Ilirjan Lluri: Nurie Çiço – “Vajza e flamurit kombëtar”

617
Sigal

Rruga e njohur e lagjes Palorto është sot rruga më e heshtur në Gjirokastër. Megjithëse masat “Covid 19” e kanë “pushtuar” njësoj tërë qytetin, pikërisht në këtë rrugicë, heshtja sepse të të rëndon e të vret më shumë. Janë larguar prej saj hapat dhe zërat rinorë të gjimnazistëve, të cilët ishin edhe bukuria e shtuar e kompleksit muzeal “Qafa e pazarit”, veçanërisht në kohën e pushimit të gjatë.


E vetmja gjë që flet në këtë rrugicë në këto ditë të zbrazëta karantine, është një basoreliev i bronxtë në të cilin është fokusuar protesta e të rinjve gjimnazistë në 6 mars të vitit 1942. Teksa qëndroja i vetmuar përpara saj, mu duk sikur pa pritur, njera nga figurat e basorelievit filloi të zbresë e të vijë drejt meje. E gjitha kjo më ngjante si një përpjekje për të më nxjerrë nga vetmia dhe zbrazëtia që më kishte pushtuar në ato çaste…

E njohur si vatra më e rëndësishme e arsimit në jug të vendit, gjimnazi i Gjirokastrës shumë shpejt u kthye në një nga bazat më të rëndësishme të lëvizjes patriotike në vend. Ngjarja që la më shumë gjurmë në këtë drejtim është demostrata e 28 nëntorit të vitit 1941 e cila u organizua në kuadër të festës së shpalljes së pavarësisë. Në përfundim të saj, në listën e hartuar për përjashtimin e disa nxënësve nga gjimnazi, ishin emrat e Nurie Çiços, Nezaqet Skëndulit, Firdes Totos, Delvina Xhemalit, Riza Dodës dhe Demlush Thaçit. Emri që kryesonte këtë listë, ai i nxënëses Nurie Çiço, për pak kohë do të përfshihej në shumë dokumente sekrete të institucioneve të kohës. Në përmbajtjen e tyre lexohen propozime, informime dhe survejime që lidhen me aktivitetin e saj. Një vit më vonë, emri i Nurie Çiços përmëndet përsëri në një raport. Ajo cilësohet si njera nga vajzat që qëndisi Flamurin Kombëtar që u valvit në Mashkulllorë në 6 Mars të vitit 1942, në kujtim të 34 vjetorit të luftës së çetës së Çerçiz Topullit. Ja si e përshkruan një dokument i Prefekturës Gjirokastër atmosferën e kësaj ngjarjeje :
“Një studente e vogël, Nurie Çiço bërtet: Rroftë Shqipëria. Marshalli e kap vajzën me të dy duart e don me ja dorëzu mo zor agjentëve. Profesorat ndërhyjnë për të shpëtuar vajzën. Marshalli gjuan me pushkë në ajër dhe ju thërret agjentëve. Atëherë fillon një kundërshtim e grushtim mes profesorëve e studentëve me agjentët e policisë. Agjentët arrestuan dy vajza, Nurie Çiço e Firdes Toto, studentin Riza Doda dhe profesorat Aqif Selfo, Zihni Sako e Kadri Baboçi.“


Qëndrimi i autoriteteve shkollore dhe njoftimi i tyre për dëbimin e Nuries nga shkolla, i nxiti gjimnazistët të kërcënojnë me braktisjen e mësimit. Në dokumentin e dalë pas hetimeve të ngjarjes së Mashkullorës, fajtorohet nxënësja Nurie Çiço dhe shoqet e saj, për qëndisjen e Flamurit Kombëtar pa shenjat e fashizmit, duke e cilësuar këtë veprim si antikombëtar. Për këtë veprim ato u gjykuan nga gjyqi ushtarak. Vetë Nuria përmes kujtimeve e përcjell kështu momentin e qëndisjes së flamurit kombëtar :
Copën e blemë tek dyqani i izraelitit Solomon Kofina dhe vizatimin mbi të e bënë nxënësit e shkollës. Flamurin e qëndisëm në gjergjef unë dhe Firdes Toto. Qëndronim në fund të dhomës, afër musandarasë në shtëpinë e Firdesit, që të mund ta fshihnim menjëherë në se vinte njeri. Ne shkuam së bashku me profesorët herët në mëngjes në Mashkullorë dhe flamurin e vendosëm në një nga degët e rrapit. Pasi mbaruam manifestimin u larguam. Autoritetet me në krye prefektin, kur mbritën në Mashkullorë nuk gjetën asnjë nga nxënësit e gjimnazit.
Që prej asaj ngjarjeje Nuria, u njoh ndryshe edhe si ; “Vajza e Flamurit Kombëtar”. Për shkak të aktivitetit të saj ajo u arrestua tre herë, ndërkohë që për të realizuar detyrat e ngarkuara u detyrua të vishet herë si burrë, herë si grua e herë si e pastrehë. Në shtëpitë që strehoej kryente punë të ndryshme që mos binte në sy gjatë kontrolleve (hapte petë, lyente muret apo pastronte bahçen).
Varrosja për së gjalli


Një nga ndjekjet më dramatike, është ajo kur 17 vjeçarja Nurie Çiço për ti shpëtuar arrestimit, u detyrua të shtrihej brenda një varri. Kjo ndodhi në shtëpinë e Sabihe Shehut në lagjen Dunavat. Kjo nënë trime e fshehu vajzën në një dylbe ku kishte katër varre të hapura. Nuria u fut në njerin prej tyre dhe teto Sabiheja e mbuloi duke i hedhur sipër një velenxë të leshtë. Fashistët kërkuan gjithandej, por nuk u futën në dylbe. Kur ata u larguan, teto Sabiheja me vajzën dhe djalin e saj, e nxorrën Nurien nga varri dhe e çuan në dhomën e dimrit pranë oxhakut që të ngrohej. Ishte dimër dhe vajzës i kishin ngrirë këmbët. Si një nga përfaqësueset më të nderuara të lëvizjes ilegale në qytet, Nuria, në Shtator të vitit 1944 u zgjodh Sekretare Organizative e Qarkorit dhe më vonë u bë pjesë aktive e forcave të ushtrisë partizane. Pas çlirimit të vendit ajo punoi si drejtuese në shumë institucione duke dëshmuar aftësi organizative dhe përkushtim profesional. Për kontributin e saj të shquar si gjatë luftës por dhe më vonë, Nurie Çiço është vlerësuar me: Medaljen e Kujtimit, Medaljen e Çlirimit, Medaljen e Trimërisë, Urdhërin e Trimërisë, Urdhërin e Punës dhe Medaljen e Punës. Pavarësisht se aktiviteti i saj pas çlirimit të vendit u shtri në disa qytete, ajo asnjëherë nuk e harroi vendlindjen. Në moshën 90 vjeçare Nuria i dërgoi një letër drejtorisë së gjimnazit “Asim Zeneli” ku mes të tjerash shkruante :
“Si një prej gjimnazisteve, gjej rastin të përmënd se shkolla jonë ka qënë një ndër vatrat më të zjarrta të qytetit të Gjirokastrës për zhvillimin e ndjenjave patriotike dhe për dashurinë pa kufi për atdheun dhe popullin tonë. Nga gjiri i mësuesve dhe nxënësve të gjimnazit tonë, dallohen me dhjetra dëshmorë që ranë për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Kam shumë emocion kurdoherë kur kujtoj si pjesmarrëse e kohës, veprimtari të veçanta si, demostrata e 28 nëntorit 1941 dhe ajo e 6 marsit 1942. Mësues dhe nxënës të bashkuar si grusht, ngritën dhe shpalosën me trimëri të pashoqe, përballë fashistëve, flamurin kombëtar pa shpatat e fashizmit. Historia e Luftës nac – çlirimtare është edhe historia e gjimnazit tonë. Asnjera nuk bën pa njera – tjetrën. Gjimnazi ynë është pjesë e asaj legjende”
Kjo do të mbetej edhe letra e fundit e shkruar prej saj. E ndarë nga jeta në Tiranë, vetëm pak ditë më parë në moshën 96 vjeçare, Nurie Çiço ishte në fakt legjenda e gjallë e Gjirokastrës. Në kuadër të 75 – vjetorit të çlirimit të qytetit, Bashkia e Gjirokastrës i akordoi veteranes së luftës, titullin “Qytetare nderi”.

…Masat Covid 19 e kanë zhytur qytetin gri në një heshtje të thellë. Ajo më shumë se kudo, përjetohet në rrugën e lagjes Palorto, atje ku nuk ndihet më gjallëria e dikurshme e hapave dhe zërave rinorë të gjimnazistëve gjirokastritë. Për një çast mu duk se figura e zbritur prej bazorelievit që në krye të këtij rrëfimi, filloi të largohet prej meje. Ishte silueta e ish gjimnazistes 17 vjeçare, Nurie Çiço, e cila siç ndodh shumë rrallë, ishte përjetësuar në një vepër monumentale që në gjallje të saj.
Megjithëse masat “Covid 19”, nuk lejuan një ceremoni mortore tradicionale për veteranen 96 vjeçare, unë, ndoshta shumë më ndryshe nga të tjerët, po bija dakort me këtë fakt. Asnjë varrim sado madhështor, nuk mund shuante nga kujtesa ime dhe gjithkujt që e njihte, historinë e saj. Atë “varrim” të thjeshtë e simbolik që i bëri Nuries, teto Sabiheja 79 vjet më parë. Askush nuk e di se në varrin e kujt shenjtori ajo e “varrosi” vajzën 17 vjeçare për ta shpëtuar nga arestimi prej armikut . Por pavarësisht kësaj, të gjithë në një farë mënyre u bëmë dëshmitarë se, bashkë me atë ceremoni të pazakontë “varrimi”, Nurie Çiço kishte marrë edhe bekimin e pavdekësisë.
Të qoftë i lehtë dheu, nënë Nurie !