Gëzim Zilja: 25 vjet nga tragjedia e Otrantos

317
Sigal

Natën e 28 marsit të vitit 1997, anija e quajtur Kateri i Radës i mbushur kryesisht me gra e fëmijë u nis nga Porti i Vlorës për në bregun italian. Nga 105 fatkeqë në barkun e saj, të gjallë mbërritën një e pesta. Ishte një kohë kur shqiptarët nga padija dhe babëzia për të fituar para, pa punuar, ua besuan kursimet e tyre firmave të drejtuara nga sharlatanë e mafiozë. Kur ato ranë, njerëzit dolën në protesta, duke bërë fajtore qeverinë, pa e drejtuar asnjëherë gishtin nga vetja. Por ajo që do t’i çmendte njerëzit, që do të merrnin në dorë urat e zjarrit dhe do t’i hidhte në luftë kundër njëri-tjetrit ishte politika. Pas kësaj revolte revolucionare, që s’ishte gjë tjetër veçse ‘’marrëzia e një populli të paditur’’, asgjë nuk ndryshoi në politikën shqiptare, asnjë mësim nuk u nxor nga  shoqëria civile.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, i quajturi ‘’Kateri i Radës’’, i braktisur në një nga anekset e portit të Brindizit në tokë, u ekspozua, në bregun, ku nuk u sos dot “i gjallë”, në Otranto, një qytezë në brigjet e Adriatikut. Relikja e nxjerr nga tetëqind metra thellësi u shndërrua në monument, në një vepër arti nga artisti grek Costas Varotsos, i cili ditën e inaugurimit u shpreh midis të tjerash:  “ …Mundësinë për të transformuar tragjedinë në një vepër arti e pashë si një mundësi të madhe. Ka një shprehje shumë të përhapur në vendin tim që vjen nga antikiteti: “ Nuk mund të ekzistojë e mira nëse nuk është dhe e keqja. Nga e keqja vjen e mira…”. Po atë ditë më 29.01.2012, kryebashkiaku i Otrantos, Luciano Carridi, do të shprehej: Historia ndonjëherë shkruan faqe shumë të trishtuara edhe kanali ynë ka asistuar tragjedi të dhimbshme, të cilat vështirë t’i harrosh. Por ne nuk duam të harrojmë, përkundrazi; duam t’i kujtojmë ato momente. Mendoj se është e drejtë të ruajmë kujtesën.”

Artisti grek edhe kryebashkiaku italian u shprehën se çfarë i frymëzoi për të ngritur atë anije të vogël patrulluese në vepër arti: për të mos harruar, për të pranuar fajin, për të ecur para, duke mësuar nga e kaluara. Kam shkruar disa artikuj atëherë, kur u nxorr anija, pse ky “monument,” duhet të vendosej në portin e Vlorës e jo në atë të Otrantos, por kot e kot. Për mua është e qartë sjellja e pushtetarëve dje dhe sot: Ekspozimi në një nga sheshet (edhe sot mund të bëhet) i asaj anijeje të vogël do t’u sillte ndërmend shqiptarëve jo vetëm tragjedinë, por edhe shkaktarët e saj. Sot një pjesë e sheshit të Portit të Vlorës është shndërruar në një karikaturë betoni, ku edhe me busull Shtëpiza e Pavarësisë vështirë të gjendet. Ai shesh-port ka histori që nga Ismail Qemali, Fan Noli, internimi i vlonjatëve në Sazan më 1920, jeta e vështirë e peshkatarëve veçanërisht çamë, notarët e papërsëritshëm të viteve ‘60-’70, arratisjet e vrasjet e bujshme në vitet 1990-1991 deri te tragjedia e Otrantos më 1997. Qëllimisht gjithçka, që është ndërtuar aty të kujton vitin zero, sikur më parë ka qenë shkretëtirë. Vetëm devetë mungojnë, se edhe piramida kanë ndërtuar mendjet e sëmura. Sheshi para Portit duhej të ishte vënë në funksion të Shëpisë Muze të Pavarësisë dhe të historisë së Skelës. Ajo që është ndërtuar aty është një njollë e zezë, një turp për ata që e projektuan dhe e ndërtuan, duke menduar të përjetësojnë veten dhe jo historinë. Nuk jemi rastësisht më të vonuarit e Europës. Ne harrojmë, falsifikojmë, madje nëpërkëmbim historinë tonë, nuk shikojmë rrugën nga kemi ardhur, largohemi nga e keqja dhe nuk e dënojmë atë; nuk kthehemi asnjëherë nga vetja, nuk lodhemi së urryeri ‘’atë tjetrin’’ si shkaktarë të të këqijave që na pllakosin, prandaj do vazhdojmë të vuajmë, të mbetemi të varfër e të përçarë. Dhjetëra e dhjetëra emisione e biseda televizive janë zhvilluar nga analistët e politikanët pas vitit ’97. Është folur edhe për tragjedinë e mësipërme nga këndvështrime të ndryshme, por as edhe një emision i vetëm nuk u bë për sjelljen e “Katerit” në Shqipëri.

“Kateri i Radës” është një shpirt, (jo vetëm një grumbull metalesh), një simbol i qindra mjeteve lundruese, që u përdorën nga shqiptarët, kur zbuluan Tokën e Premtuar, është një pjesëz e dhimbshme e historisë së trishtë shqiptare të fundshekullit të kaluar. Ky shpirt endet e endet varrezave të Vlorës, detit Adriatik, e gjithë Shqipërisë pa gjetur prehje e ngushëllim. Nëse katein nuk e biem dot në Vlorë, le të shkojmë, kur të mundemi në Otranto e ta shikojmë monumentin. Ata që e shkaktuan ose kishin gisht në tragjedinë për t’u lutur e qetësuar ndërgjegjen, të tjerët për të njohur historinë e gjyshërve dhe baballarëve. Krahas festave të shumta, që edhe kur nuk janë të tilla i shpik parlamenti, le ta caktojmë 28 marsin, si Ditën e Madhe të Kujtesës e Pendesës, që ngjarje të tila të mos përsëriten më.