Halil Shabani: Nga vallet “pirrike” tek ajo e Osman Takës

650
Sigal

HALIL SHABANI

Historian–Arkeolog.

Një nga thesaret më të çmuara në shekuj të popullit shqiptar, është trashëgimia kulturore artistike. Në të kaluarën e largët ato tradita plotësonin mjaft mungesa të arsimit, duke edukuar brezat. Ato kanë mbrritur deri sot  mëpërmjet veglave muzikore  dhe valleve popullore. Në jetën baritore dhe atë fshtare, veglat muzikore punoheshin nga mjetet rrethanore e sidomos nga druri.  Staboni, një ndër historianët më të mëdhenj të antikitetit, në veprën e tij: “Gjeografika” thotë se: “Ilirët nuk e lënë muzikën mënjanë, por përkundrazi përdorin kurdoherë fyej dhe vegla kordofone”. Dijetarë të e tjerë si Galeni, Plini, Aristoteli, tregojnë madje se: “Mjekët ilirë e shfrytëzonin  muzikën dhe vallëzimin deri në shërimin e sëmundjeve mendore”. Në një enë qeramike të zbuluar në Durrësin e lashtë, paraqitet profili i një gruaje që këndon duke ngacmuar fytin me dorë. Një trupore prej bronxi paraqet çast vallëzimi plot vrull  me trupin e lakuar në lëvizje e sipër, ndërsa në një dorë mban një vegël muzikore duke vallëzuar me “Pani Briconin”, Perëndia e Panit, zbuluar në malin e Milesë, mban në dorën e djathtë një bri që i frynte për të dhënë lajme për popullsinë rreth liqenit “Poledos”, Butrintit të sotëm. Një basoreliev prej qeramike zbuluar në Antigone , paraqet figurën e një femre që mban në krahun e majtë një vegël me shumë tela të cilëve u bie me gishtërinjtë e dorës së djathtë. Epiri me tre fiset e mëdha të Kaonëve, Thesprotëve e Mollosëve, u shndrrua në epiqendër  të  muzikës e valleve popullore në lashtësi. Pellazgët këtu kishin themeluar në një vend malor në mes të pyllit  plot me burime tempullin e parë dhe  më të rëndësishëm në Ballkan  “Dodonën”.  Shpejt Dodona dhe orakulli i saj, u shndërruan në një epiqendër  të ngjarjeve e trashëgimisë  kulturore,  ku huazuan kulturë edhe popujt e tjerë. Sipas Strabonit, Tukitidit dhe Aristofanit,  këta nuk ishin grekë. Thonë se patën përvetësuar  vallet “Pirrike” së bashku me masat metroritmike  përkatëse. Etnomuzikologu i njohur  Jaap Kuneste ka arritur të gjurmojë baticat e ndikimet e kulturës ilire e të trakasve nga Ballkani deri në lindjen e largme. Historia e artit pati për bazë burimet e trashëgimisë e krijuar në Dodonën pellazgjike. Muzika dhe vallëzimi u shndrruan në pjesë përbërëse  të kremtimeve  pranverore, që shtjelloheshin me këngë e valle popullore të hershme. Fillimisht skena e tyre ishin lëndinat e sheshet për të ndjellë mbarësi në bujqësi e blegtori. Banorët e Kaonëve e Thesprotëve  në periudhën e Antikitetit,  u shndërruan në valltarët më me zë të valleve “Pirrike”. Veglat muzikore e briri që Pani e mban në dorën e djathtë, fyelli prej metali e druri si dhe veglat muzikore  të nimfave  që e mbajnë në dorën e djathtë  duke vallëzuar,  janë dëshmitë më të qarta që tregojnë se këta banorë të Ilirisë së Jugut kombinonin bukur meloditë  muzikore me lëvizjet  e hapave apo vallet popullore  pagane të paktën këtu e 2400 vjet më parë. Nimfat e skalitura në gurë mermeri duke kërcyer me Pani Driconin, ishte ndër kultet më të përhapura tek banorët e Ilirisë së Jugut  apo në Epir.  Nimfat përfytëroheshin  si femrat  më të bukura  që këndojnë  e vallëzojnë  netëve të kthjellta  nën dritën e hënës  në lëndina me bar, buzë liqeneve e pranë krojeve. Atyre u përkushtoheshin faltore , orakuj, tempuj, kroje,  e deri në përmendore të ndryshme. Në punishten e qytetit të lashtë  të Apolonisë,  në një prerje monedhe, paraqiten tre nimfa  vallëzuese,  si emblema  e kultit  vendas. Ato kërcejnë rreth zjarrit  të Nimfeut. Në dorën e një Nimfe, dallohet kërraba  baritore e Panit legjendar. Ato qenie miotologjike adhuroheshin nga stërgjyshërit tanë si mbrojtëse  e kullotave, krojeve, barinjve dhe si dashamirës të muzikës. Interes të veçantë  në arkeomu zikologjinë e trojeve të Molosëve  dhe Thesprotëve, ka patur edhe përdorimi i një mjeti  të gjinisë ideofone  në tempullin e famshëm të popujve të Ballkanit, Dodonën e Epirit.  Sipas Euripidit:  “Dodonën e kundronte në Thesproti, ndërsa Eskili, në Molosi. Në atë mënyrë qyteti  më i dëgjuar dhe tempulli i Dodonës ishte ndërtuar në kufijtë e këtyre dy fiseve  kryesore të Epirit. Orakulli famëmadh i këtij tempulli  të tejlashtë, të cilin sipas gjojëdhënave, Pellazgët e kishin themeluar  në një vend malor,  në mes të një pylli plot burime, që i jepte përgjigje Zeusit nëpërmjet  kumbimeve  të disa enëve prej bakri. Një shtatore që mbante në duar një kamxhik më një lëmsh në majë, godiste, gjashtë rreshta  kazanash e kur frynte era përplaste lëmshat mbi kazane,duke nxjerrë një kumbim të gjatë.  Gjethet e lisave të fshehtë  fëshfërinin  e në bazë  të tyre  jepej përgjigja  nga Orakulli i pagabueshëm. Atje kishte marrë përgjigje para betejave udhëtimeve e fatin: Odiseja legjendar, Pirrua i Epirit, Aleksandri i Maqedonisë e shumë e shumë heronj e mbretër të popujve të tjerë. Kultet e ligjëratës  muzikore të të parëve tanë, doket e zakonet e kulturës  material  nga lashtësia  na vijnë të coptuara. Po Anteu në përshkrimin e dyluftimit  që përmend midis dy grave epiriote  në mënyrën “Bakhyde  me lodër” e ka fjalën për një masë metroritmike  të valleve  të lashta që thuhet se u gjinikua në repertorin e kultit  dionisjak. Këmbëza “Bakhide” s’është gjë tjetër veçse kërcimi  jambik Molos, ato s’janë gjë tjetër veçse lëvizje të valles Pirrike. Emërtimi i këmbëzës Molose  lidhet me fisin Epiriot  që banonte në jug të Toskërisë. Ndoshta edhe këmbëza Pirrike , si ajo Peone, lidhet me masën e valleve luftarake  të epiriotëve, d.m.th. të ashtë quajturave  valle pirrike.  Këto shënime të autorëve grekë e latinë, janë burime e njoftime të vyera  për muzikologjinë. Ato valle ritmike kërceheshin  nga korifenjtë më të zotë, duke mbajtur  në dorën e djathtë shparën. Korifeu që zinte vend në krye të harkut të formuar  nga vallëtarët e tjerë. Lëvizjet e tij ishin befasuese e të mahnitshme. Kokën herë–herë e përkundte mbrapa, gati sa prekte  dyshemenë  e mermertë të skenës. Pastaj me një kërcim të menjëhershëm  elastik  si të shigjetës së një harku fluturonte lart. Shpatën e çonte edhe më lart. Flokët e gjatë dhe të shpushpurisur i valavitëshin mbi supe. Vallëtarët e tjerë pas tij kryenin rrotullime  ritmike, mbi njërën këmbë,  e shumë shpejt,  bënin që fustanellat borë të bardha e me dhjetra palë, formonin figura mahnitëse në ajër. Pasi korifeu e përsëriste tre herë rrethin e valles qëndronte i mbështetur në tre pika, tek dy këmbët dhe koka. Mbi trupin e tij kalonin  me radhë vallëtarët  duke i valavitur sa më lart shpatat e nxjerra nga brezi. Kur valltari i fundit zbriste nga trupi i tij, korifeu më një kërcim mahnitës  prej atleti, brofte në këmbë, vendoste  dorën e djathtë pas kokës e pas një rrotullimi  gjithë ai hov e vrull i mëparshëm,  bashkë me melodinë  e muzikës  ndërpritej. Me sa duket me atë gjest, ai përhapte lajmin e fitores në tërë fiset. Kreu i valles thuajse merrte  pamjen e një statuje.  Kuptohej sikur ajo kishte zbritur  Zeusin në tokë. Në një  nga basorelievet  në qeramikë të zbuluara në Shpellën e Konispolit  në vitin 1990, paraqitet një skenë e tillë e valles të luajtur nga katër femra. Ai i takonte Antikitetit ilir. Duke vërejtur me vëmëndje veshjet dhe lëvizjet e valltarëve  të kapur dorë për dore, m’u dyzua mendimi.  Dëshmia më domethënëse e më bindëse, që kjo valle nuk mund të tjetërsohej  nga askush, vjen nga lashtësia e kërcimit të “Stilit Pirrik”. Kërcimi pirrik mbi bazën e basorelievit  në mermer  dhe qeramikë  bëhej i lidhur dorë më dorë në dallim nga ai helen që kërcehet në vend. Koha kalonte pa u ndierë, por brezat autoktonë  epiriotë  transmetonin vallen pirrike  si hallkë e një zinxhiri të artë. Në fund të shekullit XVIII , udhëtari anglez Hjuxh,  citon: “Ne u kënaqëm shumë më tepër me dëfrimin që pasoi dhe që entuziazmi i albanitikos ose i valles kombëtare  të palikarëve  shqiptarë, e të lojtur nga disa prej rojave më të zotë të vezirit,  që ishin ftuar në dasmë. Ata i printe korifeu ose udhëheqësi, i cili ndërrohej shpesh. Ai bënte kërcime mahnitëse duke u përkulur nga mbrapa deri sa koka e tij gati sa s’prekte dyshemenë  dhe pastaj me një kërcim elastik si të shigjetës së një harku fluturonte lart, ndërsa flokët e gjatë i valviteshin  të shpushpurisura  mbi supe.” Nga sa rezulton nga ky përshkrim i Hjuxhit,  vazhdon të komentojë  se orkestra e kësaj valleje përbëhet nga gërneta, violina, mandolina dhe dajrja. Përshkrime të ngjashme me këto kanë dhënë Martin Liku, Eduart Lir, Lejerdi dhe Hollandi.  Mbështetur në atë se çfarë ka shkruar udhëtari anglez Hjuxh, rezulton se vallja e “Osman Takës”  ka pika takimi  dhe është e ngjashme me vallet e lashta pirrike që kërcenin në lashtësi Kaonët ,Thesprotet  dhe Molosët. Kur u kërcye përherë të parë  nga kapedani i Konispolit Osman Taka, para varjes  në litar, vallja që u njoh dhe u përhap në tërë popujt e Ballkanit si një simbol i luftës për liri kundër sundimit turk, u kërcye aq bukur, sa gruaja iu lut Prefektit të Janinës me ngulm:

-“Faleni këtë burrë që na mahniti!”

Kjo valle me rrënjë në kërcimin pirrik, kur u shfaq në skenën e Festivalit Kombëtar  të Gjirokastrës  në vitin 1972,  me po atë mjeshtëri nga valltari i shquar virtuoz,  Taip Madani, mahniti këdo. Kërcimi i stilit pirrik ishte transmetuar në tre epoka: paganizmi, mesjeta dhe shekulli modern.  Kërcimi në ajër i korifeut, përkulja e kokës mbrapa, sa gati të prekte dyshemenë,  rrotullimet me shpejtësi mbështetur  tek thembra e një këmbe, gati ishin të njëjta  me ato të kohës pirrike,  të krijuara në kohën e mbretit  legjendar  Pirro i Epirit. Kjo valle u cilësua “perla e festivaleve”,  ndërsa nga eleganca e kërcimit, koloriti dhe virtuoziteti, Taipin e quajnë “virtuoz”, i mahnitshëm, margaritar,etj. Fustanella e tij e bardhë arkaike, valvitet nëpër skenat më moderne  të kohës.  Koreografët, etnografët e vallëtarët me instrumentet  kombinuan  bukur. Ajo valle ishte fryt i punës mjeshtërore e kolektive të mjeshtrave  Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Abaz Dojaka, Spiro Shkurti, Ëngjëll Tërshana, Bujar Aliu, Anastas Kondo,  Muharrem Hysa, Ferik Musta, Zenel Manari, Lefter Beruka etj. Mjeshtri i Madh, Artisti i Popullit, Panajot Kanaçi ka thënë: “Valltari i Konispolit pushtoi skenën e Gjirokastrës. Lëvizjet e këmbës, dorës e trupit në harmoni të plotë me skenën,  jetuan në skenë me vërtetësi dhe origjinalitet, ku edhe një artist i mirëfilltë nuk mund të realizonte këtë jetësi apo harmoni organike. Ky valltar edhe kjo valle më bëri që unë të lë karrigen e nënkryetarit të Jurisë dhe ta ndjek nga mbrapa kalldrëmeve të Gjirokastrës  këtë djalosh”.  Folkloristi i shquar professor Zihni Sako, në dhënien e çmimit “Laurant” e vlerëson  valltarin Taip Madani,  dhe vallen çame të një niveli shumë të lartë. Por ajo që korrigjoi ai publikisht  ishte: “Jo vallja e Konispolit, por vallja e “Osman Takës”, person që ka një histori të shquar. Ashtu si Osman Taka bëri të bjerë nga ballkoni, vajza e Valiut të Janinës. Kështu edhe ky valltar na bëri në të duartrokasim në mes të programit  e të japim për të një çmim special”.  Xhevahir  Spahiu poeti dhe shkrimtari i njohur  është shprehur: “Taipi ishte margaritar i Jugut”. Besim Zekthi, Mjeshtër i Madh,  ka pranuar dhe vlerësuar: “Edhe gjashtë muaj të rri unë për të mësuar dhe interpretuar  këtë eveniment  të rrallë nuk mund ta realizoj. Ajo valle përfaqëson kulturën çame nuk mund të përfaqësohet nga tjetër përveç, Mësuesit të Konispolit”.