Kosova, kryediplomati Borello dhe Presidenca çeke

90
Sigal

Dështimi i një ditë më parë  i bisedimeve Kosovë-Serbi nën kujdestarinë e ‘mikut’ të serbëve Josep Borrell, nuk është një rastësi, apo një diçka e papritur për qeverinë e Kosovës dhe Kombin Shqiptar. Spanja nuk e pranon njohjen e Kosovës dhe emërimin e spanjollit Borrell si shef i politikës së jashtme. Më 2020 ishte paralajmëruar nga ish-Drejtori i VOA-s për Euro-Azinë Frank Shkreli, analist për çështjet e euro-azisë dhe sidomos Ballkanit, si një diçka e keqe që do e ndiqte Kosovën gjatë gjithë kohës që Borrell do të ishte në këtë detyrë. Kjo edhe për shkak të miqësisë me Serbinë dhe Vuçiç. Por edhe Presidenca Çeke në këtë 6 mujor me njëanshmërinë në bllokimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, aq më tepër kur sot Çekia merr vendime edhe për katër presidenca, që do e pasojnë deri në janarin e 2024, është jo e rastësishme. Kjo ka të bëjë me faktin se Presidenti i Çekisë Milosh Zeman, gjatë vizitës së tij në Serbi në shtator 2019, deklaroi hapur se e dua Serbinë, por jo Kosovën dhe shqiptarët. Pikërisht për të dyja këto raste analisti dhe ish-Drejtori i VOA-s për Euro-Azinë Frank Shkreli kishte paralajmëruar në Telegraf.al, se situata në Kosovë do të ndiqte të njëjtën rrjedhë në të cilën ndodhet sot qeveria e Prishtinës, dhe, se vetëm mbështetja e SHBA-ve është dhe do të mbetet e përjetëshme për shqiptarët, të cilët u janë mirënjohës SHBA-ve që nga koha e Shpalljes së Pavarsisë dhe deri më sot kur po mbushen 110 vite Pavarësi Kombëtare. Për lexuesit po ribotojmë të plota të dy shkrimet e përgatitura më 2019-ën dhe 2020-ën.

Ëngjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”

Kush është Josep Borrell  për shqiptarët? (Shkurt 2020)

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Shefi i ri i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, vizitoi ditët e fundit, Prishtinën dhe Beogradin, për herë të parë në detyrën e tij si kryediplomati i BE. Në këtë kapacitet, natyrisht, se ai do të merret me bisedimet, ose me të ashtuquajturin, “dialog” midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.  Emërimi i tij nuk ishte aspak një lajm i mirë për Republikën e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Në të vërtetë, Josep Borrell mund të jetë njeriu më i pa-përshtatëshëm në Evropë – pas presidentit të Republikës Çeke, Milosh Zeman – për të ndërmjetësuar cilën do gjë qoftë midis Prishtinës dhe Beogradit.

https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nje-ze-nazi-fashist-e-anti-shqiptar-nga-qendra-e-evropes/

Me thënë të drejtën, më duket pak e çuditshme se si Parlamenti Evropian ka zgjedhur një person që është shprehur haptazi kundër pavarësisë së Kosovës dhe vjen nga një vend si Spanja e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, megjithëse shumica e vendeve të BE-së kanë bërë një gjë të tillë.  Duke e ditur se si i tillë, në detyrën e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrel do të ishte përgjegjës edhe për polititkën evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshir Kosovën dhe Shqipërinë, e sidomos si përgjegjës kryesor për politikën dhe për bisedimet e udhëhequra nga Brukseli midis Serbisë dhe Kosovës, e që synojnë në “normalizimin” e marrëdhënieve midis tyre.Pra, aktualisht, kemi Shefin e ri të diplomacisë evropiane, në personin e Z. Josep Borrell, i cili personalisht është kundër pavarësisë së Kosovës, vjen nga një vend anëtare e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për të ndërmjetësuar bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, e cila jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, por që e konsideron si pjesë të pandarë të saj.  A mund më thotë dikush, më i mençur se unë, se si do të zhvillohen bisedimet për normalizim midis Serbisë dhe Kosovës gjatë mandatit 5-vjeçar. Zotëri Josep Borrell, me besueshmërinë më minimale të nevojshme, sidomos nga Prishtina zyrtare?

Në “Curriculum vitae”, prej 17-faqesh, që i ka dorëzuar parlamentit evropian, para se të emërohej në detyrën e kryediplomatit të BE-së, Z. Borrell, shprehet se, “Jam dëshmitar okular i nevojës për të pasur një Evropë më të fortë, një Evropë e cila mbron vlerat evropiane anë e mbanë botës, përballë kërcënimeve që prekin të gjithë evropianët”, është shprehur ai.Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Z. Borrell, kryesisht, fjalët i kishte të mira, ose të pakën, indiferente dhe nuk u shpreh haptas kundër pavarësisë së Kosovës, duke thënë se, “Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehu gatishmërinë që të lehtësojë çdo dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë”.  Unë nuk e dijë se si do të lehtësojë dialogun, në mënyrë të besueshme një person i cili  në të kaluarën ka mbajtur një qëndrim të njohur kundër pavarësisë së Kosovës, një person i cili vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për të ndërmjetësuar midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila jo vetëm që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, por pretendon se Kosova është Serbi?!  Duket se Parlamenti Evropian nuk i ka llogaritur punët mirë kur zgjodhi Z. Borell si Shef të diplomacisë evropiane, duke i njohur mirë qendërimet e tija ndaj pavarësisë së Kosovës – që nuk përputhen me shumicën e vendeve të BE-së por edhe duke ditur se marrëdhëniet Serbi- Kosovë janë gjithnjë ndër çështjet kryesore në Evropë, në mos çështja numër një e pazgjidhur.

Për rolin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe në rajon.  Megjithëse në takimin me Presidentin e Kosovës, Z. Thaçi, Z. Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk është në garë me Shtetet e Bashkuara – duke përmendur takimet e fundit në Prishtinë dhe Beograd të ambasadorit amerikan në Berlin, Z Richard Grenell, si përfaqësues presidencial për bisedimet Kosovë-Serbi.  Por nga ana tjetër, ai nuk u durua pa kritikuar, ndoshta edhe duke u tallur, në mënyrë të tërthortë gjatë takimit me Z. Thaçi në Prishtinë, me “planet e shumta” dhe “për çdo gjë”, siç i cilësoi ai, të amerikanëve, anë e mbanë botës” nga Lindja e Mesme e deri tek Kosova, sipas tij.  “E rëndësishme është që të mos ketë plan, por të përfshihemi sinqerisht me palët sepse aq sa e di unë, amerikanët nuk kanë shpenzuar asnjë euro në Kosovë ndërsa ne kemi shpenzuar më shumë se një miliardë euro në vitet e fundit dhe në kuadrin e investimeve në infrastrukturë ne jemi duke investuar 150 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën”.Në rregull i nderuar kryediplomati evropian, por ju vizituat Prishtinën dhe Beogradin ditët e fundit, jo për të parë se kush ka investuar më shumë në Kosovë, sepse kjo nuk është një çështje që kërkon zgjidhje urgjente, por për të ndërmjetësuar dialogun politik Serbi-Kosovë, që të dy vendet të shkojnë drejtë një njohjeje të përbashkët diplomatike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.  Ky është problemi dhe jo sasia e investimeve, për të cilat, jam i sigurt se Kosova është shumë mirënjohëse. Por, angazhimi diplomatik i amerikanëve, kohët e fundit, ka të bëjë, pikërisht me këtë pikë, me përparimin drejtë njohjes së dyanshme — e jo me faktin se kush ka investuar më shumë në Kosovë, megjithëse edhe pretendimet e Z. Borell për investimet evropiane, janë një çështje debati, besoj unë.  Jam i bindur gjithashtu se as amerikanët, nuk janë në ndonjë garë me Bashkimin Evropian përsa i përket Kosovës, por janë të vetëdijshëm se për pothuaj për 11 vjet tani, që Bashkimi Evropian ka kryesuar dhe ndërmjetësuar, ose “lehtësuar” bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, mund të thuhet se asnjë përparim me rëndësi nuk është arritur në këtë drejtim.  Përkundrazi, palët duket se janë më larg se kurrë më parë prej njëra tjetrës, kjo ndoshta edhe falë ngërçit politik në Kosovë dhe mosmarrëveshjeve skandaloze midis Tiranës e Prishtinës zyrtare, por edhe influencave të huaja, jashtë rajonit, siç janë politikat ruse dhe turke.  Madje Turqia ka investuar shumë më shumë në Serbi se sa në Kosovë, por megjithatë, Serbia nuk po e shikon me sy të mirë Kosovën, as nuk po ndryshon asnjë qëndrim ndaj saj, megjithëse Presidenti turk, Z. Erdogan ka deklaruar vite më parë se, “Kosova është Turqi”.  Ndoshta kështu i intereson Beogradit. Gjithkush e di, i nderuar Z. Borrell se pa Shtetet e Bashkuara asgjë nuk ndodh as në Kosovë dhe madje as në Evropë.  Madje, pa Shtetet e Bashkuara nuk besoj që as sot Kosova do të ishte e pavarur.  Por ka qenë Presidenti Xhorxh Bush i riu, i cili i lodhur duke pritur Evropën e vjetër për të marrë një vendim në lidhje me pavarësinë e Kosovës, i cili ka deklaruar, më në fund, në Tiranë në vitin 2007 se “mjaft, është mjaft, Kosova është e pavarur”.

E njëjta gjë po përsëritet edhe sot, 13 vjet pas kësaj deklarate nga ish-udhëheqsi amerikan,  në lidhje me bisedimet Beograd-Prishtinë, për njohje të ndërsjelltë diplomatike. Për 11-vjet, Bashkimi Evropian ndërmjetësoi “lehtësimin” e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe rezulatet dihen.  Edhe nëqoftëse është nënshkruar ndonjë marrëveshje, asnjë prej tyre nuk është zbatuar nga Beogradi.  Përkundrazi!

Fakti se parlamenti evropian ka emëruar si Shef të Politikës së Jashtme evropiane, Z.Josep Borrell, kam drojë se është një shenjë e keqe se parlamentarët evropianë nuk janë seriozë aq sa duhet për “lehtësimin” e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit, megjithëse vet Z. Borrell deklaroi në Prishtinë ditët e fundit se, “synimi dhe përkushtimi i tij mbetet lehtësimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

Por për të dalur me sukses në bisedime të tilla, duhet të jetë një ndërmjetës i paanshëm, me një besueshmëri të lartë dhe të pa cënueshme, i konsideruar si i tillë nga të dy palët.  Për ndryshe është kot.  Ju Z. Borrell duhet ta dini edhe vet se, fatkeqësisht, nuk jeni njeriu i përshtatëshëm për një rol të tillë.  Është më mirë të tërhiqeni që në fillim nga roli për të ndërmjetësuar “lehtësimin” e dialogut Serbi-Kosovë dhe të emëroni një përfaqësues të posaçëm të BE-së për bisedimet Prishtinë-Beograd, i cili të bashkrendonte ngusht veprimtaritë evropiane me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dialogun Serbi-Kosovë.  Nga perfomanca që pashë gjatë vizitës tuaj në Prishtinë, emërimi i një të deleguari të posaçëm evropian për këtë mision të rëndësishëm– jo vetëm për marrëdhëniet midis dy shteteve të pavarura Kosovë e Serbi, por edhe për paqën në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën një gjë e tillë të bëhet sa më parë, aq më mirë!

Një zë nazi-fashist e anti-shqiptar nga qendra e Evropës (Shtator 2019)

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Media të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare njoftojnë se në Beograd arriti për një vizitë dy-ditëshe, presidenti i Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, ku u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pa zbritur ende në tokën serbe, udhëheqësi çek nuk mund të priste që të shprehte dashurinë e tij për Serbinë dhe urrejtjen shekullore fashiste të disa elementëve evropianë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke u shprehur se atij i pëlqente shumë Serbia dhe nuk i pëlqente aspak Kosova. (Unë besoj se përkthimi i vërtetë i deklaratës së tij duhet të ishte: “Unë dashuroj pa masë Serbinë dhe popullin serb, por urrej për vdekje Kosovën”) Këto komente kundër Kosovës dhe shqiptarëve, pasi në Kosovë shumica është shqiptare, Zemani i përforcoi pak më vonë gjatë një takimi me Vuçiçin, me një deklaratë tjetër kundër pavarësisë së Kosovës duke shtuar se me të kthyer në Pragë, ai do të japë urdhër që për një muaj të shqyrtohet mundësia, se çfarë mund të bëhet në lidhje me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Republika Çeke. Deklarata e Zemanit, pra nuk ishte një “gafë diplomatike” për të cilën ai njihet mirë në vendin e tij dhe në qarqet ndërkombëtare, por është një shprehje e menduar mirë dhe me paramendim, prej tij.

Fjalët e Zemanit duhet të kenë tingëlluar si një muzikë e preferuar dhe e këndshme në veshët e Vuçiçit dhe të ish-bashkëpunëtorëve të tjerë të kriminelit të luftës në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, Millosheviçit – nëpër korridoret e diplomacisë serbe, ku si gjithmonë, ashtu edhe sot, përpilohen politikat serbe më anti-shqiptare në takime me përfaqësues evropianë e rusë, të tipit Zeman. Mirë e ka thënë dikur At Gjergj Fishta i ngratë, për të cilin fatkeqësisht, urrejtja komuniste ndaj tij vazhdon ende në trojet shqiptare, trashëgimi kjo e pashlyer e historisë komuniste të Enver Hoxhës. Ai nuk gëzon as sot respektin e merituar të Tiranës dhe as të Prishtinën zyrtare, e jo më të Beogradit dhe të përfaqësuesve të Evropës dhe këlyshëve të Rusisë, si Aleksandër Vuçiç dhe Millosh Zeman. Ashtu si në kohën kur i ka shkruar këto rreshta At Gjergj Fishta, disa elementë të politikës evropiane edhe sot mbrojnë gjithnjë interesat e ‘klyshëve të Rusisë’, në kurriz të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da tokën e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Fatbardhësisht, me gjithë zhurmën që shkaktoi deklarata që bëri në Beograd presidenti çek, Zemani dhe Vuçiçi nuk kanë kompetenca që të tërheqin njohjen zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Çekisë. Janë ente të tjera qeveritare në Pragë që vendosin një gjë të tillë, gjë nuk pritet të ndodhë, pasi kam besimin se në Pragë ka ende njerëz që janë të influencuar nga politikat pro-shqiptare euro-atlantike, të dy ish-udhëheqësve çekë të njohur, pro-shqiptarë: ish-Presidentit Vaclav Havel, simbolit të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë dhe ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeline Albright, mbështetëses së fortë të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve. Kontributet e tyre në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, janë të njohura, tanimë. Në raste të tilla, si kjo deklarata e Zemanit kundër Kosovës, duhet të na kujtojë se edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe 20-vjet nga ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga forcat kriminele serbe – ekziston nevoja për të kujtuar kontributin e miqve tanë me origjinë çeke: Vaclav Havel dhe Madeline Albright. Deklarata e papërgjegjshme e presidentit Zeman në Beograd na tregon edhe njëherë, se bota nuk është kurrë e sigurt, se të drejtat dhe liritë njerëzore janë gjithmonë në rrezik nga individë në detyra të larta si Zeman e Vuçiç.

Mendojmë se mori fund komunizmi, mori fund lufta në Kosovë e tani jemi në rregull. Asgjë nuk është e garantuar në këtë botë. Por ajo që mund të bëjnë shqiptarët në trojet e veta, është që të zgjedhin personat që do të mbrojnë, mbi të gjitha, interesat kombëtare, liritë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, brenda kufijve të dy shteteve shqiptare dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në përgjithësi, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike në vend, në rrugën eventuale drejt integrimeve të plota euro-atlantike. Tjetër rrugë nuk ka për shqiptarët!

Si reagim i menjëhershëm ndaj deklaratave të Zemanit në Beograd, u takon enteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që të bashkërendojnë një përgjigje të fortë diplomatike ndaj këtyre deklaratave të pa përgjegjshme të Presidentit të Republikës së Çekisë gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd. Si fillim, Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Pragë të kërkojnë takime në Ministrinë e Jashtme të Çekisë për shpjegime në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme të udhëheqësit çek në Serbi. Të njëjtën, të bëjnë ministritë e jashtme në Prishtinë e Tiranë, të ftojnë ambasadorët çekë atje dhe t’u paraqesin protestën zyrtare të qeverive shqiptare. Mos kini frikë! Çonju prej gjumi dhe mbroni interesat kombëtare! Eh, në duar të kujt ka mbetur fati i Kombit!

Ish-Presidenti Vaclav Havel, ndryshe nga Millosh Zemani i sotëm, ishte i mirëinformuar për vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekujve, përfshirë periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai ishte gjithashtu edhe një zë i shpresës për njerëzit e shtypur kudo, i cili aktivisht ka kritikuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ndryshe nga zemanët e kësaj bote, ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të Serbisë për çlirimin e Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojtur qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

Unë për veten, preferoj të kujtoj trashëgiminë dhe miqësinë e politikës zyrtare çeke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të promovuar nga i ndjeri Vaclav Havel dhe jo qëndrimet aktuale të Millosh Zemanit, në mbështetje të kriminelëve të luftës në Kosovë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të shërbejnë në detyra të larta të shtetit dhe të qeverisë serbe, disa prej të cilëve ishin bashkëbisedues me presidentin Zeman, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Pa marrë parasysh se ç’thonë dhe ç’mendojnë Vuçiçi dhe Zemani për pavarësinë e Kosovës, si pasojë e kësaj pavarësie, gjendja sot në Ballkanin Perëndimor është shumë më e mirë dhe më e sigurt për paqen në Ballkanin Perëndimor, se ç’ishte 20-30 vite më parë. Por kjo situatë nuk ndodhi vetvetiu. Ajo është zhvilluar falë – ndër të tjera – kontributit të patriotit të madh të Republikës Çeke, Vaclav Havelit, i cili me zërin e tij moral, gjithë jetën kundërshtoi dhe luftoi diktaturën komuniste në vendin e tij dhe në mbarë botën, si dhe padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut kudo që ndodhnin ato. Është trashëgimia morale dhe veprimtaria e Çekut të Madh, Vaclav Havelit, që sipas Madeline Albright, “Ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqësin e duhur me parime morale”.

 

Fatkeqësisht, në takimet e tij këto ditë me zyrtarët serbë në Beograd, presidenti aktual i Çekisë, Millosh Zeman me deklaratat e tija raciste anti-shqiptare dhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndryshe nga Vaclav Havel, tregoi edhe njëherë (kjo nuk është hera e parë që ai shprehet në këtë mënyrë), se ai nuk ka asnjë parim moral, as si njeri, e si presidenti Çekisë, jo se jo!