Frank Shkreli : Lamtumirë “Orientimit Perëndimor” të shqiptarëve

241

Analizë nga ish-Drejtori i VOA-s për Euro-Azinë: Shqiptarët nuk janë anti-Perëndimorë, por të tillë janë udhëheqsit e tyre. 

Ndërsa, qytetarët po boshatisin trojet drejtë perëndimit, udhëheqsit e tyre politikë shprehen si mbështetës të vlerave të lindjes.  Dekriminalizimi i vendit, lufta kundër korrupsionit dhe mafies për të shpëtuar minimin e demokracisë nuk do të thotë që selitë e partive të kthehen në “qëndra torturash” por në to të qëndrojnë individ me integritet të pastër politik.

Sigal


Jo se shqiptarët janë anti-perëndimorë, jo, jo. Janë udhëheqësit e tyre.  Ndërsa, shqiptarët po boshatisin trojet drejtë perëndimit për një jetë më të mirë, udhëheqësit e tyre politikë shprehen mbështetës të vlerave të lindjes. Këtë e vërtetoi, ditët e fundit, për të disatën herë gjatë këtyre viteve edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, Zoti Edi Rama i cili me sfida dhe me kërcënime të drejtë për drejta ndaj Bashkimit Europian, vazhdon  me hapa të vegjël por të sigurt, ta largojë Shqipërinë dhe shqiptarët, në përgjithësi, nga orientimi perëndimor i tyre, një angazhim ky i shpallur nga rinia shqiptare pas shembjes së komunizmit, me parullën, “E duam Shqipërinë, si e gjithë Europa”. Ditët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Rama tha se ai vazhdon t’i ketë sytë nga lindja, drejt Turqisë dhe Lindjes së Mesme, duke shtuar se “Por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme”,  një kërcënim ky që ai e ka bërë edhe herë të tjera, në kontekste të tjera, qoftë ai, qoftë zëdhënësit e tij, gjatë viteve.

Deklaratat kërcënuese nga udhëheqësit më të lartë të Tiranës zyrtare, në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë drejt alternativave të tjera aleancash jashtë BE-së, janë të pa përgjegjshme dhe të dëmshme për procesin e integrimit të shqiptarëve në Evropë, si dhe kundër interesave afatgjata kombëtare të shqiptarëve ….”

Ndërkohë që thirrjes së Ambasadores Amerikane, Zonjës, Yuri Kim drejtuar udhëheqësve të partive shqiptare që të mos vënë kriminelë në listat zgjedhore për parlament, Zoti Rama iu përgjigj ambasadës amerikane se partitë nuk janë përgjegjëse për pastërtinë e kandidatëve për në Kuvend. E çuditëshme ishte përgjigja e tij ndaj thirrjes së ambasadores amerikane:
“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. S’kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive…”, u shpreh Z. Rama. Siç duket, nga toni i përgjigjes –me zemërim dhe inat ndaj diplomates amerikane– sikur përfaqësuesja e Ëashingtonit, vërtetë, bëri thirrje për “salla torturash”, për të siguruar pastërtinë e kandidatëve.

Thjeshtë, Ambasadorja amerikane, bëri thirrje që partitë të mos përfshijnë individë të korruptuar në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri, duke i përcjellur klasës politike shqiptare mesazhin e administratës së re të Presidentit amerikan, Zotit Joe Biden se ajo është e vendosur t’i vejë një theks të ri luftës kundër korrupisonit. Sipas një kronike të Zërit të Amerikës nga Tirana, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, kërkoi “Të kontrollohen mirë kandidatët, që të mos promovohet korrupsioni, të mos fyhen votuesit dhe të mos minohet demokracia shqiptare”, ndërkohë që disa ditë më parë ambasadorja, Kim, kur u takua me drejtuesit e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ka theksuar “Mbështetjen e SHBA për t’ju përgjigjur kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar me politikanë më të pastër”.  Një deklaratë kjo që siç duket zemëroi Kryeministrin e Shqipërisë.

Dekriminalzimi i politikës shqiptare ka qenë dhe është një vlerë amerikane, por edhe perëndimore, në përgjithësi. Asnjë vend nuk është i pastër nga korrupsioni. As Amerika dhe as vendet e Europës Perëndimore nuk kanë një politikë të përsosur dhe të pastër nga korrupsioni, por ama përpiqen, me aq sa është e mundur, me anë të ligjit dhe të normave të tjera të vlerave të shoqërisë, që të sigurohet një integritet politik nga partitë dhe nga individët e aprovuar prej tyre, që të kandidojnë si përfaqësues të denjë dhe të pa korruptuar të popullit.

Me doemos, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është një përgjegjësi e udhëheqësve dhe e strukturave të tjera të partive politike, si edhe e enteve ligjore, por edhe e vetë individëve. Por, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është edhe përgjegjësi ligjore, politike dhe morale e një shteti dhe përfaqësuesve të tij. Sidomos, kur këta politikanë të përjetshëm që pretendojnë për 30-vjet tani, të pakën me fjalë, se aspirojnë vlerat dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Ndërsa me vepra, por shpesh edhe me fjalë kërcënuese ndaj perëndimit — siç është rasti i deklaratave të fundit të Kryeministrit Rama – se Shqipëria nuk ka pse të presë për Europën, ka alternativat të tjera dhe jo vetëm për tregje, si Turqia dhe Lindja e Mesme.

“Shqipëria ka humbur — gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm — aq shumë raste të mira për integrim të plotë euro-atlantik.  Për këtë mungesë, fajin e kanë kryekput udhëheqsit shqiptarë, për mangësitë e tyre për tu përballur vet me korrupsionin, për tolerancën dhe madje edhe për nxitjen e korrupsionit si mjete këto për të siguruar fitore në zgjedhje due për të ruajtur pushtetin personal dhe partiak.  Koha nuk pret. Demokracia nuk pret! As Evropa nuk pret gjithmonë për shqiptarë!”

E kam thenë edhe herë të tjera se deklaratat kërcënuese nga udhëheqësit më të lartë të Tiranës zyrtare, në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë drejt alternativave të tjera aleancash jashtë BE-së, janë të papërgjegjëshme dhe të dëmshme për procesin e integrimit të shqiptarëve në Europë, si dhe kundër interesave afatgjata kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi. Deklarata të tilla kërcënuese duket se bëhen me qëllim për të dëmtuar ose për të neutralizuar përball interesave të tjera të huaja, jo vetëm atmosferën e bisedimeve me përfaqësues të BE-së, por dashur,  padashur, mund të influencojnë negativisht edhe marrëdhëniet e kombit shqiptar me aleatët historikë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dihet se Washingtoni antarësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bashkimin Europian e kanë pasur vazhdimisht dhe e kanë si një përparësi të politikës së tyre karshi shqiptarëve dhe të objektivave afatgjata të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe në Europë. Nëqoftëse vërtetë e do një gjë të tillë Tirana zyrtare, Shqipëria nuk do të futet në Europë me kërcënime por me një punë maksimale për përmbushjen e kushteve kryesore të Bashkimit Evropian, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet anëtare të këtij tregu. Shqipëria duhej të kishte qenë anëtare e Bashkimit Europian me kohë. Për këtë nuk e ka fajin krejtësisht BE-ja siç pretendon Kryeministri Rama dhe politikanë të tjerë shqiptarë.

Shqipëria ka humbur — gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm — aq shumë raste të mira për integrim të plotë euro-atlantik.  Për këtë mungesë, fajin e kanë kryekëput udhëheqësit shqiptarë, për mangësitë e tyre për tu përballur vetë me korrupsionin, për tolerancën dhe madje edhe për nxitjen e korrupsionit si mjete këto për të siguruar fitore në zgjedhje dhe për të ruajtur pushtetin personal dhe partiak.  Koha nuk pret. Demokracia nuk pret!
As Europa nuk pret gjithmonë për shqiptarë! Ndërkohë që shqiptarët, si gjithmonë — sidomos rinia — është e orientuar drejt Perendimit, gjë që po e tregon edhe me largimin në masë nga trojet e veta drejt Perëndimit – është e vështirë të kuptohet se si Kryeministri dhe politika shqiptare, në përgjithësi, shprehimisht pranojnë se i ka sytë drejtuar nga lindja, me të cilën siç duket klasa politike shqiptare — ndryshe nga pjesa dërrmuese e shqiptarëve — ka më shumë gjëra të përbashkëta me lindjen se sa me vlerat perëndimore.

Veprat, sjelljet dhe deklaratat e një pjese të klasës politike shqiptare janë një çoroditje e këtyre vlerave dhe çdo ditë e më shumë kjo klasë politike po na bën të humbasim besimin historik në thënien e Naim Frashërit se, “Dielli vërtetë lind në Perëndim”, për shqiptarët.