Lamtumirë Duro Mustafai, miku, gazetari dhe mësuesi ynë

1271
Sigal

Ngushëllim!

Stafi i gazetës “Telegraf” i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së mikut tonë, gazetarit dhe shkrimtarit Duro Mustafai. Për mëse 10 vjet ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt një nga dashamirësit më të sinqertë, një nga intelektualët më vizionar në bashkëpunimin me gazetën tonë. Këshillat e tij, fjalët e tij të ëmbla, mendimet e tij të pjekura, shkrimet e tij pikante, do të na mungojnë shumë. Do na mungojë e qeshura e tij në telefonatat e përditshme ku na fliste për problemet e ditës. Gazetarë si Durua mbeten shëmbëlltyra më e vyer për stafin e gazetës sonë. Lamtumirë miku dhe mësuesi ynë i shtrenjtë. Do na mungosh shumë!

Lamtumirë gazetari,  miku dhe mësuesi ynë i shtrenjtë Duro Mustafai

Kur të iki, me vete s’kam për të marrë asgjë

Ergys Alushi

“Kur të iki, me vete s’kam për të marrë asgjë,

Por, në se për shoqërinë, diçka kam lënë,

I lumtur do të isha, të lija një zë,

Që të fliste me dashuri edhe për gurët që flenë…”

Dhe ai iku dje.

Më shumë se 6 dekada në gazetari dhe jo vetëm. Një ndër gazetarët e parë shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore. Shokë pune me Kadaren, Agollin, Arapin, Spahiun, Koreshin e të tjerë. Gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në gazetat më të rëndësishme të kohës. “Ishte koha, kur njerëzit privoheshin nga liritë që u takonin. Dhe, ne, ngaqë ishim të pafuqishëm ta ndryshonim kohën, pavarësisht nga dëshirat e përpjekjet tona, si gazetar, por edhe si qytetar, shpesh mbetëm skllevër të prandaj kohe të dhimbshme, që diktonte të mbyste ëndrrat e bukura, paçka se shpresat për ditë më të mira, ishin brenda nesh, si një dritë e ndezur, që nuk u fik kurrë”

Ky ishte e do të jetë Duro Mustafaj

Ka qenë kontakti im i parë me letërsinë. Atje, në një prej rrugicave në “Lagjen e Re” ku shtëpitë tona i ndante një mur guri i vjetër. Ardhja e tij nga Tirana ishte një nga ngjarjet e pakta të bukura për rrugicën tonë. Ne të vegjlit dëgjonim “Erdhi Durua”, “është gazetar në Tiranë” e të tjera si këto. Unë kisha privilegjin fëmijëror që edhe e takoja kur gjyshërit e mi shkonin për ta takuar apo ai vinte në shtëpinë tonë. Kishim lidhje të afërta familjare, të gjithë në familje i kemi folur “Dajo Durua”. Tezet e mia, që kujdeseshin për mua sa herë shkoja te shtëpia e gjyshërve, i jepnin për të lexuar ndonjë krijimin tim fëmijëror dhe ai që thoshte fjalën magjike për mua si fëmijë “ka dell nipçja”. Kujtimet janë shumta nga ajo kohë e fëmijërisë me dajo Duron. Ai nuk jeton më, por la mbrapa një histori dhe përvojë të madhe gazetarie, publicistike dhe letërsie. Kishte një dashuri të madhe për Vlorën, Vranishtin e tij të origjinës, shokët e tij të rinisë e punës. Askush më bukur se ai nuk ka shkruar për Vlorën, Vranishtin, Petro Markon, Xhevahir Spahiun, Shaban Demirajn, Bardhyl Golemin, Fatos Arapin e të tjerë vlonjatë. “Gazetaria është pasion që të ndjek gjithë jetën e s’të ndahet gjer në frymëmarrjen e fundit”- thoshte gjithmonë Duro Mustafaraj. Lamtumirë dajo Duro dhe njeriu i letrave shqipe Duro Mustafaj!

 

U NDA NGA JETA SHKRIMTARI DURO MUSTAFAI

Nga Luan Çipi

Pas një sëmundje të shkurtër, në moshën 86 vjeçare , u nda nga jeta Duro Mehmet Mustafai. Duro Mustafai, është pa mëdyshje, një nga shkrimtarët më të hershëm dhe më të dashur të vendit tonë. Bashkëkohës dhe shok i Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, me të cilët punoi edhe bashkërisht te gazeta “DRITA”, (gazeta letrare më e rëndësishme për shumë vite rresht), ku ishte kryeredaktor. Duro Mustafai, më së shumti gazetar, është dhe poet dhe shkrimtar produktiv dhe mjaft i spikatur. Ai, veç gazetar te “Zëri i Popullit” dhe Kryeredaktor te “Drita”, ishte dhe Kryeredaktor edhe te gazeta “Shqipëria” për Diasporën, si dhe te gazeta dhe revista “HORA”, gazetë lokale, ndofta nga më të mirat në vend. Duro Mustafai, gjatë më shumë se 60 viteve, ka botuar në një punë pa ndërprerje, në të gjitha gjinitë e publicistikës: artikuj, kryeartikuj, skica, portrete, reportazhe, vëzhgime e fejtone, si dhe poezi e tregime. Njëkohësisht, gjatë shumë viteve, është angazhuar edhe si pedagog i jashtëm, në Degën e Gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Për veprimtarin e tij letrare dhe gazetareske, Duro Mustafai është vlerësuar me urdhra e dekorata dhe së fundi është shpallur “Mirënjohja e qytetit të Vlorës”, “Personalitet i Shquar i Labërisë” dhe “Qytetar Nderi” i Vranishtit.
Shkrimtari dhe poeti Duro Mustafai, botimin e tij të parë letrar, novelën “Qielli i turbullt i Prishtinës” e ka qysh nga viti 1966 dhe pas kësaj ka botuar ndër vite pa ndërprerje 24 libra me tregime e poezi, ku spikasin skenar filmi, ditar dashurie, përshkrime udhëtimi, përshtypje e portrete shokësh e miqsh, ngjarje trimërie dhe heroizmi nga vendi, Vlora e Vranishti, si dhe ngjarje intime historike krahinore, farefisnore e familjare, etj. Duro Mustafai, ndërroi jetë më 22 dhjetor 2019, në Spitalin ‘’Nënë Tereza’’ Tiranë, pas një sëmundje të shkurtër kardiake.

 

POEZI DURO MUSTAFAI

Fytyra e vendlindjes

Dikur në vende të botës pata shëtitur,

E shokët më thoshin: “Lumthi ti,

që mes bukurive je mahnitur…

ti, mor vëllaçko, ke parë botë me sy…!”

Po unë miqve shpesh u tregoja,

Që bota edhe të vriste me “jetën plotë stoli”,

Dhe mendjen e mbaja te Vlora,

Dhe sytë i çoja në Shqipëri,

Tek priste nëna djalin. T’i vinte në shtëpi.

Dhe bashkë me nënën time të bukur,

Fytyra e vendlindjes më mbetej në sy

 

Gabimi im…

–Sipas filozofisë popullore–

 

I dhashë zëmrën time njeriut që zemra i ish bërë dru,

Se desha që vuajtjet e të tjerëve t’i ndjente në shpirt,

Po vonë e kuptova që ai kish nevojë për tru,

Se mëndja e tij e errët ia kish mbuluar sytë.

 

I dhashë zemrën njeriut që thoshte se na donte,

Të ndjente më mirë çdo të keqe e trishtim,

Po ai kish nevojë për trurin që nuk i punonte

Dhe në jetën time ky ishte më i madhi gabim.

 

I dhashë zemrën e ngrohtë një njeriu, se e shikoja,

mes njerëzve të ftohtë, çdo mbrëmje dhe agim,

Por nuk i vlenin sikur dhe njëqind zemra t’i dhuroja

Dhe unë nuk e kuptova se kisha bërë gabim.

 

Po, nëse zemra dhe mendja, s’janë sëmurë,

Njeriu për njeriun, dashuri dhuron,

Këtë të vërtetë nuk do ta dija kurrë,

Por kur ma mësoi mendja, ishe tepër vonë,

Se zemra, ah zemra, sa shpejtë gabon!

 

Mos e beso…

Bisedë pleqërishte-mes miqve

Seç m’u kujtua Gëtja, tani në pleqëri,

Që t’u them miqve: “Mos kini merak!”,

Se unë mes jush, çdo vit bëhem i ri

Apo, si Gëtja, t’i them vdekjes: “Prit edhe pak”,

Se dhe në pleqëri, nuk mbetesh gjithnjë plak.?.

 

Them: “Prit edhe pak”, sa të lind e të rritet një lis,

Sa gjelbërim edhe mes dëborës përherë të ketë,

Dhe unë të kem fuqi t’i them vdekjes: Vdis!

Se përtej kësaj jete, nuk dua tjetër jetë,

Se bukuri mbi bukuritë është njeriu vetë.

 

Shpesh më duket vetja si fis me një lis,

Që trupin dhe degët i mban të paprekur,

Dhe në “natën e jetës”, i them vdekjes: Vdis!

Që të tjerët të thonë: “As vdekja nuk e ka vdekur”

Se i gjalli mes të gjallëve fuqi përherë ka gjetur…

 

Kam thënë disa here se “Jam duke ikur”..

Në atë rrugën e gjatë pa kthim,

Po asnjëherë nuk kam mbërritur,

Atje, mes errësirës nuk ka dashur shpirti im.

Dhe unë jam kthyer nga rruga, te miqtë, me gëzim.

 

Prandaj, kur të dëgjoni, se ai iku e na la,

Ju lutem mos e besoni, atë që hedh ujë në sitë,
Më shpejt rrëzohet një kala,

Se sa errësohen sytë që lëshojnë dritë,

– Pse, vdes njeriu që i thotë vdekjes: PRIT?!