Gjon Shllaku, njeriu që e bëri Homerin të flasë shqip. Ja si e filloi përkthimin në burgun e Burrelit 

735
Sigal

Asije Hoxha

  Poema epike “Iliada” mbetet një nga përkthimet dinjitoze, më të vështira në gjuhën shqipe. Gjon Shllaku përmbushi dëshirën e kahershme të Naimit, Fishtës, Frano Alkajt, që guxuan të përkthejnë  pjesë të saj, kurse ai i kapërceu kufijtë e guximit dhe trimërisë, duke u shfaqur si patriot i kulturës shqiptare, erudit, njohës i thellë i greqishtes, i greqishtes së vjetër dhe i gjuhës amtare.

Gjon Shllaku lindi më 24 mars 1923 dhe ishte më i madhi i brezit të dytë të shllakëve në Shkodër. Në moshën 12 vjeçare filloi mësimet në seminarin papnor të drejtuar nga etërit jezuitë. Ishte viti 1935, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, djali u zhduk për disa ditë nga shtëpia. E kërkuan dhe e gjetën më në fund në seminarin e jezuitëve të Shkodrës. Djali jetim kishte bërë zgjedhjen e vet: ai kish kuptuar se e ëma e kishte të vështirë ta shkollonte, ta vishte dhe ta ushqente, prandaj një shkollë e tij do të mund t’i siguronte të ardhmen.

Në vitin 1945 Gjon Shllaku ishte veprimtar i organizatës antikomuniste: “Bashkimi shqiptar”, në vitin 1946 aktiviteti i tij ra në sy dhe ai dënohet me 101 vjet  heqje lirie, kurse të tjerët thuajse u pushkatuan. Gjon Shllaku ishte ndër ata që provuan burgun e frikshëm të Burrelit, i njohur për hijen dhe namin e vdekjes, ku çdo mjedis i tij është dëshmi e ferrit dhe mortjes. Burgu është ndërtuar që në kohën e mbretit Zog dhe është thuajse në qendër të qytetit.

Parafytyroni një të ri, (Gjon Shllaku) i burgosur në vitin 1946, për shkak të bindjeve dhe të kundërshtimit të tij të hapur ndaj regjimit në fuqi se sa thellë do ta ketë vuajtur dënimin! Por jo radhë ka ndodhur që në kushtet e llahtarshme të ekzistencës dhe të zhbërjes njeriu t’i jetë falur jetës. 22 vjeç djalë, i ndodhur përballë kësaj prove të rëndë, ai zbulon në vetvete një energji të paparë për të sfiduar vdekjen.

Gjon Shllaku i kthen sytë nga bota e librit, si një shpëtim nga e keqja dhe vuajtjet që hiqte. Bashkë me të në burg ishte edhe peshkopi i mençur, themeluesi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë: imzot Visarion Xhuvani, si edhe disa ushtarë grekë që kishin me vete një antologji. Aty ishte dhe poema “Iliada” e Homerit dhe Gjon Shllaku i rikthehet rinisë së tij: zhytet në botën e heronjve të lashtësisë, mëson vargje përmendësh, madje i përvishet edhe përkthimit të saj. Shkruan në  thasë çimentoje, në rripa gazetash, pa e ditur se një ditë gjithçka do të shkonte dëm! Kjo ndodhi më 1956 kur e lirojnë nga burgu dhe thuajse të gjitha përkthimet i mbetën në qeli. Kish frikë t’i merrte me vete! E kush do të guxonte t’i nxirrte jashtë? Kur mendonte torturat që kish përballuar, vuajtjet që kish hequr…tash e tutje ai e dinte se biografia kish për ta ndëshkuar tërë jetën, por gjithsesi jashtë qelisë mund të përkthente më i qetë. Në Shkodër i rikthehet për herë të tretë “Iliadës” Punon me një këmbëngulje të paparë, sikur poema poema të ishte shpëtimi i tij. Shumë vargje i ruante në kujtesë përmendësh, që nga vitet e burgut. Kështu punoi për rreth 6 – vjet, deri sa më në fund “Iliada “ ishte gati për botim. Kështu, pra, “Iliada” ishte përkthyer, por ajo duhej botuar.

Mbi Gjon Shllakun rëndonte hija e zezë e biografisë, e “ njeriut kundër regjimit” dhe në këto kushte duhej guxim për të kërkuar botimin e librit.  Këtë e mori përsipër poeti Drago Siliqi, që asokohe punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” . Thuhet dhe kjo është e saktë, se ai mori leje lart, në udhëheqjen e partisë. Të tjerë shtojnë se vetë i Madhi dha lejen për ta botuar. Realiteti: Poema “Iliada” u botua pa emrin e përkthyesit, Gjon Shllaku! Ajo e pa dritën e botimit në vitin 1965. S’kaloi më shumë se një javë dhe “Iliada ishte blerë” plotësisht nga lexuesit. Disa vjet më pas botohet në Prishtinë dhe ribotohet dy herë në Tiranë; gjë që dëshmon se me sa interes  u prit ky libër.

Për herë të parë bota shqiptare mori “Iliadën” në gjuhën shqipe. Madje përkthyesi arriti të identifikojë rreth 170 fjalë si të burimit të leksikut të shqipes.

Nga shteti shqiptar me president A.Moisiu ka marrë titullin  “Mjeshtër i madh i penës” nga Këshilli bashkiak i Shkodrës  dhe ka marrë titullin:“Qytetar nderi i Shkodrës”. Në vitin 2001 nga Presidenti i Republikës është vlerësuar “ Pena e artë”. kurse nga shteti grek është vlerësuar me “Diskun e argjendtë”.

Gjon Shllaku në takimet me miqtë, të afërmit, dashamirësit shprehte një urim të bukur që kujtdo i mbetet në mendje:Nderime për të gjithë ju që njiheni me punën time.” Një punë e mahnitshme  në shqipërimin e rreth 15696 vargjeve

Fragment nga poema “Iliada”

“Zemra e Akilit”

Në shek e Xll p.e.r grekët u ngritën në luftë kundër Trojës. Kjo luftë nisi për të plaçkitur Trojën. Fantazia e poetit këtë luftë e ka shndërruar për hakmarrje. Si shkak grekët përdorën rrëmbimin e Helenës, gruas së mbretit të Spartës nga Paridi, i biri i mbretit Priam të Trojës. Princat e ndryshëm grekë u bashkuan dhe me anijet e tyre zbarkuan dhe rrethuan qytetin e Trojës. Lufta zgjati 10 vjet, por në poemë përshkruhet zemërimi i Akilit në 51 ditët e fundit të kësaj lufte. Akili si personazh kryesor i poemës, kur merr vesh se miku i tij Patrokli vritet nga Hektori (djali i mbretit Priam), si rrëke zbret furishëm në betejë dhe vret Hektorin. Egërsia e tij shkatërron çdo gjë. Tërheq pas karrocës trupin e Hektorit. Por ai nuk është vetëm hakmarrës por,… Lexo:

Asnjë prej tyne s’u kujtue, kur hyni

Priami i madh, që shpejt iu qas Akilit;

tu’ u shkrehë në vaj me krahë dy gjunjt ja rroku,

dhe i puthi duert e tmerrshme gjakatare,

që i vranë sa djema dhe ja shporruen zemrën.

Trimit përvujtas kështu iu lut Priami:

Babë ke dhe ti, o Akil, pinjuell i Zeusit,

plak sikur mue te gryka e zezë e vorrit.

T’paktën ai din që ti je gjallë ende,

i ngufon zemra dhe pret dita ditës,

loçkën e vet ta shohë tu’ u kthye nga Troja.

Por un’ i shuemi që në Trojë vigane,

polla sa djem që cmirë m’i kishte bota…

Por vetëm njeni i dilte zot qytetit,

dhe të gjithë vllazënvet, Hektori vetëm,

që u vra prej teje tue luftue për atme.

Dhe ja për ktë vit ke anitë e akejve,

dhe me e shpërblye t’kam sjellë dhanti t’paçmueshme.

Pra, ndero zotat, o Akil Pelidi,

babë ke dhe ti e dhimbë për mue të bjerë,

për mue që jam ma i mjerë se ai, pse bana,

atë që s‘bani askush mbi faqe t’dheut,

t’afroj te goja dorën gjakatare,

që më vrau djemt’;-Kështu tha plaku; e Akilit,

i plasi vaji, iu çue mall për t’jatin.

Dhe kapë për dore e shtyu ambël plakun,

që ra përmbys tue rrokë kambët e Akilit,

dhe i shkuen rrëke lott për Hektor kryetrimin.

Ndërkohë Akili herë për t’anë vajtonte,

herë për Patroklin, dhe ushtonte çadra,

nga gjama e tyne. E kur Akil Pelidi

shfreu tue derdhë lot dhe e nxuer nga shpirti brengën,

u çue prej froni, plakun kapë për dore,

prej toke e ngriti se i ra dhimbë për kripin.

e tij si bora e për të bardhën mjekër.

Tue i bëzajtë me fjalë fluturuese i foli:

O i mjeri ti! Vërtet që shumë të zezat,

t’i hoq kjo zemër. Po ti qysh guxove,

të vish fill vetëm ke anitë e Akejve,

dhe të banë sytë në ftyrë të shikosh burrin ,

që u shqymbi jetën bijve t’u fatosa?

Vërtet që paske zemër prej çeliku…

Rënkoi kryetrimi dhe i lëshoi za mikut:

Ti kundër meje mos u idhno, Patrokël,

po more vesh n’mbretninë e errtë të Hadit,

që ja dorzova t’et Hektor hynerin;

Si foli ashtu Akili u fut në çadër,

në fron të vet u ul me shpinë kah muri,

sjellë me fëtyrë nga Priami muer e i foli:

Tand bir ta ktheva, o plak, ashtu si deshe.

E ke n’qivur. E kur të zbardhë drita,

ke për ta pa dhe n’Trojën tande çoje.

Në këtë pjesë janë skalitur dy figura monumentale në historinë e letërsisë botërore Priami dhe  Akili