Kujtimet e “Artistit të Popullit”, Reshat Arbana/ Udhëtimi i habitshëm i vitit 1982 në Vjenë, me filmin “Gracka” me skenar të Neshat Tozaj

1054
Sigal

Prezantimi si përfaqsues të Dhomës së Tregtisë, xhirimet në stacionin e metros, lokalet e natës, mikpritja dhe takimi me Otto kreun e federatës së futbollit austriak, mik i Mehdi Bushatit

Kujtimet e “Artistit të Popullit”, Reshat Arbana

Udhëtimi i habitshëm  i vitit 1982 në Vjenë, me  filmin “Gracka” me skenar të  Neshat Tozaj

-Si i morëm letrat e lagura për ccamccakëza dhe i futën në gojë

-Habija e një 30-vjeccari vjenez, se besonte kurrë që ishim aktorë shqiptarë madje në Vjenë

– Ai nisi të këndojë sinjalin e emisionit në radio për shqiptarët jashtë atdheut: Në ara, kantiere fabrika…. U çuditën

– Dëgjoj radio Tiranën çdo here, atje te ju është demokracia e vërtetë,..Ç’demokraci është kjo e jona, kur shefi im paguhet 20 herë më shumë se unë

-Si na bërtiti një grua vjeneze pse këputëm një gjethe luleje

– Në Kabare “Rex”, nuk kishim lekë të paguanim një shishe shampanjë në Vjenë

Albert Z. ZHOLI  

                                                        

Udhëtim i veçantë ka qenë ai i vitit 1982, me  filmin “Gracka” me skenar të  Neshat Tozaj. Duhet të xhironin në Austri. Shkuan si përfaqësues të Dhomës së Tregtisë. Ky ishte një  sebep për të marrë vizat. Për herë të parë udhëtonte me aeroplan. Dhe sigurisht që do ndodhnin dhe surpriza.  Pasi zunë vendet në avion dhe u nisën, stjuardesa vjen me një tabaka me disa sende që iu dukën si çamçakëz. Nuk  pritën dhe pasi i morën,  Luan Qerimi i futi në gojë dhe përnjëherësh reagoi. Përnjëherësh ndali…Pa dikë në avion  që po hapte atë pako në formën e një pakete “çamçakëzi” dhe po fshinte fytyrën… ishin letra të lagura pra…Qeshën ashtu mbyturazi. Nuk kishim parë kurrë …Nejse. Pasdite vonë  arritën në Budapest. Aty i morën përfaqësues të Ambasadës shqiptare. Pas 3 orësh arritën në Vjenë. U vendosën në Hotel “Kongresi”. Hoteli i shqiptarëve siç e quanin. Kjo për shkak se me sa  duket  ishte më i liri. Saimiri, Spiro, Luani, Bashkimi u vendosën në një dhomë të madhe,  kurse Reshati në një  dhomë të vogël me krevat tek, më vehte.

Të nesërmen në Ambasadë i priti ambasadori Musin Kroi.  Xhirimet e para i nisën nga një stacion metroje në  qendrën e Vjenës. Me frikë të madhe sepse mendonin se do t’u  thoshin ndonjë gjë, do u kërkonin  ndonjë dokument. Mirëpo nuk  ndodhi asgjë. Aty pranë,  dy policë simpatikë me  rroba, uniforma të zeza ‘shik’  i  ndiqnin gjatë  xhirimeve e qeshnin e bisedonin me njëri -tjetrin…

Saimiri  tha:

-Hajde, hajde vazhdojmë xhirimet. Nuk kanë ndërmend me na thënë  gjë…Janë thjesht, kuriozë…

Tek xhironin, u afrohet një djalë tek të  tridhjetat dhe i pyet.  U step kur i thanë se janë shqiptarë.

…ooo Albaniesh dhe ia nisi të këndojë sinjalin e emisionit në radio për shqiptarët jashtë atdheut

Në ara, kantiere fabrika…. U çuditën!…

-Kam simpati për Shqipërinë- nisi të flasë. Dëgjoj radio Tiranën çdo herë. Atje te ju është demokracia e vërtetë…Ç’demokraci është kjo e jona, kur shefi im paguhet 20 herë më shumë se unë. Ai nuk mund të jetë  20 apo 25  herë ma i mirë se unë, por ky qenka kapitalizmi…Do të  kisha  dëshirë të vija njëherë atje në Shqipëri dhe do të bëj çmos, -po, po do të vij, një ditë…Shpresoj…

I ziu djalë, ish ndikuar boll nga propaganda për Shqipërinë,  e cila me  valët radiofonike mbulonte një pjesë të mirë të  botës…

Të nesërmen xhiruan në një mol të bukur  buzë Danubit. Aty, ishin ankoruar shumë varka me vela e me motorr. Një vend i mrekullueshëm. Pasi morën leje nga pronarja, një grua e shëndoshë, nisën xhirimet. Ai bashkë me Luan Qerimin ecnin anës lumit duke dialoguar. Një moment,  Reshati,  zgjat dorën dhe këput një gjethe nga shelgu vajtues, që u varej mbi krye. Një thirrje e fortë i bëri të stopohen: Nai!

-Bo, bo , ç’ndodhi!

-Nai…Nai…Nai dhe vazhdoi të fliste pa ndalur. Kuptohet faji ish i tij që kish guxuar të prekë e këpusë  një gjethe të tij, apo një degëz të vogël. Sebep ish bërë gjethi i këputur.

“Hajde shtet hajde …për një gjethe, oh ju lumsha!”  thotë me vete, “po prandaj e keni qëndisur e zbukuruar vendin tuaj….” . I kërkuan falje dhe vazhduan punën pa trazuar asgjë prej gjëje..Nuk guxonin të preknin më asgjë, në atë mal të mrekullueshëm…

Me vehte mendon “E moj zonjë ty të lumtë. Por po të vish te ne mund të thyesh një degë e mund ta shkulësh fare nga rrënjët pemën, e nuk do të  thotë askush asgjë! Kur vallë do të bëhemi ndonjëherë sa çereku i tyre?! Eh s’kemi shanse…jo…duhet kohë…shumë kohë…

Çdo gjë  në atë vend ishte qëndisur me dorë,  e ruhej me zemër. Gjithkund dekor i përkryer. S’kishe nevojë të rregulloje asgjë për qëllimet e njërës apo tjetrës skenë, a episode të  filmit. Tjetër kush i kish bërë ato. I kishim të gatshme.

Që nga Tirana ishte biseduar që një ditë do t’i priste një person  tepër i njohur, president i federatës së futbollit Austriak. E quanin OTTO. Në shtëpinë e tij i udhëhoqi shoferi i ambasadës. Një vilë tejet luksoze. Në verandën  përpara  shtëpisë,  qëndronte shtruar një tavolinë e mbushur plot e përplot, me të  gjithë të mirat e zotit. Te dera iu sul një qen i madh, pastor Tedesk i quajtur Marko, që hidhej mbi derën e hekurt, duke  lehur. Shpejt erdhi zoti OTTO dhe iu uroi mirëseardhjen. I drejtoi për te tavolina  e shtruar. Zotëria  ishte një mik i Mehdi Bushatit,  kryetari i federatës shqiptare  të futbollit, të asaj kohe…Ishin ditë të bukura maji…

Hëngrën e pinë e biseduan gjerë e gjatë për futbollin. OTTO ish shumë i ngarkuar sepse ishte në prag të  kampionatit Evropian. Pasi folën gjerë e gjatë,  operatorit   Bashkim Asllani i lindi ideja që të bënin një lojë me thyerjen e krahut ashtu si Skënderbeu me Gjinin te filmi “Skënderbeu”. Ndeshja qe e fortë dhe  Bashkimi ia theu me pak mundim. I prekur në sedër Otto vendosi apo më  mirë kërkoi ta bënin  edhe një herë provën. Dhe kështu bënë. Nisi loja dhe Bashkimi i fuqishëm ia theu përsëri, po kur ia ktheu rrafsh në tryezë, tavolina u kthye dhe u rrëzua, duke shpërndarë, në fushën e barit gjithçka ndodhej mbi të.

Shtangën të gjithë, por Otto i qetësoi;

-Mos u shqetësoni! Kainen problem!…

Dhe porositi personin që shërbente ta rregullonte dhe shtronte përsëri.

Pas kësaj skene, Saimiri i kërkoi t’i sugjeronte  një kabare, sepse duhej për të xhiruar një skenë filmi…

-Patjetër, Kabare “Rex”, ndër më të mirat,- foli menjëherë Otto.

Mori telefonin, formoi numrin dhe bisedoi me pronarin e kabaresë, që e kishte mik.

– Do shkoni rreth orës 21:00. Do ju mirëpresë.

E falënderuan me zemër  për gatishmërinë e mikpritjen e treguar, dhe pasi   u ndanë me këtë njeri të mirë,  u kthyen në hotel. Rreth orës 21:00 morën rrugën për tek Rexi. Badigardi te dera e kabaresë ishte në dijeni dhe i ftoi brenda, ku i priti buzë gaz pronari, i cili i drejtoi te një tavolinë, mbi të cilën qëndronte një shishe dhe gotat e shampanjës.

-Urdhëroni uluni. Atë shishe e keni nga unë …. Çdo merrni mbi të, do të paguani, urdhëroni…Zini vend… Ju lutem!

Zunë vend njëri pas tjetrit. Një skenë  e vogël me një glob të madh në mes, një muzikë e lehtë e katër-pesë tavolina  me njerëz. Kamerieri erdhi, hapi shishen e shampanjës dhe ua hodhi të  gjithëve nga  pak.  E falënderuan dhe panë njëri-tjetrin në sy. Brenda gotave ish një si pip me të cilën pihen lëngjet, por kish një tapë në  fund të pipit. I habiti pak… Thithën nëpërmjet pipit por më kot. Pipi nuk kish vrimë… ndaj dhe nuk tërhiqte lëng. Por e  gjetën. Në një tavolinë  larg tyre,  një person pasi mbushi gotën me shampanjë nisi ta rrotullojë pipin… A e gjetën. Ishte e thjeshtë. Ai pip duhej për të krijuar shkumë. Rrotulluan të  gjithë në të njëjtën kohë pipat dhe i trokitën  gotat…duke qeshur me injorancën e tyre…

Rreth orës 22:00, një muzikë  ritmike ftoi në  skenë njërën nga  femrat.

Ajo  nisi të  lëvizte sipas ritmit muzikor dhe rrotullohej rreth tubit në mënyrë provokuese,  duke  luajtur me reçipetat dhe duke zbuluar herë njërin gji herë tjetrën e më  pas të dy. Kaloi një  copë herë…dhe i  hoqi fare i flaku në skenë … Me sy të  zgurdulluar që të gjithë ndoqën deri në fund striptizën e saj. Një pauzë e shkurtër dhe nuk vonoi dhe doli një tjetër femër. I njëjti  ritëm, kur mbaroi mësuan që kjo e  dyta  ish polake. Kish qenë balerinë e kishte kërcyer në operën e  Varshavës, por kishte ardhur në Vjenë për të  fituar më shumë. E ftuan në  tavolinë. Dinte rusisht, italisht dhe anglisht. U tregoi se nuk e kishte të lehtë, por duhej jetuar. Saimiri i kërkoi  kamerierit të  sillte një shishe verë – shampanjë.

-Do ta  paguajmë të gjithë -jeni dakord?

-Po nuk  dimë sa kushton…A do ta përballojmë?

-Sado të kushtojë …. Të pestë sa jemi do ta paguajmë.

Nejse, koha  kaloi.  Muhabeti  u ëmbëlsua. Spiro përkthente shumë mirë rusisht dhe italisht.  Dikur i  erdhi radha vajzës nga Polonia, e kreu numrin e saj, dhe erdhi përsëri u ul mes tyre. Ndërkohë salla u mbush. Erdhën edhe të moshuar. Orët kalonin, shkoi mesnata. Bashkimi xhironte çfarë i merrte mendja, dhe çfarë i këshillonte Saimiri të fiksonte…

Pasi mbaruan punën u bënë gati të ngriheshin.  Thirrën kamerierin për të paguar shampanjën. Nuk  vonoi dhe  kamerieri erdhi dhe u hodhi mbi tavolinë faturën,  fletën e  pagesës. U ra pika. Shishja e shampanjës kushtonte 1600 shilinga. Tmerr. 1600 shilinga, Reshati kishte marrë televizorin. Gërmuan nëpër xhepa dhe nuk bënin dot aq para. Eh, ç’i gjeti! Ç’të bënin, ku ti gjenin?!  Saimiri nuk e njihte gjermanishten, por me ato pak fjalë që kish mësuar, sa mbante mend, u përpoq pak a shumë t’i shpjegohej kamarierit:

-Na falni! Menduam se i kishim aq para për të paguar këtë  shishe….Por…pamë…se…aq para sa kemi… na lipsen për të blerë  karburant… për në hotel…etj…etj. Jemi tregu të pakujdesshëm. Këtu kemi ardhë me rrobat e personazheve dhe portofolat i kemi lënë në hotel…

Kamerieri që nuk e kish  kuptuar apo e  kish kuptuar keq… mendoi se mos donin një faturë, me  vulë  e firmë për të justifikuar ato që kishin konsumuar. Shkoi në banak e pas pak u kthye dhe ia vuri  përpara Saimirit fletën ku shënohej sasia e shilingave që duhet të paguanin për atë që kishin pirë. Qeshën nga halli që i  kishte zënë. U detyruan të prisnin katër orë sa të zbardhej etë vinte shoferi i ambasadës, të paguante faturën, se u turpëruan. Dieta ishte e papërfillshme…

Xhiroi Bashkimi, operatori, ç’ka mundi. Portrete femrash europiane, apo dhe aziatike. Kur u kthyem pasi u stampuan materialet, Saimiri me drejtorin e Kinostudios i panë. Kur u shfaqën ato pamje drejtori i Kinostudios , Vangjushi,  vuri duart në kokë dhe shqeu sytë.

-Hiqi, hiqeni këto budallallëqe, mbyllni  dyert se  mos të marrë vesh njeri  çfarë keni xhiruar! A jeni në vete, more?!

 

Filmografia