Ing. Ahmet Çollaku: Harresa e shtetit ndaj naftës dhe historisë së saj. Naftëtarët të marrin në dorë fatet e tyre

1149
Sigal

Zbulimi i naftës në Shqipëri

Në vitin 1918 në Drashovicë të Vlorës, gjeologu italian Profesor Leo Madalena së bashku me inxhinier Moretin projektuan dhe shpuan pusin e parë në tokën Shqiptare 200 m të thellë në të cilin u konstatua prania e naftës Shqiptare. Kështu kishte ndodhur edhe në Azerbajxhan afër qytetit Baku në vitin 1846, apo në Amerikë në Titusville të Pensilvanisë në vitin 1859. Menjëherë, punëtorët shqiptarë në Kuçovë dhe në Patos, me tutor të huaj, nisën të shpojnë puse të tjerë me goditje të tipit të vjetër kanadez, siç shpohej atëherë. Shqipëria tashmë ishte pagëzuar vend naftëmbajtës. Ndërkohë, ndërsa shampanja derdhej gjithandej, telefonat MORS përcillnin me goditje nëpër botë këtë sensacion shqiptar, këtë mallkim apo urim. Gara për ta pushtuar Shqipërinë sa më shpejt, tërhoqi në start edhe Japoninë e largët. Menjëherë erdhën diplomatë, emisarë, ambasadorë, të gjithë elokuent dhe me frak. Ing. Zenel Hamiti, në librin e tij “Historiku i vajgurit në Shqipëri”, shkruan se ndërsa Franca vazhdonte të shfrytëzonte minierën e Selenicës, qeveria Italiane dërgoi, në vitin 1913, në Shqipëri një emision ekonomiko-shkencor të kryesuar nga majori Silvio Exhidi, në të cilin bënin pjesë edhe gjeolog të dëgjuar të asaj kohe si Xhiorxhio Dal Piaz, e Antonio De Ton…”

Lufta për të pushtuar naftën shqiptare

Shqipëria jonë ishte testuar me kohë për vlerën e këtij parfumi kontemporan, që para vitin 1918. Lufta për të pushtuar naftën Shqiptare kishte filluar më përpara. Zotëria Aurenc Bebja, thotë se gazeta Franceze “Le Petit Parisien”, ka botuar, më 17 shkurt të 1925-s, në faqen nr.3, një shkrim në lidhje me interesat që ngjallte asokohe nafta shqiptare tek amerikanët, britanikët dhe italianët: Njoftohet në Washington nëpërmjet Exchange Telegraph-it se qeveria amerikane i ka dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër projektit të dhënies së monopolit të një koncesioni nafte, nën kujdesin e Anglo Persian Oil Company, qeverisë britanike. Z. Sinclair dhe Standard Oil Company pretendojnë se koncesioni në fjalë do t’i sigurojë Anglisë një monopol virtual në të gjitha fushat e naftës në Shqipëri… “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, kurse shtetet e vogla si prostituta”, thotë Stenli Kubrik. Në fillim nafta jonë tregtohej për kandila, si dritë e shenjtë, më pas me kova, më vonë me fuçi, ndërsa në komunizëm me cisterna, sepse arriti majën e vlimit 2 milionë e 500 mijë ton/naftë. Por, në cilën bankë ka rrjedhur nafta jonë gjatë gjithë kohës? Kjo është një pyetje ekstra që kërkon studime speciale përtej sistemeve, përtej miqve dhe armiqve. Prodhimi në monizëm, siç thamë më sipër, arriti një kulm të paparë… Vini re, tani edhe nafta, mezi po del, apo s’do të dalë… Në monizëm me naftë u grasatua egoizmi, u ndërtuan bunkerë dhe tunele, kurse sot nafta jonë është valutë ekstra për vota, për qeveritë që bëjnë farsë, ajo është për të huajt. Mbajeni mend, Vettingu kurrë nuk ka për t’u bërë në këtë vend, për sa kohë që kjo naftë nuk do të bëhet shqiptare. Tani nafta jonë është vaji i kuzhinave të ambasadoreve që pagëzojnë burrat e shtetit shqiptar, u vënë qeleshe.

Po, le të rikthehemi tek nafta jonë shqiptare, tek ky lëng të cilën të huajit e shkruajnë me germa të arta dhe të mëdha, “Blood of Earth”. Pas çlirimit shteti monist e ngriti dhe e zhvilloi industrinë e naftës, ai angazhoi 25 mijë punonjës, 2.800 inxhinierë dhe teknikë, dy institute shkencore me dy ndërmarrje gjeofizike, të cilët realizuan projekte për kërkimin e naftës dhe gazit në nivele shkencore. U projektuan mbi 80,000 metra linear/vit. Në Patos u ngrit Ndërmarrja e Shpimit dhe ajo e Nxjerrjes, Ofiçinat Mekanike, u ndërtuan rafineri, u hap Teknikumi i Naftës ne Kuçovë, ndërsa në Tiranë në Fakultetin Gjeologji Miniera u hap dega e naftës. Pasi u vunë në punë dhe u zgjeruan vendburimet e Kuçovës dhe Patosit, filloi një punë kërkimore intensive. Gjatë viteve pesëdhjetë-tetëdhjetë u zbuluan 10 vendburime të rinj nafte në ranorë dhe gëlqerorë, u zbulua Marinza, Visoka, Ballshi, Gorisht-Koculi, Cakrani, Kolonjë-Bubullimë, Finiq-Krane, Amonicë, Hekal, Delvinë, vendburimet e gazit, Divjakë, Kryevidh, Ballaj, Povelçe, Currilat në detin Adriatik… Në këtë kohë 30 vjeçare tranzicion demokratik të tejzgjatur, nuk është zbuluar asnjë vendburim nafte. Paaftësi dhe poshtërsi, herë PD-iste, herë PS-iste. Kur flasim për lindjen e naftës Shqiptare, mos anashkalojmë Ing. Andrea Xegën këtë portret elegant. E pashë një herë atje në apartamentin e tij në Tiranë, kur shkuam për një konsultë. Në atë shtëpi aristokrate sundonte një mace bardhë që u miqësua shumë shpejt me ne. Ajo sikur kishte zbritur nga qielli. Të mos harrojmë Prof. S. Zuberin, apo Ing. Sherif Toptanin, e të tjerë… Mirëpo, të gjithë pyesim, çfarë është shkruar deri më sot për naftën Shqiptare që ka pasur shumë evenimente, asgjësimin e Prof. Stanislav Zuber, e gjeologëve Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli, pa harruar edhe ata që shtynë mijëra vagonë nëpër miniera, apo ata që u ra të fikët në salla partie, a puseve të naftës… Janë me dhjetëra, këta janë statuja të moralit shqiptar, jo ato përballje koti në këto palo protesta here te PS-së dhe herë të PD-së… Janë të pakta librat botuar për naftën Shqiptare. Libri për naftën shqiptare i Ing. Zenel Hamitit, “Historiku i vajgurit në Shqipëri”, me vetëm 160 faqe, me numër literature 126, botuar në vitet ’60, qëndron akoma në vendin e parë megjithëse kanë kaluar shumë vite. Erdhën dhe ikën rusë, kinezë, amerikanë, eskimezë, indianë, akoma nuk ka dalë një naftëtar apo historian shqiptar të shkruajë një libër ashtu siç duhet për historinë e naftës shqiptare. Kemi më shumë njerëz pervers se elitarë nafte, të cilët shtiren disidentë dhe i drejtohen Strasburgut çdo legjislacion zgjedhjesh për dekorata. Të paktën të shkruhej për një plejadë, apo, një fragment për një hero naftëtar, për ata që u qëlluan me plumb, apo që u gremisën nëpër galeri. Heronjtë nuk kanë stinë, ata i përkasin vendit të stërgjyshërve, jo partive. Për arritjet në shkencat e tokës dhe metodikat e kërkimit të mineraleve shkroi i ndjeri, matrica Prof. Alfred Frashëri, për problemet e shpimeve kanë shkruar dy kolosët e puseve, Prof. Ramadan Perhati dhe Prof. Dr. Fatmir Shehu, për perspektivën e naftës në veri-lindje të Shqipërisë ka shkruar guximshëm Prof. Vangjel Kici, për misterin e diapiritit të Dumresë ka shkruar Prof. Telo Velaj, për Prof. Zuberin ka shkruar Prof. Arqile Teta, për vetveten ka shkruar Dr. Shkencave Gjeologjike Petraq Xhaçka, ndërsa Akad. Prof. Dr. Teki Biçoku, s’ka lënë pa hapur fond e sirtar gjeologjie dhe nafte. Tani së fundi sputniku shqiptar, Prof. Dr. Maksim Shuli, botoi librin “Nafta dhe politika”. Ky elitar i vetëm ka shkopsitur nga brenda dhe jashtë gjithë kompanitë e huaja, këto gozhdë Krishti në trupin shqiptar. Të shikojmë çfarë do të bëjë Vettingu me këtë libër, sepse elitarët e naftës janë batica dhe zbatica të mbuluar me leshterikë. Vjen fjala kush e dënoi Lipe Nashin, (Rockfellerin e naftës shqiptare?), apo P. Xhaçkën dhe të tjerët, pa dyshim sistemi monist me prezencën dhe dëshmitë tona, të elitës sonë. Vini re ekuacionin e zi shqiptar, o burra të dënojmë njëri-tjetrin… Janë shtypur edhe ca libra të tjerë, përmbledhje, kujtime apo përkthime, që nuk kanë ndonjë lloj vlere, as ndjesi, as tabela, as protesta. Pa dyshim ka edhe dy libra të tjerë të mirë të shkruar me karakter, njëri shkruar nga Prof. Dr. Ramadan Perhati dhe tjetri shkruar nga i ndjeri Nyredin Skrapari.

Shtrohet pyetja, a e plotësojnë historinë e naftës shqiptare këto libra?? Kurrsesi jo!! Kësisoj, do të ishte në moralin kombëtar të shkruhej me germa të arta për ata pionierë të parë që e rilevuan këtë tokë të shenjtë dhe gjetën fosilet e para e i bënë të ditur mbarë botës se Shqipëria nuk është vetëm me Diell dhe det por edhe me naftë. Pra, duhet shkruar për të dy ekstremet, si për ata që nuhatën erën e këtij parfumi të Zotit, edhe për këta të kohës moniste që kalkuluan shumë puse.

Harresa dhe tradhtia e shtetit për historinë e naftës shqiptare

Kohës demokratike i takon vetëm mallkim. Konkretisht, ku është Muzeu i Naftës Shqiptare ku janë çizmet e Prof. Zuberit, apo te Ing. Toptanit, apo materialet konspirative dhe shënimet e gjeologëve K. Plakut, M. Gjikopullit, origjinalin ”Letra e Zeze” të gjeologut K. Rama, projektet dhe maketet e vendburimeve tona? Në Shqipëri janë botuar pak libra për naftën shqiptare krahasuar kjo me sasinë e naftës që është nxjerrë. Kaloi edhe 100-vjetori i naftës shqiptare, qeveritarët dhe tradhtarët të të gjithë spektrave bënë shurdhin dhe memecin dhe nuk shkruan as dy rreshta. S’u bë simpozium kombëtar, as festë jubilare, as dekorime, as nekrologji të vonuara… Kuptohet, për historikun e Naftës Shqiptare, asnjë nuk ka ndërmend të shkruajë, ndërkohë që bota na njeh më shumë nga nafta sesa nga K/ Ministrat, Skënderbeu, Nënë Tereza apo Kadare… Çahen daullet për ditëlindje qeveritarësh, apo për show k….ash, ndërsa për ditëlindjen e naftës shqiptare, për këtë 100-vjetor të shenjtë që ecën përkrah me atë të pavarësisë, nuk u ndie as një mizë. Dhe ne tradhtarët i kërkojmë larg! Ç’bëhet me Albpetrolin Shqiptar, me këtë zjarr të mbuluar me hi? Mjerisht vëmë re faktin se, ndërsa nga nëntoka shqiptare janë nxjerrë dhe nxirret naftë, deri më sot mungon përkushtimi për të shkruar historinë e Naftës Shqiptare. Mungon historia e Naftës Shqiptare, e cila do të përbente një pjesë të historisë së Shqipërisë. Është shkruar historia e kërmijve shqiptarë, e hardhucave, e pasanikëve, e mbretit Zog, e Enver Hoxhës, e shkurreve të Skraparit, por për naftën as dy rreshta. Është i pafalshëm dhe tepër cinik indiferentizmi i qeverive shqiptare, të të gjitha kohërave, sepse ata për të pasuruar fondet personale apo të disa shkencave të tjera, kanë nisur nëpër botë korpuse, kurse për skedimin e literaturës së gjeologjisë dhe naftës shqiptare nuk kanë prenotuar asnjë biletë autobusi. Këta qeveritarë, për të marrë një pozë me personalitet e huaj, i bien rrotull disa herë botës me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ndërsa për të skeduar lindjen dhe sensacionet e naftës shqiptare nuk duan t’ia dinë. Ne naftëtarët jemi frikacakë, shteti nuk lëshon asnjë njoftim për kompanitë e huaja koncesionare apo për vendburimet, ne heshtim, bëjmë sehir. Ne na gënjejnë me Statusin e Naftëtarit. Nafta duhet të diskutohet përditë në parlamentin shqiptar. Besoj se të gjithë e dinë se çfarë bënte në Parlamentin Shqiptar, në kohën e Zogut patrioti Luigj Gurakuqi. Ku janë deputetët tanë që mbulojnë naftën? Ne e dimë mirë, se pushtetarët qëndrojnë në pushtet në sajë të energjisë së naftës, të punës dhe mundit tonë, se me naftën tonë janë bërë dhe bëhen të gjitha poshtërsitë, nga lëvizja e votave, Vettingu, e deri tek mesazhet e ambasadorëve të Dajtit, apo të atyre që duan të mësojnë shqip, të kërcejnë dhe të këndojnë, por që kurrë nuk duan të vdesin në Shqipëri. “Fuqia nuk korrupton popullin, populli korrupton fuqinë”, thotë William Gaddis. A nuk ishin njolla nafte ato që u hodhën në murin e k/ministrisë, gjatë protestës së PD-së?

Naftëtarët të marrin në dorë fatet e naftës shqiptare

Ka shumë specialistë që iu përkushtuan studimit dhe zbulimit të naftës shqiptare. Kontribute kanë dhënë edhe specialistët e huaj, italian, francez, austriak, rusë, kinezë, rumunë, gjermanë, e të tjerë. Këto studime gjenden nëpër fondet dhe arshivat shqiptare e të huaja, po nëse ato nuk do të hapen nga ky brez që po mbaron, cilët do të jenë ata që do t’i hapin? Pa dyshim këto studime të mbledhura bashkë, do të bënin volume të tëra, një enciklopedi të tërë, sepse Shqipëria kohët e fundit nga të huajit nuk është parë si kuriozitet gjeografik, por si rezervuar nafte. Jubileu që shkoi ishte një shans i mirë, një pelegrinazh, por, fatkeqësisht, në këtë jubile nuk u ndez asnjë qiri, nuk u citua asnjë elitar, vendas apo i huaj. A kemi ne sot specialistë që mundet ta realizojnë këtë gjë? Pa dyshim që kemi. Por duhet shpejtuar puna sepse kanë ngelur pak elitarë, disa janë të tejplakur, disa janë shumë partiakë, ca të tjerë janë cinikë a frikacakë apo të paaftë. Disa preferojnë të matin rrugët e Tiranës, të merren me tregti a politikë, po kurrë të mendojnë se duhet shkruar për Naftën Shqiptare. Kolegë të dashur, mendoni se këtë histori do na i shkruajnë grekët dhe serbët?! Historinë e naftës shqiptare duhet ta shkruajmë vetë ne naftëtarët shqiptarë! Ne specialistët e naftës i shtyjmë ditët duke sharë njëri-tjetrin, përse të mos shkruajmë për historikun e naftës? Edhe për ato pak libra botuar për naftën tonë, deri më sot nuk është shkruar as një recencë e plotë dhe e saktë. Pse? Materiale për të shkruar historinë e naftës shqiptare ka kudo, në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja, por mungon përkujdesja dhe ndërgjegjja qeveritare dhe institucionale kombëtare shqiptare. Te gjithë specialistet, instruktorët dhe sekretarët monistë që kanë qenë nëpër këto dikastere komunistë apo socialistë a baptistë, ose nuk kanë qenë të aftë, ose kanë qenë cinikë. Është e pa falshme që pas 100 vitesh, në Shqipëri nuk gjendet as edhe një variant i shkurtër i historisë së Naftës Shqiptare.