Intervista/Anastas Nika: Ju tregoj vështirësitë e jetës dhe ëndrën për t’u bërë aktor

743
Sigal

Si më përjashtuan nga shkolla se donin të bëhesha spiun, tentativa për të kaluar kufirin në vendin ku u arratis Bilal Xhaferri, konkurrimi para Kames, Ndrenikës, Kullës, Haskos dhe Pajës. Takimi me Enverin para bustit të Stalinit dhe premtimi i Ramës

  • Flet regjisori dhe aktori Anastas Nika: Në ushtri desha të arratisesha në vendin ku u arratis Bilal Xhaferri
  • – Si konkurova para Gëzim Kames, Robert Ndrenikës, Pëllumb Kullës, Birçe Haskos dhe Luftar Pajës
  • -Si më përjashtuan nga shkolla e kulturës në Tiranë për shfaqje të huaja
  • – Unë kam interpretuar poezinë “Kënga e partizanit Benko”, tregimin e Azis Nesin “Kur vura syze”,”
  • -Shtanga, Robert Ndrenika më dha të fala për xha Mihalin traktoristin e fshatit me baba të arratisur
  • -Lajmin për shkollën ma solli një oficer sigurimi, nëna u tremb
  • – Pedagogët e mi ishin Timo Flloko, Agim Qiriaqi. Viktor Zhusti, Minella Borova, Vladimir Prifti, Pëllumb Kulla, Rikard Ljarja, Jul Nenshati, Piro Mani

Gazeta Telegraf

Pandemia ndoshta kufizoi takimet me njëri tjetrin, por jo komunikimin nëpërmjet internetit. E mira e kësaj ishte se kishe kohë të reflektoje me veten për shumë gjëra. Por duhet thënë  që teatri dhe filmi,është ai që u dëmtua më shumë. Anastasi ishte gjithmonë në lëvizje dhe kjo situatë i prishi shumë idetë e tij. Po pati dhe një të mirë. Ai në këtë situatë u mundua të sjellë kujtimet e tij në letër, por dhe të rishohë punën e tij. Pra ishte kohë bilanci dhe reflektimi….


Kohë pandemie. Si ishte kjo periudhë për një artist larg skenës dhe miqve?

Sigurisht që është kohë e çuditshme,ku dhe fantazinë e la pas me bëmat e saj kjo pandemi, na ndryshoi  pamjen me një maskë në fytyrë. U mbyllën gjithë teatrot dhe kinematë , ku humbi komunikimi me publikun, por dhe tjetra humbi komunikimin me partnerin e skenën , dhe kjo sjell një apati e çorientim tek aktori. Dhe sa për mua dhe familjen time, megjithëse kohë pandemie realizuam disa projekte të vogla, por dhe një projekt shumë serioz : filmin me metrazh të mesëm të titulluar ‘’ Kamenica “ sipas legjendës së shkruar nga liriku i shquar dhe legjenda e legjendave Petrit Ruka, ku ne kishim planifikuar që këtë tetor t’ia bënim suprizë, por …. Së bashku me tim bir Enean realizuam me sukses poemën e gjatë dedikuar Covid 19 “Dëbora Blu”, shkruar nga poeti i njohur Bardhyl Maliqi. Gjithashtu kemi realizuar shumë videoklipe poetike, të cilat janë shpërndarë në Yout tube e Facebook. Kemi shkruar disa skenarë që presin rradhën për t’u kthyer në imazh filmik. Kam realizuar disa emisione radiofonike  me Radio Saranda me poezi të interpretuara nga unë. Realizuam Festivalin Poetik mbarëkombëtar “Një poezi për Sarandën” , si dhe dy spektakle televizivë realizuar në natyrë me trupën profesioniste si “ Mirësevjen 2021” dhe “ Dashuri në kohë të koronës” me skenar të shkruar nga unë dhe regji të tim biri Enea .

– Këto vite në Shqipëri aktrimi sikur është zbehur…por mbetet një profesion i bukur, frymëzues dhe shtysë vizionesh, si lindi dëshira për profesionin dhe kush e zbuloi talentin tuaj ?

Nga shkallët ku jam sot gjashtë dekadash, e them me zë të lartë , se nuk ka profesion më të bukur se aktori. Unë kam lindur në një fshat diku afër  qyetit antik  të Butrintit githmonë me ëndrrën të bëhesha aktor. Ishte viti 1967 ku unë do të luaja Babagjyshin në spektaklin e shkollës me rastin e vitit të ri. Ajo që  mbaj mend mirë është se kur në fshatin tonë filloi të vinte një makinë kinemaje unë  shpesh  i lutesha kinooperatorit, i cili ishte dhe shoferi i makinës të më merrte dhe mua  në fshatrat e tjera atje afër…Ai më shikonte duke qeshur dhe ikte. Unë mendoja se filmi në fshatin tonë  nuk ishte dhënë i tëri ose ngjarjet në fshatin tjetër do të ishin ndryshe. Kinooperatori  më shikonte, çuditej dhe qeshte. Më së fundi u bëmë miq dhe filloi të më merrte me vete . Madje më mësoi të vendosja  ekranin ku ishte një çarçaf i bardhë dhe të  shpërndaja  e mblidhja në fund të filmit kabllin dhe altoparlantin e zërit. Dhe unë ndihesha  i privilegjuar dhe një njeri i rëndësishëm për çfaqjen e filmit. Më vonë kinooperatori duke parë pasionin tim të ‘’çmëndur’’ për fjalën më lejoi të tregoja fabulën e filmit përpara se të çfaqej. Kisha hyrë në rrugën e ëndrrës për aktor?!Pra njeriu që më mësoi artin e bukur të aktrimit, kur isha vetëm 11 vjeç është kinooperatori i Livadhjasë ( në atë kohë ) Vasil Kromidha, i cili për katër vite më aktivizoi me nxënësit e shkollës se mesme Livadhja  dhe trupën e teatrit të kooperativës, ku në disa festivale në Sarandë e Delvinë jam nderuar me diploma. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare ,Vasili do të më përgatiste për të konkuruar në shkollën e kulturës në Tiranë , dega regjisurë teatri, të cilën e fitova, por në vitin e tretë do të përjashtohesha për çfaqje të huaja ( kupto se nuk u bëra spiun i drejtoreshës) dhe fillon kalvari i gjatë i vuajtjeve ku pas dënimesh me riedukim, do të vazhdoja shkollën për Zoteknik në Delvinë, por dhe atje si një” djalë i rrezikshëm” ,do të përjashtohesha. Këtu unë me pasionin tim ‘të çmendur’’ në moshën 18 vjeçare  kur isha në vitin e dytë të kësaj shkolle do të nisja hapat e para  në  rrugën time si regjisor duke vënë me nxënësit e kësaj shkolle komedinë “E fejuara ime” të autores Fatmira Aliaj, e cila në festivalin teatror të shkollave të mesme në Sarandë  u nderua me çmimin e tretë. Po për këtë vepër nuk e di pse unë do të përjashtohesha nga shkolla përsëri…?! Dhe pas një vit riedukimi tjetër , do të shkoja ushtar në brezin e kufirit në zonën e Konispolit, në një repart të thellë mes maleve. Nuk e harroj një natë kur binte borë dhe unë kryeja shërbimin në errësirë, nga dritarja  shikoj që në televizor ishin shokët  e mi që tani ishin studentë të dramës duke interpretuar poezi… Në kokë më erdhi mendimi i arratisjes, por përsëri u zhduk dhe ai se më erdhi keq për prindërit…Isha në fshatin ku u arratis shkrimtari çam Bilal Xhaferri…I dërgoj një letër prindërve dhe i them se nëse nuk më hiqni këtej e të më lenë të vendos shfaqje  me ushtrinë unë do të arratisem!  E për  dy vjet do të krijoja trupë teatri me ushtarët dhe realizoja çfaqje me të rinj e të reja në Konispol, Xarrë e Ksamil.

Kur dhe si konkurruat për aktrim, çfarë roli interpretuat dhe kush ishte në komision? Cili ishte vlerësimi?

Pa shumë peripecish  duke punuar në fabrikë qumështi, depo orizi, puntor ndërtimi njëra  do të ishte ajo e punëtorit të ngarkim shkarkimit në një makinë arrita që në korrik të vitit 1986 të fitoj të drejtën të stjudioj në degën për aktor… Në komision ishin Gëzim Kame, Robert Ndrenika, Pëllumb Kulla, Birçe Hasko dhe Luftar Paja ku megjithëse ishte me zë të ngjirur ishte më dashamirësi ndaj meje në atë komision, duke më ndihmuar e dhënë kurajo  me humorin e tij të bukur. Unë kam interpretuar poezinë “Kënga e partizanit Benko”,tregimin e Azis Nesin “Kur vura syze”, monologu i Klod Ge-shkëputur nga romani “Viti 93” i Viktor Hygos, parodia e Pëllumb Kullës (rastësi që ishte në komision ) “Nëpër  këngët e festivaleve”, poezia ’’ Rent or Marathonomak” e Nolit , fragment nga “Bagëti e Bujqësi” ( m’u kërkua nga Robert Ndrenika ) dhe fabula ‘’ Tigri, Gomari dhe Qeni “ shkruar nga La Fonten. Më kanë “provokuar” e bërë shumë ushtrime , për t’u bindur për ndonjë dyshim që kishin ndaj aftësive të mia, por i kam realizuar dhe vlerësimi ishte tejet pozitiv. Një nga provokimet e tmerrshme për kohën, ishte kur më tha kryetari i jurisë  ‘’na thuaj pse të thonë aktor çek.”Unë nuk e doja veten dhe bëja be e rrufe se nuk më thotë njeri ashtu…Ata insistonin se më thonë dhe më thanë se  na trego se ku fle atje në teatër …Unë i thashë disi nëpër dhëmbë mbi një drrasë pianoje .”E nga ka ardhje ajo dërrasë pianoje – më tha Pëllumb Kulla “. Nga Çekia – i thashë. Atëherë u kujtova që i kisha thënë një aktori të teatrit se nuk kam merak se fle mbi një dërrasë ardhur nga Çekia në çimento, por më shumë kam merak ,se po e morrën vesh çekët që fle mbi këtë dërrasë që shkruan ”Made in Czhekia” , do të thonë që është aktori ynë”.)  Atë çast Robert Ndrenika më thotë :“Pse flije mbi dërrasa e nuk flije në shtëpi ?” Unë i thashë se nuk jam nga Saranda, por nga një fshat: Sopiku! Roberti  më pa drejt në sy dhe më tha se a e njihja një  burrë me emrin Mihal….Mihali ishte i deklasuar, “armik i pushtetit popullor” , se babai i ishte i arratisur në vitin 1945 në Korfuz, kur Mihali ishte në bark të nënës. Unë atë çast humba shikimin, m’u prenë gjunjët dhe gati për të qarë me gjysëm zëri i thashë se e njihja , por nuk kam të bëj me të….Roberti buzëqeshi lehtë dhe më tha : ” Bëji të fala nga unë“!…Nuk kishte çudi më të madhe për mua që një artist si Robert Ndrenika më kërkonte t’i bëja të fala një traktoristi të fshatit tone, që ishte i deklasuar, armik i pushtetit popullor ! Jeta ka çudira e supriza të bukura, që kurrë s’arrijmë dot t’i imagjinojmë! Një oficer i Ministrisë së Brendshme, zbriti nga autobusi në Livadhja dhe pyeti se kujt mund t’i linte një letër për Mihalin. Dikush i tha:” Lëreni tek ajo gruaja se e njeh,e ka nga fshati. Ajo gruaja ishte nëna ime e cila ishte shitëse e një bufeje (sot i thonë kioskë). Oficeri i tha se kjo letër i duhet dhënë Mihal….Nëna ime duke e parë që ishte oficer i ministrisë mendoi se ishte ndonjë urdhër për t’u paraqitur në Degën e Brendshme, u zbeh. Dhe filloi t’i qante hallin të ziut Mihal… E kur erdhi Mihali nga puna, nëna me zë të dridhur i tha se kishte një letër nga një oficer i ministrisë së Brendshme. Mihali e hapi letrën, i thotë nënës duke qeshur se letra është për ty e jo për mua , për djalin tënd që ka fituar konkursin. Nëna e shkretë nuk e besonte dot, që lajmi do të vinte në këtë mënyrë nga një i deklasuar! Roberti që pinte kafe zakonisht në klubin e ministrisë së brendshme , mori vesh se oficeri që ishte në tavolinë do të shkonte diku afër Konispolit , dhe ai i kërkoi të linte një letër për mikun e tij Mihalin, të cilin e kishte njohur rastësisht në Korfuz kur ishte tek vëllai i tij.
-Akademia e Arteve një emër me vlera.  Kush ishin pedagogët që ju mbështetën për këtë rrugëtim. Cilat ishin mësimet e tyre për ju që dhe sot i ruani si visare të rralla?

E drejtë! Akademia ishte ëndërra ime më e madhe, në gjumë me sy mbyllur , e zgjuar me sy hapur… Dhe erdhi ajo ditë. Pedagogët e mi ishin Timo Flloko, Agim Qiriaqi. Viktor Zhusti, Minella Borova, Vladimir Prifti, Pëllumb Kulla, Rikard Ljarja, Jul Nenshati, Piro Mani ( një semestër me degën e regjisë) Por afër më ka mbajtur dhe Vangjush Furxhiu, Birçe Hasko, Petrit Malaj (sidomos në kohën e zborit kur kishte orë të lira ). Por më afër me këshilla nga pedagogët  do të vlerësoja Timo Fllokon, Agim Qiriaqi dhe Vangjush Furxhiu (megjithëse mua nuk më jepte mësim, por më simpatizonte si student, dhe ai madje do të interesohej që unë të shkoja në Elbasan e pas disa vitesh si Robert Ndrenika a Kastriot Çaushi do të vija në Tiranë. Këto ishin fjalët e të madhit e të paharruarit Vangjush Furxhiu ) . Fjala që më ka shoqëruar në ato vite dhe nuk i jepja dot spjegim ka qenë fjala e Agim Qiriaqit ku një ditë më tha një shprehje “ Ah, ta njihte ujku fuqinë e vet”!!! Gjë që u pasua nga nje pedagoge e fjalës Ermira duke më thënë” Ah,ta dije fuqinë tënde mor Anastas”. Eh unë isha në Akademi në moshën 26 vjeç studentët e kursit vetëm 18.

 


Aktivitetin më të madh e keni në estradën e Sarandës. Kur e keni realizuar rolin e parë si profesionist dhe cila ishte pjesa? Vlerësimi në rolin e parë në një trupë profesioniste?

 

Unë u emërova nga kursi ( atë kohë kursi propozonte dhe vendoste se ku do të shkoje si aktor) në Teatrin “Skampa” ( pasi aty ishte regjisor Spiro Duni,i cili më kishte parë në komedinë “Njeriu që pa vdekjen me sy “ ku unë interpretoja  rolin e zotit Filimon dhe Herion Mustafaraj rolin e Vagabondit ,vënë në skenë nga një pedagog i ri si Jul Nenshati. Para Sarandës nuk harroj  “ Krushqit janë të ngrirë “ të Ismail Kadaresë me regji të Agim Qirijaqit , ku atë mbrëmje nga dyndja e llahtarshme  e publikut, dyert e hyrjes në sallë u shkëputën nga muri: nga forca e turrmës , që shtyhej si e marrë ( qysh nga koha e Italisë pa lëvizur ndonjëherë). E pra pas këtyre veprave unë do të vija në Estradën e Sarandës, pasi kërkova të ndërrohesha me një vajzë, e cila ishte emëruar në Sarandë. Ajo shkoi në Elbasan, e unë erdha në Sarandë!! I imponuar nga rrethanat dhe me insisistim të prindërve, e bëra ndryshimin pasi jemi pak ditë pas 2 korrik 90 ,ku vendi po kalonte një anarshi,e filluan dhuna policore dhe vrasjet …Unë rolin e parë të plotë në Estradën e Sarandës  e kam realizuar para se të shkoja në Akademi. Ishte roli i deputetit Laze ( 70 vjeç ) kur unë atëherë isha vetëm 23 vjeç, në komedinë muzikore  “Flokë dëbore në prill” me tekst të Pëllumb Kullës dhe Enver Isufit dhe regji të mjeshtrit të vodevilit e komedive muzikore të të paharruarit Thoma Milaj ( të njeriut që bëri shumë për mua duke më mbajtur në shtëpinë e tij pasi unë flija rrugëve dhe ai mbeti i çuditur një mesnatë kur i thanë se ai që fle tek stoli  buzë detit, është Anastasi…!

Nesër do lexoni:

-Si ndaloi makinën Enver Hoxha përpara bustit të Stalinit dhe më takoi

-Edi Rama më premtoi për Tiranë, por ndryshuan situatat

-Në çdo Premierë para se të shfaqej vinte e shikonte një nga sekretarët e Partisë së rrethit

– Dita më e vështirë është nata e parë e premierës së tragjedisë “Antigona “ të Sofokliut në Tiranë

-Ditën që do jepja shfaqjen e parë si regjisor do më lindëte gruaja por më thanë do dalësh nga shtëpia

– Nuk harrohet sfilata në Lëkurës me punët e stilistes Eva Gega dhe e ftuar Jonida Maliqi.