Jovan Byzhyti: Alfred Moisiu, pasardhës i familjes Atdhetare të Moisive, që ndoqi rrugën e të atit Spiro Moisiu

39
Sigal

– Në vitin 1981, kur sapo ishte ndarë nga jeta dhe Gjeneral Spiro Moisiu, Alfredi emërohet zv/ministër i mbrojtjes.

– Moisiu ka qenë dëshmitar në ngjarjet që kanë ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes në vitet 1973-74, sidomos ngjarja e “Tezave të Zeza”.

Me rastin e përvjetorit të ditëlindjes.

“Pas çlirimit, festoi dhe ai gëzimin e fitores si gjithë të rinjtë e gjithë populli në mbarë vendin. Kudo ndihej entuziazmi i vrullit të aksioneve për zhdukjen e pasojave të luftës, ndërtimin e urave e rrugëve të shkatërruara nga lufta, hapja e shkollave e tjera. Alfredi vazhdoi gjimnazin në Tiranë.”

Trungu i Moisive, i ka dhënë herëpashere vendit dhe popullit figura të nderuara në fusha të ndryshme siç ishte, Aleksandër Moisiu, një artist me përmasa europiane e botërore, po ashtu dhe Gjeneralin Spiro Moisiu, si ushtarak madhor e Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë Nacional-Çlirimtare, që së bashku me drejtuesit e tjerë dhe ushtrinë heroike partizane, bënë luftën dhe i sollën Shqipërisë lirinë e pavarësinë nga pushtuesit nazi-fashistë. Nga kjo familje e nderuar, doli dhe pasardhësi i fundit, Alfred Moisiu, edhe ky një ushtarak madhor e politikan i sferës së lartë, që ndoqi rrugën e të Atit dhe me punën e kontributin e tij, i la emër të mirë familjes Moisiu. Alfredi, lindi në Shkodër në 1 dhjetor 1929, kur i ati Spiro Moisiu kryente detyrën si ushtarak në ushtrinë e monarkisë shqiptare. Ai u rrit dhe kaloi fëmijërinë në ato vite të vështira, kur familja e tij dhe kryesisht i ati Spiro Moisiu, shërbente në detyrën e ushtarakut në disa rrethe e krahina të vendit. Së fundi, i ati pas shumë betejash e ngjarjesh historike, u përfshi në luftën Antifashiste Nac. Çl. në vitet 1942-44. Atëhere djali i tij Alfred Moisiu, në moshën adoleshente, kuptoi se ç’ishte lufta partizane dhe detyrat e vështira që kish marr mbi vete i Ati, Spiro Moisiu për t’i dalë zot vendit në ato momente kur ishin ngritur në këmbë rinia dhe i gjithë populli patriot shqiptar në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë.

Alfredi, periudhën e pushtimit fashist italian, e përjetoi në moshën fëminore.

Italia fashiste krahas pushtimit, përqëndroi punën dhe në propagandën për edukimin e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare me ideologjinë fashiste dhe me dashurinë për Italinë. Në këtë kuadër u morën masa që dhe rinia shkollore, si pjesa më e përshtatshme për t’u ndërgjegjësuar, të organizohej sipas modelit fashist italian në “Balila”, ku përfshiheshin moshat e reja të shkollave fillore, në “Giovani fashista”, moshat e klasave më të rritura dhe në “Avanguardista”, moshat rinore e të rinjve adoleshentë, që bënin dhe stërvitje paraushtarake. Këta të rinj, i edukonin kryesisht me ide fashiste, i mësonin të nderonin “alaromana”, u mësonin dhe këngë fashiste italiane. Të gjitha këto formacione të rinjsh, visheshin dhe me uniforma të caktuara, që shiteshin në dyqane me furnizime të ardhura nga Italia. Në pushimet verore të shkollës, organizonin dhe dërgimin e grupeve të tilla në kampe rinore në Itali. Në kujtimet e tij, Alfred Moisiu shkruan se: -“Një ditë, si gjithë fëmijët e tjerë edhe unë iu drejtova tim Eti për të blerë uniformën e “Balilit” dhe të më lejonte të shkoja me grupet e nxënësve në kampet verore të Italisë. Por ai ma preu rreptësisht menjëherë: -Nuk ke nevojë ti të vishesh si Balil, as dhe të shkosh në Itali në kampe për pushime. Jo, do qëndrosh këtu në Shqipëri bashkë me familjen”. Me këtë qëndrim, Spiro Moisiu pavarësisht se ishte nëpunës i asaj kohe në ushtri, ai nuk e lejoi djalin që të merrte edukatën fashiste, duke i vënë rëndësi edukimit të fëmijëve me ndjenjat e urrejtjes ndaj pushtuesit dhe edukimin e tyre me ndjenjat patriotike atdhetare. Ato kohë lufta po merrte përmasa të mëdha, ku jo vetëm po shtoheshin radhët e ushtrisë partizane, por dhe armiku nazi-fashist e kish rritur forcën e tij goditëse kundër formacioneve luftarake të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Alfred Moisiu këto situata i përjetoi jo më si fëmijë, por në adoleshencën e tij 14-15 vjeçare.

E gjithë familja e Spiro Moisiut, i ka përjetuar nga afër tmerret e rreziqet e luftës.

Alfredi, si djali më i rritur, përjetonte çdo çast merakun për Babë Spiron, Komandantin e luftës, që kalonte ditët e netët e atij dimri të egër jashtë në ftohtë e acar maleve me dëborë, shto këtu dhe rrezikun e luftës me plumbat që merrnin çdo ditë jetë njerëzish. Pra, veç rreziqeve që i kërcënoheshin familjes, nënë Aspasisë dhe motrës e vëllait të vogël, ai përjetonte dhe merakun për Babë Spiron, i cili shpesh mungonte edhe me muaj të tëra në familje.

Alfredi në kujtimet e tij shkruan, se në disa raste ai ndodhej pranë Babës, pranë luftëtarëve të lirisë, sidomos në Helmës të Skraparit, ku shokët partizanë e angazhonin dhe si korrier për të çuar letra nga njeri fshat në tjetrin, shoqëruar me partizanë. Pra, megjithëse i vogël adoleshent edhe ai e ndihmoi luftën, e veshi në kokë festen e partizanit me yllin e kuq në ballë, duke bëlbëzuar nën buzë këngën: “O i vogël o partizan”! Ai u rrit në luftë, u rrit pranë Komandantit të luftës dhe të gjitha këto, ushqyen në mendjen dhe në ndjenjat e tij, dashurinë për armën ushtarake, dëshirën e zjarrtë për t’u bërë oficer, pse jo dhe komandant si Babë Spirua. Dhe me këto ëndërra e kujtime, Alfredi përjetoi jo vetëm vitet e stuhishme të luftës, por dhe pas çlirimit të vendit. Pas çlirimit, festoi dhe ai gëzimin e fitores si gjithë të rinjtë e gjithë populli në mbarë vendin. Kudo ndihej entuziazmi i vrullit të aksioneve për zhdukjen e pasojave të luftës, ndërtimin e urave e rrugëve të shkatërruara nga lufta, hapja e shkollave e tjera. Alfredi vazhdoi gjimnazin në Tiranë. Një ditë në përfundim të gjimnazit, midis shokësh, ai mësoi se po regjistroheshin për të vazhduar studimet jashtë shtetit dhe konkretisht në BS. E vetmja degë që mund të shkoje për studime jashtë shtetit në atë kohë, ishte shkolla ushtarake. Dhe këtë dëshirë një ditë ia shfaqi Baba Spiros.

-Dua të shkojë në shkollë në BS,- i tha,- është shkollë ushtarake.

-Jo,- i tha i ati,- ushtarak, në asnjë mënyrë! Shiko për ndonjë degë civile.

-Eshtë e çuditshme,- shkruan midis të tjerave Alfredi,- prindërit në mjaft raste, të zhgënjyer nga karriera e tyre, nuk dëshirojnë që fëmijët të ndjekin të njëjtën rrugë. Por Alfredi ishte familjarizuar tashmë me profesionin e ushtarakut, që nga lufta ku kaloi pothuaj vitet e fëmijërisë, shto dhe modelin e prindit që e kishte për ditë në shtëpi. Vishte kapelen e Babës me shiritat e verdhë ngjyrë ari, shihte spaletat e gjeneralit dhe këto kishin depërtuar thellë në ndjenjat e dëshirat e tij dhe nuk kishte burrë nëne t’a largonte nga ky pasion. Pastaj, vajtja për studime në BS, ishte një ëndërr, që nuk mund ta realizonte kushdo. Dhe një ditë, kjo ëndërr u bë realitet. Alfredi nisi studimet ushtarake në BS, Ishin vitet e para të pas çlirimit, kur dhe marrëdhëniet midis dy shteteve tona ishin në kulmin e tyre më të mirë. Ishin vitet 1946-48 kur Alfredi vazhdoi studimet në shkollën ushtarake të xhenjos në Moskë dhe Petërsburg të BS. Zgjodhi degën e xhenjos për faktin se i pëlqente inxhinjeria e ndërtimit dhe kur mendonte se gjermani gjatë largimit nga Shqipëria, shkatërroi pjesën më të madhe të urave në rrugët nacionale, ai mendonte se pas studimeve, do angazhohej si inxhinjer për ndërtimin e tyre. Dhe vërtetë kështu ndodhi, në mbarim të studimeve, shërbeu në repartet e xhenjos dhe dha sa mundi kontributin e tij, veç të tjerave në fushën ushtarake edhe në ndërtimin e urave dhe rrugëve të shkatërruara nga lufta. Në vitet 1952-58, Alfred Moisiu sërish me studime në Akademinë e Lartë të Inxhinjerisë Ushtarake në BS. Sigurisht, pasioni për këtë degë, bëri që rezultatet në shkollë i pati të larta, ku i përfundoi me “Medalje të Artë”. Në ato kohë Shqipëria nuk kishte Akademi Ushtarake, ajo u hap si “Shkollë e Lartë Ushtarake” në vitin 1958, dhe në nivel “Akademie Ushtarake” në vitin 1961. Pas kthimit nga BS, Alfred Moisiu emërohet në Drejtorinë e Xhenjos në Ministrinë e Mbrojtjes. Në ato kohë vazhdonte ende problemi i ndërtimit të urave dhe rrugëve, si dhe ngritja e reparteve ushtarake. Alfredi u ngarkua të projektonte vendosjen e Raketave tokë-ajër “SAM-i”, që priteshin të vinin nga BS, mbas vizitës së Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959. Kjo bazë raketash u ndërtua në zonën e Ndroqit, në afërsi të kthesës që të çon në Pezë. Në atë kohë u ndërtuan disa vepra të rëndësishme ushtarake siç ishte, Aeroporti i Kuçovës për avionët ushtarak MIG-19 dhe MIG-15 e 17-të. Në vitet 1958-59 u ndërtua Aeroporti i Skuadriljes së Helikopterëve në Farkë të Tiranës. Në vitin 1974 u ndërtua Aerodromi i Regjimentit të Aviacionit Luftarak të Gjadrit në Lezhë e tjera. Në të gjitha këto vepra, ka qenë dhe mendja e dora e inxhinjerit ushtarak, Alfred Moisiu. Ishin vitet kur Shqipëria ishte shkëputur nga kampi komunist i lindjes me BS në krye, po ashtu dhe nga Traktati Ushtarak i Varshavës dhe problemet e mbrojtjes po mernin çdo ditë një prioritet të veçantë. Ishte shtruar direktiva jo vetëm e shtimit të reparteve ushtarake në vendet strategjike e kufitare, por edhe çështja e fortifikimit e strehimit të ushtrisë dhe të popullsisë civile. Ky ishte një aksion i madh, me një kosto që Shqipëria e pagoi shtrenjtë në kurriz të ekonomisë së vendit dhe mirëqënies së popullit, pasi konsumoi një buxhet të lartë financiar. Alfred Moisiu ato kohë ishte në Drejtorinë e Xhenjos në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u desh të merrej drejtëpërdrejtë me këto probleme. Shqipëria s’kishte ekperiencë në fushën e fortifikimeve ushtarake, ndaj u desh të merrej përvoja e shteteve komuniste siç ishin, Koreja e Veriut dhe RP e Kinës, me të cilat Shqipëria pas shkëputjes nga Kampi Komunist i Lindjes, u lidh ngusht me këto shtete aziatike. Koreja e Veriut kishte disa vite që kish dal nga lufta e gjatë me Korenë e Jugut. Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes, ku bënte pjesë dhe Alfred Moisiu, panë nga afër gjithçka që kishin fortifikuar e bunkerizuar si Koreja dhe Kina, panë kudo tunele për ushtrinë dhe për institucionet shtetërore, po ashtu dhe për popullsinë civile. Panë pothuaj një qytetërim nëntoksor, me reparte, fabrika e uzina ushtarake të futura në tunele, po ashtu dhe fabrika e institucione të tëra të strehuara nën tokë, si dhe strehime masive të popullsisë, që llogariteshin me shpenzime shumë të larta buxhetore, që kish ndikuar shumë në nivelin e ulët të mirëqënies së popullit, ku vrehej kudo varfëri. E gjithë kjo përvojë, shërbeu dhe për fortifikimet e bunkerizimet që u realizuan edhe në vendin tonë, ku u çanë male e kodra për tunele masive, u mbush çdo pëllëmbë tokë në Shqipëri me kupola zjarri e strehimi, që sot e kësaj dite kanë mbetur si relike e dëshmi historike të një lufte të ftohtë, që megjithse u shpenzuan miliona e miliona lekë e valuta, nuk funksionuan e nuk i shërbyen vendit e popullit as dhe një ditë, nuk i shërbyen në asnji rast qëllimit për të cilin u ngritën. Sigurisht, gjithë ky investim i madh ishte shumë i nevojshëm për situata lufte në kushtet që ndodhej Shqipëria në ato vite, por ç’e do që ajo luftë mbeti në horizont, në imagjinatën tonë, pasi populli që e pagoi kaq shtrenjtë atë investim, nuk e mendonte se Shqipëria një ditë të bukur e përmbysi atë sistem jo me luftë, as me fortifikimet e tunelizimet, por qetë e qetë, me disa protesta ku të dhunshme e ku paqësore, me thirrjet “Liri-Demokraci” e me dy gishta lartë dhe vendi paqësisht gdhiu me shumë parti dhe me një sistem të ri demokratik të ekonomisë së tregut. Kështu, erdhi era e ndryshimeve demokratike në Shqipëri!

“Kryeministri Vilson Ahmeti, për formimin e qeverisë, mendoi të përfshinte dhe Alfred Moisiun, si ushtarak madhor dhe me përvojë në drejtimin e ushtrisë, duke i propozuar detyrën e Ministrit të Mbrojtjes.”

Alfred Moisiu, në kujtimet e tij shpesh hedh vështrimin në retrospektivë të karrierës së tij, ku përjetoi dhe ndryshimet tronditëse që ndodhën në ushtri pas “Letrës së hapur” të KQ të PPSH në vitin 1966. Kjo lidhej me luftën kundër burokracisë dhe kastës ushtarake, për t’i dhënë ushtrisë një karakter më popullorë. Në kuadrin e qarkullimit të kuadrit, si pjesë e kësaj direktive, Alfred Moisiu lëvizi nga Ministria e Mbrojtjes dhe u emërua Komandant i Brigadës së Urave të Rënda në Kavajë, detyrë, të cilën e kreu për rreth 5 vjet. Brenda këtij 5 vjeçari që ishte në Brigadën e Kavajës, ai ndoqi për një vit dhe kursin e lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë pranë Akademisë Ushtarake Tiranë, që ishte një kualifikim më i lartë për detyra në drejtimin e shtabeve të ushtrisë. Në vitin 1971, Alfredi rikthehet sërish në Ministrinë e Mbrojtjes, por këtë radhë me një përgjegjësi më të lartë, në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Xhenjos, që vazhdoi të merrej intensivisht me problemet e fortifikimit, të cilat vazhduan për një periudhë të gjatë kohe. Ngritja në këtë detyrë, sigurisht ishte dhe një vlerësim për punën e tij si ushtarak dhe specialist. Alfred Moisiu ka qenë dëshmitar në shumë nga ngjarjet kryesore që kanë ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes në vitet 1973-74, sidomos ngjarja e “Tezave të Zeza” anti-parti në fushën e mbrojtjes, ku u goditë ish Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku dhe Gjeneralë e oficerë të tjerë madhorë në zinxhirin e hierarkisë ushtarake. Ajo ishte një furtunë e fuqishme në kupolën e lartë ushtarake, ku u shpallën armiq midis të tjerëve dhe shumë nga figurat e shquara të luftës Antifashiste Nac.Çl. Drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes iu ngarkua si funksion i dyfishtë, ish Kryeministrit Mehmet Shehu, që u emërua dhe Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë. Gjeneral-Leitnant Spiro Moisiu ato kohë ishte në pension dhe jo mirë me gjëndjen shëndetësore. Megjithatë ai i përjetoi me keqardhje, sidomos për shokët e bashkëpunëtorët e afër të kohës së luftës. Mehmet Shehu, në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, emëroi dhe stafin e ri drejtues me zv/ministra të rinj. Në vitin 1981, kur sapo ishte ndarë nga jeta dhe Gjeneral Spiro Moisiu, Alfredi emërohet zv/minister i mbrojtjes, që mbulonte sigurisht profilin e tij të investimeve xhenjere, ku përfshihej dhe fortifikimi i mëtejshëm i vendit. Pa kaluar shumë kohë, në dhjetorin e vitit 1981, ish Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Mehmet Shehu, vrau veten dhe u cilësua edhe ai, “armik i popullit”! Vendin e tij e zuri një tjetër udhëheqës i nivelit të lartë në Byronë Politike, Kadri Hazbiu, që dhe ai pas pak kohësh, u shpall gjithashtu “armik” dhe u arrestua! Në këto situata, kur disa ministra mbrojtje u shpallën “armiq”, Ministër Mbrojtje i ri u emërua Prokop Murra dhe ky anëtar i Byrosë Politike, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë u emërua Kiço Mustaqi, u emëruan gjithashtu dhe zv/ministrat e rinj. Në këto kushte, Alfred Moisiu nuk e gëzoi shumë kohë detyrën e zv/ministrit, u shkarkua nga kjo detyrë dhe u dërgua në Burrel, shef xhenjo i Korpusit.

Alfred Moisiu në kujtimet e tij shkruan:

-“Ai nuk ishte një transferim i zakonshëm, as qarkullim, por një veprim me domethënie të fortë. Kur mbrita në Burrel në divizion, shoferi që më çoi, raportoi në telefon: “E solla atë plaçkën”! Pra, mbas 40 vjet shërbimi në ushtri në funksione të ndryshme drejtuese, po trajtohesha si “plaçkë”! Akuza ndaj Ministrave të Mbrojtjes si “armiq të popullit”, përfshiu dhe shumë funksionarë të tjerë të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, ku disa u cilësuan si bashkëpunëtorë në këtë grup, ndërsa një pjesë tjetër lëvizën dhe u dërguan në bazë në repartet ushtarake të terrenit. Një nga këta që lëvizën, ishte dhe ish zv/ministri Alfred Moisiu. Pa kaluar shumë kohë, në analizat që u bënë në organizatat e partisë në Korpusin e Burrelit dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, Alfred Moisiu u akuzua për “mungesë vigjilence” si titullarë pranë ish Ministrave, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, që dolën “agjentë” e “armiq”! Dhe me këtë akuzë, ai u shkarkua sërish nga shef xhenjo i Korpusit dhe u emërua një shkallë më poshtë, shef xhenjo i Brigadës së Burrelit. Dhe kur mbushi moshën 55 vjeç, sipas ligjit ushtarak të asaj kohe, u nxorr në pension. Pas daljes në pension, sipas kartelës personale që ndodhej në kartotekën e Komitetit të Partisë të Rajonit 1 në Tiranë shkruhej: “Masa në parti për Alfred Moisiun, është për shkelje të rënda në vijën e Partisë për fortifikimin e vendit”! Një absurditet i çuditshëm, për faktin se fortifikimi i vendit ishte vlerësuar nga Partia dhe pushteti i asaj kohe, si një sukses i madh dhe Drejtori i Drejtorisë së Xhenjos në Ministri, Alfred Moisiu, u ngrit në detyrë dhe u emërua Zv/Ministër i Mbrojtjes, ndërsa vite më pas, në atë kartelë personale shkruhej,”Shkelje të rënda në vijën e Partisë për fortifikimin e vendit”! Ndërsa, kur iku nga Ministria në Burrel, u tha:”Për mungesë vigjilence”! Pra, qëndrime e veprime kontradiktore e keqdashëse, që krijojnë jo vetëm shqetësime shpirtërore tek njerëzit, por bëhen dhe pengesë në mbarëvajtjen e punës dhe të karrierës me akuza të sajuara absurde! Ndryshimet e sistemit politik në vitin 1990, e gjetën Alfred Moisiun në jetën e tij normale në pension. Krijimi i pluralizmit politik, bëri që të lindnin parti të reja, që kërkonin largimin nga skena politike të Partisë së Punës të Shqipërisë, që ishte rreth 45 vjet në pushtet dhe kërkohej marrja e pushtetit demokratik nga këto parti të reja. Dhe u mendua të krijohej një qeveri e re teknike, që do drejtonte vendin për një kohë, deri në zgjedhjet e ardhshme politike. Dhe kjo qeveri teknike u krijua në dhjetor të vitit 1991 me Kryeministër një intelektual të ri, Vilson Ahmeti dhe ministra përfaqësues nga të gjitha forcat politike dhe nga shoqëria civile. Kryeministri Vilson Ahmeti, për formimin e qeverisë, mendoi të përfshinte dhe Alfred Moisiun, si ushtarak madhor dhe me përvojë në drejtimin e ushtrisë, duke i propozuar detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Alfredi e pranoi dhe kjo qeveri drejtoi vendin deri në prill 1992, kur nga zgjedhjet që u zhvilluan, fitoi Partia Demokratike dhe aleatët e saj të djathtë, që krijuan qeverinë e re me Kryeministër Aleksandër Meksin dhe President Sali Berisha.

Në këtë qeveri të re të Partisë Demokratike, Ministër i Mbrojtjes u emërua Safet Zhulali, një nga drejtuesit kryesor të kësaj partie. Alfred Moisiu u largua nga funksionet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në vitin 1994, u krijua “Shoqata Shqiptare e Atlantikut të Veriut”, ku ai u zgjodh në krye të kësaj shoqate. Kjo shoqatë u bë një shkollë e ideve të reja dhe e kulturës euroatlantike. Në programin e saj shtronte detyrën e njohjes më mirë të NATO-së, programet e qëllimet e saj dhe edukimin e masave me kulturën euroatlantike. Këtë organizëm, Alfred Moisiu e drejtoi edhe vite më pas, kur me propozim të partive politike u përzgjodh si kandidaturë konsensuale për President i Republikës, të cilin e zgjodhi përfundimisht Parlamenti i Shqipërisë në qershorin e vitit 2002.