Kapllan Dyrmishi, shembulli i përjetësisë së thjeshtësisë, ndershmërisë dhe përkushtimit ndaj punës dhe njerëzve

236
Sigal

Në përkujtim të 49- vjetorit të tragjedisë së Lapanit

Kapllan Dyrmishi, shembulli i përjetësisë së thjeshtësisë, ndershmërisë dhe përkushtimit ndaj punës dhe njerëzve

Mëngjesin e 21 majit 1973 ranë 4 dëshmorë për të ndërtuar rezervuarin e “Shelqit”

Nga Silvana Kapxhiu Dyrmishi

 Jo shpesh ndodh që njerëzit të kujtohen dekada edhe pas ndarjes nga jeta. Natyrshëm kjo ndodh për ata njerëz që lënë gjurmë të pashlyeshme për bashkëkohësit e vet, por jo vetëm. Një nga këto figura është edhe ajo e Kapllan Dyrmishit, të cilin moshatarët e tij dhe jo vetëm e kujtojnë me respekt të veçantë. Bashkëfshatarët e tij do ta ndienin më shumë largimin e tij, teksa pas vdekjes së tij kur kishin ndonjë hall a problem me dhimbje thoshin : “Vdiq ai që kujtohej për ne”. Për figurën dhe punën e tij është shkruar herë pas here me respekt e nostalgji, sepse figura të tilla mbeten pavdekshmërisht në memorien qytetare dhe aq më keq që sot janë “specie” në zhdukje! Figura e Kapllan Dyrmishit ishte një figurë komplekse. Ai ishte inteligjent, i dashur me njerëzit e thjeshtë, human, i kudondodhur, me shpirt sakrifice, indipendentë dhe me humor. Ishte shakaxhi deri në sarkazëm të fortë dhe me “kripë”.

Thjeshtësia e tij ishte e ndërthurur me dashurinë e pakufishme për njerëzit, sepse ai ishte njeri me ndjenja të mëdha shoqërore. Ndërsa koherenca dhe indipendenca e bëjnë atë një personalitet që i mungon kohës sot. Kapllani nuk ishte si disa intelektualë, bashkëkohës së tij që për të ruajtur veten dhe postin e tyre gjenin ndonjë qoshe të qetë dhe vegjetonin, nën servëllëk.

Në ditët e sotme është e vështirë të gjesh drejtues, që kanë të tilla cilësi dhe kryejnë me aq përkushtim dhe korrektësi detyrat e caktuara nga shteti.

Kapllan Dyrmishi u lind në fshatin Koprënckë të Skraparit në vitin 1928, në një familje me emër të dëgjuar në krahinë, për traditat patriotike, mikpritëse dhe humane. Kjo familje vlerësohej si derë e madhe jo vetëm nga pasuria, por nga vlerat morale atdhetare. i ati i tij Veizi dhe nëna Alija lindën dhe rritën 7 fëmijë, të cilët me cilësitë e tyre të mira krijuan “habitatin” e tyre në Rrethin e Skraparit, por edhe në të gjithë vendin. Fadili, Dyrmishi, Izeti, Bikja, Skënderi, Zymbylja, Saltoja dhe në veçanti Kapllani do të “gdhendnin” në altarin historik të familjes Dyrmishi vlerat më të mira morale dhe patriotike.

 

Si derë arsimdashëse Veizi i shkolloi fëmijët e vet që në vitin 1930. Kapllanin e çoi për të kryer shkollën fillore në Leshnje, e cila ishte një nga shkollat e para në Skrapar në ato vite. Bashkë me shkollën ai do kishte kujdesin e hallo Ferrukes, por edhe ngrohtësinë e një nënë biologjike. Ajo u kujdes për Kapllanin si për fëmijën e vetë. Në Leshnje dhe në mjedisin ku u lind, u rrit ai u edukua me dashurinë për njeriun, fshatin, familjen, atdheun.

Lufta antifashiste e gjeti në moshën 16-vjeçare, në moshën e adoleshencës dhe së bashku me dy vëllezërit e tij më të mëdhenj Izetin dhe Fadilin ai u angazhua përkrah forcave partizane.

Shtëpia e tyre u bë baza e LANÇ_it. Si një njeri i shkathët dhe me inteligjencë, Kapllani punonte me të rinjtë e fshatrave për të shtuar radhët e brigadës partizane të zonës. Pas çlirimit kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe mori pjesë në luftë kundër monarko-fashistëve grekë në provokoacionin e gushtit 1949.

Puna dhe arsimimi

Duke parë cilësitë dhe vlerat drejtuese u emërua në pozicione të ndryshme në punë shtetërore dhe partiake, kryesisht në sektorin e ekonomisë.

Ka punuar si instruktor në Komitetin e Partisë, si Shef i Seksioni në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit Skrapar, kryetar i koopertativës Zaloshnje, drejtor i Ndërrmarrjes se Ndërtimit dhe në vitet ’70 në Ndërrmarrjen e Ujrave e Bonifikimit, ku punoi për gati 3 vjet.

Disiplina dhe përkushtimi e bëjnë Kapllanin, një “kampion” të gjurmëlënies pozitive kudo që ka punuar.

Për fshatin e tij Koprënckën kishte shqetësim të veçantë. Krahas angazhimeve në punë ai nuk do rreshte për t’u arsimuar. Në vitin 1957 kur u hap Universiteti i Tiranës, Kapllani ishte një nga “pionierët” e parë të këtij universiteti. Që në fillimet e para ai do të rregjistrohej si student i Fakultetin Ekonomik, një dëshirë e kaherëshme e tij për t’u shkolluar dhe pregatitur si kuadër i aftë në shërbim të atdheut. Një nga profesorët e shquar të kohës prof Ilia Telo do të fliste me krenari dhe superlativë për Kapllanin :- “E kam patur një nga 147 studentët e parë të Fakultetit Ekonomik. Ishte student punëtor dhe kurajoz”– do të shprehej profesori.

Pas përfundimit të shkollës ai punoi në disa sektorë ku do spikaste ndërgjegja e lartë e tij, ai ishte i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime.

Nuk ishte drejtues që drejtonte punën dhe ndërrmarrjen i ulur në karrigen e zyrës, por operativ, i drejtpërdrejtë dhe që i dilte për ballë punës dhe vështirësive. E gjeje atje ku vështirësitë ishin më të mëdha. Edhe pse ishte komunist i 1948, ai kishte shpirt demokrati. Asnjëherë nuk u qëndroi me servilizëm njerëzve, që kishin pushtet mbi të dhe mbi të gjitha kishte një qëndrim dashamirës ndaj atyre të ashtuquajturve “të deklasuar” të kohës, sfidonte dhe zbuste me zgjuarësi luftën e klasave. I përkrahte këto shtresa dhe përpiqej që t’i ndihmonte për zgjidhjen e halleve dhe problemeve duke ju krijuar mundësi punësimi kryesisht në ndërmarrjet që drejtonte, por jo vetëm, pa patur ndonjë kompleks, apo droje se mund të ndëshkohej nga partia në pushtet. Donte që ata të ecnin përpara në profesion dhe në arsimim.

Familja

Në vitin 1951 lidhi martesë më Sabrie Kotobelli nga fshati Prishtë i Rrethit Skrapar. Ashtu si dera e Dyrmishajvë ishte e dëgjuar në krahinë edhe familja nga e cila rridhte Sabria ishte familje e madhe e nderuar dhe e respektuar në zonën e Çepanit. Së bashku lindën 4 fëmijë , tre djem dhe një vajzë, të cilët nuk mundi t’I gëzonte. Sabria si grua me virtyte të rralla i qëndroi në krahë dhe mbante derën e hapur. Priste me respekt dhe nderim miqtë dhe shokët e shumtë të Kapllanit. Pas humbjes së bashkëshortit, ajo rriti e vetme fëmijët duke i edukuar ata nën shembullin e babit të tyre. Ata e kanë ruajtur me dinjitet emrin, kujtimin e babait të tyre dhe me punën e tyre e kanë mbajtur të freskët kujtimin e Kapllanit.

Pasi punoi në disa detyra duke parë një të ri ambicioz në kryerjen me ndërgjegje të lartë dhe dashuri të detyrave të caktuara, Kapllanin e emërojnë drejtor të Ndërmarrjes së Bonifikimit në Skrapar. Në këtë detyrë punoi për gati 3 vjet me përkushtim të lartë. Ndërmarrja ishte e madhe, me shumë problematika dhe e shpërndarë në gjithë territorin e thyer të Skraparit. Ai diti t’i vihej në ballë punës dhe do t’i përballonte me sukses të gjitha problemet deri sa do të vinte dita fatale…

Pak kohë më parë se të ndodhte tragjedia ai ishte emëruar në një tjetër detyrë nga Ministria e Ndërtimit në Tiranë, por ai kishte marrë përsipër një detyrë tjetër dhe do të largohej pasi ta kishte realizuar plotësisht atë.

Në 1973, punohej për të ndërtuar rezervuarin e Qafë-Shelgut. Ky rezervuar ishte një vepër e madhe ujitëse dhe po ndërtohej në një terren të vështirë. Ky ujëmbledhës do të bënte të mundur vaditjen e tokave të disa fshatrave të Çepanit, Prishtës, Siticës, Blezënckës, Zabërzanit etj etj dhe kishte si qëllim të ndryshonte dhe përmirësonte jetesën e këtyre fshatrave tokat e të cilave ishin shkrumbuar nga thatësira. Uji do të bënte të mundur të rriteshin prodhimet bujqësore, frutore dhe ushqimin e blegtorisë të kësaj zone. Punimet po shkonin drejt fundit, por duhej ngritur në majë të malit tubacioni prej çeliku dhe sifoni, që vepra të ratifikohej dhe të quhej e përfunduar, qëllimi i të cilit ishte i Kapllanit, përpara se të transferohej për në Tiranë

Tragjedia

Mëngjesin e 21 majit 1973, Kapllan Dyrmishi me detyrën e drejtorit të “Bonifikimit”, me përgjegjësinë e madhe për të përfunduar rezervuarin e “Shelqit” u nis së bashku me shefin e llogarisë së ndërmarrjes Bexhet Hasanaj, Axhemin shoferin e kamionit të ngarkuar me tubacione, si dhe Bashkim Pelivanin një djalë i ri, punëtor në sektorin e ndërtimit.

Duke kaluar në zonën e Lapanit mbi urën e ngritur në Kanionet e Osumit, që lidh zonën e qytetit me fshatrat e zonës Çepan dhe Këlcyrën ndodhi tragjedia më e rëndë. Në momentin që kamioni po linte urën, u shkëput shpatulla mbështetëse e urës dhe… makina përfundoi në humnerën e kanionit. Ky aksident u ndërpreu jetën në mes 4 njerëzve punëtorë e të ndershëm, të gjithë në një moshë relativisht të re nga 18 vjeçari më i riu deri tek më i “vjetri” që kishte moshën 45 vje ! Ata mbetën thellë në kujtesën e kohës dhe të historisë, sepse e dhanë jetën në krye të detyrës.

Kjo tragjedi në atë periudhë shkaktoi një hidhërim të thellë në të gjithë Skraparin. I gjithë rrethi ishte në zi. Katër familje varrosin bijtë e tyre të shtrenjtë, që dhanë jetën e tyre në krye të detyrës për atdheun.

Vlerësimi do të “zbuste” sadopak hidhërimin, teksa në ceremoninë e varrimit të Kapllanit dhe tre të tjerëve, erdhën qindra miq e shokë nga e gjithë Shqipëria, si dhe u dërguan me qindra telegrame nga drejtuesit e lartë të kohës.

Kapllan Dyrmishi humbi jetën si drejtor i Ndërrmarrjes së Bonifikimit kur vendi kishte nevojë për energjitë e tij të pashtershme dhe të pakursyera, por edhe për profesionalizmin dhe cilësitë organizuese të tij. Edhe pse ishte në një moshë të re 45 vjeç, ai la pas figurën e një njeriu kurajoz, të përkushtuar ndaj punës, i thjeshtë, i dashur, me njerëzit. Vizionar, atdhedashës dhe vetmohues, cilësi që “mbulonin” personalitetin e një drejtuesi që aq shumë I duhej vendit, por jo më pak familjes. Në një moshë kaq të re ai la një emër  të madh. Të gjithë ata që e kanë njohur dhe e kujtojnë i bashkon i njëjti vlerësim: Kapllani ishte personi ku shkriheshin në një: dashuria për jetën dhe pathyeshmëria për të kryer me përgjegjësi detyrën. Jeta e një njeriu që nuk vlerësohet nga kohëzgjatja e jetës, por nga vepra e tij. Kapllani i përket atij grupi njerëzish ,që rrojtën pak, por që jetuan shumë…

Vlerësimi

Këto cilësi, këto virtute dhe ky përkushtim në punë bënë që të rivlerësohej figura e tij nga shteti edhe në periudha të mëvonshme, pas viteve ‘90

“Dëshmor i Atdheut”

Në maj 2003, Komisioni Qëndror i Statusit, “Dëshmorët e Atdheut” me vendim Nr 9, dt. 20.05.2003 i njohu Kapllan Dyrmishit, Statusin “Dëshmor i Atdheut” – “Rënë në krye të detyrës” dhe familjes së tij i jep simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”.

Kjo dekoratë ju dorëzua familjes dhe bashkëshortes së tij znj. Sabrie Dyrmishi në një ceremoni të organizuar nga Prefektura e Qarkut Berat dhe Bashkia Çorrovodë me kryetar z. Ylli Mekollari, në pallatin e Kulturës Çorrovodë. Pjesëmarrja në dorëzimin e këtij titulli ishte një “Dekoratë” edhe më e madhe nga nderimi në këtë pjesëmarrje të qindra njerëzve nga qyteti i Çorrovodës, që ishte shprehje e vlerësimit ndaj kësaj figure. Po në këtë ceremoni morën pjesë shumë shokë e miq bashkëkohës, kuadro të ndryshëm, që kishin punuar me të, të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.

Një vlerësim i veçantë për të vlerësuar figurën e këtij njeriu, përkushtimin dhe ndershmërinë e tij në punë, ishte edhe pjesëmarrja e ish Zv Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Republikë të asaj kohe, z. Ilir Meta.

Gjithashtu nderoi pjesëmarrjen e tij ish Kryetari i Gjykatës së Apelit, bashkëfshatar i Kapllanit, Muarrem Kushe. Miku dhe shoku i tij i punës inxhinieri nga Kavaja Kujtim Shamrosa si dhe inxhinieri nga Berati Vladimir Agalliu, i cili eksperiencën e parë si ing e pati në këtë ndërmarrje të drejtuar nga Kapllani, si dhe dhjetra ish kuadro, që bashkëpunuan me të.

Edhe pse kanë kaluar disa dekada nga ndarja nga jeta, pa e tepruar mund të themi se kapllani mbetet symbol i ndershmërisë, vetmohimit dhe përkushtimit ndaj detyrë së ngarkuar. Këto vrtyte të Kapllan Dyrmishit mund të shërbejnë si leksione për zhvillimet aktuale të ekonomisë së vendit.

Virtytet, mirësia, ndershmëria, gjithçka e çmuar tek njeri nuk mund të blihen dhe as mund të shiten. Ato përftohen gjatë jetës me mund e sakrifica. Me një domethënie të qartë me ato që bëri për njerëzit dhe atdheun ai mbetet i pavdekshëm.

Nga Silvana Kapxhiu Dyrmishi