Kryeparlamentari turk viziton Shqipërinë

272
Sigal

Mustafa Sentop, Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë dhe delegacioni shoqërues parlamentar, përfundon vizitën në vendin tonë dhe flet për gazetën “Telegraf”: Turqia do të shtojë bursat për studentët shqiptarë, investimet turke janë mbi 3,5 miliardë euro. Çështja e Kosovës dhe pse FETO përbën kërcënim për të gjitha vendet ku operon

 

Kryeparlamentari turk viziton Shqipërinë, takon liderët politikë

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Sentop, dhe delegacioni i tij shoqërues parlamentar vizituan vendin tonë më 4 dhe 5 shkurt.

Sentop u prit nga kryetari i Parlamentit të Shqipërisë dhe analogu i tij Gramoz Ruçi në Tiranë. Ai dhe delegacioni i tij do të priten nga presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, gjithashtu nga kreu i PD, Lulzim Basha.

Në ditën e dytë të vizitës së tij, ai vizitoi qytetin e Shkodrës, ku fali namazi e xhumasë në Xhaminsë Qendrore të Shkodrës dhe vendosi kurorë lulesh në Përmendoren e Hasan Riza Pashës. Sentop në Shkodër vizitoi gjithashtu medreseneë “Haxhi Sheh Shamia” dhe Institutin Yunus Emre.

Vizita e kryeparlamentarit turk në Shqipëri vjen pas hapjes së një kapitulli të ri bashkëpunimi mes dy vendeve, përmes një serë marrëveshjes të nënshkruara , me rëndësi për partneritetin stategjik.

Gramoz Ruçi pret homologun Mustafa Sentop: Mirënjohje e veçantë për ndihmën e Turqisë

 Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Mustafa Sentop. Ai theksoi se kanë përfunduar procedurat për hapjen e konsullatës së Turqisë në Vlorë.

“Marrëdhëniet tona dypalëshe po ecin në një nivel të mrekullueshëm që i shkon për shtat edhe miqësisë sonë historike. Në takimin që pata me zotin kryetar, ne realizuam bashkëbisedime shumë të dobishme. Jam i bindur se zyrtarizmi i këtij partneriteti strategjikë do të çojë në nivele më të larta bashkëpunimet”, tha Sentop.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit u ndal në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe rolin e tyre për stabilitet në rajon.

“Mirënjohje e veçantë për ndihmën e madhe të Turqisë për përballimin e vështirësive të rimëkëmbjes prej pandemisë. Projekti për ndërtimin e një Spitali të ri dhe modern në Fier, në një kohë rekord, brenda 3 muajve, dhe ndihmat e tjera për shëndetësinë, janë forca e shembullit të miqësisë së vërtetë. Shqipëria vlerëson partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira e miqësore me Turqinë. Miku i mirë njihet ditë të vështira. Ky bashkëpunim i jonë provon më së miri këtë kujtesë popullore, përfundoi Ruçi.

Kryeministri Rama takon kryeparlamentarin turk

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti në një takim kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri.

Në takimin i cili u realizua në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe zyrtarë të tjerë nga të dyja vendet.

Presidenti Meta: Paqja dhe siguria, platforma e përbashkët e dy vendeve të NATOS

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim të ngrohtë, Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, Sh.T.Z. Mustafa Sentop dhe delegacionin, që e shoqëron, në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri.Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve tanë dhe pasi nënvizoi rëndësinë e zhvillimit më tej të tyre në të ardhmen, Presidenti Meta theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe rritjes së investimeve turke në Shqipëri.“Përvoja e bashkëpunimit si dy vende aleate në NATO dhe Partneriteti Strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë, mbeten një platformë e rëndësishme e përpjekjeve e përbashkëta për sigurinë dhe paqen”, – pohoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta e falënderoi Kryetarin Sentop për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme të dhënë nga autoritetet turke pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, dhe për angazhimin e Turqisë e Presidentit Erdogan për ndërtimin e 500 apartamenteve të banimit për të prekurit nga tërmeti në zonën e Kurbinit, si dhe për ndërtimin e Spitalit të Fierit.

 Basha takon kreun e Parlamentit të Turqisë: Zgjerim i marrëdhënieve të përbashkëta ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike priti në zyrën e tij Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, Mustafa  Sentop dhe delegacionin, që e shoqëron, në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri.

Përmes rrjeteve sociale ku publikon dhe pamje nga ky takim, Basha thotë se i shprehu kryeparlamentarit turk mirënjohjen ndaj Turqisë dhe Presidentit Erdogan për ndihmën e madhe që i ka dhënë vendit tonë për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmeti dhe përballimin e pandemisë COVID-19.

“Pata kënaqësinë të pres Kryetarin e Parlamentit të Turqisë Mustafa Sentop. Shpreha vullnetin tim për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen midis vendeve tona duke zgjeruar marrëdhëniet ekonomike që do të sjellin zhvillim dhe punësim për qytetarët shqiptarë”, shprehet Basha.

Takimi me gazetarët / Kryeparlamentari turk në Shqipëri: FETO përbën kërcënim për të gjitha vendet ku operon

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në ditën e dytë të vizitës së tij, Şentop e quajti Shqipërinë vend mik dhe vëlla dhe tha se ndihet i lumtur për vizitën, duke theksuar ai ka zhvilluar takime shumë të frytshme me zyrtarët e vendit.

Presidenti i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, i cili gjendet për vizitë në Shqipëri, paralajmëroi se organizata terroriste FETO përbën kërcënim ndaj sigurisë së çdo vendi në të cilin operon, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se marrëdhëniet Turqi-Shqipëri zhvillohen në nivel të mirë në të gjitha aspektet.

“Midis Shqipërisë dhe Turqisë ekzistojnë lidhje historike dhe kulturore. Për më tepër, numri i popullsisë me origjinë shqiptare në Turqi është i përafërt me numrin total të popullsisë shqiptare në Ballkan. Ata përbëjnë një lidhje të fortë dhe urë midis dy vendeve”, shtoi kryeparlamentari turk.

Ai po ashtu tha takimet midis kryeministrit Rama dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në fillim të janarit në Ankara dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë e nënshkruar gjatë kësaj vizite i kanë avancuar marrëdhëniet, tashmë të mira në çdo fushë, në një nivel ndryshe dhe më të lartë.

Şentop deklaroi se gjatë vizitës së tij ka diskutuar edhe lidhjet ndër-parlamentare, konkretisht rritjen e kontakteve midis grupeve të miqësisë dhe komisioneve ekonomike.

Ai shprehu shpresë për rritjen e vëllimit tregtar midis dy vendeve në periudhën në vijim.

“Shpresojmë që brenda disa viteve, pra synojmë, që atë ta dyfishojmë, ta çojmë në mbi 1 miliard dollarë”, tha Şentop

Şentop paralajmëron opionionin shqiptar në lidhje me FETO-n

Kryetari i parlamentit të Turqisë paralajmëroi opinionin shqiptar në lidhje me organizatën terroriste FETO, duke rikujtuar se ky grup qëndron prapa tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit 2016 dhe se për këtë kanë dalë në dritë prova të shumta.

Şentop theksoi se FETO është “organizatë shumë tinëzare që fsheh qëllimet e saj reale dhe aktivitetet reale me maska ​​që duken të pafajshme në shumë vende, të tilla si institucionet arsimore, organizatat mediatike dhe organizatat joqeveritare”.

“Ajo është organizatë që ruan praninë edhe në disa vende jashtë Turqisë. Në mesin e tyre ka persona që janë arratisur nga Turqia në vende të tjera, por edhe persona që kanë vepruar më herët në ato vende. Atyre që ne u themi anëtarë të FETO-s nuk janë vetëm persona që kanë ardhur nga Turqia apo shtetas të Turqisë. Për arsye se kanë vepruar për një kohë të gjatë në vendet ku gjenden, ata kanë fituar edhe shtetas të atyre vendeve, fëmijët e tyre, i kanë shndërruar në punonjës të organizatës. Prandaj, ata nuk duhet shikuar si 10, 20 apo 100 persona të ardhur nga Turqia, por duhet menduar edhe disa anëtarë që janë shtetas të atyre vendeve të cilët janë janë trajnuar nga ta (FETO)”, tha Şentop.

“Kjo organizatë përbënte kërcënim dhe rrezik sigurie për Turqinë. Turqia e evitoi këtë. Por unë dua të them se kjo organizatë përbën kërcënim sigurie edhe për vendet ku vepron. Ne i paralajmërojmë të gjitha vendet mike dhe vëllazërore për këtë çështje”, shtoi ai.

Në mes tjerash, kryeparlamentari turk foli edhe mbi spitalin që po ndërtohet nga Turqia në qytetin e Fierit, duke thënë se ky spital do të përfundojë dhe do të fillojë punën në një kohë të shkurtër.

Şentop u shpreh se krahas aktiviteteve, ai do të shërbej edhe për shkëmbim njohurish dhe përvojash midis dy vendeve.

Ai po ashtu tha se gjatë pandemisë Turqia ka ndihmuar Shqipërinë me pajisje shëndetësore dhe ka qëndruar pranë popullit shqiptar në çdo situatë nevoje.

Kryeparlamentari turk Mustafa Sentop flet për gazetën “Telegraf”

I pyetur nga gazetarja Biora Vojka në lidhje me Bursat e Turqisë, se a janë planifikuar zgjerim të numrit të tyre për studentët shqiptarë, Şentop tha se Turqia, me institucione të ndryshme, tashmë 30 vjet u ofron bursa shumë të rinjve në Shqipëri dhe se do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën.Ai theksoi rëndësinë që të rinjtë e arsimuar të kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të tyre.

Duke theksuar se Turqia është vendi me investimet më të mëdha në Shqipëri, Şentop u shpreh se investimet turke në vend janë mbi 3,5 miliardë dollarë.

“Mbi 600 firma turke”, tha ai, veprojnë në Shqipëri, duke ofruar vende pune për mbi 15 mijë shtetas shqiptarë.

“A mund të bëhet më shumë? Pa dyshim që po. Duhet hedhur disa hapa tërheqës për investitorët në mënyrë që të vijnë më shumë investime nga Turqia dhe të zgjidhen problemet me të cilat përballen investitorët”, deklaroi kryetari i parlamentit turk, Mustafa Şentop.

Në lidhje me çështjen e njohjes së Kosovës nga vende të tjera, të cilat nuk e kanë afirmuar ende dhe cili do të jetë roli e Turqisë për të ndihmuar  në lobimin e njohjes, Mustafa Sentop, la të nënkuptohej se do të diskutohej në një të ardhme të afërt me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.