Kujtim Boriçi, Nuri Çuni: Naim Frashëri, apostull dhe bilbil i shqiptarizmës

457
Sigal

Projekti “Viti i Naim Frashërit”, i sjellë në një libër

Duke qenë pjesë aktive e projektit dhe njëkohësisht pjesëmarrës në pjesën më të madhe të aktiviteteve të zhvilluar në Shqipëri e jashtë sajë, në harkun e një periudhe kalendarike mbi njëvjeçare, mendojmë që si autorë të këtij libri, të japim shkurtimisht disa shpjegime lidhur me vlerat e këtij projekti, sidomos për punën voluminoze për përzgjedhjen e materialeve, punën në arkiva, bashkëpunimin me shkencëtarë e studjues të njohur të fushës, sigurimin e fotove e përzgjedhjen e tyre, konstruktin dhe mënyrën e paraqitjes në një libër, në përputhje me kriteret profesionale e teknike që kërkohet në rastë të tilla.

Së pari, duhet vlerësuar nisma dhe hartimi i projektit njëvjeçar “Viti i Naim Frashërit”, nga Selia e Shenjtë Bektashiane, veçanërisht e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Dihet, që për poetin kombëtar, bektashiun e madh, Naim Frashëri, është shkruar e do të shkruhet pafundësisht, në kohëra të ndryshme e breza në vijimësi, pasi roli i tij, vëllezërve Frashëri dhe rilindasve të tjerë, në një nga periudhat më të vështira të ekzistencës së kombit shqiptar, të kulturës e gjuhës shqipe, është jetik, i pazëvendësueshëm. Po ashtu, si bektashi, si poeti brilant që besoi e shkroi perla të papërsëritshme për këtë besim të paqtë, Naimi është e do të mbetet idhull në përjetësi, dritë e pashuar, jo vetëm për besimatarët bektashinj në Shqipëri e hapësirat mbarëshqiptare, por për miliona bektashinj në mbarë botën dhe miliona miq të tjerë. Për këto arësye, aktivitetet për Naim Frashërin, nuk kanë munguar çdo vit edhe në hapësirat mbarëshqiptare, jo vetëm në data përvjetorësh që lidhen me poetin, por dhe në raste të tjera. Por hartimi dhe realizimi i projektit “Viti i Naim Frashërit” (25 maj 2020-25 maj 2021), nga Selia Bektashiane, solli një risi, ishte një aktivitet ambicioz e kompleks, që organizohej për herë të parë.

Së dyti, puna përgatitore për hartimin e projektit nga Selia e Shenjtë, deri në realizimin e tij, përgjegjshmëria dhe serioziteti, afrimi në këtë projekt i institucioneve të rëndësishme shkencore e shtetërore (Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Muzeu Historik Kombëtar, Arkivi i Shtetit Shqiptar, Rektoratet e Universiteteve brenda e jashtë Shqipërisë); drejtuesit e institucioneve të ndryshme fetare; shoqata të ndryshme me karakter historik, atdhetar, kulturor; shkencëtarë e historianë të njohur të fushës; drejtues të bashkive, prefekturave e komunave në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia Veriore, deri dhe Kryeministrinë e Presidencën; ishin faktorë që moria e aktiviteteve të planifikuara, të kishte më shumë risi dhe cilësi. Në këtë aspekt, sigurimi i mbështetjes financiare nga Selia e Shenjtë Bektashiane e disa institucione e dashamirës, ndikuan jo pak në mbarëvajtjen e aktiviteteve.

Së treti, faktorët e mësipërm, që në nisje e vijimësi, diktuan që puna e bërë, të dokumentohet me përgjegjësi e në këtë kuadër, pjesa më e mirë e këtij aktiviteti, të përmblidhej në një libër të veçantë, me synim që ky libër, të jetë një dokument modest në gjurmët e ‘oqeanit’ atdhetar e bektashian Naimian.

Së katërti, në hartimin e këtij libri, ne si autorë, me mbështetjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane e shumë kolegë historianë, shkrimtarë e poetë që u bënë pjesë e këtij botimi, u përpoqëm që të synojmë më të mirën: Përzgjedhjen e materialeve, studimeve e kumtimeve të mbajtur në konferencat shkencore në kuadër të “Viti i Naim Frashërit”; kronikat e aktiviteteve të zhvilluara në këtë kuadër, me një përmbledhje të shkurtër teksti, shoqëruar me foto; grumbullimin e përzgjedhjen e krijimtarisë letrare të poetëve e shkrimtarëve në tubimet, konkurset apo manifestimet për ‘Viti i Naim Frashërit”; pasqyrimin me tekst, pamje e faksimile të ekspozitave fotografike e me objekte që u hapën apo u ekspozuan në këto aktivitete; mënyrën dhe vlerën e guidave të zhvilluar në Përmet, Frashër, Tetovë apo vende të tjera me objekt, zërat e projektit “Viti i Naim Frashërit”; mënyrën e pasqyrimit në medien e shkruar e televizive (ajo e vendit dhe e huaj) të aktiviteteve të zhvilluara; vlerësime të personaliteteve për aktivitete të veçanta; kronika vlerësimesh të larta zyrtare nga Qeveria Shqiptare, Presidenca e organizma të tjerë për Naim Frashërin e Frashërllinjtë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare etj…

Së pesti, synuam që të evitonim brenda parametrave të lejuar profesionalë, të përsëritjes të së njëjtës ngjarje e fenomen me këndvështrime të ndryshme, por pa cënuar aspak thelbin e mendimit e vlerësimit të shprehur nga studjuesit. Bie fjala, siç do të shikohet në ndonjë rast, janë lënë pohime që binë ndesh me njëri-tjetrin (të studjuesve të ndryshëm), gjë e cila është e drejta e vetë atyre që e kanë shprehur dhe brenda parametrave profesionalë.

Së gjashti, duke synuar që botimi që keni në duar të jetë sa më serioz, siç do ta shikoni në libër, kemi bashkëpunuar me specialistë të njohur të fushës, duke marr një mendim sa më të plotë. Në këtë kuadër, përmendim ndihmën që ka dhënë redaktorët, konsulentët dhe bashkëpunëtorët e shumtë. Në përmbushje të qëllimit për një botim sa më të plotë e sa më cilësor, kemi aplikuar dhe një praktikë që mendojmë t’ia ketë vlejtur: Para printimit, libri iu është dhënë për mendime e vlerësime disa personaliteteve, historianë, studjues të letërsisë etj, mendimet e të cilëve ju do ti gjeni në një kapitull të veçantë, i cili mbyll dhe librin.

Së fundi, si në çdo botim, pavarësisht punës, objektit dhe vështirësive që kanë botime të tilla, ka e duhet të ketë dhe mendime për më mirë, gjë e cila është normale, pasi dhe e mira nuk ka fund. Ne u përpoqëm të bëjmë diçka që i shërben njohjes, vlerësimit, adhurimit e dashurisë jetike që kemi e do të kemi për të njohur universin e pafund Namian… Se sa ja kemi arritur, do e vlerësoni ju të dashur lexues. Ritheksojmë në mbyllje dhe falënderimin e mirënjohjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane dhe Kryegjyshit Botyëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, që bënë realitet diçka të munguar deri më sot, ideuan dhe realizuan projektin “Viti i Naim Frashërit”…

Faleminderit,

 

Si ideuam dhe realizuamprojektin “Viti i Naimit”, (25 maj 2020-25 maj 2021), përmbledhur në një libër të veçantë

 

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj-

 

-Poeti i madh, bektashiu Naim Frashëri, është e do të mbetet gjithmonë simbol drite, diturie e adhurimi për miliona bektashinj në botë, ndërsa për shqiptarët kudo që ndodhen, mbetet modeli i atdhetarizmit dhe njeriu që deshi e pasuroi ndoshta si askush, gjuhën e mrekullueshme shqipe. Përvjetorët e lindjes dhe ndarjes nga jeta, janë pikat kulmore kushtuar atij. Përkujtimi i këtyre përvjetorëve, tashmë është kthyer në traditë, por meqenëse në periudhën kohore, që përkon 175-vjetorin e lindjes dhe 120-vjetorin e ndarjes nga jeta, Selia e Shenjtë Bektashiane ideoi, përgatiti dhe realizon projektin “Viti i Naim Frashërit, 25 maj 2020-25 maj 2021”. Dua të theksoj këtu, se që në ideim, synuam që ndryshe nga aktivitetet e përvitshme të traditës në dekada, aktivitetet e përfshira në “Viti i Naim Frashërit”, të kishte shtrirje kohore njëvjeçare (për shkak të dy përvjetorëve të mësipërm), e në ‘të, të përfshiheshin strukturat shoqërore, fetare, shtetërore, historianë, shkencëtarë, krijues të fushave të artit, publicistikës e krijimtarisë letrare si dhe këto aktivitete të zhvilloheshin në Selinë e Shenjtë, në institucionet shtetërore të Shqipërisë, në rrethe të ndryshme të vendit, në Kosovë, në Tetovë e në komunitete të tjera shqiptare në vende të ndryshme të Europës e më gjerë. Me gjithë vështirësitë e shumta, kryesisht për shkak të pandemisë e domosdoshmërisë së masave ruajtëse ndaj saj, mendojmë se ja arritëm qëllimit dhe bëmë diçka me vlerë. Këtu dua të theksoj jo vetëm impenjimin tonë maksimal si Seli e Shenjtë, por dhe bashkëpunimin me strukturat më të larta të shtetit shqiptar, institucionet shkencore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, e Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, organizma shoqërorë letrarë, historianë të njohur etj…

Gjatë  vitit naimian janë zhvilluar disa sesione shkencore me objekt jetën, krijimtarinë dhe analizën e veprës së Naim Frashërit si ajo në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane; sesioni shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, një bashkëpunim me drejtuesit e këtij institucioni; sesioni shkencor në Përmet; manifestimi ‘Ditët e Naimit’, po në Përmet; sesioni shkencor në vendlindjen e vëllezërve Frashëri, në Frashër; ai në Muzeun Historik Kombëtar, zhvilluar në bashkëpunim me drejtorinë e këtij institucioni; sesionet shkencore në Universitetin e Gjirokastrës dhe atë të Vlorës, në bashkëpunim me rektoratet e këtyre institucioneve; aktivitetet për Naimin në Gjakovë, Tetovë e shumë qytete të tjera, brenda e jashtë Shqipërisë. Këtu duhet të veçoj dhe përgatitjen e një ekspozite fotografike enkas për “Viti i Naim Frashërit”, përgatitur nga Mehmet Gëzhilli, e cila ‘ka shëtitur’ në shumë aktivitete e qytete në Shqipëri e jashtë saj. Përmend konkursin tradicional “Ditët e Naimit” në Tetovë; takime e diskutime me poetë të njohur etj… Po ashtu, u realizua nisma për krijimin e një fondi të veçantë me libra për Naimin në Bibliotekën e Selisë së Shenjtë Bektashiane; dhurimi i librave nga studiues, shkrimtarë, poetë e historianë të shumtë; botime të reja enkas për bektashiun Naim Frashëri e rilindjen kombëtare shqiptare… Do përmend vetëm një fakt, atë të familjes Agolli, që në kuadër të ‘Viti i Naim Frashërit’, dorëzoi në bibliotekë mbi 20 tituj librash… Në këto aktivitete, të planifikuara e mbështetur nga Selia e Shenjtë Bektashiane, disa në bashkëpunim, janë ndjekur në të shumtën e rasteve nga ne… Ndonëse mbështetja zyrtare në këtë periudhë (që përfshinte dy data të rëndësishme të poetit kombëtar Naim Frashëri) qe disi e vakët, ose më saktë jo ajo që dëshirohej, ndryshe ndodhi me mbështetjen e personaliteteve shkencorë e forcave krijuese që u bënë pjesë aktive e nismës sonë…

E sintetizuar, pra e përmbledhur, “Viti i Naim Frashërit”, vjen tani dhe në një libër. Pra, në përfundim të këtyre aktiviteteve, projekti në fjalë, po nën përkujdesjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane, është përmbledhur në një libër interesant. Libri “Viti i Naim Frashërit, 25 maj 2020-25 maj 2021”, përgatitur nga autorët Kujtim Boriçi & Nuri Çuni, është një përmbledhje e aktiviteteve të një viti, pasuruar me dokumente e materiale të tjera, ideuar e përgatitur profesionalisht, me angazhimin dhe të personaliteteve të njohura të fushës, është një kontribut tjetër i rëndësishëm në fushën e publicistikës e atë studimore, kushtuar bektashiut e atdhetarit Naim Frashëri.