Ilmi Qazimi: Mbyllja e shkollave, mbytje e kombit

178
Sigal

 

Kur mbyllet shkolla, është mbytur emri i kombit, mbasi nuk ka më as arsim, as edukim, as emancipim e as kulturë.Vetëm se tani ndryshon pakëz puna: shkollat po i mbyll vetë qeveria për shkak të mungesës së infrastrukturës nëpër ato zona

 

Shumëkujt i kujtohet kur në një film të kinematografisë famëmadhe shqiptare të viteve 1945-1985-që neofashistët tanë duan t’i djegin- dëgjohej thirrja jehonë ndër male të Mirditës “Kanë vra mësuesin ooooeeeee!?” – film që i kushtohej heronjve që hapën deri 50 shkolla shqipe në zonat më të thella. Dhe që armiqtë e popullit e vranë Ndrec Ndue Gjokën, Bardhok Bibën e sa të tjerë sepse nuk e donin zgjimin, kulturimin dhe përparimin e popullit tonë. Ne, pasardhësve të dëshmorëve dhe veteranevë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, zemra edhe sot na pikon gjak për ata dëshmorë të rrallë në historinë e këtij vatani.

Sot, pas 80 vitesh dëgjojmë përsëri thirrjen skajshmërisht tmerruese “U MBYLL SHKOLLA Oooohheeeej…”. Dhe kur mbyllet shkolla, është mbytur emri i kombit, mbasi nuk ka më as arsim, as edukim, as emancipim e as kulturë.Vetëm se tani ndryshon pakëz puna: shkollat po i mbyll vetë qeveria për shkak të mungesës së infrastrukturës nëpër ato zona. Në thelb: administratat e qeverive postkomuniste nuk duan të dinë se si do të arsimohet djali i fshatarit, vajza e një banori që   jeton me blegtori e një fermeri që  merret me bujqësi…Shembujt janë të shumtë për këtë lloj humbjeje kombëtare, që dëshirojmë të mos thellohet për t’u kthyer në pandemi antishkollimi. Si të gjithëve që iu dhimbset vendlindja, më dhemb krahina ime, ajo e Çepanit të Skraparit. Ishin 16 fshatra në atë trevë, dikur komunë, lokalitet, përsëri komunë e tani njësi administrative.Të gjitha me shkollë fillore. Madje edhe në fshatin Siticë, me shtatë shtëpi u hap shkolla fillore për herë të parë në vitin 1970 me mësuese një vajzë nga fshati. Qendra e lokalitetit kishte shkollë tetëvjeçare e më pas të mesme. Aty vinin nxënësit nga fshatrat fqinjë. Numuri i përgjithshëm i atyre që uleshin në banka në ato vite siç tregon ish-drejtori i asaj shkolle, veterani i arsimit M.Abazaj arriti 486 nxënës. Ndërtesa e shkollës u bë trekatëshe, bashkëkohore dhe me të gjitha anekset përkatëse. U financua nga shteti, u projektua nga biri i asaj treve inxhinier V.Dyrmishi dhe u zbatua nga ndërmarrja e ndërtimeve nën drejtimin e inxhinierit vendali I.Abazi. E vetmja ndërtesë e lartë trekatëshe dhe me bukuri arkitekturore aq të spikatur në atë zonë të thellë, sa që një udhëheqëse e lartë e shtetit, në vitin 1984, kur shkoi në atë fshat, e habitur tha:  “Shkollë të tillë nuk e ka as fshati im në mes të Myzeqesë!”Jeta dhe politikat e shtetit të asaj kohe, për zhvillimin e fshatit, emancipimin e shoqërisë dhe rritjen e nivelit kulturor të të gjithë banorëve, e përligji plotësisht ndërtimin e asaj shkolle. Numuri i mësuesve që fillimisht erdhën nga rrethet e tjera e më pas nga kontigjentet vendas arriti në 26. Niveli i mësimdhënies ishte tepër i lartëVeprimtaritë arsimore, kulturore, sportive arritën pika kulmore me pjesëmarrje mbarëkombëtare e me efekt të gjerë edukativ për të gjithë trevën dhe shoqërinë. Sot, shtator 2022, gjendja në këtë njësi administrative është vajtuese. Ndër 16 fshatrat nuk ka më aq banorë sa të “plotësohet kriteri” (!?) për të pasur shkollë! Atje jetojnë tri deri 16 familje. Po kështu edhe në fshatin Çepan ku sot, të mbërthyer me thonj pas shkëmbit e tokës, pjergullës e lisit, jetojnë e punojnë 32 familje dhe katër plaka që u kanë vdekur burrat. Por fëmijë për shkollim nuk ka. Ka vetëm fare pak krahë pune për bujqësi e blegtori dhe dy klube ku tregtohet kafe e raki. Shtëpi që po kthehen në gërmadha dhe pjergulla e qershi që po thahen. Ara djerrë dhe rrugë të mbyllura nga ferrat. Shumë oxhakë nuk nxjerrin më tym. Disa fshatra si Kakosi, Sevrani, Streneci kanë shteruar, dhe po shkohet në pikën që të mbetet vetëm emri dhe të thuhet” dikur , njëherë këtu ka pasur banorë”. Ndërkohë që në Siticë nëpër shtëpitë e rrënuara e në gërmadha “kanë marrë strehim” banorët e pyllit kunadhet, dhelprat, gjarprinjtë, nuselalët,.. Kujtojmë që në vitin 1431, sipas defterit të historianit osman Khalil Inalçik, vetëm në fshatin Çepan ishin 42 familje; në vitin 1989, kur ishte në fuqi shteti socialist, banonin 116 familje. Sot, shkolla nuk funksionon, mbasi realisht në binanë trekatëshe nuk ka më fëmijë që të hyjnë për të mësuar!? Hyjnë vetëm merimangat, akrepat, mizat…U ‘pushua ‘ edhe mësuesi rrogëtar i fundit. Në katin e tretë të saj me shakllë nga jashtë, janë zyrat të ashtuquajturit pushteti vendor. Këto ditë, siç tregon një mësues pensionist që banon atje, nuk bëhet më fjalë për shkollë, sepse nuk ka as fëmijë, as rrugë të asfaltuar e as ambulancë… Ja këto ‘të mira’ të mëdha janë disa nga ato që na sollën politikat e qeverive postkomunste dhe sundimi i Sali Berishës e Edi Ramës. Këto janë frute të drejtpërdrejta të ‘implementimit’ të demokracisë ala amerikane.Vetë fshatarët dhe tërë të larguarit bëjnë pyetjen: Si është e mundur që nuk paska mundësi qeveria të shtrojë me asfalt një rrugë 2,9 km që të lidhë me rrugën nacionale fshatin Çepan.? Kur dihet se kjo është njësi administrative njëshekullore me aq shumë prodhime bujqësore e blegtorale si dhe resurse të tjera njerëzore, ekonomike, kulturore, turistike e historike?

Treva e Çepanit i ka dhënë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare 57 bij e bija dëshmorë. Shoqata atdhetare kulturore e kësaj treve, disa herë e ka kërkuar që të futet në planet vjetore të bashkisë Skrapar ndërtimi i një lapidari modest në nderim e kujtim të gjakut të atyre trimave  që na sollën lirinë, por përgjigja është :”ky zë financiar nuk ekziston  fare dhe nuk është parashikuar nga organet eprore të qeverisjes qëndrore”. Dhe kryetarët e bashkive, që vijnë e venë në atë post sipas partive, shtojnë: “ne nuk po mundemi që të gjejmë fonde për të rregulluar Varrezat e Dëshmorëve të bashkisë në Çorovodë, ku prehen 420 bij e bija të popullit, e jo më për më tej”!? O deputetë e qeveritarë! O kryetar i Qeverisë! O kryetar i partisë së lirisë! Shkollën e asgjësuat tërësisht, ekonominë e përmbysët, rininë na e degdisët në kurbete,… Tani po na lini edhe pa varre e lapidare të dëshmorëve duke mos caktuar fonde për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre? Çfarë vlere kanë pedonalet, instalacionet, ekspozimet postabstraksioniste, panairet reklamë false, propaganda mediatike për kanotazhin në  kanione të Osumit, para Varrezave të Dëshmorëve, të cilët i përksin tërë kombit?! Varret, ashtu si veprat e artit të çdo epoke, janë e do të jenë piketa të kilometrazhit të pamatur të historisë njerëzore. I kulturuar dhe i pazhdukshëm do të jetë ai popull që di të ruajë varret e të parëve të vet, dhe domethënien e emërtimeve të tyre. Në mënyrë të veçantë e posaçërisht Varret e Dëshmorëve të rënë për lirinë e tij. Asfiksimi i arsimit,telendisja e shëndetësisë, braktisja e fshatit, lënia pas dore deri në harresë të plotë të disa zonave të thella shqiptare ku është mblojtur ende shpirti i kombit, ku ruhen të virgjëra kultura, natyra, traditat dhe idenditeti i vërtetë shqiptar, është një nga humbjet më të mëdha të këtij vendi të lashtë. Mundësitë për të rregulluar gjendjen ende janë. Aksioma këlthet:“Një popull që nuk njeh e nuk ruan të kaluarën e vet, humbet të ardhmen.” Le të shpresojmë!