Guximi më i madh leximi i Doskojevskit, “Njërëz të varfër”

171
Sigal

Speciale nga Bedri ÇOKU: Ju tregoj jetën në internim ku intelektualët lexonin fshehurazilibrat e ndaluar si Pirandelo, Tolstoi, Dumas, Pushkini, Hygoi, Petro Markon etj. Nga ‘Lumi i vdekur’ tek kryeqyteti që më ka prangosur disa herë dhe më dukej si një qënie me dhëmbë hekuri..

Në internim ku intelektualët lexonin fshehurazi: Pirandelo, Tolstoi, Kadare, Pushkini, Lermontovi, Dumas, Petro Marko, Kuteli, Hygoi, Turgenievi

  • Guximi më i madh leximi i Dostojevskit, me librin “Njerëz të varfër”.
  • Ishte koha kur Dostojevski ishte i ndaluar rreptësisht të botohej në kushtet e regjimit komunist.
  • Shtrati i “LUMIT TË VDEKUR”, në këtë rast ndante edhe  kufirin midis  dy fshatrave

Rrëfenjë-Dosier

Ishte fund і vjeshtës. Puhiza e detit ma ardhangu gjoksin. Ecja e më dukej sikur prekja mbi valët lozonjare të tij. Sa shumë emocione më ngjallte natyra, ajri, deti! Gjithçka që shihja e ndjeja rreth e rrotull. Rrugës, edhe njerëzit më dukeshin ndryshe: Burrat, më pak të drobitur, më pak të rrëgjuar nga herët e tjera; ndërsa  gratë e rraskapitura nga punët e bujqësisë, më dhimbseshin tek і shikoja të futura në ca tuta të kuqe, blu apo të zeza, me shami të bardha në kokë, të cilat nxitonin me kazmat e lopatat në krahë, të paduruara për të shkuar sa më parë tek të vegjlit, që і kishin braktisur thuajse gjithë ditën. І shihja përditë nëpër ara, përmbysë, me shatin në duar e prapanicat përpjetë për të realizuar normën e lartë që të fitonin ato pak lekë – ushqim për fëmijët, siç i quante një poet, i burgosur politik, “bujkrobërit e ardhshëm të komunizmit…”

Vura re nga larg, disa të rinj e të reja, që po  drejtoheshin andej nga Qendra e kooperativës, anëtarë të Bashkimit të Rinisë, me siguri, si përherë, shkonin për ndonjë mbledhje ngaqë, siç u thoshin, do të ishin ata ngadhënjimtarët e shoqërisë socialiste…

Ndërsa një grup tjetër të rinjsh, që nuk e gëzonin këtë “privilegj”, për shkak të ndonjë kleçke në biografitë e prindërve të tyre, shëtisnin të lirë e të pavarur, rrugëve e shesheve të zbrazëta të fshatit, dhe më përshëndesnin si zakonisht njeri pas tjetrit, herë të qeshur, herë seriozë, pa e prishur qejfin edhe pse unë s’ua ktheja në mënyrën e tyre. Isha shumë і shpërqendruar, me ngasje të thella emocionale, ndoshta nga vizita që kisha bëre te pacientja tetëmbëdhjetëvjeçare, që më befasoi me bukurinë e saj. Them ishte ky shkaku që po më jepte kënaqësi të veçantë buzëmbrëmja dhe, vajzat teksa ecnin në grup, pranë e pranë, më shkaktonin ekzaltimin e një dëshirë për t’i soditur me syrin e lirë të beqarit. Më dukej sikur, nga çasti në çast, ndonjëra prej tyre do të “shpërthente, trimërisht grupin e vet, nga vargonjtë e zakonit që e mbante ngjitur me të dhe. ajo do të ishte për mua ndoshta, “ylli” që orvatej për t’u shkëputur nga konstelacioni і ngjeshur i vajzave, ose çapkënia, që dëshironte të tregonte dhuntitë e veta porse “oktapodi i pamëshirshëm” e përlante përsëri brenda vetes.

Mos vallë për të gjetur “çapkënen” po ecja rrugëve të fshatit, kur dielli me pizhamet e kuqërremta ishte duke e braktisur tokën e po “shtrihej” pranë shtratit të tejlëngshëm të Adriatikut…?

Pa e ditur as vetë mora tutje, në rrugën paksa të ngushtë, që të çonte në fshatin tjetër: Një fshat і vogël, me shtëpi të ulëta, përdhese e të rralluara si dhëmbët e një dudëshi. S’kisha bërë as njëqind metra nga vija e kanalit, nëpër të cilin kullonin delet me ujë nga  shtrati i  “LUMIT TË VDEKUR”, që në këtë rast ndante edhe kufirin midis dy fshatrave, vura re dikë që po thurte me thupra anët e  kasolles së mbuluar me kashtë. Plot histori e ngjarje kisha dëgjuar për një njeri me emrin Nikollë, që jetonte në një kasolle me kashtë e rrethuar me thupra, por që asnjëherë s’kisha dashur ta besoja. Ndalova me dëshirën e mirë pranë këtij  njeriu, me shpresë se ai do të ishte Nikolla. I fola i pari, pasi, edhe pse kisha gati një vit që punoja në kooperativën e bashkuar, s’e kisha parë kurrë këtë njeri tek dera e ambulancës.

Dikush s’do ta besonte që babë e bir jetonin në një kasolle mbuluar me kashtë dhe pse flitej me të madhe se në shoqërinë socialiste ishin të zgjidhura problemet social, ndërsa për babë e bir, nga ç’shkruaj unë, më mirë flasin sot e kësaj dite bashkëfshatarët, disa prej të cilëve jetojnë ende.

Kureshtja më detyroi të vizitoja banesën prehistorike të Atit me të Birin, ndaj e përshëndeta njeriun që po thurte kasollen me thupra kinse që ai të më jepte mundësinë t’i afrohesha.

– Më falni, nuk ju njoh – më tha – por kjo s’do të thotë që të mos bëjmë dy para muhabet. Hajde! Me siguri doktori i kooperativës duhet të jesh…Aaaa!…Kam respekt për intelektualët, jo vetëm për ju, mjekët, kuadrot e larta të kooperativës, por edhe për mësuesit e mësueset e shkollës veçanërisht për ata të letërsisë.

– Doktori jam…I respektoj edhe unë mësuesit e shkollës – i thashë.

– Bukur!

E la punën.

– Kam kohë që s’ lexoj libra artistik – vazhdoi, por ama, për të diskutuar jam gati të lë gjithçka!

Më ftoi të ulesha mbi një trung vidhi përpara kasolles, të cilin, mesa kuptova, disa syresh i përdorte në oborr për vete dhe të atin, si karrige për të ndenjur në ajër të pastër, ose për t’u shullu në diell.

E pranova ftesën me kënaqësi, pa naze. Ai vetë u ul përballë meje, duke vendosur dy tulla njëra mbi tjetrën.

– Po rregullon? – i  thashë.

Kot, për të hapur bisedën, duke parë me keqardhje nga kasollja.

– Kam mërdhirë gjithë natën, ngaqë hynte era nga të katër anët. Përpiqem, të paktën, të zë birat e mëdha. Më tepër s’kam ç’bëj. U mbush me frymë – Ja, këtë pasuri kam nga  babai! Këto të mira nga socializmi…

Ula kokën, sapo dëgjova fjalën “socializëm”, ndërsa ai, për të më nxjerrë nga sikleti, vazhdoi me entuziazëm :

– Ja, sa të ndërtoj një shtëpi, si gjithë të tjerët. Kam filluar të grumbulloj disa materiale: trarë, gurë, tjegulla, tulla. Pak janë, por, besoj, do t’i plotësoj dalë ngadalë.

– Shumë mirë. Fillo njëherë. Me siguri do të ndihmojnë edhe të tjerët.

– Mos e thuaj atë fjal ! Kush të ndihmon sot, mor burrë! Fshatarët e shkretë mezi sigurojnë për vete bukën e gojës. Ndërsa ata të kryesisë…ohu, e kanë mendjen ku të zhvatin për vete.

Ktheu kokën i brengosur nga materialet e grumbulluara. Në të vërtetë ato s’ishin materiale ndërtimi: ishin copa drurësh, gurësh, tjegulla e tulla të thyera, me siguri të mbledhura aty- këtu nga mania e ndonjë të çmenduri.

– Ku e dija unë, shoku doktor, se kisha një baba të çmendur, që jetonte në mizerje. A nuk është krim? Kam pasur para me mijëra nëpër duar, më besoni! Rastësisht mora vesh që kisha edhe unë prindër, se isha me origjinë nga fshati…Prandaj erdha këtu. Të paktën t’i gjendesha babait para se të vdiste, ngaqë është i sëmurë.

– Shumë mirë ke bërë. Por, a e ke vizituar ndonjëherë tek ndonjë mjek? Mos ka nevojë për mjekim?

– Ç’ta vizitosh! Është i çmendur. Nuk pranon t’i afrohet njeri. Godet me duar e shqelma. Është shumë agresiv. S’ka ilaç në botë ta shërojë…

– A të mbetet qejfi ta shoh pak? Ndoshta…Mundet të mendoj edhe unë diçka për ta ndihmuar. Kush e di…

– Më fal, si e ke emrin?

– Artur. Por ti, Turi më thërrit!

– Mua Nikollë…Por dëgjo, shoku Turi Pse të futesh? Aty s’mund të rrish dot një minutë. Qelbet. Unë mezi duroj. Lëre atë punë të shpëtosh nga ndonjë sëmundje…

– S’ka gjë, s’ka gjë! Ky është zanati im. Dua ta shoh…

– Si të duash!

Tërhoqa lesën e kasolles dhe u futa brenda. Plaku rrinte i  shtrirë mbi një dëng barishtesh prej fieri dhe gërhinte me gulfe, si astmatik. Ishte i mbuluar me një jorgan arna-arna, i zgjyrosur nga të palarët; në kokë kishte hedhur një peshqir të vjetër, të nxirë sterrë nga bloza. Përtokë, në mes të kasolles, buluronte vorba prej balte me fasule, midis dy kërcunjve të mëdhenj, në flakërimë. Era  e tyre më lehtësoi disi nga kundërmimi i rëndë. Por më kalli krupën shkuma e pisët, që lëpinte grykën e vorbës së zezë, të cilën e mbulonte një copë tjegulle tërë pajagë e lëtyrë. Për matanë zjarrit gjendeshin shtresat e Nikollës, të zgjyrosura po aq sa edhe të të atit. Nën to, s’kishte fier, por kashtë. Më ra në sy diçka e ngritur dhe kujtova se ishte trung i mbuluar me rrecka, ku  Nikolla vendoste kokën, por u çudita kur nën to pashë një dëng me libra. Ndërkohë desha të pyesja përse ishin librat aty, por m’u trazua ushqimi në stomak dhe gati më iku fryma. Doja patjetër të nxirrja lëngjet e stomakut. Më vinte rëndë nga Nikolla dhe bëra sikur më ngau kolla. Me atë rast nxora shaminë dhe lëshova në të gati një filxhan lëngjesh. Pastaj u përkula mbi librat.

– Po këto ?- I thashë

– I solla nga Tirana. Siç e sheh s’kam kohë, as mundësi për të lexuar! Ja, më thuaj, a mund të lexohet në këto kushte, shoku doktor?

– Qenkan libra të bukur… autorë të famshëm!?

– Më pëlqen shumë letërsia. I kam lexuar në shkollë.Vetëm në shkollë.Pastaj s’i kam zënë më me dorë.

Ai vazhdonte të fliste, por unë s’e kisha mendjen tek fjalët e tij: Lexoja autorët e librave Pirandelo, Tolstoi, Kadare, Pushkini, Lermontovi, Dumas, Petro Marko, Kuteli, Hygoi, Turgenievi dhe, për çudinë time, edhe Dostojevski, në një libërth të vogël me titull  “Njerëz të varfër”. Me sa dija, Dostojevski ishte i ndaluar rreptësisht të botohej në kushtet e regjimit komunist. Ndoshta ky ishte i vetmi përkthim në Shqipëri, kush e di në ç’rrethana e nga cili njeri!

– Po këtë libërth ku e ke gjetur?

– Mos pyet, të pëlqen, merre! E kam vjedhur në shtëpinë e një pushtetari. Merr cilin libër të duas! Kot po rrinë aty.

– Faleminderit! Po marr vetëm këtë, “Dostojevskin”. Më vonë do t’i marrë edhe të tjerët.

Iu afrova plakut që s’ishte bërë ende i gjallë.

–  Është i çmendur!

–  Jo, nuk mendoj se është tamam ashtu. A është epileptik, babai?

– S’e kuptoj, epileptik. Sëmundje është kjo?

Tunda kokën dhe zgjata dorën në pulsin e plakut. Sapo e preka, ai hapi sytë. I ngriti vetullat dhe zgurdulloi kokërdhokët, sikur donte t’i shqyente nga habia e tmerri.

  • Derra!…Pisa!–ulëriti-Ç’më shikoni ashtu, qenër !… More, të pafe!…Maskarenj !…Kopukë….

U tremba, njëkohësisht edhe u trondita, ngaqë nuk e prisja reagimin e tij.

Vetëm shtrëngova çantën pas trupit, ndërsa ai vazhdonte:

– Po ti, more zuzar…muti im, përse m’i ke sjellë këta komunistët e qenit…ë ? Ç’më shikoni ashtu ? Hajt !.. Shporruni ! Thyeni qafën ! Ikni, më lini të vdesë rehat në shtëpinë time.

– Babë, është doktori. Ka ardhur të të vizitoj .të të japë ilaçe.

– Mut të më japë lanetër! Qërohuni përjashta!

Mbërtheu mëzdrakun, aty pranë dhe e ngriti drejt meje, por Nikolla doli përnjëherë para. Shkopi u përplas në kokën e tij dhe u nda në dy pjesë. Megjithatë, i biri ia mbërtheu duart, e shtriu të atin me forcë dhe gjysmën e mëzdrakut, që vazhdonte ta tundte përsëri drejt meje, ia mori nga dora.

– Rri urtë se nuk do të jap bukë…dëgjon?- I bërtiste – Do të le të vdesësh nga uria…more vesh, o i shpirrosur !

I mëshonte sipër me tërë forcën, për ta mposhtur.

Megjithatë, plaku vazhdonte të ulërinte, të shante, të mallkonte me fjalët më të pista.

S’durova dot dhe dola përjashta. Zura vend aty pranë dhe ndeza cigare. U pendova që hyra në atë kasolle. Duart më dridheshin. Ndërsa atë e bir bërtisnin e kacafyteshin me njeri-tjetrin, mua më shtohej  rëndesa në shpirt. (Me siguri rëndesa e fajësisë). ”Ç’desha që e trazova, kot së koti, në jetën e mjeranëve !”

 

Pas pak Nikolla doli. Vraga e gjakut në fytyrë i shkonte deri në gjoks.

Vura re që e çara ndodhej në mes të ballit. Pashë edhe të gërvishtura në qafë.

– Të gjitha i pësove nga unë – i thashë – Të më falësh !

– Çfarë thua, o burri i dheut! Ç’faj ke ti ! Ai ka mbaruar. Është çmendur…

Fliste dhe ndërkohë pastronte fytyrën me mëngën e këmishës.

– Mos asht ! Prit! – I thashë… Lërmë  të  të mjekoj…

– A mundesh?

– Posi jo! E kam çantën e zanatit me vete.

Nxora alkoolin dhe ia lava plagët, pastaj ia mjekova me kujdes.

– Qenke në hall, o Nikollë – i thashë – Më vjen shumë keq !… Patjetër duhet të bësh diçka për të dalë nga kjo gjendje.

– Po s’vdiq ai, s’bëj dot asgjë Më ka lidhur këmbët.

– Ashtu është, por… këta…nganjëherë…rrojnë shumë…

– E di sa rron ai, por ç t’i bësh? Nuk ia kam zbuluar ende vendin ku i fsheh paratë se hëëë!… Për atë Zot, ia kisha kënduar kallofruthin, qyshkur !

Qesha me hidhërim dhe i thashë:

– E ku ka para ai, more Nikollë?

– Ka para, ka. Të gjithë  thonë se paratë që ka punuar në kishë i ka dëng. Veç këtyre që punonin në kishë s’i merrte tjetër njeri paratë e besimtarëve.

Heshtëm një çast.

– Vërtet, do të ishte e padrejtë nëse paratë do të mbeteshin një ditë të groposura. Ç’të të them? Ndoshta një ditë do t’i tregojë vetë!

– Bah ! Ai, vetë? Ku tregon ai? S’më njeh as për fëmijën e tij.palè të më jap paratë që më takojnë me ligj — Se, kur vdiq mamaja, ky më çoi në Shtëpinë e Fëmijëve Jetimë, në Tiranë. Shtëpinë dhe tokën i shiti. Pastaj punoi dhe jetoi në kishë.

– Mbase i mban në trup?

– Ç’ne! Ku mbahen gjithë ato para në trup. Edhe aty e kam kontrolluar i kam gjetur vetëm disa dhjetëshe të qelbura. E ruaj edhe natën, kur del përjashta. Kam lexuar se të çmendurit dhe koprracët i merr malli për paratë. Shkojnë te vendi hera-herë për t’i parë. S’e kam pikasur ende duke kontrolluar paratë.

Heshti i dëshpëruar, duke parë përreth si në pikë të hallit.

– Është për t’u çuditur, doktor – vazhdoi – sepse,  kur më jep ndonjë lek, i numëron një nga një. Kurrë nuk gabon. Më jep sa duhet: sa për të blerë bukë e fasule. Gjithmonë i nxjerr nga gjiri, të mbledhura me lëkurë të zezë. Nuk mban më shumë nga ç’llogarit për të ngrënë. Pra, kuptohet, diku i merr ato para?

– Sigurisht që duhet ta ketë një vend të fshehtë. Po nuk i zbulove dot, gjynah, lekët do të treten nën dhè, për mendtë e budallait, siç thotë populli. Megjithatë, për vullnetin që paske, besoj, do t’i gjesh paratë. Vetëm njerëzit si ty, me karakterin tënd, mund të jetojnë në këto kushte për të arritur një  qëllim. Keq do të më vinte, sinqerisht, nëse qëllim yt s’do të realizohej. Në fund të fundit, hakun do të merrje, trashëgiminë tënde të ligjshme. Ah, të kisha mundësi të të ndihmoja! Por do zoti, i ndryshon mendja dhe t’i tregon paratë!

– T’i tregojë ai ? Kurrë! Veç po ia gjeta! Rrugë tjetër s’ka !

E vështrova me admirim, por edhe me një ndjenjë habie. Për ta zhbiruar ende më shumë, e pyeta :

– Jam kureshtar, Nikollë. Ne u bëmë miq tani. Si do t’i përdorte Nikolla paratë nëse do t’i binin në dorë, sidomos tani që po jeton në këtë mjeri  të pa parë?

U befasua nga  pyetja ime, me siguri ngaqë s’kishte bërë kurrë plane për të harxhuar para. Mesa kuptova, ai s’ishte natyrë që bënte plane. Ishte “njeri – rrufe”, që jetonte me të tashmen dhe s’ëndërronte për të ardhmen. Prandaj u befasua.

– Paratë mund t’i përdoresh si të duash, more miku im, por kur i ke ato. Do të isha hajvan po të mos dija t’i përdorja tashti paratë…

– E zëmë për një çast se i ke. A do të vazhdoje të bëje ende jetën e endacakut në këto kushte, apo do të ishe tjetër njeri?

– Në ç’kuptim? Se unë, o shoku doktor…

– Turi, më thuaj…

–   kam pasur shumë para në dorë dhe s’kam ditur t’i përdor siç duhet, deshe të thoshe? Apo e ke fjalën…

– E kam fjalën, a do të ndryshonte gjendja e mjeruar e Nikollës  në fshat, apo do të ngulmonte përsëri për në kryeqytet?

– Në kryeqytet?! Bah! Kurrë!… Vetëm në fshat, do të jetoja deri në vdekje…Do të blija një shtëpi, do të martohesha dhe …Ja, kaq!

 

-Nesër do lexoni:-

– Dhe pse diktatirë në Shtëpinë e Fëmijës, na mësonin  gjëra të vlefshme e të dobishme

– Edhe pse  qyteti kishte plot të mira,  kinema, teatër, sport, bulevarde, lulishte,  ballo kishte dhe persekutimin

– Kryeqyteti më ka prangosur disa herë dhe më dukej si një qenie me  dhëmbë prej hekuri… që do të më copëtonte përsëri

 

Bedri Çoku

– Pse nuk e dëshiron  qytetin ?  Ti  je rritur  atje…Sidomos tani që  Tirana është zbukuruar…

– S’dua të jetoj  në asnjë qytet…Edhe pse  qyteti ka plot të mira,  kinema, teatër, sport, bulevarde, lulishte,  ballo e më the të thashë, por s’dua. Jam ngopur me  qytetin. Fatmirësisht nuk jam tip që  vuaj nga kujtimet e së kaluarës… Kryeqyteti më ka prangosur disa herë. Tani më duket si një qenie me  dhëmbë prej hekuri… që do të më copëtonte përsëri. Ndërsa këtu, në fshat, është ndryshe. Jam i qetë, i pakërcënuar, jetoj pa tension, pa kokëçarje. A do ta dish pse, Turi?… Në fshat… dava kooperative vërtet, po të kesh  shtëpi  dhe nuse,  mendoj se  për  kohën që po kalojmë… Në qytet  njerëzit si unë vuajnë  njëqind herë  më shumë  se në fshat. A e di pse?…

Ai ndezi cigare me anë të eshkës mbi  gurin e strallit  që i shkaktoi  xixa  me  unur ( çelik i pastër)  dhe vazhdoi :

Kur isha  në Shtëpinë e Fëmijës, të them të drejtën, na mësonin  gjëra të vlefshme e të dobishme. Na mësonin të ishim   të  thjeshtë,  të drejtë  me njeri -tjetrin,  të respektonim të rriturit, prindërit, të afërmit… të donim e të nderonim  njerëzit   e  partisë e të  pushtetit dhe   të mos  i  gënjenim   kurrë… Prandaj nuk dija ç’ishte gënjeshtra dhe  mashtrimi. Kur fillova  punë  në uzinën “Dinamo”, atje pashë e dëgjova njerëzit që  gënjenin e mashtronin,  që përgojonin, fyenin, shanin dhe   spiunonin njëri-tjetrin… Një ditë që  ia thashë këto  gjëra ustait tim,  se  isha  i zhgënjyer me  njerëzit aty, ai  më zuri gojën me pëllëmbë  e  më  kërcënoi   se do të më  largonte  nga  grupi,  nëse do të vazhdoja të flisja në atë mënyrë. Palè, kur i thashë për disa  drejtues të ndërmarrjes që ishin mendjemëdhenj e arrogantë, që shanin e kërcënonin punëtoret, sidomos para pesëmbëdhjetëditëshit, kur do të  merrnin rrogat,   i  trembnin që  t’i darovisnin. Ustai  gati m’i futi duart në fyt…Nuk them që s’kishte njerëz të mirë e të ndershëm…jo servilë e  thashethemexhinj. Por  ata ishin pak dhe “hanin dru” të shkretët, në çdo mbledhje, si të  pabindur e me lakra në kokë*. Unë pata fat që  u shoqërova  qysh në fillim me këta njerëz, ndryshe s’do t’í kisha hapur sytë. S’do të isha ky që jam, por qen bir qeni… si shumë prej atyre në  uzinë…

Ai thithi cigaren dy – tri herë dhe ia  shtypi bishtin  me majën e opingave prej   lëkurë derri

– Nuk mund të them se kam qenë gjithmonë çun i mirë, doktor. Kam bërë edhe  prapësina, si endacak. Por, të kuptohemi… E fillova jetën e endacakut fare rastësisht. Ose më mirë të them,   deshi zoti që  u bëra   i tillë… A  e di   si ?

– Patjetër. Jam kureshtar  për shumë gjëra të jetës tënde…

– S’ ia kam treguar  njeriut deri më sot…Ti je i pari. A e di  si ?

Fërkoi   kokën,  sikur donte të nxiste trurin për detajet.

– Një ditë po  kthehesha  nga puna,  i vetëm,  me mendimet  e mia në kokë, kur,  pa pritur,  shoh një vajze të re, që po   qante me gulçe, duke vështruar si e trembur nga unë…Të paktën kështu  m’ u duk. Në fillim u çudita, por edhe u shqetësova.  Më  ngjau  sikur ajo     kërkoi  ndihmë dhe  ta  ndiqja nga pas. Në një vend pa njerëz, e ndalova.  Ishte  e bukur dhe e tronditur. Sytë i kishte të skuqur nga të qarët. Kaçurrelat e  ballit  i binin  faqeve  të lagura  nga lotët. Ndërsa buklat e  tëmthave, i  tundeshin  prej ngashërimeve. Dukej që  ishte  vajzë e  thjeshtë, e pafjalë dhe m’u dhimbs.

– Më falë,  –  i thashë- lotët   tregojnë se dikush të  ka  fyer… a mund të të ndihmoj?

Më pa  me mospërfillje.

– Më quaj  si vëllain tënd po deshe, shokun ose  mikun tënd –  vazhdova – veç  më thuaj,  a  ke nevojë për mua?… Qoftë edhe  sa të të përcjellë deri në  shtëpi…

Ajo mblodhi buzët  e bezdisur.

– Kuptomë!  – I thashë me të lutur – Jam  rritur   në Shtëpinë e Fëmijëve Jetimë, por nuk jam i keq. Të betohem ! S’kam njeri tjetër në botë.   Më vjen ligësh kur  njerëzit   i mërzisin   vajzat    si ty. Të lutem, më trego,  kush   të ka rënë  më qafë?

– Faleminderit !…Nuk më ka  ngacmuar njeri !

Ajo përpiqej të frenonte gulçet  nga inati. Donte të ikte, por  unë e mbajta  për   krahu.

– Po   emrin si e ke? Të paktën me trego si të quajnë… Mua  Niku, po ty?

– Adelina – tha dhe  ia dha  vrapit.

Mezi e arrita  para një shtëpie dykatëshe.

– Dëgjo! – I thashë – Më trego  të vërtetën se  unë  do të bëj të pamundurën për ty. Fol ! Ç’të ka ndodhur? Kush të ka ngacmuar?…Apo të ka vdekur njeri ?

Herë e  parë  që i  nguli sytë e lotuar tek  të mitë. Më mpakën ata sy   bojëqielli. Për zotin isha gati   të shkoja  në varr për lotët  e  saj…

– Po, po!…Më ka vdekur…më vdiq gjëja më e çmuar e jetës, – tha  e   egërsuar  – A e di    ç’më ka gjetur ?

– Këtë po  të kërkoj …

– Ik !…Zhduku! – Bërtiti – Njëlloj,  një turi keni ju,  meshkujt!

– Adelina, të lutem ! Jam ndryshe. Të  betohem, nuk jam i keq !  Dua të të ndihmoj. Për zotin, këtë  dua  …

–   Besuake  edhe  Zotin!…Sa mirë ! Atëherë,   thuamë, a ka    Zot nën  këtë  qiell? Ku është Ai,  që të hakmerret me  ata që mashtrojnë vajzat e   shkreta !

– Kush të ka mashtruar ? Më thuaj, kush ?  Do ta shohësh sa  i fuqishëm është  Zoti…

Më pa me keqardhje,  sikur  të  isha   kalama. Mandej bëri një bërrflacë*  me gojë  e tha :

– Ik, ore çun, se  ai që më mashtroi s’është dosido….Është i fuqishëm… I pushtetshëm.  Të shtyp me këmbë si pleshtin… Ai ka  polici…ka  burgje…

– Perandor të jetë ! Vetëm  tregomë, cili është  ?

– Pse përpiqesh të  rrezikosh  për mua? Ç’të shtyn? …Ç’ interes ke? Ai  njeri   të  vret … Pse kërkon  të  më bësh  shkaktare ?

– Kush ? Ai ? Mua?… Mishin copa të ma grijë. Mashtruesit i urrej…Pale, pushtetarët  maskarenj…

Iku papritur.

Por unë s’pata kohë të vrisja mendjen  pse ajo  iku ashtu… E ndoqa   për t’i mësuar shtëpinë, me shpresë se mund  ta takoja  përsëri. Por  s’e takova më kurrë. Të nesërmen,  mësova se e  kishin  shtruar urgjentisht në spital.  Ishte helmuar  me një grusht  ilaçesh. Ajo  jetonte  vetëm  me të ëmën. Doktorët s’arritën ta  shpëtonin   nga vdekja. Më vonë  mësova pse Adela  ishte helmuar  me fëmijën dy muajsh në bark. Ma tregoi  e  ëma   gjithçka dinte për fatkeqësinë e së bijës,  por nga frika  nuk më tregoi shkaktarin e vdekjes.  Vetëm kur i thashë se  e dashuroja Adelën marrëzisht, më tregoi…Më tha se e kishin mashtruar për një vend pune, por s’kishte mjaftuar vetëm kaq, maskarai  pasi e  kishte  përdorur vetë, donte t’ía  dorëzónte   shokut,  në një  dikaster  tjetër, ku  gjendej  realisht një vend  punë,  i lirë. Por Adelina e kishte kundërshtuar vendin  e punës dhe ishte  larguar  e  fyer dhe e poshtëruar.  Pikërisht atë ditë që  e takova unë…

Iu luta së ëmës  për të më  treguar emrin e  mashtruesit, por  s’ma tha. Më tregoi vetëm  dikasterin dhe funksionin që ai kishte. Mjaftoi kaq. Sepse s’e pata të vështirë   për ta përcaktuar cili ishte. Ama, plasa deri sa ia  gjeta rastin… Nuk jam pishman ç’më ndodhi pasi  e zhdëpa  me grushte e  shqelma. E hodha shakull në tokë   me neveri, dhe e  lerosa  në gjak…

Më  arrestuan brenda ditës. Më lidhën  këmbë e duar   e, sa s’më vdiqën   nga të rrahurit. Pale’ ç’hoqa  në hetuesi…Edhe pse u  thosha    arsyen   pse Adela   helmoi veten,  u thosha   emrin e  njeriut që e mashtroi, e përdoruri,  hetuesit jo vetëm  s’ më dëgjonin,  por më rrihnin më shumë për   të mos  e përmendur  më emrin e pushtetarit. Mirëpo,  këto gjëra   i thashë   edhe në gjyq,  me shpresë se atje  do të gjeja të drejtën, por as atje s’ma varën …

Më dënuan për “shpifje e  fyerje të personit në detyrë”. Më  rrahën me pendrek,( shkop gome)  sapo u  ktheva i dënuar në qeli …duke më porositur që në kaush, (ku grumbulloheshin  të dënuar rishtas),  të mos   tregoja arsyen  e vërtetë pse isha dënuar.

 

Realisht,  në kaush mësova se në ç’duar kisha rënë. Të burgosurit   më treguan  raste të tjerë  më  të shëmtuar   për bëmat  e   pushtetarëve. Oh, sa gjëra   mësova  atje,   në burg !  Më është mbushur mendja top që  njeriu paska  nevojë për pak burg. Vetëm atje  thuhen të  vërtetat lakuriq  për  çdo gjë që   ndodh  jashtë    mureve “Të asaj  shtëpie  të vdekur”, siç e quan Dostojevski,  burgun.

U betova se, kur të lirohesha, do të hakmerresha  për padrejtësitë që   pushtetarët bënin. Them se,  njëfarësoj,  premtimin    e mbajta.  Prandaj e  ndjej veten të qetë për aq sa  bëra për shpirtin e Adelës së pafajshme…

–  Po për gurët e varreve,  a  është e vërtetë  që  ke pasur dorë në këtë  histori?… Ndoshta s’jam i saktë, por…qarkullojnë fjalë se, kur  ke qenë roje në varrezat e fshatit,  ke shitur  gurët e varreve ?

– Po, po !… Është e vërtetë.  I kam shitur.  –   Tha   vendosmërisht  për të më  treguar  edhe këtë histori – Por unë,  more,  doktor… di shumë gjëra të tmerrshme, por nuk i tregoj. S’dua  t’ua  bëj të tjerëve të neveritshme dhe të pavlerë jetën. Por ty… do të tregoj se më dukesh njeri i mirë …Ja,  si ndodhi…  Më vjen në varreza një njeri, emrin  s’po ta them se do ta  marrësh  vetë me mend.  Në atë kohë ai  ishte me   goxha   pozitë  në  Parti, por edhe në kryesinë e kooperativës…E filloi me  lëvdata, duke më cilësuar njeri  me karakter  të fortë, të rrahur me vaj e  uthull, për gjëra serioze që duhet të mbahen  sekret, sidomos  me njerëz të rëndësishëm,  si ç’ishte ai.  U përpoq të më mbushte mendjen se  paskësh qenë  i vetmi  në Kryesi, që kishte  bërë namin për mua të merrja  këtë punë të privilegjuar, roja i varreve…Paskësh qenë po ky  i vetmi, që, me gjasë,  ua kishte mbushur  mendjen anëtarëve të kryesisë, për problemin e ndërtimit të shtëpisë time,me ndihmën e kooperativës…Forma të zakonshme, bajate, me të  cilat manovrojnë   zyrtarët e  pushtetit sot…I njoh mirë këta kallëpe, sidomos të fshatit, jo vetëm që janë  të  pamoralshëm, por i mbyt edhe injoranca. Çfarë thotë Partia,  ata , “hyxhym” …

Megjithatë,bëra sikur e besova për çka po thoshte, duke tundur kokën në shenjë miratimi…deri sa më doli në shteg… Bah! Këta janë të paimagjinueshëm,  more doktor vëllai… Tha,  sikur me urdhër nga lart, së shpejti, në Shqipëri, do  të realizohej një ngjarje e madhe,  historike, e pashembullt në tërë historinë e njerëzimit se,  në fillim  rinia,   pastaj i gjithë populli, do të merrte iniciativë për të prishur   kishat   e xhamitë  në të gjithë vendin. E paparë, e padëgjuar apo jo, doktor? Gati ulërita. Por e frenova veten.

– Më këtë rast, tha ai, udhëheqësi ynë i madh, do të mbetet në historinë e zhvillimit të Revolucionit Proletar  Botëror,  si i vetmi që  do  të shkulë nga rrënjët mbeturinat shekullore të mendësisë fetare. S’do të këtë më as priftërinj, as hoxhallarë. Kishat e xhamitë do të kthehen në magazina, ose vatra kulture për argëtimin e rinisë…Varrezat do te prishen…Njerëzit nuk do të varrosen më me qivure apo të shënjohen me gurë të latuar,  siç ka ndodhur deri më  sot… S’do të ketë më varre në tokë …Të vdekurit  do të digjen dhe hiri i trupit   do të shpërndahet nëpër ugaret  dhe   tokat  djerrë…

I kishin thënë qyqarit se,  trupi i djegur i njeriut, kishte   potas dhe ky, potasi, u bëka  mirë kulturave bujqësore.

– E kupton – më tha me një pamja të fryrë e prepotente – ç’do të ndodhë  së shpejti në vendin tonë?  Prandaj…o burra !…Bëhu i mençëm të kuptosh se nesër këta gurë të  latuar e  kaq të bukur, do të hidhen në përrua… Do të humbasin kot  …Ose do t’i mbulojë skrapi nën dhè?

– Çfarë po flet,  o shoku sekretar – i thashë- je në binarë  apo ke pirë ndonjë dopje  raki   nga   “Shkularët”   e s’di ç’thua ? Si more do të  prishen  varret!…A   preken me dorë  eshtrat  e të vdekurve, e të parëve të tu?

– Ka marrë fund që do të bëhet si ç’po të them…Kjo tokë, njëherë e përgjithmonë, do të pastrohet nga varrezat… do të përmbysen me traktor dhe ke  për të parë çfarë bereqeti do të ….

– Partia dhe qeveria mund të thonë ç’të duan… Por, në këto varreza, sa të jem gjallë unë, s’ do të mund të   guxojë   kush të verë  dorë! – Iu  hakërrova  me inat – Pse o njeri –  i thashë –  a prishen varret e popullit.? E di ti çfarë rëndësie   kanë varrezat dhe  pse njerëzit i ruajnë e i zbukurojnë me  lot e përkushtim ? Sepse janë  eshtrat  e   të parëve të tyre. Si  mund të  shkëmbehet  një kujtim i dhimbshëm i njeriut tënd   me ca kuintal bereqet ? Çfarë marrëzie flet, o shoku sekretar ?… Ndër shekuj varret e të parëve kanë qenë të shenjtë. Edhe populli ynë i nderon e i respekton  varrezat… Sepse, ja, nën këtë tokë   gjenden eshtrat e njeriut tënd  të dashur… të racës tënde …të gjakut  tënd…nderi dhe krenaria e fisit tënd. Janë eshtrat     që  mbajtën  në këmbë  njeriun,  që  punoi e  luftoi  për vete dhe  familjen, për t’i lënë pasardhësve një vepër, një të ardhme… Si mund të mbjellësh fasule mbi varrin e babait,  apo të nënës tënde, more njeri ? Ja ku po ta them hapur : Shko më denonco ku  të duash e  sa të duash, nëse ndodh vërtet kjo që po thua ti, shënoje : “Ky është një turp e  krim i pashembullt në historinë e njerëzimit. Brez pas brezi do ta   kujtojnë shqiptarët këtë të pangjarë  e  do ta lënë  amanet  që,  në epitafin  e varrit,  ku   do të dergjen eshtrat e  atyre  që do të urdhërojnë  këtë mynxyrë, të shkruhet : “Bir,  duam sa jam gjallë, po vdiqa  bëma   te  koka!”…

Ai qeshi me zë të lartë, por unë e kuptova se  nuk ishte e qeshur   zemre, por  pallmë, që   zakonisht e nxjerr kau nga shtrëngimi i kularit në  fyt. Edhe ai u  shtrëngua shumë për ta realizuar atë, së bashku me një tufë gazrash  zhurmëmëdha …

– Oho,…më falë ! – Klithi –  Vetë më detyrove… të qesh kaq shumë…

Ndaloi se  e kuptoi që unë isha gati t’ia përveshja turinjve.

– Meqë u mërzite, të betohem, për nder të partisë e  gjakun e dëshmorëve, do të bëj të pamundurën për t’i transferuar  varret e njerëzve tanë  në një vend tjetër, në një tokë jo  pjellore  dhe  me   pamje më  të bukur  se  këtu…

–  A nuk më thua, more i pafe, po me varret e  dëshmorëve, heronjve të luftës,  për gjakun e të cilëve betohesh  vazhdimisht,  zotrote,  si do t’ia bëni? Edhe eshtrave të  tyre  do t’ua  shkoni plorin?… Turp të keni që zini me gojë kësi gjërash! Këto poshtërsi  nuk i bënë   pushtuesit, armiqtë e kombit tonë, do t ‘i  realizoni  ju tani! …Këtë tokë  e ka zgjedhur populli për të nderuar eshtrat e të parëve. Nëse  një ditë ky popull do të kishte   nevojë për bukë,  njerëzit   do të vdisnin   urie dhe   varret s’do t’i lëviznin  nga vendi… Por lëri këto broçkulla  e më   thuaj, ku e ke hallin ?

– Unë hallin ?!…E, ç’hall,  o derëzi!  Është vendim i komitetit qendror   për të prishur kishat e xhamitë, bashkë me to edhe varret e njerëzve. Ç’farë  ka thënë partia  e s’është   realizuar deri më sot? Ç’ ka   ka  thënë   Enver Hoxha  dhe s’është bërë realitet  ?

–   Këtë më thuaj,  që udhëheqësi ynë legjendar paska vendosur të mbetet në histori,  duke prishur kishat  e xhamitë, duke përdhosur varret e të parëve? Bukur!  Tamam,  siç e bëri një  oficeruc   i palavdishëm, ambicioz  i madh,  dikur,  në  lashtësi, ngaqë në luftë  nuk shquhej   dot  për trimëri e të bëhej  i famshëm,  vendosi të bënte një punë të keqe. E  di ç’bëri? Eh,nga ta  dinë injorantët e shekullit XX  që në Azinë e vogël  ekzistonte një nga mrekullitë e botës, tempulli i  bukur i Perëndeshës  Artemis. Oficeruci i vuri flakën, e dogji atë kryevepër  njerëzore. Mori  famë ndër shekuj   si njeri i zi,  për të arritur  atë që sé   merrte dot me zgjuarsi  e  trimëri…

– Mirë o mirë,  s’më interesojnë  historitë e tua….më interesojnë gurët e latuar…Ja, si ky këtu  … m’i ruaj  të gjithë,  more vesh?…   Shtëpia ime ka mbetur përgjysmë. Me siguri që me këta gurë përfundon   dhe, ashtu siç  duhet, madje…

– Gurët janë të popullit…

–   Lëri dënglat ! Si shumë  je  tallur  me mua! Seriozisht e kam,   mos m’u hiq sikur s’të pëlqejnë paratë… Merri njëherë këto 5 mijë lekët…Të tjerat… më vonë. Dhe zgjidhi një çikë !…Merri   pra, të thashë ! Mos më shit moral …seee…e ke  zgjatur llapën  shumë  kundra pushtetit popullor, kundra  udhëheqësit  tonë  të lavdishëm… Për këto nuk më dhimbsesh fare. Mjafton kaq  që të shkosh   edhe  një herë atje ku ishe… tek armiqtë  e popullit…

M’i hodhi lekët para  këmbëve   dhe iku.

U tërbova nga inati, por ç’të bëja. I futa paratë   në xhep, qëllimisht që, kur ta takoja,  t’ia hidhja   në fytyrë. Por… s’më doli para  maskarai, deri sa   filloi vërtet prishja e kishave dhe  xhamive,  në  shtator të  vitit 1967.  Më kujtohet si tani që të parët ishin   çunat  dhe  gocat   e  gjimnazit  të Durrësit,  iu turren  kishave e   xhamive me kazma e lopata, pastaj me ta u bashkua dhe  klasa punëtore. I shkatërruan dhe  i dogjën, duke pasur përkrahje   dhe miratimin e  shtetit. Kjo, nismë mori dhenë  në të gjithë Shqipërinë. Ashtu, ma, si gjithmonë, që  ishte  populli që  s’e  donte   Perëndinë dhe institucionet  e saj…

Fryrë e kapardisu,   tha :

– E  mo’ çuno… t’u mbush tani rradakja … për kishat e xhamitë ?… Na,  merri edhe këto…Matuf!

Më hodhi disa mijëshe   te  këmbët.

Mbeta i shastisur, ndërsa brenda zieja.

– Dakord ! – I thashë. Pas dy ditësh gurët i ke gati. Por, ama, jo me kaq para. Dua edhe njëherë sa më ke dhënë…Ndryshe…

U bë si hithër në fytyrë. Hungëriti nëpër dhëmbë fjalë të pakuptimta. Ndoshta   donte të   shante  a  të  kundërshtonte, por s’ia mbajti pa i marrë  gurët  në shtëpi.  Më  solli edhe  lekët  që  kërkova…

Si thua, Turi, a s’kisha të drejtë të hakmerresha me  atë njeri  të pafytyrë?

 

Ika nga Nikolla,  jo vetëm i befasuar, por edhe  i tronditur  nga njeriu, i cili e kundërshtonte regjimin hapur, por në mënyrën e vet… ndoshta,  pa e ditur  se e bënte një gjë të tillë…