Intervista e fundit me Nina Mulën dhënë për ‘Telegraf’: Si u njohëm me Avniun, martesa në Tiranë dhe si shkuam në Rusi në 1991, pas 40 vitesh

402
Sigal

Lamtumira për Nderin e Kombit Avni Mula

Intervista e fundit me Nina Mulën dhënë për ‘Telegraf’: Si u njohëm me Avniun, martesa në Tiranë dhe si shkuam në Rusi në 1991, pas 40 vitesh. Kallashnikovi dhe takimi me motrën

Në respekt të veprës së kompozitorit Avni Mula i cili u nda dje nga jeta, “Telegraf” sjell para lexuesit një intervistë me bashkëshorten e atistit, Nina Mulën, zhvilluar 11 vite më parë:

– Nina Mula: Si i ra telefoni nga dora e motrës më vitin 1991 kur më dëgjoi zërin pas 40-vjetësh

-Ja si u njoha më Avniun njeriun e zemrës i cili ishte bërë emër në Rusi

-Kur e mora në telefon, motrës i ra të fikët

-Kam një shishe vodka me firmën e Kallashnikovit

-Pengu im është që kam dalë në pension 45 vjeçe

Gazeta Telegraf

Çdo jetë artisteje është e veçantë. Jeta e tyre, ka të pritura dhe të papritura, të menduara dhe të pamenduara, të reja dhe të vjetra, suksese dhe ankthe, këmbëngulje dhe stepje, por gjithmonë personalitete të tilla si Nina Mula kanë ditur të dalin mbi vetveten dhe të japin zgjidhet e duhura në jetë. Një nga të veçantat e Ninës është se ajo, për hir të dashurisë, la vendin e saj të dashur Rusinë e madhe dhe erdhi për të jetuar në një vend të vogël. Vend, që me kalimin e kohës ju bë atdheu i parë. Këtu ndërtoi familje, këtu mori famë, këtu korri sukseset duke lënë në atdhe njerëzit më të afërm. Një sakrificë që pakkush mund ta bëjë. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën, ajo ka sjellë gjithë detajet e panjohura të fëmijërisë së saj, pikësynimet që i kishte vënë vetes për të ecur në jetë dhe për të ndërtuar atë që ka sot, një familje të shëndetshme, një nga familjet më të njohura dhe më të respektuara në të gjithë Shqipërinë. Gjithmonë e qeshur, e dashur, ajo rrezaton mirësi dhe paqe. Vitet nuk e kanë rënduar, përkundrazi e kanë bërë më kërkuese, më punëtore, më aktive, më të freskët. Origjina e saj është nga qyteti ku ka lindur një nga shpikësit më të debatuar në glob, Kallashnikovit, mbiemrin e të cilit e mban arma më e shumë diskutuar dhe me përhapje gjeografike të paparë, automatiku model 56 “Kallnashnikov”. Vitet e fëmijërisë së saj lidhen me luftën më të ashpër, më mizore, atë të Luftës së Dytë Botërore, ku Rusia mbajti peshën kryesore, në shporrjen e bishës naziste. Ditën që e lashë për të bërë intervistë për “Telegraf”, e gjeta me këtë gazetë në dorë duke lexuar intervistën që i kisha bërë gazetares së mirënjohur Tefta Radi. Pa u ulur mirë ajo e filloi vetë intervistën….

Duke lexuar intervistën e gazetares Tefta Radi në gazetën “Telegraf (së pari dua të them kam shumë respekt për këtë gazetare, për  profesionalizmin e saj) më shkoi mendja tek një spiker me famë në Rusi i Radio Moskës, Levitan. Unë këtë e mbaj mend në kohën kur kam qenë në Rusi 11-12, vjeçe. Ai në kohën e luftës thoshte “Gavarit Mosskja”, me tonin e tij të çuditshëm, magjik, që të impononte se patjetër duhet ta dëgjoje, sepse diçka të rëndësishme do të thotë. Në një moment të tillë e kam fiksuar zërin, tonin, rëndësinë që i jepte lajmit që do transmetonte. Një ditë e mbaj mend që nga altoparlanti erdhi zëri i tij që tha se, mbas pak do të flasë ministri i Jashtëm i BRSS, në atë kohë Mollotov. Kjo ka ndodhur në vitin 1941. Ne ishim në park duke luajtur dhe unë vrapova në shtëpi. Në atë kohë kam qenë në qytetin tim të lindjes, Jushevsk. I thashë babait se do të flasë Mollotov diçka të rëndësishme. Ai foli për shpalljen e luftës së Gjermanisë  kundër  Bashkimit Sovjetik. E mbaj mend edhe sot zërin e spikerit që u bë pjesë e çdo shtëpie në Rusi. Të gjithë e përmendnim çdo  ditë Levitanin, sepse ka pasur një zë imponues, një tingull, një ndjenjë sikur interpretonte. Kam dëgjuar se edhe Hitleri e kishte synimin për ta zhdukur, e dënoi në mungesë Levitanin. Ai ishte zëri i Rusisë së asaj kohe.

Qyteti i juaj i lindjes në ç’pjesë të Rusisë bie?

Qyteti im është në mes Evropës dhe Azisë. Në Malet Urale. Në jug të Uraleve është qyteti Juzhevsk. Ky është një qytet industrial me uzina të fuqishme, metalurgji. Aty afër nesh është edhe vendlindja e Çajkovskit, 30 km larg qytetit. Vendi është jashtëzakonisht i bukur, i rrethuar me pyje të pafundme. Vetë industria e kërkonte këtë gjelbërim. Qyteti, edhe sot kur shkoj, është shumë i dendur me gjelbërim. Qyteti është mbas Kazanjës. Kazanja është një qytet i madh. Dhe 200 km nga Kazanja është qyteti im Jushevsk.

Sa fëmijë ishit?

Ne ishim tetë fëmijë, 2 vëllezër dhe 6 motra. Në kohën e Luftës nga mungesa e ushqimit, ilaçeve, vdiqën tre fëmijë. Dy binjakë motër dhe vëlla kanë jetuar nga një vjeç dhe një motër tjetër vdiq në moshën tre vjeçe. Dhe mbetëm pesë, 2 vëllezër dhe tre motra.

Po babai çfarë pune bënte?

Babai punonte në uzinë. Në uzinë ka qenë shef i repartit në metalurgjik, që prodhonte kryesisht çelik. Pastaj aty filluan të prodhoheshin armë. Unë jam nga qyteti i Kallashnikovit. Aty jetonin kallashnikët. Unë historinë e tij nuk e di mirë sepse kam ikur 19 vjeçe nga ai qytet. Por m’i kanë treguar miqtë dhe kam lexuar më pas.

Pra nuk e keni njohur në atë kohë Kallashnikovin e famshëm?

Jo. As nuk e dija që ekzistonte, sepse në atë kohë shkencëtarët ishin emra që përbënin sekret, pasi projektonin armë. Ai është një burrë fisnik dhe shumë i mbajtur. Më kujtohet kur kemi qenë të ftuar në ’97-ën, ku kemi ikur në Rusi, në momentin kur bëhej dekorimi i njerëzve më të rëndësishëm të qytetit. Mes tyre kanë qenë edhe Kallashnikovi i ftuar. Na kanë ftuar edhe neve (mua dhe Avniun), nëpërmjet një personaliteti që është doktor i njohur kirurg në qytet. Pra, në atë mbrëmje e njoha nga afër Kallashnikun. Bile kam edhe një shishe vodka me firmën e tij.

Dita e rënies së fashizmit, si e kujtoni?

Gjithmonë më kujtohej babai. Çdo darkë ku mblidheshim së bashku atëherë radioja ishte me valë të kufizuara, të qytetit. Por jo si sot që dëgjon çfarë të duash. Atëherë dëgjonim në darkë lajmet e orës 20:00 të mbrëmjes. Më kujtohet kur rinim si të ngrirë kur dëgjonim zërin e Levitanit. Kështu të gjithë grumbull ku dihej se së shpejti do të vinte fitorja. E mbaj mend se sa dëgjoi lajmin baba u ngrit dhe doli jashtë tepër i qeshur. Dëgjova zhurmën e gozhdës së portës së oborrit ku baba vuri flamurin e ri, flamurin e fitores. Na përqafoi të gjithëve. Na puthi. Sa të gëzuar u ndjemë në ato moment! Më datën 9 maj u ngrit flamuri, ku i gjithë populli doli në shesh në mënyrë spontane. Njerëzit të dobët kërcenin, këndonin, sepse kishin 5 vjet vuajtje të mëdha, materiale dhe shpirtërore. Atë natë nuk e harroj kurrë edhe zhurmën e gozhdës e mbaj mend.

Si ka qenë jeta juaj në kohën e luftës?

Babai im ka punuar 24 orë në kohën e luftës. Kemi provuar skamjen, frikën. Dritaret i mbanim të mbuluara me çarçaf të zinj se në rast kur vinin avionët të mos diktoheshim. Atmosfera e luftës ishte kudo. Meqenëse qyteti ishte larg, vinin të plagosurit, njerëz të paaftë për luftën, ku shumë u strehuan në shtëpinë tonë. Unë në atë kohë isha fëmijë dhe këndoja në shtëpi.

Kush ishte kënga më e preferuar atëherë?

Në kohën e luftës dolën këngë të shkëlqyera.

Nata është e errët,

vetëm era fëshkëllen

në telat e korentit,

nuk më frikëson vdekja,

shpesh e kemi takuar nëpër beteja.

Këtë këngë e këndonte shpesh nëna ime me kitarë. Gjithmonë e kujtoj me pika loti. Nëna ime vdiq shumë e re, 42 vjeçe. Ajo vdiq nga mungesa e një peniciline. Në fillim më vdiq nëna dhe mbas dy vjetëve më vdiq edhe babai. Ata nuk vdiqën në luftë. Nëna më vdiq në vitin 1946, ndërsa babai më vdiq në vitin 1948.

Pra mbetët jetimë….?

Ne kishim një motër të martuar në një qytet tjetër, një motër e martuar të qytetit tonë. Pra ne mbetëm 3 fëmijë kur na vdiqën prindërit. Vëllai im që ishte tre vjet më i madh se unë dhe i vogli pesë vjet më i vogël. Ishte një jetë e tmerrshme.

Si ndjeheshit pa prindër në atë kohë?

Pa prindër, në moment të duket se është një katastrofë. Prindi është dashuria, mbështetje, e ardhmja për fëmijët. Por kur je përpara një fakti, që të zgjohej një krenari për prindin tënd, duhet me qenë shembull, duhet të gjesh forca. Në respekt të tyre ne kemi punuar dhe studiuar shumë. Asnjë nuk ka mbetur pa shkollë të lartë. Kemi jetuar me shumë sakrifica.

Jetime, si morët rrugën e bukur të këngës?

Në vitin ‘50, drejtori i shkollës ku unë mësoja (nuk më kujtohet emri i atj drejtori), pasi më dëgjoi duke kënduar më këshilloi të mos e merrja diplomën, por të shkoja të studioja në konservator në Moskë sepse kisha zë të bukur. U nisa në Moskë me mësuesen time, e cila më preu dhe biletën. Fitova në saj të vlerësimit të një këngëtari të madh që e pëlqeu zërin tim. Në Moskë, në shkollë njoha dhe Avniun. Aty u dashuruam. Avniu kishte bërë emër në shkollë. Bile në gjithë Rusinë. Ishte i ftuar në koncertet më të famshme të atyre viteve në Moskë. I dhamë fjalën njeri -tjetrit se do të jemi gjithë jetën bashkë.

Ardhja juaj në Shqipëri….?

Po. E mbaj mend si sot. Ishte shtator i vitit 1957, erdhëm me vapor. Zbritëm në Durrës. Një port ende i çrregullt. Na pritën ngrohtë shokët e Avniut. Fillimisht erdhëm në Tiranë dhe qëndruam tek motra e Avniut. Mbas 2-3 ditësh shkuam në Shkodër, ku im shoq kishte gjithë familjen. Na priti nëna, motra dhe vëllai i Avniut. Më kanë pritur shumë bukur. Unë atëherë nuk dija shqip, por buzëqeshja e tyre ishte gjuha më e bukur dhe mikpritja më e ëmbël. Gjeta atë ngrohtësi që më kishte munguar nga vdekja e prindërve. Largësia në këto momente sikur u largua nga qënia ime.

Cila është opera më e bukur që ke vënë në skenë që të ngjall dhe sot emocione të mëdha?

“Jolanda”. E papërsëritshme. E paarritshme. Vënia në skenë e “Jolandës” ka qenë dita më e bukur për mua. Sepse është një opera me përmbajtje shumë të bukur, muzikë të mrekullueshme. Jolanda ishte një vajzë e verbër, e cila nuk e dinte që ishte e tillë, sepse i ati, mbret, ruan me fanatizëm që e bija të mos e mësojë të vërtetën se është e vërbër. I gjithë stafi i shtëpisë (me të gjithë shërbëtoret) dhe farefisi nuk kanë të drejtë t’i thonë asaj se ajo është e verbër. Ajo duhet të mendojë se kështu është e gjithë bota. Aty është e gjithë esenca e kësaj opere kaq të bukur. Në momentin që një djalë, një kreshnik ka ardhur pa leje dhe krejt pa e ditur i thotë asaj të vërtetën, vajza shtanget! Zakonisht ata që vinin pa leje në pallat dënoheshin me vdekje, sepse cenohej sekreti për Jolandën. E kërcënuan dhe kreshnikun, por Jolanda nuk e lejoi ekzekutimin e

tij. Ka një muzikë të mrekullueshme në atë çast dhe ndërsa Jolanda prek fytyrën e kreshnikut, shprehet se ajo do të shohë nëpërmjet syve të tij. Atëherë doktori deklaron se Jolanda mund ta përballojë operacionin dhe të shohë. Ka qenë një vepër e mrekullueshme që më ka emocionuar shumë dhe kam qarë me gjithë shpirt.

Sistemi monist ka ndërprerë shumë ëndrra…?

Po. Ka ndodhur dhe me mua. Më ndërpenë ëndrrën të këndoja këngë me repertor të huaj. Reformat politike hoqën gjithçka dhe më në fund edhe operën “Traviata”. Unë e kisha kënduar një herë “Traviatën” në ‘65-ën dhe ishte një rivënie në skenë me regjisorin e talentuar Mihallaq Laurasi dhe piktorin Ali Oseku. Vepra u realizua me një sukses të jashtëzakonshëm me një publik të etur dhe shumë të vëmendshëm. Ishte një sukses i madh ku njerëzit herë qanin, herë gëzoheshin pambarimisht. Por mbas katër shfaqjesh ky gëzim u kthye në lotë. Opera u kritikua për pikëpamje moderniste. E hoqën nga repertori. Më është dukur sikur më shqyen zemrën nga trupi. Arti nuk ka kufij, prandaj është i bukur, prandaj depërton, pushton botën.

Kush ndikoi tek Inva që të marrë rrugën e artit?

Mendoj se ishte vetë talenti i saj i lindur. Më kujtohet që kemi kënduar “Rigoleton” bashkë me Avniun në ‘64 –ën, në Teatrin e vjetër. Inva ka qenë vetëm 2 vjeçe. Ne po dilnim në kopësht në momentin e pushimit dhe shikoj Invën në këmbë, të shoqëruar nga disa solistë që e ngacmonin duke i thënë se ajo nuk dinte të këndonte si mami. “Unë di”, u përgjigj ajo me vendosmëri dhe nisi të këndonte meloditë e “Rigoletos”. Më pas, Inva merrte gjithnjë diçka në shtëpi e vinte si mikrofon dhe imitonte këngëtaren e njohur Milva. Ëndërronte të bëhej këngëtare e muzikës së lehtë. Me kalimin e kohës, duke u pjekur mbaroi shkollën dhe sot është këngëtare e operas, ajo që njohim të gjithë.

Kur jeni kthyer në Rusi pas përmbysjes së sistemit komunist?

Ne kemi shkuar që vitin e parë pas hapjes së kufijve në ‘90-ën, kur kanë ikur vaporët e parë. Ato ditë ishim në Durrës. Avniu na tha sikur të shkojmë në Rusi. Me çfarë të shkojmë i thashë? Kur u kthyem në Tiranë ai u interesua për viza. Shkoi në Hungari për të siguruar vizat për të shkuar në Rusi. Më kujtohet për të prerë biletat kemi shitur makinën qepëse. Kishin kaluar 32 vjet që nuk isha takuar me njerëzit. Në Hungari mori në telefon ambasadën shqiptare dhe sekretari i ambasadës na doli garant. Na shkruajti një letër dhe e paraqitëm. Na dhanë vizat. Tani ishte e tmerrëshme se kush do të na priste. Për të shkuar duheshin 32 orë udhëtim. Rastësisht takuam një shokun tonë të shkollës, hungarez. Ai na dha një adresë të një shqiptari që punonte në Radio Moska. Sepse s’kishte kush të na priste. Kur zbritëm në Moskë në aeroport

me një emocion dëgjoj altopolantin ku shqiptojnë emrin e Avniut. Avni Mula nga Budapesti ju pret….Ai që punonte në radio dërgoi dhëndrrin për të na pritur, sepse vetë kishte punë. Unë iu hodha në qafë pa e njohur fare sepse kishte emrin Juri, si vëllai im i vogël. Na priti, na çoi në shtëpi. Për fat, atje ka pasur telefon. Formova telefonin e motrës. Del vetë ajo. U drodha. Jam Nina i thashë dhe jam në Moskë. Asaj i ra të fikët.

Ju keni marrë pjesë në shumë aktivitete të Institutit Kombëtar të Fëmijëve Jetimë, arsyeja?

Duke qenë jetime kam dhënë një ndihmë modeste, për të shtuar pak në ato kontakte gëzimin e këtyre fëmijëve që nuk kanë ndjerë dorën e ngrohtë të prindërve të tyre. Bashkëpunimi me z. Ilir Çumani ka qenë serioz. Aktivitete të tilla me jetimët duhet të jenë të shpeshta dhe të larmishme. Ata kanë shumë nevojë për to.

Me çfarë merret Nina aktualisht?

Nina merret me mësim privat. Kam dy nxënës të vitit të dytë. Me ta kam një kontratë 2- vjeçare pastaj them ta lë këtë profesion.

A është marrë ndonjëherë me politikë Nina Mula?

Asnjëherë, dëgjoj vetëm lajmet, se çfarë ndodh.

A e shikoni që muzika shqiptare është deformuar?

Shikoj me keqadhje. Më ka marrë malli për melodi. Duket si një muzikë që është futur në prizë dhe vazhdon ecën dhe nuk të shijon. Por kur këndojnë këngëtarët potentë, ndryshon puna. Kënga shqiptare del e plotë. Me gjithë fuqinë, bukurinë, magjinë e saj.

(Kjo intervistë është marrë në vitin 2009)

 

Gazeta “Telegraf” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve

29 tetori i vitit 2020 do të shënojë ikjen nga kjo jetë të një prej kompozitorëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, Avni Mulës. Kompozitori është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare, ku kontributi i tij në artin shqiptar është shumë  i vyer, pasi numëron dhjetëra projekte. Një zë i rrallë, një kompozitor i talentuar, një njeri me zemër të madhe. Gazeta “Telegraf” i shpreh ngushëlimet më të sinqerta familjarëve. Ikja e Avni Mulës në përjetësi është një humbje e madhe për artin shqiptar.