Gëzim Zilja: Arratisja e anijes “Kanina” dhe urdhëri i ministrit të mbrojtjes

282

Marrë me shkurtime nga libri ditar: Drejt Perëndimit. 

Sigal

 

“Një urdhër verbal i dhënë nga Kiço Mustaqi, Ministër i Mbrojtjes, do të fundoste “Kaninën” me gjithë njerëzit që kishte në bord. Komandanti i B.U.D.-it të Vlorës, Muharrem Kuçana dhe komisari Halil Leli janë urdhëruar të qëllojnë me silurë dhe ta fundosin.”

Dje paradite, (28.02.1991) u rrëmbye një anije 500-tonëshe e quajtur “Kanina”. Rreth 120 veta hipën në të, duke çarë kordonin e policëve, që shtinë në ajër për t’i ndaluar. Për të drejtuar anijet nuk është problem: gjithmonë gjenden njerëz të guximshëm, që marrin drejtimin e tyre drejt brigjeve italiane. Sapo anija filloi të shkëputet nga moli, një kater siluruese iu vu nga prapa. Përpiqej t’i priste rrugën duke manovruar përqark saj. Qindra njerëz nga toka shikonin lëvizjet e katerit silurues me një mitraloz 12.7mm të montuar në bashin e saj me gjak të ngrirë se mos qëllonte mbi anijen. Orvajtjet ishin të kota. Anija 500-tonëshe “Kanina” vazhdoi lundrimin. E ndoqëm me sy derisa kaloi mezokanalin, e ndjekur nga kateri silurues, që nuk i shqitej pas si një qen i tërbuar. Ngrita sytë lart në qiell si shumë të tjerë dhe u luta që të arrinin shëndoshë e mirë. Ndoshta këta çunat e Skelës kanë fat dhe nuk u ndodh ndonjë e keqe!

Thonë që i kanë kapur, thonë që kateri ka hapur zjarr dhe janë vrarë disa veta, të tjerë, se i kanë ndaluar italianët dhe po i kthejnë. Në orën 18.00 dal në Skelë. Sapo ka filluar të erret. Sheshi është i mbushur. Qindra njerëz, kryesisht të rinj, nga e gjithë Shqipëria, kanë pushtuar sheshet e pakta. Kanë mbi 10 ditë që ngrysen e gdhihen (flenë kryesisht jashtë) me shpresën se do të nisen për në Itali. Dëgjon lajme nga më të çuditshmet. Çdo gjë që thuhet, çdo thashethem, përpihet nga turma dhe bëhet pastaj, lajm i sigurt.

– Do të vijë një traget i madh italian të na marrë.

– Ata e dinë që ne po vuajmë. S’mund të na lënë këtu.

– Po nuk gjetëm një mënyrë për të ikur do të vdesim këtu, etj, etj.

Ndërkohë një ushtar qëllon me një breshëri në ajër, si duket për të paralajmëruar turmën të mos afrohej më. Kaq u desh. Ashtu si një tufë zogjsh të trembur nga krisma e çiftes së gjahtarit, turma u shpërnda për t’u mbledhur sërish. Nga afër shikoja fytyrat e gurta të ushtarëve, (përgjithësisht djem të rinj) dhe turmës përballë. Gjendja u qetësua. Njerëzit ndezën nga një cigare, duke u vendosur në pozicionet e mëparshme: dikush ulur, dikush shtrirë apo në këmbë. Ushtarit që qëlloi me breshëri në ajër i zgjatin një cigare përtej telave me gjemba, që e ndajnë nga grumbujt e njerëzve, që duan t’i kapërcejnë ato.

“Pas lajmit të parë mbi festivalin e Sanremos, lajmi i dytë është për shqiptarët. Spikeri flet: “Edhe një anije tjetër e shqiptarëve, e arratisur. Janë rreth 109 veta nga të gjitha moshat. Një i vrarë, rreth 32 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe tre të plagosur…” Si duket “Kanina” është goditur me mitraloz”

Në orën 20.00 ndjek si zakonisht lajmet te RAI. Pas lajmit të parë mbi festivalin e Sanremos, lajmi i dytë është për shqiptarët. Spikeri flet: “Edhe një anije tjetër e shqiptarëve, e arratisur. Janë rreth 109 veta nga të gjitha moshat. Një i vrarë, rreth 32 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe tre të plagosur…” Si duket “Kanina” është goditur me mitraloz nga kateri silurues, në det të hapur. Në xhamin e urës së komandimit duken disa vrima plumbash. Njeriu i vrarë quhet A. XH. Thuhej se ishte ai që kishte marrë drejtimin e anijes dhe e kishin vrarë në timon. E njihja edhe atë edhe vëllanë e tij. Njerëz të mrekullueshem, vlonjatë të vjetër e të mirë, të shtrydhur si gjithë të tjerët nga regjimi i Enver Hoxhës. Kishte një ëndërr, për të jetuar më mirë, me gruan dhe dy fëmijët e tij të vegjël.. Të “arratisurit”, ndërkaq, fillojnë e zbresin një nga një në tokë. Njoh shumë prej tyre. Të gjithë hallexhinj, njerëz të ndershëm e punëtorë. Inshallah u shkon mbarë, dhe gjejnë një punë andej! Mbyll televizorin dhe shoh telekomandën midis pëllëmbëve të mia. A thua vritet njeriu pse kërkon një copë bukë? A thua nuk i mban dot toka shqiptare këta varfanjakë, që ikin duke sfiduar edhe vdekjen?! Çudi! Ja një vend, që ndjek e vret pjellën e vet.

Flitet shumë për një urdhër verbal të dhënë nga Kiço Mustaqi, Ministër i Mbrojtjes, për të fundosur “Kaninën” me gjithë njerëzit që kishte në bord. Komandanti i B.U.D.-it të Vlorës, Muharrem Kuçana dhe komisari Halil Leli janë urdhëruar të qëllojnë me silurë dhe ta fundosin. Ata nuk e kanë zbatuar urdhrin, duke pretenduar që urdhëri të jepej jo me telefon, por me shkrim. Kjo bëhet e besueshme nga urdhri i dhënë me shkrim këto ditë nga Ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi, për lirimin nga detyra të komandantit dhe komisarit të BUD-it, për moszbatim urdhëri. Më vonë u vërtetua plotësisht, se të dy u liruan nga detyra me motivacionin: “përjashtim nga ushtria, për moszbatim urdhëri.”

Njëzetë vjet më vonë, më 15.04.2011 në një intervistë të gjatë te Zona e Lirë, Arian Çani bënte gallatë e promovonte vlerat e Kiço Musataqit, Ministrit të Mbrojtjes së diktaturës, që mbante mbi shpinë të paktën 28 të rinjë të vrarë në kufi gjatë vitit 1990 ( numri i të vrarëve është marrë nga Ministria e Brendshme) dhe bëmat e vitit 1997. Lidhur me “Kaninën,” Mustaqi pohoi para Çanit: , “ … se ai dha urdhër që anija jo të qëllohej me silurë, por të përmbysej?! “ Çani qeshte, argëtohej dhe propagandonte: Bliheni librin e barba Kiços se është interesant!