Hyqmet Zane: Komuniteti çam, nuk mund të përdoret si mall tregu

305
Sigal

Ne çamët jemi njerëz që nuk mund të përdoremi si mall tregu dhe të na konsiderojnë si komunitete që nuk kemi ideale

Shoqata “Çamëria” pas 30 vjetësh dhe heshtja ndëshkuese

Janë 30 vjet luftë me prapaskenat greke që janë ulur këmbëkryq në politikën shqiptare

 Hyqmet Zane

Mbledhja e përfaqësuesve të komunitetit çam nga të gjitha qytetet ku jetonin në Shqipëri në krijimin e Shoqatës “Çamëria”, më 10 janar 1991 në Tiranë, ka qenë e mundur në pluralizmin e krijuar, pas formimit të Partisë Demokratike. Si dëshmitar okular i pranishëm me fat në këtë mbledhje të rëndësishme, më jep krenarinë e ligjshme të sjell në kujtesë atë eveniment në jetën e komunitetit çam pas humbjes së diktatit të parties- shtet mbi jetën social-politike të popullit shqiptar.

Në atë sallë të vogël ku u mblodhëm më 13 janar, pasi më parë i ishte bërë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë më 9 janar për formimin e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, kam qenë bashkë me Meto Izetin si përfaqësues nga Elbasani. Pas një jave më 20 janar po në këtë sallë u bë mbledhja e parë e këshillit, ku unë isha bashkë me profesoreshën e Universitetit të Elbasanit, Emine Sadiku. Ajo sallë m’u duk sikur ishte një pjesë Çamërie, se të gjithë ata aty ishin nga Çamëria dhe folën çamshe me dashuri për njëri- tjetrin dhe ajo na u bë si një sallë e madhe, për një mision të madh, për një kauzë të madhe.

Dhunimi i të drejtave njerëzore, veçanërisht ndaj popullatës çame me heshtjen, shtrembërimin dhe përmbysja e historisë së Çamërisë dhe dëshira e sistemit për degradimin e çamëve deri në qytetarë të dorës së tretë nga diktatura komuniste me ndihmën e vllaho-grekëve në Byronë Politike të Enver Hoxhës, ishin një nxitje që të dilnim nga izolimi dhe të mblidheshim në një organizatë si komunitet i persekutuar nga regjimi.

Dhe ia arritëm. Intelektualë çamë të fushave të ndryshme që ndihmuan në organizimin e mbledhjes së parë, nxorrën në krye studiuesin Abaz Dojaka që të ishte kryetari i parë i Shoqatës Patriotike Çamëria. Ishim të gjithë të entuziazmuar dhe mezi prisnim funksionimin e kësaj Shoqate në të gjithë qytetet ku jetonte komuniteti çam që të niste rikthimi në kërkesat e të drejtave të kësaj popullate që, jo vetëm u përzu me dhunë e me kriminalitet nga trojet dhe shtëpitë e tyre, por edhe në Shqipëri kur erdhën pas 1944 dhe 1945, përkohësisht u mirëpritën nga popullata vendase që dha një ndihmë të konsiderueshme për këta refugjatë të pafajshëm dhe të vrarë pabesisht nga monarko-fashistët grekë.

Por edhe kjo e ashtuquajtura gjendje paqësie nga popullata vendase, nuk u pa me sy të mirë nga partia në pushtet që u ndikua nga filozofia e dhunimit të të drejtave të njeriut, por më shumë se kaq që u kriminalizua me pa të drejtë nga segmentet e sigurimit të shtetit që kjo popullatë të rikthehej në një qendër për persekutimin e shumëanshëm nga stalinistët e Enver Hoxhës. Elita intelektuale dhe përfaqësuese, zyrtarë në poste të larta të qeverisjes së kohës si Teme e Taho Sejko, Veip e Tahir Demi, e më pas edhe shumë e shumë çamër të tjerë u sakrifikuan me ekzekutim nga klika antishqiptare në bashkëpunim me ndikimin grek në pushtetin e kohës.

Për të gjitha këto dhe për shumë e shumë të tjera që nuk kanë të rrëfyer, krijimi i Shqatës Çamëria u prit nga komuniteti çam si një mundësi për të kërkuar të drejtat legjitime të çamëve në lëmin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Edhe pse për një kohë të shkurtër, drejtimi i kësaj Shoqate nga i nderuari Abaz Dojaka, ishte një mundësi për të vënë pikat mbi “i” të kërkesave që kishte ky komunitet, ecuria e mëtejshme e saj pati shumë dritë hije që erdhën si frut i mungesës së kolegjialitetit në kryesinë e kësaj shoqate dhe me një moskoordinim me kryesitë e degëve në rrethe. Me gjithë mbështetjen e PD-së në fillim, arritja e një marrëveshjeje dypalëshe më 1996, u pa si një mundësi për reciprocitet që nuk u zbatua asnjëherë për palën shqiptare, por që i krijoi mundësi të mira palës greke. Situatat e pas 1997-ës, qeverisja socialiste dhe më pas edhe qeveritë e njëpasnjëshme deri më sot, kanë diktuar një gjendje të papranueshme në mesin e komunitetit çam që sot ndodhet në një gjendje amorfe dhe pa orientim, pa zgjedhje të ligjshme, por me emërime sipas oreksit të një njeriu që pretendon se ka shumë merita për kauzën e Çamërisë, edhe pse ka meritën e shkatërrimit të çështjes çame dhe shpërbërjes së vlerave që nisën të gjeneronin në mes të komunitetit çam.

Edhe pse diktimet nga “lart” që nga krijimi i Shoqatës “Çamëria” dhe deri më sot kanë diktuar ecurinë e shtrembët të komunitetit çam, sipas dëshirave të lobingut grek në mes të shqiptarëve me blerje të deklaruara që janë publikuar tanimë dhe që çuan pjesëmarrjen e një partie që pretendon se mbron interesat e çamëve, në krah të një partie që mbron dhe lufton për interesat greke në Shqipëri, si PBDNJ.

Kjo heshtje e qëllimshme e mospjesëmarrjes së komunitetit çam në politikat e diplomacisë shqiptare, sepse nuk ka përfaqësues dhe mosaplikimi i zgjedhjeve brenda Shoqatës “Çamëria”, sepse kështu do dhe kështu bën njeriu i politikës në emër të çështjes çame, janë haptazi shërbimi më i mirë që i bëhet Greqisë, që ka investuar jo pak, për këtë gjendje reale.

Përse u mblodhëm më 1991 ne, nismëtarët e komunitetit çam, ku me krenari them që kam qenë pjesëmarrës, të kemi këtë realitet sa elita intelektuale çame e profesorëve dhe njerëzve me kontribute të përjashtohen, siç bëri Enver Hoxha me idealistët dhe elitën intelektuale që e eleminoi me të gjitha format nga skena politike dhe publike? Përse e gjithë kjo situatë, kujt i shërben, kur amaneti i të parëve tanë dhe kontributet e tyre u bënë pluhur dhe hi, vetëm e vetëm se kështu do dhe kështu është diktimi i pas kuintave të politikës dhe diplomacisë shqiptare?

Nuk janë pak, por 30 vjet angazhime dhe kontribute, janë 30 vjet luftë me prapaskenat greke që janë ulur këmbëkryq në politikën shqiptare, janë 30 vjet që kanë shkuar pa reciprocitet bilateral Shqipëri – Greqi, janë 30 vjet që nuk arritëm të bëhej një libër për hsitorinë e Çamërisë dhe nuk patëm një platformë të strategjisë për zgjidhjen e çështjes çame, janë 30 vjet që ndërkombëtarizimi i problemit çam mbeti një ëndërr dhe çdo tendencë pozitive për të shkuar në dyert e Kongresit Amerikan u sabotua me metoda intrigante të njeriut që për interesat e tij mohon gjithçka.

‘Unë e dua Çamërinë’ ka qenë një togfjalësh i qëlluar, por që mbeti vetëm një dëshirë pa realitet. Të duash Çamërinë është të besojmë në njëri-tjetrin, të besojmë në kauzën dhe aksionet për realizimin e ëndrrave tona, por jo të besojmë në marrirat e ofruara e të diktuara nga anonimët e qeverisjeve të njëpasnjëshme shqiptare, ku pjesë jemi edhe ne çamërit. Dashuria për Çamërinë është dashur që të jemi së bashku, dhe jo të ndarë në kësi farë soji që jemi sot pas 30 vjetësh, në një kohë që krijuam Shoqatën “Çamëria” për t’u bashkuar në mendimin dhe në objektivat tona për të arritur për të çuar në vend amanetin e gjyshërve dhe stërgjyshërve jo me sharlatanë politikë, por me burra që kanë ideale dhe zemër e krenari çami të rrëfyer edhe nga armiqtë tanë dhe që i frikësoheshin ndëshkimit.

Pas 30 vjet krijimi të Shoqatës “Çamëria” kërkohet riformatimi i saj për ta bërë ne Çamërinë me hir apo me pahir se është një kauzë e drejtë që meriton drejtësi e mençuri, trimëri dhe vullnet të skalitur për të bërë atë që është amanet i patretur edhe pse kanë kaluar 77 vjet. Kemi një kauz që nuk mund ta keqpërdorë një kryeministër me “diplomaci” e mbartur në një shtet privat si të ishte një pronë e tij personale dhe të heshtë në shtëpinë e një diplomati grek për t’u ardhur atyre anës e anës sie dhe për çështjen e detit.

Por as ka shanse që kjo Shoqatë “Çamëria” dhe kauza e komunitetit çam, të përdoret si një mobilje e vjetër e prodhuar në ndonjë zdrukthtari dhe të zëvendësohet me ndonjë mall importi që duhet të kalojë përmes dogbanes, për ta konsideruar si një mall privat, tamam ashtu siç përdor Shqipërinë kryeministri ynë, në marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Ne çamët jemi njerëz që nuk mund të përdoremi si mall tregu dhe të na konsiderojnë si komunitete që nuk kemi ideale, edhe pse në forma të ndryshme, po kërkojnë të humbin dhe të na e fshijnë trashëgiminë dhe identitetin tonë të shtrenjtë e të vyer.