flasin për regjimet monarkike, për mbretër, duke aluduar për të vetëshpallurin mbret i shqiptarëve, Zogun, aq sa i janë bërë dhe ‘osanara’. Para ca ditësh dëgjova nga një gazetë, se kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, më 7 Prill të vitit 1939, Zogu me demek qenkësh përlotur. Sa qesharake! Po kush ia shiti Shqipërinë Italisë fashiste, kush mbushi valixhet me flori dhe iku duke e lënë vendin e popullin shqiptar në mëshirë të fatit?

A kishte tradhti më të madhe se kjo e Zogut? Le të flasim, se cila ishte monarkia në Shqipëri

Ekzistenca e grupimeve ruajaliste, përkrahësve të mbretit sot, është një anakronizëm në kohët moderne. Në Evropën perëndimore, në vendet ku ende ruhen mbeturinat e traditave monarkiste, pushteti i tyre politik është formal, relikt e një kohe të perënduar. Të pretendosh sot për zhvillimet demokratike në një sistem pluralist është më se normale, pse jo domosdoshmëri, ku shkenca po arrin zhvillime të pa para e të pa dëgjuara,kur shoqëria po ecën drejt majave të zhvillimit të demokracisë. Miro kur sheh kësisoj grupimesh politike, është sa paradoksale, aq dhe anakronike. Një njeri që pretendon se i përket kohës moderne, për të gjitha objektet, titujt e fisnikërisë i konsideron objekte muzeale, qesh e tallet me to. Pra të kthehesh në monarki sot, qoftë dhe duke përdorur shartime demokratike është kthim prapa i historisë, të zhvillimit të saj. Nuk ma ha mendja që sot në botën moderne të ketë njeri t’i bëjë apel monarkisë e të thotë: Rroftë mbreti! Të gjitha këto demarshe janë shpresa të kota, që gjallërohen sa herë kemi rotacion pushteti, sidomos ai i djathtë. Lufta ANÇl zgjidhi dy probleme, atë të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashist dhe atë të vendosjes të pushtetit popullor, që më vonë ky pushtet kaloi në pluralizëm, pas viteve 90.

Për Shqipërinë, historikisht mund të themi se ngjarjet kanë rrjedhur në formë bindëse. Monarkia për ta ishte triumfi anakronizmit dhe i politikës reaksionare të feudalëve, që nga moment i ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, i cili përmbysi një regjim më të avancuar shoqëror, republikën borgjeze, të drejtuar nga një njeri me dije të gjëra, Fan Noli. Kjo përmbysje ishte triumfi i një politike antikombëtare të elementëve të korruptuar të klasës feudale, të cilët patën për mbështetje bajonetat serbe, të përgjakur prej kohësh në trupin e drobitur të shqiptarit. Në një konflikt nacional kurrë nuk mund të jetë e drejtë dhe e pastër një kauzë që ka për frymëzim dhe forcë mbështetëse,armiqtë tanë tradicional, serbët dhe më pas fashizmin.

Kështu është fakt se Zogu erdhi si hajdut i lirisë së Shqipërisë dhe iku po si hajdut i arit të saj. Ky sarhosh sulltan, siç thotë Noli mbretëroi si persekutor i lirisë së shqiptarëve. Kthimi i Zogut në pushtet, nëpërmjet pinjollit të vet Leka Zogu, si dhe të sahanlëpirësve të familjes mbretërore, të cilët aderojnë në Partinë e Legalitetit, do të ishte fyerje ndaj luftës e gjakut të shumë brezave për liri e përparim shoqëror. Vrasja e shumë patriotëve si Bajram Curri, Avni Rustemi, Riza Cerova e të tjerë vërtetojnë më së miri regjimin antipopullor të Zogut, që populli ynë e personifikoi me emrin “Regjimi i hurit dhe i litarit”. Vetë regjimi i Zogut 15-vjeçar vërtetoi më së miri se Shqipëria ishte shteti më i prapambetur në Evropë, vendi skamjes dhe i mjerimit, vendi i injorancës dhe i analfabetizmit. Në një kohë kur populli shqiptar lëngonte nga skamja, mjerimi, në pallatin mbretëror kërciste ahengu, shtroheshin darka e dreka. Ja si e përshkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare këtë kohë. “Në pallat mbreti Zog jepte ballo për natë

Buzëqeshnin princeshat,vallëzonin çingitë

Në qelitë e qeta të manastireve të ftohtë

Bënin studime për sufikset priftërinjtë

…Në kafe” Kursal” orkestrat binin

Lyheshin me pudër damat e plakura

Ndërsa Shqipëria lehonë

Dështonte ditët në pelena rresht të përgjakura.

Kthimi i hijes së Zogut në Shqipëri, për të marrë pushtetin,nëpërmjet pinjollëve e sahan lëpirësve të asaj familjeje dhe të ithtarëve, që aderojnë në Partinë me emrin” Legaliteti”, është një fyerje për popullin, luftën e tij, për të rënët e atdheut, Dëshmoret e lirisë. Populli nuk harron, ai është vlerësuesi më i drejtë i historisë. Ai di të dallojë të mirën nga e keqja, të ndajë grurin nga egjra, tradhtarin nga patrioti. Ai nuk është më anadollak, siç e la regjimi i Zogut. Dhënia e emrit “Zogu i Parë” i një pjese të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përmendorja e tij në fund të kësaj rruge apo shtatorja e Zogut në Burrel, dasma madhështore e pinjollit të Zogut në Tiranë, ku preokupimi i shtetarëve qe i dukshëm, tregon mendësinë anadollake të tyre e të Këshillave Bashkiake dhe se kështu nuk mund të jesh i përgatitur për hyrë në Evropën e qytetëruar. Të kthesh rrotën e historisë, kjo gjë nuk mund të ndodhë kurrë.