Hyqmet Zane: Antifashisti Çam, letër Gjermanisë dhe Greqisë

698
Sigal

Letër e hapur e ambasadës gjermane në Tiranë dhe në Athinë. Cilat të drejta të minoritetit në Shqipëri kërkon Micotaqis?

Unë djali i antifashistit që u internua në kampet e zhdukjes në Gjermani, kërkoj të drejtat e mia për babanë, shtetas grek me kombësi shqiptare

Nga Hyqmet Zane

 

Dhe çuditë greke nuk kanë të sosur për ne shqiptarët sa nga njëri kryeministër tek tjetri, po e njëjta kërkesë “respektoni të drejtat e minoritetit grek që t’iu hapen negociatat”!. Çfarë është ky postulat bajat që na bën edhe të qeshim me absurdin që ka brenda atyre fjalëve. Por, dihet që dinakëria greke dhe intrigat greke janë një “armë” e njohur në duart e qeveritarëve të Athinës. Dhe çudia më e madhe është, edhe me heshtjen e qeverisë shqiptare që, në çdo rast që qeveritarët grekë flasin dhe hedhin akuza, nuk u japin përgjigje?! A ka diplomaci shtetërore dhe burrëri shqiptari për t’ia prerë fjalën në gojë çdo lloj kryeministri grek që, jo vetëm kanë kërkesa false për minoritetin e vet, por japin edhe urdhra për sjelljen e qeverisë shqiptare me shtetasit e vet si në rastin me shqiptarët e Çamërisë. Por le të vijmë e të shohim këtë problem që do të doja ta cekja tangjent, se nuk meriton të trajtohet donkishotizmi grek me të tilla mendësi dhe sjellje që historia ua ka dhënë përgjigjen. Shkurt, dua të them se, nëse ka pasur një minoritet në Shqipëri që ka qenë i privilegjuar dhe me shumë ndihma nga qeveritë shqiptare si në diktaturë deri tek shprehja “Dy popuj miq” edhe në këtë të ashtuquajtur demokraci, ai është minoriteti grek, sa nuk ka shembuj për të thënë se ku janë shkelur këto të drejta, kur përkundër këtij realiteti, qeveritë e njëpasnjëshme greke janë kampionët e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut të minoriteteve në Greqi,kur as që nuk duan ta pranojnë këtë fjalë “minoritet”, e veçanërisht ndaj shqiptarëve që kanë qenë në tokat e tyre, në shtëpitë e tyre dhe që u përzunë me zjarr e me hekur nga shovinistët grekë.

Për këtë realitet të kundërt asnjëherë nuk kam dëgjuar që një qeveritar shqiptar, kryeministër apo ministër i jashtëm, përjashto këtu vetëm Mbretin Ahmet Zogu në kohën e mbretërimit të tij, që t’u japë një përgjigje këtyre zyrtarëve për akuzat dhe padrejtësitë që bëjnë. Mbi të gjitha, mos duhet që në Shqipëri të bëjnë ligjin grekët, se që ata të Agimit të Artë vijnë dhe bëjnë mbledhje dhe kërcënojnë se do vrasin shqiptarët siç bëri Kacifas, këtë e dimë dhe e besojmë, sikurse besojmë se, sipas grekëve që flasin nën hundën e zyrtarëve të Athinës se do marrin hak për vrasjen e tij me qëllimin e kahershëm se Greqia do që të pushtojë Jugun e Shqipërisë me pretekste të tilla? Mos duhet që të vazhdojmë të dëgjojmë sillogjet greke që Athina zyrtare i ushqen me gjithçka që të bëjnë “ham, ham” kundër Shqipërisë? Mos duhet që të vazhdojnë grekët të zënë tokat shqiptare dhe të na tregojnë arat mandej se sa të lashtë janë në tokat shqiptare si ardhacakë që me trastën e lypësit pushtuan territoret shqiptare? Apo mos duhet që ne tu themi faleminderit që na keni vrarë dhe prerë sa ka mbetur proverbiale thënia e gjysheve tona që shqetësohen e thonë: “Ç’ke more bir që vrapon kështu sikur të ndjek greku prapa?” Janë shumë e shumë të tjera, por unë, Hyqmet Zane, djali i Nuri Emin Zane të internuarit në kampet e përqendrimit e të shfarosjes në masë në Gjermani, që ishte shtetas grek me kombësi shqiptare, në marsin e vitit 1944, akuzoj shtetin grek për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut ndaj atyre që ishin antifashistë dhe që më keq akoma u internuan në kampet famëkëqija. Akuzoj shtetin shqiptar për mosmbështetje ndaj këtij realiteti, sa na është bërë makth fakti që të shkelim në tokën greke se mos na cilësojnë të padëshirueshëm. Im atë u kthye gjallë në Greqi në fillim shtatorin 1945, falë Zotit dhe, kur erdhi në Janinë pas internimit nazist për të vajtur në Filat ku kishte vendlindjen dhe vendbanimin e tij për të takuar familjen që të merrnin vesh që ishte gjallë, nuk u lejua të shkonte me kërcënimin që do ta vrisnin, se ashtu është bërë me atdhetarët e tij çamë që u përzunë nga trojet e shtëpitë e tyre. Në emër të kujt nuk u lejua im atë të shkonte në shtëpinë e tij, në emër të kujt nuk respektohen të drejtat e njeriut nga shteti grek që pretendon për respektim të këtyre të drejtave? Në emër të kujt shteti shqiptar nuk tregon as më të voglin interesim dhe t’i zërë një herë në gojë, veç faktit që Presidenti Alfred Moisiu e dekoroi me medaljen e “Artë të Shqiponjës” dhe Presidenti Bujar Nishani që priti zyrtarisht antifashistët e Çamërisë në Presidencë. Edhe babai im, edhe bashkatdhetarët e tij që i çuan në këto kampe të njohur për famën e tyre për shfarosjen në masë sa në Itali e sa në Gjermani, janë “bashkëpunëtorë me pushtuesit”(?), kur dihet që kryeministrat grekë të luftës nga Metaksai e deri tek Ralis, fut brenda këtu edhe ish-kryeministrin Micotaqis, kanë qenë bashkëpunëtorë me italianët dhe gjermanët! A ka vend që ky moment të diskutohet e të mbahet qëndrim shtetëror një herë të vetme nga shteti shqiptar, për të vënë pikat mbi “i” për momentet e mbetura pezull siç është kjo që thamë më sipër, por edhe Ligji i Luftës me Shqipërinë. Të gjitha këto të bëhen edhe në emër të reciprocitetit ndërshtetëror. Çudi e madhe kjo punë! Kur dihet që pushtues të Greqisë ishin Italia dhe Gjermania dhe me këto shtete Greqia nuk ka gjendje lufte, porse ka më Shqipërinë që asnjëherë nuk ka pasur interesa ndaj Greqisë?! Aq më tepër që ushtaraku i lartë Spiro Moisiu nuk ngriti armët kundër Greqisë dhe grekët këtë fakt nuk e përmendin asnjëherë. Qëllimet e liga dhe sjelljet e padenja për një shtet evropian dhe për një shtet që pretendon për drejtësi, bën vetë padrejtësi të niveleve të larta me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Aq absurde duken këto kërkesa greke për të drejtat e njeriut për minoritetin e tyre në Shqipëri dhe për akuzat ndaj gjithë popullatës çame si “bashkëpunëtorë me nazistët”(?!), sa do të doja të citoja fakte të tilla si ai i 12 tetor 1944, kur komandanti i trupave gjermane Felmi dhe kryetari i bashkisë së Athinës vendosën kurora tek ushtari i panjohur?! Këto fakte që janë të shumta për qeveritarët grekë të kohës së Luftës II Botërore dhe janë të ditura dhe të dënueshme, asnjëherë nuk janë dënuar si të tilla. Por më shumë se kaq këto fakte duhen pasur në vëmendje edhe nga Ambasada gjermane në Athinë dhe në Tiranë, se nga një anë grekët i kërkojnë dëmshpërblim Gjermanisë për viktimat e Luftës, kurse popullata çame e vrarë keqas nga grekët, ku duhet ta kërkojë dëmshpërblimin për vrasjet dhe për pasurinë? Nëse nuk ndihen grekët se u intereson heshtja dhe mos aprovimi i të vërtetave historike, po institucioni i shtetit shqiptar që duhet të mbrojë dinjitetin e shtetasve të vet që nuk ndihet dhe hesht, çfarë emri i ka vënë vetes? Nga ana tjetër dëmshpërblimet e Gjermanisë që u ka dhënë shtetit grek dhe atij shqiptar ku bëjnë pjesë edhe shtetasit grekë me kombësi shqiptare që jetonin në krahinën e Thesprotisë (Çamëria) dhe që u internuan në kampet e shfarosjes në masë, kush do ua japë dëmshpërblimin si reperacione të Luftës? E drejta është e drejtë dhe zbatohet në çdo kohë, tamam ashtu siç kërkojnë grekët për shtetasit e tjerë grekë. Letërkëmbimet e mia si djali i një ish-të internuari në kampet e përqendrimit në Gjermani që kam pasur me ambasadën gjermane në Tiranë para rreth 25 vjetësh kanë qenë zhgënjyese dhe jo të drejta, aq më tepër kur bëhet fjalë për shtetin e së drejtës, ku gjermanët njihen për drejtësi dhe seriozitet. Ku kanë shkuar dëmshpërblimet e të gjithë shtetasve grekë me kombësi shqiptare që janë dhënë me siguri dhe nuk i kanë marrë ata që u takojnë? Nuk janë një e dy, por shumë të tillë. Kush do duhet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve që janë të vërtetat e pakontestueshme, në një kohë që grekët kërkojnë dëmshpërblime për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Problematikat mes dy shteteve Greqisë dhe Shqipërisë dhe më gjerë akoma të Serbisë me Kosovën dhe Shqipërinë kanë qenë edhe në vëmendje të evropianëve që në një formë a në një tjetër kanë ndërhyrë ose kanë dhënë receta, por asnjëherë zgjidhje, veçanërisht ato me Greqinë. Por më shumë se kaq, vetë shteti shqiptar ka ceduar dhe ka marrë rolin e një të pa sy e pa vesh që nuk do që të shikojë edhe pse ka sy dhe nuk do të dëgjojë edhe pse i ka veshët pipëz, kjo është më e keqe se sa heshtja apo anashkalimi evropian. Por në fund të fundit heshtja e pakuptimtë e strukturave të organizimit të komunitetit çam që duhet të jetë drejtpërdrejt i interesuar dhe qëndrim mbajtës, janë një e keqe që meriton të injorohet dhe të konsiderohet si e qëllimshme nga mosfaktorizimi i mundshëm i këtij realiteti. Gjithsesi, unë si djali i një ish-të internuari në kampet e shfarosjes në masë në Gjermani gjatë kohës së Luftës II Botërore i bëj apel Ambasadës gjermane në Tiranë dhe në Athinë për të vendosur drejtësi për shtetasit grekë me kombësi shqiptare që patën fatin e keq që edhe të internoheshin e të vuanin në kampet famëkëqinj, por edhe të mos pranoheshin në shtëpitë e tyre pas kthimit më 1945 si një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut në një vend që është në bashkimin Evropian dhe bëhet një shembull i keq i mosrespektimit të këtyre të drejtave dhe përkundër kësaj kërkon të drejta për minoritarët e tij që i kanë ato me bollëk.