Kastriot Islami: Katër pyetje ‘pro-amerikane’

188
  1. Debati për çështjen ‘non grata’ në shumicën e rasteve ka krijuar më shumë konfuzion e keqkuptime në publik sesa qartësi vetëm sepse ai s’është zhvilluar brenda kornizave juridike, por fshatçe. Debati ‘fshtaçe’ i ka dhënë mundësi shumë debatuesve që s’lexojnë kushtetutën, ligjet, statutin partiak, e tjerë të notojnë në ujëra të turbullta, duke qenë aktivë nëpër banaqet e medias apo në faqet e rrjeteve speciale thjesht e vetëm për të arritur qëllimin e ‘bosit’ të tyre që e rrethojnë, dhe duke tentuar për t’i shpëlarë trurin publikut me sajime e mbroçkulla.
  2. Më poshtë bëhen 3 pyetje juridike në mënyrë që debati të mund të vendoset në shinat e shtetit ligjor… Arsyet përse këto pyetje cilësohen pyetje ‘pro-amerikane’ janë dy a) së pari debatet e shëndetshme në SHBA e në vendet e tjera demokratike anëtarë të NATO-s (përveç Shqipërisë), bëhen kryesisht e madje vetëm brenda kornizave të shtetit ligjor; b) këto 3 pyetje juridike mund të shmangin cilësimet/etiketimet e shëmtuara, ekstreme e të panevojshme, të tilla si ‘antiamerikan’ e ‘proamerikan’, që janë kthyer te neveritshme, e deri pezhorative për SHBA…
  3. Referuar vendeve demokratike, veçanërisht anëtare të NATO-s, ku gjithçka kryhet në respekt të shtetit ligjor, shkruhet se ‘një deputet mund të përjashtohet nga grupi parlamentar apo ndryshe thuhet ndaj tij mund të merret ‘masa disiplinore’ e përjashtimit nga grupi parlamentar vetëm bazuar në një vendim të mbështetur në dispozitat e rregullores së grupit parlamentar’.
Sigal

‘Masa disiplinore’ e përjashtimit duke qenë masë ekstreme, merret vetëm pasi janë marrë më parë dy masa të ndërmjetme disiplinore, a) ‘paralajmërim për përjashtim me gojë’ e b) ‘paralajmërim për përjashtim me shkrim’ vetëm në rastin e dhunimit të rregullave të funksionimit të grupit parlamentar. Në asnjë rast, të tilla masa disiplinore për përjashtimet nga grupi parlamentar s’parashikohen në statutet e partive demokratike; ato mund të gjenden vetëm në ato raste kur bëhet fjalë për ‘partinë-shtet’…

  1. Për ta futur në debatin për çështjen non-grata brenda kornizave të një shteti ligjor, mund të bëhen këto pyetje:
  • A ekziston rregullorja e miratuar e grupit parlamentar të PD? Dhe cila është data e fundit e miratimit të saj?
  • Nëse një rregullore e tillë ekziston, atëherë në cilat dispozita (nene) të rregullores së grupit të PD parashikohen ‘masat disiplinore të përjashtimit të deputetit nga grupi parlamentar’ ose më saktë përjashtimi nga grupi parlamentar i PD i një deputeti pa kaluar përmes masave ndërmjetëse disiplinore?
  • A ekziston në rregullore argumenti i përjashtimit nga grupi parlamentar, bazuar në ‘kërkesën’(ekzistenca formale e kësaj ‘kërkese’ duhet bërë domosdoshmërisht publike) e SHBA e cila e ka shpallur deputetin ‘non grata’ në territorin e saj (gjë që është një çështje ligjore e brendshme e SHBA dhe askush në Shqipëri s’ka të drejtë ta vejë në diskutim këtë vendim sovran, gjë që askush deri më sot s’e ka bërë një gjë të tillë)?
  • Dhe së fundmi, nëse supozohet se PD do të vepronte si ‘parti-shtet’ (gjë që asnjë demokrat s’do ta pranonte dhe nëse një lapsus i tillë ekziston diku në statut, do të duhej me shpejtësi të korrigjohe/ eliminohej) do të shtrohej pyetja se në cilat dispozita (nene) të statutit të PD bazohet vendimi/ qëndrimi/ deklarata për masën ekstreme të përjashtimit nga grupi i PD i një deputeti, vetëm se ky i fundit është shpallur ‘non-grata’ nga partneri ynë kryesor? Në cilin vend tjetër të NATO-s do të mund të ndodhte një gjë e tillë?
  1. Këto 4 pyetje juridike kanë për synim vetëm të orientojnë debatin brenda kornizave ligjore me bindjen e thellë se vetëm kështu palët mund ti afroheshin të ‘vërtetës’ e të shmangin etiketimet e padrejta e të panevojshme, reciproke… Në asnjë rast këto pyetje s’kanë synim për të mbështetur njërën apo tjetrën palë në debat. Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve duhet minimalisht të lexohen statuti i PD dhe/ose rregullorja e miratuar (rregullorja e fundit nëse s’ka një të përditësuar) e grupit parlamentar të PD, të cilët mimimalisht duhet të jenë në faqen ueb të PD dhe/ose të jenë bërë publike përmes botimit të tyre (kështu ndodh në të gjithë vendet anëtare të NATO-s).