Gëzim Llojdia: Si e gdhendi Odise Paskali “ Flamurtarin” e Ismail Qemalit

79
Sigal

Dossier/ Si e gdhendi Odise Paskali “Flamurtarin” e Ismail Qemalit

  • – Është Flamurtari me kostum kombëtar, që përfaqëson popullin e vetëdijshëm, që bën roje pranë varrit të atdhetarit të madh.
  • -Si skulptori i madh shqiptar Odise Paskal, ka realizuar 95 vjet më parë në Vlorë, “Flamurtarin”!
  • – Lulishtja e tij u ndërtua prej kryebashkiakut të asaj kohe Ali Asllani rreth viteve 1932.
  • -Paraqita një vizatim dhe çmimin 40 mijë franga ari. Më tha, ta reduktoja e me kosto më të vogël. Paraqita një të dytë, për 25 mijë franga.
  • – Në parlamentin e kohës, zëdhënësi i Zogut, Lalë Krosi, deklaroi botërisht se: «Naltmadhënia kishte dhënë 20 mijë franga ari një skulptori për ndërtimin e varrit madhështor të Ismail Qemalit».

1.Ai ishte mjeshtri i pa arritshëm i skulpturës shqiptare. Quhej Odise Paskali. Janë thinjur monumentet nga pesha e kohës nëpër rrugë dhe shesh qytetesh. Ai ka mërguar në mërgimin e madh dhe të pafundmë, për t’u mbyllur, për t’u ngurosur në fundin e fundmë, por jo të dëshiruar. Mërgoi si fillesë shpirti. Rri në këtë copë tokë, shiu rrëke derdhet përmbi bronzin tënd. Është Flamurtari me kostum kombëtar që përfaqëson popullin e vetëdijshëm, që bën roje pranë varrit të atdhetarit të madh i pikëlluar për vdekjen e tij, duke mbajtur në një dore flamurin historik dhe në tjetrën pushkën me të cilën do ta mbrojë për jetë. Ky është kuptimi, që skulptori i madh shqiptar Odise Paskali, ka realizuar 95 vjet më parë në Vlorë, Flamurtarin.

NOA

2.Mirëpo e gjeta këtë libër, ku mjeshtri i madh O. Paskali flet në kujtimet e tij në një botim, që është bërë para viteve ’90, që titullohet: “Gjurmë jete”. Skulptori i shquar ka shkruar për ndërtimin e varrit monumental të Ismail Qemalit. Nga zhbirimi i kujtimeve mësojnë faktin se artisti O.Paskali:Statujën e Flamurtarit e realizova, shprehet me honorarin e Monumentit të Luftëtarit Kombëtar të Korçës, të cilin po e punoja në të njëjtën kohë.

3.Odise Paskali: Varri i Ismail Qemalit

Libri:”Gjurmë jete:”Shb”8 Nëntori’, faqe 70, indeks 51.

“Më 1929 kisha botuar në revistën Studenti shqiptar të Torinos një projekt për varr monumental Ismail Qemalin.

Nga mesi i vitit 1930 në një udhëtim në Tiranë, më thirri Eqrem Libohova, ministër i pallatit dhe më tha se mbreti Zog dëshironte të ndërtonte me shpenzimet e veta (por që në fakt nuk shpenzoi vetë asnjë grosh) një varr madhështor për Ismail Qemalin dhe më ngarkoi të përgatitja një projekt të ri si e gjykoja më të përshtatshëm. Paraqita një vizatim dhe çmimin 40 mijë franga ari. Më tha, ta reduktoja e me kosto më të vogël. Paraqita një të dytë, për 25 mijë franga.

-Më tha se: nuk duhej abuzuar nga mirësia e lartmadhërisë së tij, prandaj mos të kushtonte më shumë se:” 10 mijë franga. Ndërkaq, për ngatërresë dhe mbase për interes, ndërhyri skulptori Italian De Markis, që jetonte në Tiranë, si organizator sportiv dhe m’u kërkua prej ministrit të oborrit, një maket plastik dhe një fragment në madhësi natyrore.

4.Në Ekspozitën e Miqve të Artit të 1931 kisha dhe maketin e Varrit të Ismail Qemalit dhe fragmentin portret të “Flamurtarit” në allçi në madhësi të monumentit. Lidha kontratë për 10 mijë franga ari. Në parlamentin e kohës, zëdhënësi i Zogut, Lalë Krosi, deklaroi botërisht se: «Naltmadhënia kishte dhënë 20 mijë franga ari një skulptori për ndërtimin e varrit madhështor të Ismail Qemalit».

Nuk u caktua se ku do të ngrihej monumenti, po nga një vizitë në Kaninë ku gjendej varri i vjetër, në një vend të ngushtë në oborrin e xhamisë, mendova se duhej ndërtuar në Vlorë, në vendin ku u ngrit flamuri më 1912.

Studiova vendin dhe e bëra fakt të kryer, pa pyetur njeri. Ngarkova korçarët, Kristaq dhe Kilo për punimin e gurëve. Ata punuan vetë i katërt mëse shtatë muaj dhe e përfunduan, siç është me gur të nxjerrë në pllajën e Ujit të Ftohtë. Vetëm ndërtimi i gurëve, blerja e pllakës dhe udhëtimet e mia e harxhuan të gjithë fondin prej 10 mijë frangash.

Statujën e Flamurtarit e realizova me honorarin e Monumentit të Luftëtarit Kombëtar të Korçës, të cilin po e punoja në të njëjtën kohë. Varri i Ismail Qemalit u përurua me 28 Nëntor 1932 nga ministri i Arsimit, poeti Hil Mosi, i cili e shpalli monument nacional.

5.Flamurtari me kostum kombëtar përfaqëson popullin të vetëdijshëm që bën roje pranë varrit të atdhetarit të madh i pikëlluar për vdekjen e tij, duke mbajtur në një dorë flamurin historik dhe në tjetrën pushkën me të cilën do ta mbrojë për jetë. Kokën e Flamurtarit e punova njëkohësisht me statujën dhe dëshira ime ishte, që të realizoja një tip labi. Një ditë, mbas vendosjes së statujës pashë në pazarin e Vlorës një fshatar, që i përngjiste krejt Flamurtarit dhe më erdhi mirë. Të gjitha punimet ishin të kryera në fillim të marsit 1932, po u vendos, që përurimi të bëhej me 28 Nëntor.”

6.Varri Monumental i Ismail Qemalit

Varri monumental i Ismail Qemalit u ndërtua rreth 95 vjet më parë nga skulptori O.Paskali. Ka të dhëna të cilat zbulojnë vitin për ndërtimin e varrit monumental. Këtë e zbulon së pari vet autori, skulptori Odise Paskali.

Një të dhënë tjetër kemi që lulishtja e tij u ndërtua prej kryebashkiakut të asaj kohe Ali Asllanit rreth viteve 1932. Sipas shtypit të asaj kohe gjejmë se eshtrat e plakut të Vlorës janë vendosur në këtë varrë në 20 vjetorin e Pavarësisë.

Këtë kohë përcakton edhe skulptori O. Paskali duke qartësuar datën 28 nëntor. Përurimet kryheshin në festën e Flamurit dhe në datën 28 .

Simbolika në vetvete është e qartë.

Ja shkurtazi çfarë citon shtypi i kohës: Ministri i Arsimit, Hilë Mosi u tha të pranishmëve: “Vëllezër shqiptarë. Sot mbushen plot njëzet vjet që kur Ismail Qemali, një nga bijtë më të çmuar të kësaj Vlore trime, m’u këtu në këtë shesh shpalli vetësundimin e Shqipërisë edhe valëviti në ajrin e lirë flamurin tonë të shenjtë kombëtar. Me këtë vepër, Shqipëria, e cila për më shumë se katër shekuj kishte lënguar nën zgjedhën e huaj, në mes të zjarrit të luftës ballkanike, nën udhëheqjen e një plaku, i cili për së afërmi i kishte ndjekur lëvizjet kombëtare të rilindjes, qysh më 28 Nëntor 1912 u shpall si shtet i lirë e i pavarur.”

“Këtë shtatore, që hijeshon varrin e Ismail Qemalit e që simbolizon flamurin kombëtar, si edhe ata luftëtarë që ranë theror për nder të tij, e deklarojmë monument kombëtar, edhe mirëmbajtjen e ruajtjen e saj ia ngarkojmë prefektit të Vlorës si kryetar i këshillit arsimor. Shqiptarë: Për një çast t‘i mbledhim zemrat tona rreth këtij veterani dhe t‘i betohemi se atë flamur që dora e tij shkundi nga pluhuri i robërisë, ne do të jemi gjithnjë gati ta mbrojmë e ta lartësojmë me mendjen, me zemrën edhe me gjakun tonë.”

Kryetari i Parlamentit, Eshref Frashëri mbajti një fjalë të shkurtër. Prefekti i Vlorës, Abedin Nepravishta, lexoi dhe mesazhin e mbretit.