Intervista e fundit me regjisorin Vladimir Prifti: Të gjithë më thonë se filmi më i bukur që kam realizuar mbetet “Udha e shkronjave”

199
Sigal

-Për në Institutin e Arteve konkurova së bashku me Robert Ndrenikën dhe fituam të dy.

– Nuk harroj pedagogët Kujtim Spahivogli, dhe Mihallaq Luarasi.

– Në Teatrin Kombëtar, kam punuar dhe kam mësuar shumë nga segjisori i shquar, Pirro Mani.

– Filmi im i parë ishte, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, por i trajtuar jo si në teatër, por si gjetje kinematografike.

– Të gjithë më thonë se filmi më i bukur që kam realizuar mbetet “Udha e shkronjave”.

Baxhul Merkaj

Vladimir Prifti, regjisori edhe kineasti, meteor i ndritur, personalitet i shquar i artit edhe të kinematografisë shqiptare na ka dhënë lamtumirën. Në shëtitjet, që bëja në mëngjeset e herrëta, rrugëtimeve nëpër Tiranë, e shihja, regjisorin e shquar, Vladimir Prifti, duke vrapuar. Shpeshherë kishim shkëmbyer përshëndetje. Kërshëria për të njohur atë figurë të përndritur të kinematografisë shqiptare në një nga ditët e ndala, i dhashë dorën me ngrohtësi, u përqafuam, pashë buzëqeshjen edhe sytë e tij rrezatues që hynin në çdo qelizë njerëzore. Tek fytyra e ndritur edhe zëri sa burrëror edhe njerëzor pashë thjeshtësinë edhe madhështinë e tij. Edhe kështu duke folur e lamë për t’u takuar për të folur një ditë tjetër më me hapësirë. Tashmë, që po hedh këto radhë, sapo jam kthyer nga përcjellja e tij, për në banesën e fundit, ku u rrethuam nga Artistët Elitarë si Piro Milkani, Abaz Hoxha, Osman Mula, Esat Mysliu, Esat Ibro, Dhimitër Pecani, Ndriçim Xhepa, Rajmonda Bulku, Timo Flloko, Sokol Angjeli, poeti edhe gazetari, Shpëtim Bozha, e të tjerë. E shoqja e Regjisorit të shquar, Vladimir Prifti, vajza, Monda Prifti, Bora Prifti, edhe djali, Kejdi Prifti, na prekën në shpirt me fjalët ngushëllyese të tyre. Monda Prifti, u shpreh: -Vladimir Prifti, e donte jetën, i donte festat edhe ju në festa të ju shoh…! Në vendvarrim në emër të Artistëve Elitarë foli regjisori i shquar Osman Mula, me nderime për regjisorin e shquar Vladimir Prifti, duke përmendur për nderimet, familjen edhe gjithë njerëzit e pranishëm. Në kujtesë, në këtë çast, më shfaqet bashkëbisedimi që, kohë më parë zhvillova me atë.

– Dëshiroj të di pak fjalë për jetën tuaj, zoti regjisor i shquar. Kush ishte familja juaj dhe cili ishte rrugëtimi drejt artit?

– Kam lindur në Tiranë, në vitin 1942. Babain e kisha nga qyteti i Kavajës, ndërsa nga Belica e Strugës, kisha nënën time. Që nga vitet 1910-1912, familja ime banonte në Tiranë, pranë Kinema Republikës. Në lagjen ku banoja, banorët e donin shumë sportin, ndërsa unë duke qenë se me Kinemanë na ndante një mur, ndiqja shpeshherë filmat e asaj kohe. Babain e kisha shofer, shpeshherë bënte rrugët në Veri të vendit tonë edhe ku mua më merrte me vete në makinën e tij, kënaqesha, duke soditur këto vende mjaft të bukura. Duke u rritur hyra në Gjimnazin “Qemal Stafa” edhe vitin e fundit e bëra tek Gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, bashkë me Artistin e shquar, Robert Ndrenika. Në vitin 1960-1961, konkurruam në Shkollën e Lartë për aktor të dy edhe fituam. Pedagogët tanë ishin Regjisorët e Shquar, Kujtim Spahivogli, edhe Mihallaq Luarasi. Sapo mbarova shkollën, fillova punën në Teatrin Kombëtar, ku kam punuar me regjisorin e shquar, Pirro. Mani. Kemi inskenuar dramën, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sipas romanit me të njëjtin titull të romanit, të shkrimtarit të shquar, Ismail Kadare. Në Teatër Kombëtar punova tetë vjet edhe mëtej në Radio Televizionin Shqiptar, edhe njëkohësisht asistent pedagog në Akademinë e Arteve, me regjisorin e shquar, Kujtim Spahivogli. Duke punuar në Televizion aty fillova edhe punën time filmike.

– Dëshiroj, të di mbresat e Filmit tuaj të Parë?!

– Filmi im i parë ishte, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, por i trajtuar jo si në Teatër, por me ide edhe shprehje të reja në film, në kuptimin e gjetjeve kinematografike.

– Fjalët tuaja për filmin “Udha e shkronjave”?

– Shpeshherë edhe sot më thonë: -Ladi, ke bërë filma shumë të bukur, por ne si artdashës themi se filmin më të mirë, ke realizuar, “Udha e shkronjave”. Ky film është mbështetur në një letërsi të mirëfilltë nga tregimi “Buka edhe thika”, i shkrimtarit të shquar, Dhimitër Shuteriqi. Tregimi flet për një rilindas i pasqyruar porsi një idealist, që sjell disa germa, disa shkronja për të filluar shtypjen e librave shqip, por i ngacmuar edhe i përndjekur nga forcat e errëta të asaj kohe, siç ishte patriarkana greke. Skenat e filmit u zgjeruan tepër, duke tejtrajtuar bukur lojën e personazheve, fatet e tyre. Vlen të përmendim lojën e shkëlqyer të artistëve të shquar, Sandër Prosi, Nrek Luca, Bujar Lako, e të tjerë. Interpretimi i tyre tejmadhor edhe profesional, bëri, që ky film u vlerësua nga Juria, edhe mori çmimin special në Festivalin e Filmit të atij viti.

– Nga autorët e Inskenimeve tuaja, kë do të veçoje?!

– Ndër më të shquarit vlerësoj Artistin e Popullit, Sandër Prosi, Ndrek Luca, por edhe aktorët e tjerë, që shkëlqyen në filmin tim “Flutura në kabinën time”, si, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Frederik Ndoci edhe të tjerë.

Çfarë është Arti për regjisorin e shquar, Vladimir Prifti?!

– Unë e njoha edhe e preka Artin, qëkurse vazhdova shkollën e lartë. Arti për mua ka qenë dritmëri e fuqishme për të depërtuar në botën shpirtërore të njerëzve.

Epilog

Marrdhëniet e mia eseistike, kritike të vërteta edhe të shëndosha për këta regjisorë, aktorë, muzikantë, piktorë kanë qenë tejet të vërteta. Artistit, regjisorit të shquar, Vladimir Prifti, i fliste zemëra, i fliste shpirti. Ai ishte edhe mbeti një meteor i ndritur, ku Arti i tij flet sot edhe përjëtësisht për kohët, që vijnë.