Kozma Gjini: Hyskë Borobojka symbol i humorit shqiptar

1012
Sigal

Hyskë Borobojka, një rast unikal i humorit shqiptar

 

Nga Kozma GJINI

 

“Alo!”
“Urdhëro!”
“Kush jeni?”

“Revista “Hosteni”

“Kryeministri jam unë. Shiko! Janë të vërteta ato që shkruani në revistë për Peshkopinë?”

“Po,- iu përgjigja.- I kemi verifikuar”.

“Mirë! Unë do të dërgoj atje kontrollin e shtetit…dhe, në qoftëse problemet nuk janë ashtu siç shkruani ju, gjeni vrimë ku të futeni!”

…Gjersa vajti dhe u kthye kontrolli, redaksia me Niko Nikollën në krye ishin në ankth. Në fakt, kontrolli i shtetit nuk gjeti vetëm të metat që kishte kritikuar “Hosteni”, (autor,vet Hyskë Borobojka), por dhe të tjera, kështu që u morën masa ligjore dhe administrative për personat përgjegjës. Në diktaturë, revista “Hosteni”, e betonuar me ajkën e shkrimtarisë së vendit si “Agolli”, “Buxheli”, “Musaraj” “Marko”, “Godo”, “Bubani”, “Aliaj”…e deri te më të rinjtë si: “Kurtiqi, “Çakuli”… etj, ishte një letrare “oponencë” kruarjeje e kurrizit të burokracisë dhe të metave të shoqërisë, aq sa të mos “gjakosej” lëkura e shtetit. Këtu pati fatin të punonte për 20 vjet edhe Hyskë Borobojka, i cili ende pa u emëruar redaktor (1971), kishte botuar me dhjetra shkrime, tregime, fejtone e publicistikë kritike, saqë mori mbi shpinë edhe rriskun e “kritizerit”…prandaj e degdisën larg vendbanimit, madje i hoqën edhe të drejtën e botimit. Nëse Hyskë Borobojka e kapërceu pragun e rrezikut të derës së burgut, ishte zotësia, talenti për humor, etika profesionale, vërtetësia, ndershmëria dhe çiltërsia tematike duke mos pasur asgjë personale me askënd që bëhëj objekt i kritikës, duke luftuar të metën, pa shpërdoruar njeriun.

“Humorin dhe satirën e fillova që kur isha në shkollën e mesme në Gjirokastër, tregon Hyskë Borobojka. Në klasën e dytë të kësaj shkolle botova shkrimin e parë në revistën “Hosteni” me titull: “Në Gjirokastër ngjet mënxyrë” për shpërdorimet në kooperativën e Artizanatit. Në shkollën e mesme “Asim Zeneli” ne kishim një rreth letrar nga më të mirët në shkallë vendi. Që këtu dolën shkrimtarët e dëgjuar: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Agim Shehu, Bardhyl Xhama, Bekim Harxhi etj”.

Shkrimtari ka botuar mjaft vepra nga të cilat:

“Adashi im i bie borisë”, “Për një firmë”, “Qilimi me rrota”,“Ndize një herë”, “Rrëfimet e një humoristi”.“Tre qeshin, një inatoset”.“Ti je i vogël, e dinë të mëdhenjtë”, “100 ditë në Tiranë”,“Malli më ka marrë” etj. Pena e Hyskë Borobojkës është shumë e dashur për lexuesin, sepse ka art, fabul interesante, jetësore, të qendisur me një stil origjinal që edhe pa firmë po të jetë krijimi, emërtohet autorësia. Ai e organizon në mënyrë të shkëlqyer lëndën letrare, me dialog e batuta të befta, me personazhe tipike, me kolorit frazeologjik popullor që na sjell gazmend dhe shpesh në vetën e parë ku bëhet vet protagonist i narracionit. Temat dhe subjektet e tregimeve të H.Borobojkës të mbajnë peng, shtjellohen aq rrjedhshëm dhe bindshëm sa të duket se bëhemi pjesë e lojës së personazheve. Jehonë të paparë bëri tregimi i Borobojkës “Adashi im i bie borisë”, i cili në fillim u botua në revistën “Ylli” më 1962, ku ishte kryeredaktor Qamil Buxheli.”Ai që e quajti veten sikur kisha shkruar për të, u ankua në redaksi, por kryeredaktori e “bindi”… tjetrin se tregimi “nuk bënte fjalë për të.”. Hyska ishte gazetar i ri, i guximshëm dhe i prerë për drejtësi. Emri letrar i shkrimtarit Gaqo Veshi, (Hyskë Borobojka), do të merrte famë, kur ai do të shkëmbente korrespondenca të njëasnjëshme me shkrimtarin popullor, Dritero Agolli (Bamkë Çomanga). Këto krjime, letërkëmbime mes dy shkrimtarëve, Hyskë Borobojka i ka mbledhur në vëllimin “Tre qeshin, një inatoset”, që ia dhuroi Sadies para lamtumirës. Hyskë Borobojka ka shkëlqyer si shkrimtar humorist e fejtonist, prandaj është një rast unikal në shkallë vendi. Është kjo arsyeja që tregimet e tij mbeten kurdoherë kripa dhe piperi i shijes artistike. Nuk ishte e lehtë të shkruaje kritikë në atë kohë. Hyskë Borobojka luan me detajet dhe na e sjell këndshëm humorin. Kështu, te tregimi “Armiku”, ai thotë se Karafil Dograja kishte ndjenjur i shtruar në shtrat një muaj të tërë, nga një plumb që kishte marrë në çapokun e djathtë. Autori e përshkruan bindshëm mjedisin e fshatit dhe ia sjell lexuesit atë peizazh natyror me: dhentë e dhitë, të lehurat e qenëve, delet e deshtë me këmborë, zgjimi me këngën e gjelave…Shkrehja e armës, është përdorur si urë lidhëse e takimit të pritshëm mes dy miqve, që tjetri të mendohej mirë, se po vinin miq e duhet të gatitej, siç pritet ardhja e nuses me tre të shtime në ajër. Hyska përdor me masë pasurinë folklorike popullore: “Ha, o gojë, pi o gojë”, “Të kam gjetur, më ke gjetur,”Mbush e zbraz, o gurmaz”, “Si cjapi te kasapi”,”Erdhi për lesh e doli i qethur”, ”E ka shpirtin katran si qymyri”, ”Si e ëma e Zeqos majë thanës”, ”Ia vuri kufirin te thana”, “Kishte ngrënë një thes me kripë”, ”Kur bën dasmë fukarai, griset daullja”, “E bëri për qepë e kripë”, etj. Befasia dhe mbyllja e tregimit është një tjetër tipar dallues i fabulës së tij. Lexuesi e merr vesh në rreshtat e fundit “sekretin” e kontradiktës së ngjarjes dhe kjo të bën ta shoqërosh me buzëqeshje.

“Dy shokët e luftës, një ditë shkojnë te miku i tyre Xhipe Dingo. Në muhabet e sipër do të ngrenë një dolli për Xhipen. Por Xhipja ua lë rakinë në buzë me batutën e tij.”Jo, thotë ai. Mos e pini se unë jam armik” Si mund të ishte armik, shoku që kishin luftuar bashkë?

S’vunë gjumë në sy natën dy shokët. Të nesërmen kërkojnë sqarim në pushtetin vendor dhe konfirmuan qëndrimin e njëjtë. Alushi hidhet përpjetë: “Luaj vendit, o shoku Mero! Xhipja s’mund të bëhet armik!”

Kur shokët u takuan sërish disa ditë më vonë në Tiranë, i thanë Xhipes:

-Si na e punove ashtu që na the se ishe armik?

-Po, vërtet armik jam!- i tha Xhipja.

-Po ne u sqaruam në…

-Dëgjo or mik,-foli duke tundur kokën Xhipja. -Unë nuk erdha në Tiranë… as për drekë e as për darkë, se kam djalin këtu, por trokita në derën tënde, kurse jot shoqe më tha se ti kishe ikur në pazar.

-Mirë të ka thënë, se vërtet në pazar kam qënë atë ditë, tha tjetri.

-Po unë të pashë që ishe në ballkon, -ia qepi gojën Xhipja. Vetëm armikut i mbyllet dera, or mik!”

Fabula me një mbyllje groteske është në stilin e autorit për të përcjellë një mesazh dhe që ngulitet në kujtesë. Kështu, te “Lopa e priftit të Marjanit”, kur fshatari i bleu lopën me kaull priftit, zbulohet mesazhi: “Dëgjo,or mik: Unë të shita lopën, po malin e Marjanit e mbajta për vete”. Po kështu, mjaft kuptimplotë është mesazhi i Manushaqes: “Mos e lër Manushaqen të digjet!”

…Sot, pranë të 89 viteve, kujtesa e Hyskë Borobojkës të habit. Me qindra vargje nga letërsia shqipe dhe e huaj ai i reciton me pathos rinor. Është një shkrimtar me individualitet e stil të strukturuar prej vitesh. Nuk ishte rastësi që në vitet 2004-2008 ai ishte korrespondent i “Gazetës së Athinës” për Tiranë dhe përgatiste faqen me humor e satirë nga bëmat në kryeqytet. Shkrimet i ka mbledhur në librin “100 ditë në Tiranë”. Karakteristikë e krijimtarisë së Hyskës është “fushbeteja” e zhvillimit të ngjarjes, gjë që tregon se ai nuk ka lënë cep të Shqipërisë pa shkelur. Hyskë Borobojka është autor i sa e sa tregimeve në gazetën “Telegraf” dhe jo vetëm, duke thumbuar me satirën e tij të hollë politikanët, të paudhët, burokratët, hileqarët, mendjemëdhenjtë, servilizmin, parazitizmin, grafomanët, bukëshkalët, egoizmin… Krahasimet e tij në mënyrë të vetvetishme të zbërthejnë buzëgazin: “Çibuku me bishtin përpjetë si kundrajror”, “Duart e gjata si tapanxhë”, “Gotat e rakisë rrokulliseshin njëra pas tjetrës në gurmazin e ndezur të Merkës, si zajet në lumin e rrëmbyer të Çermenikës”… Pa dyshim, rrëfimet e autorit ngërthejnë mjedise e situata në dy epoka dhe kanë karakter historik. Krijimtaria e tij artistike është vlerësuar me çmime letrare. Ai mban mjaft medalje dhe është dekoruar me Urdhërin e punës të klasit parë e të dytë’etj. “Humori ka forma të ndryshme, herë duke u mbështetur te batuta e zgjuar, siç vepronte Qamil Buxheli, apo Hasheku e Servantesi, herë te situata komike, si në shkrimet e Naum Priftit, Pëllumb Kullës, Miço Kallamatës etj, ose luan me të papriturën në fund si te: Hazis Nesini, Çehovi, O’Henri etj. Humori është konçiz, nuk pranon zgjatje e tjerrje fjalë, kaba e badiava…, më thoshte këto ditë Hyskë Borobojka”. E kam njohur Hyskë Borobojkën që në vitin 1974. Nuk e mendoja se një ditë do ta kisha të dërguarin e redaksisë, për verifikimin e një fejtoni që i kisha dërguar Hostenit për një problem të theksuar shoqëror. Ai erdhi në Këmishtaj me Niko Nikollën, kryeredaktor, Dionis Bubanin dhe Zef Bumçin. Kur zbritën të tre nga makina në rrugë dhe hynë në portën e shkollës, ne, mësuesit i morëm për ndonjë kontroll, ekip të ministrisë së Arsimit dhe u futën të mbanim qetësi nëpër klasa. Nga biseda me shkrimtarët e “Hostenit”, mora mbështetje për trajtimin e fejtonit. Nga ajo kohë unë do të isha korrespondent i revistës “Hosteni”. Hyska do të më jepte “leksionet” e para të humorit me këshillat dhe etikën që e karakterizonte dhe unë e falenderoj. Jam i lumtur që vitet e fundit ai më ka lejuar t’i drejtohem me emrin letrar “Hyskë Borobojka” në tregimet e mia dhe po kështu ai më është drejtuar në përgjigjet e tij me emrin “Kozma Myzeqari”.

Është një rast unikal në shkallë vendi, që një shkrimtar si ai, emri letrar të eklipsojë emrin e vërtetë, sa që shumë njerez e njohin dhe thërrasin: Hyskë Borobojka. Humoristë të tillë me një kolorit të ngjizur folklorik numërohen me gishat e dorës, dhe në këtë kuptim, ai është një ndër të papërsëritshmit yje të humorit shqiptar…