Lasgush Poradeci: Rreth flamurit të përbashkuar; Himni Kombëtar dhe anëtarët e Korit shqiptar të Bukureshtit

496
Sigal

Mbledhja e parë që profesori Kiriak bëri për formimin e Korit shqiptar ish në Sala Transilvania, më 1907. Aty i-a-u ndau pjesëtarëve të rinj shqiptarë zërrat sipas cilësisë përkatëse- sopran, tenor, bas, ettj.- i parë me të parë, i dytë me të dytë ettj.- dhe tashi, në një pushim plot gas dhe kënaqësi artistike, plot hov patriotik, ay i thotë Asdrenit i cili ndodhej midis këngëtorëve dhe ish i dëgjuar nga emri si vjershëtor kombëtar pas shtypjes së vëllimit të tij Reze Dielli në Bukuresht më 1904: Ti je poet, bëj një strofë shqip që t’a harmonizoj për korin dhe t’a këndojmë. Pa mbaruar dhe fare këto fjalë mjeshtri i math, gjithë anëtarët e korit buçitnë me një zë në mes të enthusiazmës: rroftë Asdreni! rroftë Asdreni!, Asdren! Asdren!, marshin Asdren!, marshin shqip! marshin shqiptar!. Dhe si të rinj që ishin dhe kokën plot tym me Shqipëri që e kishin, kush prej tyre këndonte një varg të himnit rumun, kush një motiv ushtarak, kush prapë- dhe gjë e çuditshme po fare e vetëshpieguar… – një frazë muzikore të romancës së zemrës së tij. Pastaj u mblodhë në thirrjen e bilbilkës që i lajmëronte për ushtërim, për ushtërimet e para, që të familiarizohen me notat dhe gamat dhe tonet e veçanta të psalmodive. I tërhiqte pa e kuptuar për këto natura gazmore, zemra e ëmbël prej artisti dhe personaliteti dinamik, vulkanik i profesorit të adhuruar. Asdrenin, që aty një ças përpara e kishin qëndër të përflakjeve të tyre, tashi e kishin harruar… s’e vinin më re… Ay ish larguar aty pranë, rinte tulitur në një qoshe të sallës së madhe.

Rinte i thjeshtë dhe mendonte i thjeshtë dhe punonte i thjeshtë një këngë Shqipërije të thjeshte, siç ka qënë, siç i ka patur përherë hije zemrës së tij së thjeshtë prej njeriu dhe prej atdhetari dhe prej artisti të thjeshtë që ka qënë kurdoherë veterani-poet Asdren.

Kur me rastin e kremtimit kombëtar që organizoj Kollonija për Asdrenin në gjashtëdhjetvjetorin e tij në Bukuresht shkronjësi i këtyre radhëve u ftua për pjesëmarrje si ish-shtëpijak i familisë së saj së madhe, nuk mendoj mënyrë më të përshtatur përshëndetjeje së-largu nga një vënd i huaj ku kaloj nëntë vjet i etuar për Shqipëri, sesa mënyrën që ishte, naturisht, mënyra dhe qënia e gjithënjëshme, ngjyra e pandryshuarshme e burrit, shqiptarit dhe vjershëtorit Asdren: Thjeshtësija; dhe i dërgoj lavdurimin e thjeshtë, që pat përbërë vetë lavdinë e portretit të thjeshtë të jetës dhe të punës dhe të shkrimit të thjeshtë të Asdrenit:

 

Burr’ i urtë-e i veçuar,

                        Shqipëtar me shpirt të qruar,

                        Vjershëtor vjershë-kënduar.

 

                        Pate shkruar e punuar,

                        Kombin për t’a kombësuar,

 

                        Shqipen për t’a shqipëzuar.

 

Pa u turbulluar aspak prej zhurmës së shokëve të tij të korit në ushtërim e sipër solfegjesh, siç ish tërhequr Asdreni ashtu, improvizoj- atje, në Sallën Transilvania, atë ças– strofën patriotike që fillon me vargun:

 

                        “Ejani sot, o Shqipëtarë…”

Është një strofë e cila nuk gjindet as në Reze Dielli (1904), as në Ëndra e Lotë (1912), as në Psallme Murgu (1930). Poeti s’e ka botuar gjer më sot në asnjë vënd, ajo gjindet midis letrave dhe shkresave të tija, në bibliotekën e tij në Bukuresht. Ka qënë poezi me rimë, poezi sepse Asdreni pat bërë katër strofa, nga të cilat profesori Kiriak vuri në nota vetëm njërën, dyke i kënduar pastaj kori të tjerat pas së parës. Atë strofë të Asdrenit Kiriak-u e bëri me zë që të kenë anëtarët e korit një marsh patriotik për të kënduar dhe ekzekutuar midis ndërpushimeve ose në çdo rast manifestimi.

Ç’ishin këta, cilën ishin këta anëtarë kaq idealistë të Korit shqiptar të Bukureshtit? Ishin të rinj thuajse që të gjithë, po të rinj me zemër burri, me kurajë prej luani. Ata u çquan dhe janë çquar gjithnjë, gjer në vdekje ose gjer tashi në moshë të vjetëruar, me punën e tyre shqiptare të palodhur. Tridhjet veta të vendosur për ritjen e emrit të atdheut, midis të cilëve vëllezërit Dhimitër Zografi dhe Grigor Zografi, me tregëtoren e tyre fole të dëgjuar për punët mëmëdhetare, zotërinjtë Llambi Cicimiçe, Dhimitër Kalakuçi (Dhimitër Konea), Ilia Teodoru (Ilia Shupelka) dhe Pandel Durmishi, punëtori boem i palodhur, zemërbardhi që bënte përdita therrorinë shoqërore të krishtit për të afërmin shqiptar, anëtari për të cilin mosmarrja pjesë qoftë dhe vetëm një herë në mbledhjet e Kollonisë përbënte një mallkim familiar – siç kish zakon të përsëriste ay vetë me gojën e tij në raste përkatëse, Rafail Anastasiu (Rafail Anastas) dhe Andrea Alilozi, besniku me besë të pathyer i kryetarit të famshëm të Shoqërisë “Drita” për mësimin shqip Nikoll N. Naço-Korça nga prindër prej qarkut të Pogradecit, tregëtari i math Grigor Goda, arkëtar i shoqërisë për një kohë të gjatë, i cili me rreptësinë e llogaritarit dinte të pajtojë kurdoherë një liri të arësyeshme nisjative kur ish fjala e përkrahjes së një anëtari nevojtar po të vlefshëm për nderin e atdheut, Jani Danga prej Postènani, psalt vetëdashës i parë i kishës shqipe bashkë me psaltin vetëdashës të dytë Zisi Andrea Stavre, nipin prej vëllaj të Asdrenit. Jani Danga Postènani, që kish ëmbëltore luksi ku bënte porositë e ëmbëlsirave dhe te konfiturave pallati mbretëror i Rumanisë, u bë i vlershëm me të plotë për titullin e veteranit të Kollonisë aq nga shërbimi gjithnjë i gatëshmë ndaj çështjeve shoqërore, sa dhe me udhëheqjen vepëronjëse të komunitetit orthodhoks si kryetar, periudhë në të cilën u çqua në mënyrë të veçantë me mbledhjen e sumës prej katërqind e pesëdhjetmijë lei të Rumanisë për rindërtimin, pikturimin dhe pajosjen me tërë aparatin liturgjik dhe stolitë priftërore të kishës istorike dhe monumentore Më një ditë (Dintr’ o zi), e dyta falëtore kombëtare e shqiptarëve të Bukureshtit; ishin dhe këngëtorët e tjerë të korit, me vlera të ndryshme, në gjith atë lartësi patriotike si të lartpërshkruarit, dhe njëri prej tyre, për shëmbëll, nxori thikën si vetëtima dhe goditi pa asnjë fjalë për vdekje një grek nga të kryeqytetit rumun, vetëm e vetëm nga shkaku i thjeshtë se ky kuxoj t’i-a shajë Shqipërinë me rastin e një bashkëfjalimi në mes të rrugës…

Me kësi përbënjës të flaktë, përkundër punës së përditëshme me të cilën ishin zënë të gjithë siç u shënua në radhët e mësipërme, kori vijonte për të mbarë pa asnjë ndërkëputje, vijonte regullisht natën po dhe ditëve të Djela si dhe ndonjë të kremte rastore gjatë muajit. Vetëm një incident, incident i pamënjanuarshëm sepse i zakonshëm, i zakonshëm sepse i nevojshëm, i nevojiturshëm, nga nevoja, çqetësonte veshin simfonik të Kiriak-ut dhe zellin e gjithë këngëtorëve të tjerë- përveç dyve: Andrea Alilozi dhe Pandel Durmishi. Alilozi dhe Durmishi mirrnin pjesë pa asnjë përjashtim nër ushtërimet e korit, paraqiteshin dhe përpikësisht pas minutave që shënoheshin në orar, po që të dy vinin mbrëmanet si të lodhur nga tregëtimet e ditës dhe kishin dhe një zë fare të papërshtatur për kor; i pari me timbrin e trashë, me dridhje të panjëjta, turbullonjës- i dyti me kordhëzat e fytit përherë të ngjyrura, përherë të çakorduara; njëri nxirte një farë toni si një violi me tela të çjerra, tjetri si një pllakë gramafoni të prishur: Na bënin disonancë në këngë, më thotë Asdreni, gjer sa i ndalonte profesori. Po!- gjer sa i ndalonte vetë mjeshtri Kiriak; me qënë që, për qarjet e koristëve të tjerë, ata as që deshnin t’a dijnë kurrë; kishin gjetur kundër çdo ankimi një mprojtje stereotipike, dhe i-u përgjigjeshin shokëve me mëri: Pse?veç juve jini shqiptarë? Neve nuk jemi?! Dhe kori i tërë buçiste në gas…

Këta djem të mbëdhenj të kombit mbesonin- dhe kishin bindje të plotë- se, për të vetëmen cilësi të të qënurit shqiptar èdhe dyke mos pasur pajisjen sine qua non të një veshi muzikor- kishin të drejtë vetore të prishin vazhdimërisht harmoninë e një kori të tërë të një themelimi të vështirë dhe të paçmuarshëm, për hirin e të cilit Kollonija derthte të holla me duar plot, mbante me gjithë shpenzimet e ushqimit, të veshjes dhe të fjetjes priftin shqiptar, paguante veglat dhe notat dhe trikëmbshet muzikore, paguante sallën e koncerteve, shpërblente me shpërblim të rëndë mjeshtrin më të famshëm të artit koral rumun, dhe prishte qindëra mijë lei për rindreqjen, për pajisjen dhe përmbajtjen e kishës kombëtare në Rumani.

Kështu ka qënë, dhe është, dhe do të jetë, fati dhe rrëfimi dhe përralla, përgjithnjë dhe përgjithëmonë, e atyreve që bëjnë punën e mirë të njerëzimit në botë, punën e mirë të atdheut për Shqipëri:

 

            Sic resurgit gloria Albaniae…

 

 

 

Rreth flamurit të përbashkuar: himni kombëtar i Kollonisë shqiptare të Bukureshtit.

 

Dhe kështu, me këtë çkëlqim therrorish dhe zemrash, kori shqiptar ndiqte qëllimin e tij dyke i lënë gjithë turbullesat pas. Përparimet bëheshin pa asnjë ndalim. Ato ishin të dukurshme. Sepse koristët dhe të ftuarit e të paftuarit e ushtërimeve dhe përsëritjeve shtoheshin dita-me-ditën, magjija e muzikës shtonte dëshirën e atdheut që kishte shkaktuar atë muzikë, dëshira e atdheut ritte dhe shumëzonte zellin për punë, fuqinë për durim të këngëtorëve, të cilët zjarmoheshin me të qënët shpesh aty në sallë vetërisht èdhe të patriotëve më të pasur të Bukureshtit.

Tashi orët e këngës, ato katër orë të pasmesditëshme gjer mbrëmanet më s’mjaftonin për korin, salla më s’gjykohej e përshtatur që tashi e tutje. U formua kori, u përdor me të plotë salla e parë për ushtërim, po tashi kjo nuk mund të kënaqte kërkesat e shtuara të organizatës. Ajo ndjeu nevojën që kori të ketë sallën e tij.Sala Transilvania, që ish botore për të kremte dasmash, mbrëmje valletore dhe çfaqje theatri, me zhurmën dhe lëvizjen e pambaruarshme të saj nuk dukej as fare e caktuar për kor. Ishte zgjedhur dhe pajtuar me të shpejtë përkohësisht, për të mos patur as më të voglën vonesë nër fillimet e para të korit. Dhe qiraja paguheshe vetëm për orët e shënuara të mbledhjes, paguante vetëdashërisht veterani Vasil Zografi dhjetë lei flori për një ndërkohë pikërisht të kufizuar midis orëve katër dhe tetë mbrëmanet, salla dyke qënë më tej, pas orës tetë, e zënë prej manifestimeve të rendshme të jetës qytetare. U ndje nevoja pra të bëhet një mbledhje postafat për çështjen e sallës, burrat anëtarë u mblodhë si përhera në Qëndrimin e shoqërisë më ora nëntë e një të katërt para mesnatës, u lexua prej sekretarit urdhëri i vetëm i ditës: për dobinë e korit kombëtar i cili përparonte me hapa gjithnjë më të sigurta, duhej gjetur një vënd ushtërimi më i përshtatur dhe më i posaçmë, që të ketë mundësi çfaqjesh të veçanta shtëpijake përpara mëmëdhetarëve, të ketë një lokal të përhershëm për korin – një sallë t’onën. Në këtë mbledhje u zgjoth dhe u vendos të mirret me qira, vetëm e vetëm për llogarinë dhe përdorimin e korit, një sallë e bukur dhe e madhe në Strada Izvor nr.16, që kishte shërbyer dhe më parë për një çështje kombëtare shqiptare, atje që ngritur zyra e shoqërisë Bashkimi, emër nënë të cilin rifilloj për të tretën herë vepërimin e saj Kollonija e Bukureshtit, pas ndarjes së bërë nga dy shoqëritë e para me njërajatrën, për zell të tepëruar kombëtar.

Zyrat e shoqërisë Bashkimi u parapëlqyen nga çdo vënd tjetër që hyri në bisedim, për shkak të një ndjenje atdhesore mistike të anëtarëve, pjesa më e madhe e tyre dyke qënë e mendimit se Bashkimi s’ish veç se Kollonija e gjithënjëshme kombëtare e Bukureshtit, nënë gjith atë trajtë organizimi shoqëror me përjashtim të emrit. Ish fryma vepëronjëse e Kollonisë, e lënë ardhësve për trashëgim. Ky trashëgim tashi duhej vazhduar. Dhe kështu kori u vendos në sallën e hapët dhe të pashme të Bashkimit, që kish pajtuar shqiptarisht, që kish përmbledhur në gjirin e tij të dy palët e vlershme të ndarjes vëllazërore.

Fillimi i punëve në sallën e re të korit ka qënë një e kremte shpirtërore jo vetëm për koristët, po dhe për pjesëmarrësit shqiptarë dhe të huaj të ftuar me rastin e përurimit. Sepse aty u këndua për të parën herë botërisht nënë udhëheqjen e profesorit Kiriak marshi i Asdrenit Ejani sot, o Shqipëtarë, dhe përshtypja dhe dobija politike patnë qënë nga më të mirat, nga më të përshtaturat, me bujën dhe propogandën që shkakëtuan reth çështjes kombëtare.

Punimet e korit vazhdonin që tashi e tutje me një hov të papërmbajtur. Aq, sa profesori Kiriak më s’ndjente nevojën e udhëheqjes në çdo ushtërim ose në çdo përsëritje. Prej disa tregëtarëve dhe bijve të tyre të thithur më të shumtën e kohës nga ryma e jetës ekonomike ne kryeqytet dhe përqark, mjeshtri filoshqiptar kish krijuar, ashtu si me-dashje-pa-dashje, një trumbë virtuozësh të përsosur në artin e tyre. Shpesh herë Kiriak-u mungonte nga mbledhja dyke mos patur as më të voglën përkujdesje rreth vajtjes së ushtërimeve, e siguronin për këtë nënëkryetarët e korit, të cilët ishin, sicilido prej tyre dhe në pjesën e detyrës që i përkiste, si disa drejtorë më-vete të degës, si disa Kiriakë të dytë krejtësisht të pavarrur nga mjeshtri i math. Ky mundte tashi t’i kushtohet përsëri me gjithë fuqinë e duhur korit të tij të shoqërisë Karmen, ku punët ishin shtuar shumë me mungesat e bëra në gji të korit shqiptar. Dhe me qënë që këngëtorët shqiptarë më s’ndjenin, medoemos, nevojën e udhëheqjes së profesorit rumun, dhe dyke qënë ay i ngarkuar me punët e shumta të korit të tij, porositi dhe la si përfaqësonjës atë më të mirin nxënës që kishte, zbatonjës i përpiktë i koncepteve të mjeshtrit.

Ishte një djalë i ri njëzetepesë-vjeçar, i qojtur Ionesku, i cili e zotëronte korin me përsosje dhe qe specializuar për këngët korale të kishës. Këto ishin dega e tij, po Kori Kishëtar shqiptar i Bukureshtit nuk u pat bërë aq shumë për nevojat e kultit në çfaqjen e tij të ngushtë, sa për qëllimin e lartë dhe të ndritur të çështjes kombëtare. Ishte një themelim, ku nënë pamjen ngritëse të fesë zemra rëgëtinte mi krahët e lehta të këngës dhe të muzikës, dhe përmi krahët e muzikës mirte fluturimin drejt idealeve të Rilindjes së atdheut. Dhe nga ky skak profesor Ionesku, përveç këngëve kishëtare shqipe të korit, i-u mësonte nxënësve shqiptarë shpesh herë dhe këngë popullore rumune si dhe marshe patriotike, që të mundin këta të ushtërohen në këndim dhe në harmoni për vjershat e vjershëtorëve të tyre.

Nër të këtilla raste i-u këndonte Himnin kombëtar të Rumanisë Mi flamurin t’onë – fjalë prej poetit Ioan Barsan, muzikë prej kompozitorit Çiprian Porumbesku.

Dhe një ditë, kur i gjithë kori së-bashku këndonin këtë himn që me zërin dhe me shprehjet dhe kuptimin e tij patriotik pëlqehej shumë nga koristët pa përjashtim, këta, të rrëmbyer siç ishin prej enthusiazmës së çasit, i-u lutnë Asdrenit në mund të bënte edhe ay fjalë të përshtatura me atë melodi, që të këndohej prej korit dhe një himn shqip, t’a bënin atë himn shqip, t’a shqipëronin.

Veterani Asdren nuk qiti zë atëhere sipas zakonit të naturës së thjeshtë që ka, po pas disa ditëve, në mbledhjen e dytë ose të tretë, ose paraqit me himnin e bërë shqip gati nënë titullin Rreth flamurit të përbashkuar.

 

 

Neswr do lexoni:

Himni i Asdrenit pati patur si shtytje të përjashtme të gjenezës së tij fjalët e Barsan-it dhe muzikën e Porumbesku-t

– Përpara së të ish kënga, ish ndjenja e mëmëdhetarëve dhe ish nevoja e tyre për organizim

– Ndjenjat e djalërisë janë të shpejta, të zjarta, të forta, të papërmbajtura, ato s’janë ndjenja po janë hov enthusiazme