Intervista/ Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH rreth përgatitjeve për këtë vit akademik dhe specifikat e formimit të studentëve në këtë fakultet

1475
Sigal

Këto ditë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

 

Intervistoi Enxhi Musai

 

Tregu i punës është shumë i prirur ndaj produktit intelektual e profesional të UMSH

 

Këto ditë Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (UMSH) organizoi ceremoninë e diplomimit të brezit të tetë të studentëve të vet. Ishin 1050 vetë, të cilët të dielën e kaluar morën diplomat, si kurorëzim të punës disa-vjeçare, sakrificave dhe mbështetjes së familjeve të tyre, por edhe si rezultat i punës me nivel profesional të stafit akademik. Ndërkohë të hënën e ardhshme, më 14 tetor studentët që e kanë zgjedhur këtë universitet do të ulen në auditorët e tij, për të nisur formimin e tyre profesional. Me këtë rast redaktori i gazetës “Telegraf”  iu drejtua dekanit të Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare (FSHJMN), Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, për të na dhënë disa konsiderata të përgjithshme rreth përgatitjeve që janë bërë, pritshmërive të këtij viti akademik, specifikave të formimit të studentëve në këtë fakultet etj.

Prof. Krisafi, cila ishte e veccanta e ceremonisw sw diplomimit qw u organizua tw dielwn nw UMSH?

Si një festë shumë e bukur dhe shumë e veçantë. 1050 djem e vajza që vite më parë i besuan UMSH  formimin e tyre, e kurorëzuan lodhjen, mundin, emocionet disavjecare, me diplomën universitare, e cila do t’iu shërbejë për të çelur dyert e së ardhmes. Ata, prindërit, miqtë por edhe pedagogët e tyre u mblodhën bashkë për ta perjetuar diplomimin si një nga castet shumë të bukura të jetës së tyre, që shënoi kalimin nga koha e shkollimit në atë të jetës së zakonshme. Gjithçka u zhvillua në një atmosferë emocionesh të fuqishme dhe gëzimi. Tashmë me diplomën e UMSH në dorë studentwt tanw  u ndanë nga auditorët, nga pedagogët dhe nga njëri tjetri drejt shtigjeve të së ardhmes, që me një gjuhë më prozaike do të perkufizohej drejt tregut të punës. Por shumica ndjeheshin të qetë, sepse tregu i punës është shumë i prirur ndaj produktit intelektual e profesional të UMSH, për shkak të nivelit të kenaqshëm profesional të tyre.

Cilat janë kriteret ku bazohen studentët për të zgjedhur drejtimin e formimit të tyre akademik profesional?

 

Së pari, duhet thënë se zgjedhja e profesionit, rrjedhimisht e fakultetit ose degës që studenti do të ndjekë në jetë, është ndër vendimmarrjet më të vështira që merr njeriu në jetë, të cilën e vendos në moshë të re. Është ndoshta vendimi i dytë më i rëndësishëm pas zgjedhjes së partnerit.

Së dyti, mendoj se nuk mund të flitet për kritere nga të cilat ai do të duhet të orientohet, por ka sidoqoftë disa ndjesi, që le t’i klasifikojmë në pragmatiste dhe idealiste.

Për profesionin dhe degën, përgjithësisht vendosin bashkërisht nxënësi maturant sipas prirjeve, talentit, aftësive dhe prindërit, sipas mundësive ekonomiko-financiare. Ngandonjëherë mund të ndikojë edhe rrethi i ngushtë shoqëror. Nëse flasim për FSHJMN, kam përshtypjen se ndikojnë disa faktorë. Për ata që zgjedhin drejtësinë vjen në radhë të parë ideali për të kontribuar në suksesin e reformës në drejtësi dhe në përafrimin e Shqipërisë me legjislacionin dhe direktivat komunitare për sistemin e drejtësisë. Bëhet fjalë për të rinj e të reja që hyjnë në jetë gjithë ëndrra, aspirata, ambicie për t’u angazhuar në shoqëri, për të dhënë kontributet e tyre etj. Por nuk përjashtohen edhe tradita familjare, prirjet e pragmatizmit për karrierë, pozicion të privilegjuar social dhe përfitime të larta ekonomiko-financiare etj.

Për maturantët që zgjedhin Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Diplomacinë faktor determinues mbetet sërish idealizmi, dëshira për t’u bërë pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e imazhit të vendit në botë, për të hyrë në shërbimin diplomatik shqiptar, për të zhvilluar dhe forcuar marrëdhëniet me shtetet e tjerë dhe organizatat ndërkombëtare, për të përshpejtuar ritmet e proceseve integruese të vendit në strukturat evropiane etj. Edhe te ky grup maturantësh nuk përjashtohet pragmatizmi, dëshira plotësisht e përligjur për karrierë dhe për një pozicion të privilegjuar social, për një jetë interesante jashtë vendit, për trajtime mondane në veprimtari, pritje, dreka, darka, pa kosto individuale, për shërbime në shtete të ndryshme etj.

Në këtë mënyrë mendohet se janë bërë përpjekje për t’u distancuar nga tradicionalizmi dhe për t’iu afruar standardeve moderne, evropiane dhe botërore.

Si veproni më konkretisht për çka vutë në dukje më sipër?

 

Le të përmendim sa për t’i cekur përpunimin dhe zbatimin e kurrikulave bashkëkohore, ndërtuar sipas modeleve më të mira dhe më të suksesshme të shteteve të tjerë, zbatimin e sistemit të Bolonjës, që inkurajon dhe lehtëson mobilitetin e stafeve dhe të studentëve, duke përfituar edhe nga aplikimet në projektet e ndryshme të organizmave evropiane, rajonale e më gjerë. Lidhur ngushtë me këtë kanë marrë rëndësi të veçantë zgjerimi i marrëdhënieve institucionale me universitete, organizma të edukimit shkollor, qendra kërkimore e shkencore, institucione publike e private, biznese dhe banka etj., brenda e jashtë vendit. Për konkretizimin dhe zyrtarizimin e bashkëpunimit me to, Universiteti ka lidhur një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh. Në këtë mënyrë besohet se kontribuohet për futjen e metodave moderne interaktive të mësimdhënies. Stafi akademik i UMSH, posaçërisht ai i FSHJMN, e ndjen nevojën e një veprimtarie serioze dhe, të vërtetë, për të sjellë përmirësime të mëtejshme cilësore. Sepse dihet që, në përgjithësi, gjatë tranzicionit sistemi universitar pësoi goditje të rënda dhe pati plagë të dhimbshme. Ajo që ndodhi me të gjithë sektorët e zhvillimit ekonomiko-social u ndie edhe në sistemin arsimor, posaçërisht në atë universitar. Por këtu pasojat duken më shumë, siç ndodh edhe në gjyqësor e shëndetësi. Për më tepër, në arsim ato janë afatgjata, shfaqen e ndikojnë jo vetëm “për sot e nesër”, por edhe më gjatë e më larg në kohë e në hapësirë. Ndikoj në sidomos te brezat e rinj. Sepse ata përgatiten specialistë për të ardhmen. Në UMSH po punohet fuqimisht për ta identifikuar atë si një institucion me specifika të posaçme në të tre fakultetet që përbëjnë fizionominë e tij. Përpjekjet janë fokusuar për të identifikuar dhe institucionalizuar rrugët, mënyrat dhe format e duhura juridike dhe institucionale që ai t’iu përshtatet sa më mirë dhe sa më natyrshëm zhvillimeve aktuale politike, sociale, ekonomike e juridike. Për këtë është përcaktuar si drejtim strategjik konfigurimi i një fizionomie akademike, shkencore dhe organizative që të përgatisë studentë të denjë dhe të aftë për të përballuar realitetet e reja me të cilat ballafaqohet Shqipëria sot e në të ardhmen. Kjo kërkon që studentët e sotëm të ndjehen pjesë e grupit të misionarëve të zbatimit të strategjisë së integrimit të Shqipërisë në Evropë, në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha fushat si; ekonomia, politika, drejtësia dhe gjyqësori, zhvillimi social, kulturor etj.

Shqipëria duhet të hyjë në Evropë edhe përmes përqasjes së legjislacionit të saj me frymën dhe përmbajtjen e legjislacionit komunitar, me adaptimin e procedurave të zbatimit të tij dhe fuzionimin e legjislacionit kombëtar me atë komunitar. Studentët e FSHJMN po edukohen dhe formohen në një etapë historike të zhvillimit të vendit, në kohën e zhvillimit final të Reformës së Drejtësisë. Ata do të jenë misionarët e zbatimit të saj. Ndërgjegjësimi për reformën në drejtësi si conditio sine quoi non, si domosdoshmëri imperative për ndërtimin e shtetit të së drejtës, në shërbim të gjithkujt, duke nisur që nga vetvetja, familjet dhe miqtë, shoqëria shqiptare dhe vendi në përgjithësi. Nuk ka bashkësi njerëzore të çdo madhësie e niveli që mund të përparojë e të zhvillohet nëse nuk respektohen disa rregulla e norma, të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë atë që quhet-e drejta dhe një sistem institucionesh, që të gjithë së bashku formojnë shtetin. Ato duhen njohur, përvetësuar dhe administruar me kompetencë profesionale me qëllim që ta kryejnë siç duhet rolin e tyre, si rregullatorë dhe instrumente në dobi të njerëzve. Prandaj në FSHJMN punohet maksimalisht që studentët të edukohen dhe formohen, por edhe të ndërgjegjësohen për misionin e madh shoqëror që kanë marrë përsipër duke zgjedhur formimin juridik dhe FSHJMN.

Pjesë e FSHJMN janë edhe studentët që përgatiten për të shërbyer si specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomatë brenda vendit, në shtete të tjera si dhe në organizata ndërkombëtare. Brezat e këtyre kohëve janë të ndërgjegjësuar, se vetëm me një formim shumë cilësor, mund t’i shërbehet realisht integrimit të vendit në BE. Kjo arrihet kur specialisti i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare kupton thelbin e procesit dhe përfshihet në të si pjesë e tij, çka është përcaktuar gjithashtu si prioritet i veprimtarisë mësimore, akademike e shkencore në FSHJMN.

Cilat janë masat që keni marrë për këtë vit të ri akademik?

 

Në pikëpamje të masave organizative për t’i pritur sa më mirë studentët ka kohë që të gjitha strukturat organizative të Universitetit janë në punë, me qëllim që fillimi i procesit të jetë normal dhe studentët ta ndjejnë veten sa më komod. Sapo mbaroi edhe procesi i rekrutimeve të reja në stafin akademik, ku u vu re një interesim i konsiderueshëm nga pedagogë që shfaqën interes për t’u bërë pjesë e UMSH. Është synuar drejt përzgjedhjes së vlerave të spikatura profesionale, akademike e didaktike, drejt personaliteteve të shquara. Ky është edhe investimi më me vlerë që është bërë këto vitet e fundit. Tregohet kujdesi maksimal në përzgjedhjen e pedagogëve. Dhe besojmë se është përzgjedhur një staf akademik elitar që karakterizohet nga formimi i përgjithshëm excellent intelektual, profesional e kulturor. Kujdes tregohet në kombinimin e kulturave, qytetërimeve, sistemeve juridike duke sjellë në auditore pedagogë të formuar në universitete nga të gjitha skajet e rruzullit. Duket se në UMSH, është formuar një mikrobotë e larmishme universitare. Ndërkohë është siguruar kombinimi i brezave, i traditës, përvojës, urtësisë së moshës, me entuziazmin rinor, modernizimin, mentalitetin dhe teknologjinë bashkëkohore, zhdërvjelltësinë, shkathtësinë e djemve dhe vajzave të reja që janë shquar për rezultate të shkëlqyera, për jetë aktive dhe veprimtari krijuese. Pjesë e stafit janë gjithashtu edhe personalitete të jetës politike, shtetërore, shoqërore, ish ministra, ambasadorë, diplomatë, ekonomistë e financierë me shumë emër etj. Ata sjellin në universitet përvojë, histori, kulturë. UMSH ka investuar në infrastrukturë duke e shndërruar selinë e xhamtë të tij në një mjedis unikal relaksues si nga pamja e jashtme ashtu edhe nga brenda, me auditorë, salla, bibliotekë, shërbime sociale etj.  Të gjitha këto përpjekje organizohen në mënyrë perfekte që studentëve, të cilët prindërit ia besojnë UMSH, të mos u shpërdorohen as paratë, as koha, as përkushtimi dhe të mos iu zbehet ose prishet ëndrra e formimit te tyre profesional.

Duke folur për juristët e ardhshëm, kujdesi parësor i kushtohet përgatitjes dhe formimit të tyre profesional, sepse nëse formimi i tyre profesional do të jetë solid, i plotë, i qëndrueshëm edhe kontributi që ata do të japin nesër si juristë, do të jetë i shëndoshë, nëse ai do jetë defektoz, apo, më keq akoma, fiktiv, pasojat do të jenë shumë negative. Një jurist i paformuar është i gatshëm të përkulet, të gjunjëzohet, të korruptohet nga politika, nga oligarkët e pasurisë, nga krimi, mafia, media etj. Përkundrazi një jurist i aftë profesionalisht, reziston dhe përballet me të keqen. UMSH përpiqet të formojë nga këta të dytët, specialistë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për veten e tyre, për vendin dhe shoqërinë. Punohet që ata të bëhen siç duhet.

Prof. Krisafi,  si po shkojnë regjistrimet këtë vit a ka krjiuar probleme përcaktimi i një kufiri të mesatares për pranim në universitet?

Kanë ecur me ritme të mira, numri i studentëve të regjistruar deri tani, kur ka mbetur edhe faza e tretë për t’u mbyllur, ka ardhur vazhdimisht në rritje. Shkaku ka të bëjë me faktin që UMSH ka zënë tashme nje vend të vleresuar, ka krijuar personalitetin dhe emrin e vet të nderuar si një nga universitetet më të mira të vendit. Shpresohet, se këto ditë numri do të vazhdojë të rritet edhe më shumë. Vendosja e notës mesatare si kriter hyres nuk e ka prekur UMSH, sepse edhe më parë ai ka ndjekur politikën e pranimeve mbi bazën e rezultateve cilësore. Përcaktimi zyrtarisht i këtij kriteri shkon në të njëjtën linjë me këtë objektiv. Nga kjo pikëpamje ajo vjen si një komoditet për UMSH, sepse shërben për të zmbrapsur ndonjë kërkesë insistuese për të regjistruar studentë me mesatare të ulët

Prof. Krisafi, ju faleminderit dhe ju urojmë një vit të ri akademik sa më të suksesshëm!

Edhe unë ju falenderoj.

 

1

Tashmë me diplomën e UMSH në dorë studentwt tanw  u ndanë nga auditorët, nga pedagogët dhe nga njëri tjetri drejt shtigjeve të së ardhmes, që me një gjuhë më prozaike do të perkufizohej drejt tregut të punës, i cili është shumë i prirur ndaj produktit intelektual e profesional të UMSH, për shkak të nivelit të kenaqshëm profesional të tyre

Stafi akademik i UMSH, posaçërisht ai i FSHJMN, e ndjen nevojën e një veprimtarie serioze dhe, të vërtetë, për të sjellë përmirësime të mëtejshme cilësore

3

 

Në UMSH po punohet fuqimisht për ta identifikuar atë si një institucion me specifika të posaçme në të tre fakultetet që përbëjnë fizionominë e tij. Përpjekjet janë fokusuar për të identifikuar dhe institucionalizuar rrugët, mënyrat dhe format e duhura juridike dhe institucionale që ai t’iu përshtatet sa më mirë dhe sa më natyrshëm zhvillimeve aktuale politike, sociale, ekonomike e juridike

4

Pjesë e FSHJMN janë edhe studentët që përgatiten për të shërbyer si specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomatë brenda vendit, në shtete të tjera si dhe në organizata ndërkombëtare. Brezat e këtyre kohëve janë të ndërgjegjësuar, se vetëm me një formim shumë cilësor, mund t’i shërbehet realisht integrimit të vendit në BE

5

Duket se në UMSH, është formuar një mikrobotë e larmishme universitare. Ndërkohë është siguruar kombinimi i brezave, i traditës, përvojës, urtësisë së moshës, me entuziazmin rinor, modernizimin, mentalitetin dhe teknologjinë bashkëkohore, zhdërvjelltësinë, shkathtësinë e djemve dhe vajzave të reja që janë shquar për rezultate të shkëlqyera, për jetë aktive dhe veprimtari krijuese