Intervist me Zef Bushatin: Si u realizua filmi “Njeriu me top” 40 vjet më parë. Takimi i Mato Grudës me Agushin

887
Sigal

Intervist me Zef Bushatin: Si u realizua filmi “Njeriu me top” 40 vjet më parë. Takimi i Mato Grudës me Agushin. Si më përzgjodhi regjizori Viktor Gjika për rolin dhe pse mbeti shprehja: Ha gjizë, Agush!

 

/Gazeta TELEGRAF

– Me Timo Fllokon jam takuar kur fillova Akademinë e Arteve ku,  udhëheqëse artistike e ishte Drita Agolli, pedagogë Birçe Hasko dhe Timo Flloko

– Konkurruan rreth 430 djem e vajza dhe fituam vetëm 12 vetë. 

-Studentët e këtij kursi ishin Vasillaq Vangjeli, Ilir Bezhani, Yllka Mujo, Vangjel Toçe, Gjergj Lale, Natasha Ndreko, Afërdita Rranxi, Fotaq Xheke, Jorgaq Tushe

-Si më zgjodhi regjisori Viktor Gjika te filmi “Njeriu me Top”

– Viktori më kishte bërë disa herë kinoprova, por unë skualifikohesha për shkak të biografisë

-Viktori luajti mendsh nga gëzimi kur i dha jejen për mua një anëtare e KQPPSH

– Me Timon kisha luajtur tek filmi “Shtigje Lufte” ku Timo interpretonte Kanan Tafilin, unë një oficer leitnant italian

– Bashkëpunimi i ngushtë filloi te filmi “Njeriu me Top” ku u bëmë edhe shokë

-Ju thoni i sertë, por Timo është njeri i dashur dhe gjithmonë i qeshur

-Gjithmonë kam luajtur role negative dhe me kuaj, të cilët më rrëzonin

-Si u bëmë tapë me raki kur po luanim “Njeriu me Top”, pasi donim të realizonim saktë

– Timo më thotë: Agush ha gjizë të të dalë rakia

– Romani i shkrimtarit të madh Dritëro Agolli ishte shkruar shumë bukur

-Nuk harrohen në këtë film Kadri Roshi- plaku Mere, dhe Drita Pelingu- halla

– Mbas vitit ‘90 arti në përgjithësi pësoi një rënie dhe ka 30 vite që nuk arrin të marrë veten

Në vitin 1975 mbaron studimet e larta në Universitetin e Arteve, ku diplomohet aktor e regjisor. Në dhjetor të po këtij viti, Zef Bushati kapërcen dyert e Teatrit Kombëtar, si aktor. Që në fillim i besohen të interpretojë personazhe në këtë teatër në shumë pjesë si p.sh në dramat “Familja e Peshkatarit”, “Toka Jonë” “Zonja nga qyteti”, “Arturo Ui”, “Viti 61”, etj. Zef Bushati u shqua për talentin e tij si aktor e regjisor. Për një periudhë 20 vjeçare, Zef Bushati interpretoi rreth 47 personazhe, ku vlen të veçohen rolet e Mic Sokolit në dramën “Besa e Madhe”, Kabash Çaushit në dramën “Duke u gëdhirë viti 45”, Ferdinandi “Luiza Miler”, Luigj Gurakuqi “Udha e flamurit”, Parisi “Romeo e Zhulieta”, Stanishi “Kush e solli Doruntinën”,etj. që është edhe interpretimi i tij i fundit në Teatrin Kombëtar. Në teatër,  Zef Bushati provoi edhe regjinë me  sukses. Në vitin 1978 vuri në skenë “Vërshime pranverore”, më pas “Besa e madhe”, “Tragjedinë e fundit të Deas”,”Monserati” “Hijet e natës”, etj. Në disa prej tyre është edhe aktor krahas regjisurës. Ka interpretuar edhe në film. Zef Bushati interpretoi në kinematografi në filmat: “Shtigje lufte” në rolin e një kapiteni italian, “Udhetim në pranverë”, “Shoku ynë Tili”, “Kur ndahesh nga shoket” dhe u shqua ne rolin e italianit, -Agushit, tek filmi “Njeriu me Top”, si dhe të Kapedan Janos në filmin “Këmishat me dyll”. Zef Bushati dha leksione, profesor në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë, 11 vjet, duke filluar që në vitin 1982. Leksionet e tij në degën e Regjisurës dhe të Kantos, ishin kryesisht për Mjeshtrinë e Aktorit, interpretimin skenik, fjalën artistike, diksionin skenik. Pas vitit 1991, angazhohet në politike, Nënkryetar i Partisë Republikane, Kryetar i Partisë Demokristiane, e më pas në diplomacy, Ambasador i Shqipërisë në Vatikan,etj. Me kthimin në Shqipëri në vitin 2006, rikthehet në politikë në radhët e PDK-së, ku mbajti postin e Sekretarit Politik e të Marrëdhënieve me Jashtë dhe njëkohësisht këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, më tej Zv. Ministër i Integrimit Evropian. Në vitin 2009 rikthehet në diplomacy, Ministër Fuqiplotë zv. Ambasador në Itali. Ne vitin 2011 rikthehet përsëri në politikë, Kryetar i Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë.

“Zef Bushati: Me aktorin e madh të kinematografisë, Timo Flloko. Të dy aktorë të filmit “Njeriu me top”. Timo Flloko në rolin e Mato Grudës, ndërsa unë në rolin e Agushit, italianit. Mato dhe Agushi pas 40 viteve.

-Këto ditë në rrjetet sociale të gjithëve ju ka bërë pështypje një foto e juaja me aktorin Timo Flloko 40-vjet më parë. Kur je takuar për herë të parë me TimoFllokon dhe cili ishte mendimi që krijuat ?

Me Timo Fllokon jam takuar kur fillova Akademinë e Arteve.  Udhëheqëse artistike e kursit ishte regjisorja e mirënjohur, Drita Agolli, pedagogë ishin Birçe Hasko dhe Timo Flloko. Kishim kaluar tre konkurse. Konkurruan rreth 430 djem e vajza. U skualifikuan dhe fituam vetëm 12 vetë. Studentët e këtij kursi u bënë aktorë të njohur të Skenës së Teatrit dhe Kinematografisë. Besoj se e mbani mend Vasillaq Vangjelin tek “Zonja nga qyteti”, Ilir Bezhanin tek “Pallati 176”, Yllka Mujon, Vangjel Toçen, Gjergj Lalën, Natasha Nderkon, Afërdita Rranxin, Fotaq Xhekën, Jorgaq Tushen, të gjithë të mëdhenj të skenës dhe ekranit. Me Timon përveçse pedagog krijuam edhe miqësi.

-“Njeriu me Top”, një film që dhe sot shikohet më kërshëri, si ju zgjodhi regjisori Viktor Gjika?  Bëtë kinoprovë apo ishte një dëshirë e regjisorit ?

Regjisori Viktor Gjika më pëlqente si aktor. Më kishte bërë disa herë kinoprova, por unë skualifikohesha për shkak të biografisë. Më thirri përsëri dhe më tha të bëj një kinoprovë për Agushin. Unë qesha e i thashë se po më përdor për numër kinoprovash. “Jooo,- më tha Viktori, -në asnjë mënyrë, por mendova meqenëse është italian e jo partizan e, ishallah do ta pranojnë. Ok !– i thashë”. Kur kinoprovat shkuan për miratim në Komitetin Qendror të Partisë, dikush i tha Viktorit për mua: “-po prapë e sjell këtë o Viktor? Në atë moment, një grua shumë e rëndësishme e KQ tha: po me çfarë italianësh mendon ti se kemi luftuar ne, mirë është Zef Bushati”. Viktori luajti mendsh nga gëzimi dhe erdhi menjëherë të më takonte dhe të më jepte lajmin  e fitores së kinoprovës. Kështu u zgjodha. Punova për t’i dhënë jetë personazhit edhe pse ishte pak i ndryshëm nga natyra ime.

– Ky ishte filmi i parë me Timo Fllokon, si bashkëpunuat ?

Me Timon kemi qenë së bashku në fillim tek filmi “Shtigje Lufte”. Timo interpretonte Kanan Tafilin, ndërsa unë një oficer leitnant italian (personazh negativ, si gjithmonë) Por skenat që xhironim i kishim të ndryshme dhe nuk patëm bashkëpunim. Bashkëpunimi filloi tek filmi “Njeriu me Top”. Shumë mirë bashkëpunuam. Ishim bërë edhe shokë. Të dy ishim të preokupuar për realizimin e karaktereve të personazheve. Mendoj se deri diku ja arritëm. E mira nuk ka fund.

– A ishte i thjeshtë apo i sertë, siç është në dukje.

Timo i sertë? Jo aspak. Timo është njeri i dashur dhe gjithmonë i qeshur. Romantik. I pëlqente poezia qe kur ishte i ri. “Shikoi – më thoshte – lotët në sytë e kalit”. Unë qeshja me gjithë shpirt. Timo është njeri shumë pozitiv. Kam kënaqësi sa herë që e takoj.

-Kush ishte pjesa më e vështirë e këtij filmi ?

Në çdo film ka edhe skena të vështira. Unë e kam patur të vështirë për t’u ambientuar me kalin. Një herë kam xhiruar dhe interpretuar personazhin e Mic Sokolit në Tropojë. Kali më hodhi poshtë. Pastaj me oficerin italian tek “Shtigje Lufte” përsëri kali më rrëzoi përtokë, Filmi i tretë me kalë ishte “Këmishat me dyll” ku interpretoja Kapedan Janon. Kësaj here kali nuk më rrëzoi por përsëri nuk e kisha të lehtë. Ne në Shqipëri, ditën që fillonim xhirimin, i hypnim kalit. Kurse aktorët që interpretuan Ertugruli, Osmani, Sulejmani,etj. janë stërvitur me kalë një vit para se të fillonin xhirimin. Por një skenë me Timon nga “Njeriu me Top” mund ta kujtoj. Po xhironim tek kasollja me kashtë ku Mato Gruda kishte fshehur topin. Ishte skena kur Mato dhe Agushi ulen të pinë raki. Timo i tha regjisorit Viktor Gjika që të pinim raki prej vërteti, që të dalë skena sa më origjinal. Pi raki e bëj një dubël, pi raki e bëj një tjetër dubël, pi e bëj dubla…unë i them Timos: e di që po më zë kjo rakia? Ai më kthehet dhe më thotë: Ha gjizë Agush, se të bën esëll. Na kapi e qeshura, oh, sa kemi qeshur, me lot kemi qeshur dhe xhirimi u prish. Nuk ishim në gjendje të xhironim se ishim gjysmë të dehur. Regjisori Gjika ndërpreu xhirimin. E xhiruam të nesërmen por jo me raki prej vërteti.

 

-Si do ta cilësoje këtë film nga ana artistike ?

Film i mirë. Romani i shkrimtarit të madh Dritëro Agolli ishte shkruar shumë bukur. Edhe skenari shumë i mirë. Regjisori Viktor Gjika nga më të mirët e Kinematografisë. Aktorët shumë të mirë, Kadri Roshi, plaku Mere, dhe Drita Pelingu halla, aktorë të mëdhenj të artit skenik e kinematografik. Me këto komponentë, filmi natyrisht që realizohet shumë mirë. Mbas vitit ‘90 arti në përgjithësi pësoi një rënie. Ka 30 vite që nuk arrin të marrë veten. Nejse, kjo është një temë tjetër. Ne punonim me pasion dhe realizonim çfaqje teatrale dhe filma të bukur.