Homazh patriotik në 100 vjetorin e rënies: Lule Selam Musai

913
Sigal

HOMAZH   PATRIOTIK   ME   RASTIN   E   100 -VJETORIT  TË  RËNIES   NË   FUSHËN

E BETEJËS  

LULE    SELAM    SALARIA!

ME  RASTIN   E  RËNIES  NË  EPOPENË  E  LUFTËS   SË  VLORËS  MË 11 QERSHOR  1920 

 KRENAR   PROGONATI

“Heroi  i Popullit”,  Selam  Musai u  lind  në  Salari të Tepelenës  më 10 gusht 1860.  Dhe  u  vra  në   Epopenë  e  Luftës  së Vlorës  më 11 qershor 1920.  Babai  i tij, Musai, i  dha  djalit  kërrabën e  çobanit  dhe  tek  kullosnin  bagëtinë  në   malet  Ruke, Koke  e  Kordhe, këndonin  bashkë  për “ bilbilenjtë 13  që  vanë  në  litarë  vetë”,  atje  te  rrapi  në  Janinë dhe për  prijësit  popullorë  të  njohur  për  trimërinë  dhe  bëmat  e  tyre  për  atdheun, Tafil  Buzi,  Hodo  Nivica, Sali  Nivica, Rrapo  Hekali etj. Në  vitin 1881 afijet  turke e  morën  djalin  nga  stanet dhe  e  nisën  nizam në Sanë  të Jemenit ku  ndenji  6 -vjet. Atje  Selami u  lidh  me  atdhetarë  shqiptarë  dhe  jemenas, që  luftonin  kundër  sundimit  osman. Pas  6  -vjetësh u  kthye  në  Salari dhe  me  durim  punoi për  unitetin dhe  vëllazërimin  popullor,  sheshoi  grindjet,  zënkat  e  mëritë  midis  fiseve, madje  fali  vrasësin e  vëllait, duke  e  quajtur  viktimë  të  zakonit  të egër të  gjakmarrjes. Më  1905 bëhet  anëtar  i  Komitetit  të  Fshehë në  Tepelenë, ku  bashkë  me  atdhetarin  Arshi  Shehu  punuan  për  çeljen e  shkollave  shqipe  dhe  më  vonë  Selami  drejtoi  çetën   patriotike  në  zonën  e  Lopësit. Thuhej se Selam Musai ka pasur borizan salariotin  që quhej HASAN MUSTA,  Plaku ( Hasan Musta  Plaku, vrarë  në luftimet kundër andartëve grekë më 1914, shpallur  “Dëshmor i Atdheut”.  Edhe nipi i tij quhet Hasan Musta,  ka marrë  emrin e gjyshit dhe momentalisht është kryetar  i veteranëve të rrethit të  Tepelenës dhe është  nderuar: “QYTETAR  NDERI”  i qytetit të Tepelenës). Në  korrik   1908  gjendet  në  shtëpinë e  topullarëve  në  Dunavatin  e  Gjirokastrës, ku  u  takua  me  Çerçiz  e  Bajo  Topullin, Mihal  Gramenon, Zeman  Mashkullorën  dhe  Hito  Lekdushin. Ai  mori  pjesë  i  pikëlluar  në  varrimin e  trimit  të  çartur  Hajredin  Tremishti.  Rrethi  miqësor  i  Selam  Musait  zmadhohej edhe  me  luftëtarët  Ismail  Kaso, Shuko  Dalipi, Demo  Emini, Halim  Xhelo, Mersin  Meçe, Tahir  Liçaj Asllan  Veliko, Dervish  Hima, Abaz  Dashi, Shaqo  Buxo, Sulo  Beqiri, Shaqo  Llapi etj. trima  të  dëgjuar  e  të  njohur. Kur  diplomati Ismail  Qemali  lëshoi  urdhrin  atdhetar:  “Të  mbrohet  me  çdo  kusht  Janina!”, (29 janar 1913 ), Selam  Musai,  u  bë  udhëheqës  i  400  tepelenasve  që  u  sulën  me  armë  në  mbrojtje  të  Janinës.  Ai  luftoi  në  Bezhan  në  jug  të  Janinës, kurse  në  perëndim  luftonte  Ismail  Kaso. Në  një  nga  luftimet   Selami  mori  një  goditje  shpate  në  vetullën  e  djathtë  dhe  më  pas  një  plumb i  përshkoi  kofshën  tej e  përtej.  Më  26-28  prill 1914, udhëhoqi  luftimet  në  fushën  e  Luzatit  kundër  andartëve  grekë  që  kishin  kryer  masakra   barbare   në  Hormovë  e  në  zona  të  tjera  të  Tepelenës dhe  duke  u  prerë  kokat  500  kardhiqotëve  dhe  i  hodhën  në  lumin  e  Drinos. Luftimet  vazhduan  në  Cepo e  në  Labovë, ku  Selami  u  plagos  dhe  kryengritësit  i  ngritën  këngën: “M’u  atje  në  Labovë, /ku  zuri grekët  me  dorë,/ u  plagos  Selami  i  gjorë,/ u  plagos  në  kraharor,/ edhe  kalin  seç  ia  shpunë,/ mos  trembi , se  s’kam  gjë  unë”. Kur  Avni  Rustemi, “Hero  i  Popullit”, më 1916- 1917, ishte  mësues  në  Tepelenë, kishte  krijuar Shoqatën : “RREZET  E  DIELLIT”, Selam  Musai, Arshi  Shehu  dhe  Haxhi  Shehu  u  bënë  menjëherë  mbështetësit  e  tij  në  atë   detyrë  aq  të  shenjtë.  Lufta  e  Vlorës  më 1920  ishte  epopeja  që  nuk  ndriçoi  nga  dritat  e  prozhektorëve  të  forcave  pushtuese  italiane, që  komandoheshin  nga  12 gjeneralë, po  ajo  epope  heroike  shkëlqente  nga  flakët  e  patriotizmit të  popullit  shqiptar  për të  qenë  i  lirë  dhe  i  pavarur, duke  shpartalluar  planet  ogurzeza të  qarqeve shovene.  Kënga  popullore për  luftën  e  njohur   mbarëpopullore  të  Vlorës  heroike, zbulon veçanërisht edhe  vlerat  trimërore të  këtij  prijësi  të  rrallë  lab. “ Selam  Musanë  e  kërkojnë  komandant  me  tre  taborë,/ ti  Selam  do  vesh  në  Vlorë .” Çdo  koment  do  të  ishte  i  tepërt  për  këto  vargje  lakonike, ku   përmes   të  cilave  jepet  e  lartësuar  figura  e  trimit    Selam  Musa Salaria.   Jepej  lajmi, kushtrimi  i  kombit, Selamin  e  kërkonin  që  të  ishte  komandant  i  tre  taboreve  dhe  të  nisej  urgjent  në  Vlorë  ku  do  të  provohej  trimëria  e  tij. Me  300  tepelenas dhe  trima  Selam  Musai   niset    drejt  Vlorës.  Dhe  këtë  moment  poeti  lirik  Agim  Shehu  do  ta  skaliste   me  shkronja  ari   si   mbi  një  gur  mermeri   te   balada  e  njohur : “ Para  bustit  të  Selam  Musait”: “Përmbi  festen  tënde,/ qëkur  ti  ke  rënë,/  mali po  derdh   borë,/ fusha  po  derdh  hënë./  Deti  sa  të  pa,/  kur  në  qafë  dole,/  të thirri  si  nëna,/ ti  si  djal’ i  fole…,/ Lugjesh  n’ato  net/ zbrite  si  veri,/  prozhektorët    ndiqnin / sharkun  tënd  të  zi./ Rri, po  nuk  të  rrihet,/ ndaj  të  vijnë  mornica,/ vrapi  yt  po  endet,/ poshtë  nga  Babica…” Ndizet  lufta  në  Kotë  kundër  garnizonit  italian. Me  një  thirrje  të  Selamit, merrte  flakë  dhe  gur  i strallit. Rrotull  tij  djemtë- drerë  të  këtij  vendi, si  flatrat  e  shqiponjës, hidheshin  në  luftime  sikur të kërcenin  valle.  Kapën “  nga  grika” një  top  të  ushtrisë  italiane  dhe  mbi  të  vunë  një  flamur  kuq  e  zi,  që  lëshonte  dritë.  Dhe : “bënë  tutje  nga  Babica  me  treqind  e  ca  komita”  ku  gjenerali    Enriko    Goti  mbeti  i  mbuluar  me  gjak    para  këmbëve  të  lebërve  trima. Me  dy  djem  të  fortë  Selam  Musai  i  sulet  një  topi  tjetër  dhe  e  kapi  nga  gryka  si  me  qenë  dashi  i   kopesë, ashtu  siç  e  thotë  kënga: “u  fut  në  flakë e  më  s’u  pa”   Ishte  ora  22 :00 e  datës 11  qershor 1920,  ku  mbeti  legjenda  e  trimërisë  në  kodrat  e  Babicës, para  Qafës  së  Koçiut. “Përmbi  topa, / bëri  hopa,  /Selam  labi,/ Selam  trimi,/  që  ta  shihte  mbarë  Evropa?” Atje  në  Vlorën  e  historisë  mbenë  yje  të  përjetshëm  trimat  atdhetarë: Dule  Dalani, Shefqet  Shehu, Mane  Tahiri, Mem  Sherifi, Ibrush  Muço, Teme  Goga, Hyso  Demiri, etj. Emrin  e  Selam  Musait gjatë  LANÇL  e  mori  një  çetë  partizane. Pas  Çlirimit  me  emrin  e  tij u  pagëzuan  shkollat  e  Babicës  dhe  e  Salarisë. Një  lagje  në  Tepelenë  quhet Lagjja “ Selam  Musai.” Përballë  saj    qëndron  busti  i  Selam  Musa  Salarisë  që  poeti  i  njohur Agim  Shehu  i  kushtoi  baladën  e  bukur  “Para  bustit  të  Selam   Musait”.  Shkrimtari   i  shquar  Petro  Marko  e  ka  gdhendur  figurën  e  tij  në  dramën “ Gunat  mbi  tela.” Vargmali  i  këngëve  popullore   e  mban   ngrohtë  në  mëndafshin  e  saj  dhe  ushqen  brezat  me  atdhedashurinë  e  zjarrtë. Mbeten  të  përjetshme këngët  popullore, mbeten  si  testamente   atdhetare. Ja  disa  prej  tyre: “Vlorë  moj, e  bukura  Vlorë / me  Sazanin  dorë  për  dorë  ,/ kërkojnë  të  na  zaptojnë,/ po  ti  mos  u  tremb  moj  zonjë,/ shqiptarët  s’të  lëshojnë . /  Një  tjetër  jep  pamjen  e  një  beteje  të  sertë  ku  mbenë  400  e  ca  shahitë(dëshmorë):   “ Qafë  e  Koçiut  moj  grykë,/ ç’hata  bëre  atë  ditë,/  me  topa  e  alitrikë/ e  bëre  natën   ditë,/ 400  e  ca  shahitë/ bashkë  me    Selam  Musanë./” Kënga jep si  në  shprehje  proverbiale  figurën  e  Selamit. Ja  ç’thonë  vargjet: “Ç’u  shkule  nga  Drashovica/ me  300  e  ca  komitë,/ bëre  poshtë  nga  Babica/ posi  dielli  me  çika,  xheneralë  e  zuri  frika,/ ia  zure  topin  nga  gryka.”  Jepet   në  lëvizje  ku   ndriçon   vendosmëria  dhe  heroizmi i  Heroit: “Doli  Selami  si  ylli,/ doli  në  majë  e  thirri,/ në  det  të  hidhet  qafiri,/sot  është  vdekja, a  shpëtimi./po  kalonte  div   Selami/ istikam  më  istikam./”  Sa  bukur  e  thonë  vargjet   pamjen e  Selam  Musafit: “U  përmbys  ky  mal  i  lartë,/ ra  Selami  zemërzjarrtë,/ trim  i  madh  i  labërisë:/ shkronj’ e  artë  e  historisë” Këto  vargje  më  duken  se   malin  Selam  Musa  Salaria   me   dritë , flakë heroizmi   mbështjellë   se   kjo   “shkronjë  e  artë  e  historisë “  përcjell   mesazhet  historike  që  për  Shqipërinë  tonë  të  shenjtë  e  të  shtrenjtë  të  jemi  misionarë  të  ndershëm … Shtëpia  e  tij  në  Salari  qe  kthyer  në  muze, përgatitur  nga  historiani  pasionant  Gjolek  Jupi, e  cila  qe  shndërruar  si  një  Mekë  labe  ku  shkonin   në  ekskursion  nxënësit  dhe  mësuesit  e  shkollave “ Abaz  Shehu”,  “Sali  Nivica”, “ Nimete  Progonati”, “Avni  Rustemi”  prej  nga  merrnim  frymëzime  patriotike. Me  dekretin  Nr. 3607, datë  26 nëntor 1962, Selam   Musa  Salaria  është  shpallur me  Titullin  e  Lartë “HERO  I  POPULLIT”.