Këngë me Superpozim dhe pa tekst- Muzika unë, teskti unë, këndoj unë, kritika s’ka

537

Fillimet e demokracisë sollën një vërshim të paparë këngëtarësh ku filluan lloj-lloj rrymash të panjohura muzike dhe u shtuan në progresion gjeometrik numri i këngëtarëve anonimë

Gjithkush që kishte një dorë lekwsh, dhe pak zë që të dëgjohej deri tek shkallët e pallatit, mori në dorë mikrofonin dhe  bëri album

– Kur këndohet  me superpozim, apo “playback” është njëlloj sikur të marrësh në treg djathin me qumësht pluhur të servirur për djathë safi Gjirokastre

– Në gjithë vitet e demokracisë duhet thënë me keqardhje se autorët e teksteve thuajse nuk përmenden fare.

– Poetët lihen në hije si jabanxhinj, si njerëz që janë në radhë për të prerë biletë dhe jo që janë zjarri i suksesit

– Kur lind një këngë dy janë bashkëshortët, kompozitori dhe autori i tekstit

Albert Z. ZHOLI

Sipas trumbetimeve të vetë këngëtarëve duket se kënga shqiptare po kap majat, por në fakt  muzika shqiptare është në krizë. Fillimet e demokracisë sollën një vërshim të paparë këngëtarësh ku s’u dihej fillimi dhe sot s’ka se si të dihet fundi. Filluan lloj- lloj rrymash të panjohura muzike (këngësh) që më parë nuk ekzistonin (dhe shumë mirë që dolën në dritë), por u shtuan në progresion gjeometrik numri i këngëtarëve anonimw! Perfeksionimi i metodave të orkestrimit dhe përmirësimit të zërit në regjistrim, bënë që edhe gjithkush që kishte një dorë lek, dhe pak zë që të dëgjohej deri tek shkallët e pallatit, të merrte në dorë mikrofonin dhe  të drejtohej në shtëpitë diskografike duke dhënë urdhër: Dua të bëj një Album (klip). Tregu u mbush me kaseta, disqe apo dhe videoklipe nga më të paparat dhe më të padëgjuarat, saqë për një dhjetëvjeçar, Shqipëria u rendit ndër vendet e para në Europë për numrin e këngëtarëve, por edhe të disqeve në treg. Edhe dëgjuesi, njeriu,  klienti i dëshiruar pas muzikës së mirëfilltë shqiptare e humbi orientimin në këtë zallamahi të panumërt këngëtarësh dhe disqesh sa dukej se ishe në tregun amerikan të muzikës dhe jo në Shqipërinë me banorë sa një lagje e New York-ut. Për mëse një dekadë këngët me muzikë shqiptare u strukën nga “frika” e tallavasë, apo muzikës së huaj të adoptuar me tekste shqip. Dëgjoje dhe dëgjon këngë me muzikë greke, rumune, italiane, por me tekste shqip! Por mbingopja e tregut, lufta e  heshtur mes shtëpive diskografike për mbisundim duke luajtur në kurriz të muzikës shqiptare duket se tejkaloi parashikimet e tyre, por sidomos të dëgjuesit, pasi më nuk mund të luhej me kartën e viteve të para të demokracisë, ku etja për çdo gjë të huaj kishte pushtuar çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Koha bëri të vetën. Muzika shqiptare duhej të kthehej në shtëpinë e saj. Dhe vërtet pesë vitet e fundit në shumë lokale, dasma, evente muzikore, koncerte etj…dëgjohet muzikë shqiptare dhe vetëm shqiptare. Veshët na u rehatuan, muzika jonë popullore sikur u kthye nga mërgimi, kthesa në muzikë në emër të muzikës autoktone mori vendin që i takon…

Superpozim, apo “playback”. ..

Një fenomen po aq i shëmtuar sa dhe plagjiatura e huaj, një fenomen që po humb ndjesinë, kontaktin e drejtpërdrejtw, seriozitetin, konkurrencën e drejtpërdrejtë, që s’dallon profesionistin nga amatorin, që të lë pa mend nga gafat në skenë apo në emisione…Pra lindën fenomene të tjera si:  superpozim, apo “playback”. Në “Kënga Magjike” apo në “TopFest”, për ca kohë mbizotëruan këto lloj instrumenta të regjistrimit apo të paraqitjes së këngës, ku këngëtari në skenë ngjan më shumë si një “Klloun cirku” se sa si një këngëtar. Kjo mënyrë konkurrimi në spektakle të tilla ka humbur vërtetësinë e zërit, ka humbur zërin e drejtpërdrejt, ka humbur komunikimin real me publikun, ka humbur ndjesinë e vërtetë që të jep kënga, emocionin me ngjyrën e ëmbël të muzikës shqiptare. Pra kur dëgjon apo merr pjesë në evente të tilla ku këndohet  me superpozim, apo “playback” është njëlloj sikur të marrësh në treg djathin me qumësht pluhur të servirur për djathë safi Gjirokastre, apo domaten e serave, për domate të fushës. Këtu krahasimet mund të bëhen pafund. Pra këto lloj aktivitetesh të rëndësishme të muzikës shqiptare, përveçse përcjellin një komercionalizëm absolut, kurrsesi s’mund të thuash se sjellin një risi në këngën apo muzikën shqiptare.

Një falsitet, i stisur, jo origjinal, jo organik, si OMGJ 

E vërteta është, se në disa manifeste (e theksoj disa)  të muzikës sonë të bukur nuk ka ende një këngëtar të skenës shqiptare (që merr pjesë), i/e cili/cila, nuk ka pasur rastin të këndoj me superpozim dhe të mos përcjellw tek dëgjuesi të kundërtën e asaj  çka përmban kënga, teksti, muzika në tërësi, si magji e qetësimit shpirtëror. Shikon skena gjigante fosforeshente, me drita verbuese, me hapësira boshe, por vetëm orkestër nuk shikon. Pra çdo gjë duket një falsitet, e stisur, jo origjinale, jo organike, si OMGJ. Shikon këngëtar/e që i vijnë rrotull skenës, bëjnë lëvizje akrobatike që do t’ja kishte zilinë çdo akrobat profesionist, kërcejnë si valltarë kualitativ, harxhojnë shumë energji, por një gjë nuk bëjnë: Nuk këndojnë. Nuk nxjerrin zë, atë zë për të cilin shkojnë në skenë. Më shumë duken në skenë si valltarw, akrobatw, pjesëmarrës në sfilat, si dancist, si top model/e, por kurrsesi si këngëtar. Zëri i drejtpërdrejtë është ai që të mbush, të emocionon, të ngjeth mishtë, të motivon, të sjell pranë skenës duke lënë çdo punë. Pa këtë zë real, të drejtpërdrejtë jetësor, plot nuanca që del nga thellësia e shpirtit, pa improvizim, pa falsitete ka nevojë dëgjuesi i sotëm i këngës së bukur shqiptare. Pra superpozimi e ka kthyer këngën nga një magji në një gënjeshtër. E ka kthyer në një arenë që mund të futet kushdo dhe të konkurrojë. Kënga shqiptare nuk e meriton një çmim të tillë. Kënga është poezi, është histori, është qetësi shpirtërore, është energji për të parë më së miri të vërtetën. Me këto lloj aktivitetesh ajo po shterpëzon dhe humb elegancën e të qenit vetvetja.

Autorët e teksteve thuajse nuk përmenden fare 

Dhe ajo që i çon më tej falsitetet e superpozimit, apo “playback-ut” është dhe teksti i këngëve. Është bërë e modës që në evente të tilla të gjitha meritat i marrin këngëtarët. Ata paraqiten edhe si kompozitor dhe si autor tekstesh. Në një këngë, ai që vendoset e/ i fundit është këngëtari, por ai merr 90 përqind të suksesit. Në gjithë vitet e demokracisë duhet thënë me keqardhje se autorët e teksteve thuajse nuk përmenden fare. Ata lihen në hije si jabanxhinj, si njerëz që janë në radhë për të prerë biletë dhe jo që janë zjarri i suksesit. Kur lind një këngë dy janë bashkëshortët, kompozitori dhe autori i tekstit. Këngëtari/ ja është fëmija. Ata të dy e lindin këngëtarin, ata e zgjedhin dhe i dhurojnë krijesën. Në biseda me autorw tekstesh, si Jorgo Papingji, Arben Duka, Lefter Çipa, Zhuliana Jorganxhi, etj, mëson se ai që hedh shinat e një kënge mund të jetë kompozitori, sikundër mund të jetë dhe poeti. Pra kur një poet krijon një poezi të bukur kërkon një kompozitor për bashkëpunim ose e kundërta. Kur ngjizet brenda tyre dhe merr formën e plotë kënga ftohet këngëtari. Në këngët e sotme shihen tekste pa lidhje. Tekste pa figura letrare, pa mesazh. Teksti i një kënge është poezi. Dhe poezia është krijimtari e mirëfilltë letrare ku fjala ngrihet në art. Poezia bëhet nga poet dhe jo nga kushdo që ka qejf të bëj bejte apo vjersha vetëm që të kërcas “Bam”,“Bom”. Shumica e teksteve në këngët e këtyre eventeve janë thirrje, mbledhje fjalish, mbledhje apo shumëzim i disa vargjeve të këngëve të ndryshme të mëparshme, (edhe nga vetë këngëtarët), amalgamë fjalësh, fjalish pa lidhje, ku vetëm letërsi nuk ka. Poezia ka brenda tri elementë si gjini letrare: Anën artistike, anën estetike dhe mesazhore (mesazhin. Në shumicën e këtyre teksteve nga autorw anonimw kurrë nuk mund të gjesh më shumë se dy elementë të domosdoshëm të krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Tekstet e këngëve nuk të ngjallin emocion. Ato vetëm poezi nuk kanë brenda.